Vitim Çaushi: Beniamin Kruta, profesori që studioi elementët bazë të polifonisë

132
Sigal

Idetë e Prof. Beniamin Kruta janë në të kundërt të nxënësit të tij plangprishës Vaso Tole

Prof. Beniamin Kruta mori pjesë në mbi 30 ekspedita studimore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni(e veriut), Greqi e deri tek arbëreshët e Italisë, duke arkivuar më shumë se 5000 krijime folklorike

Më 24 maj 1994, etnomuzikologu Beniamin Kruta papritur ndërroi jetë, por la një pasuri të artë në fushën e etnomuzikologjisë për këngën polifonike shqiptare. I rritur në qytetin e Vlorës, mes tingujve të pafund të polifonisë labe, i ushqyer me nektarin e magjisë së saj estetike, e ndjeu për detyrim t’i kthente këngës së popullit borxhin e tij fisnik, borxhin që e frymëzoi dhe e motivoi tërë jetën e tij për të provuar etnitetin e spikatur arbëror të këngës polifonike. Prof. Beni, krenar për historinë e këtij populli, ia kushtoi jetën asaj krijimtarie shpirtërore, që i bëri kronikën dhe i la pavdekësinë popullit të vet në shekuj. Dashuria dhe ndjeshmëria për muzikën e popullit, e shprehur qysh në moshën e shkollës së mesme, e nisi Beniamin Krutën për studime në Akademinë e Arteve të Bukureshtit dhe në vitet 1962-1965, vazhdoi Konservatorin e Tiranës. Tema e diplomës mbi folklorin muzikor e përgatiti Krutën për emërimin e tij në Institutin e Folklorit, në të cilin mbuloi edhe sektorin në fushën e polifonisë. Në vitin 1972 Beniamin Kruta zgjidhet anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit. Më 1978 u bë bashkimi i Institutit të Folklorit me Institutin e Etnografisë nën emërtesën Instituti i Kulturës Popullore, në të cilin Beniamin Kruta merr drejtimin e sektorit të etnomuzikologjisë. Në vitin 1982 Beniamin Kruta mbrojti doktoraturën “Polifonia dy zërëshe e Shqipërisë së Jugut” disiplinë shkencore, të cilën e dha qysh nga viti 1982 në kursin e përgjithshëm të etnomuzikologjisë në Institutin e Lartë të Arteve. Aty krijoi edhe grupin artistik “Na bashkoi kënga popullore”. Me përzgjedhjen dhe interpretimin e lëndës muzikore shqiptare, formacioni i ri vokal dhe instrumental, solli një risi në jetën koncertale muzikore.

Ekspedidat

Prof. Beniamin Kruta mori pjesë në mbi 30 ekspedita studimore në Shqipëri, Kosovë Maqedoni, Greqi e deri tek arbëreshët e Italisë, duke arkivuar më shumë se 5000 krijime folklorike. Ai ka marrë pjesë në shumë konferenca brenda e jashtë vendit, si në Kalabri, Siçili, Austri, Gjermani, Turqi. Më 6-7 tetor 1989, prof. Kruta ka drejtuar në Tiranë Simpoziumin e Polifonisë së Ballkanit. Ka botuar shumë artikuj në revista shkencore jashtë vendit, veçanërisht përgatiti filmin shkencor dokumentar për Këngën Polifonike, me të cilin Shqipëria në vitin 1982 fitoi Medaljen e Artë në Festivalin e Hamburgut në Gjermani. Prof. Beniamin Kruta konsiderohet si muzikologu më me ndikim në jetën muzikore shqiptare, veçanërisht për muzikën polifonike. Ai hartoi monografinë mbi origjinën dhe identitetin e këngës polifonike shqiptare me dialektet, tiparet dhe dallimet e këngës polifonike të studiuara dhe konkretizuara me të dhëna nga terreni. Me bazën që hodhi prof. Kruta në studimin e këngës polifonike, u hodhën themelet për përgatitjen e dosjes dhe futjen e polifonisë shqiptare në UNESCO. Me shumë rëndësi mbetet për kulturën muzikore shqiptare edhe studimi i prof. Krutës për ndryshimet midis Eposit të Kreshnikëve dhe eposit të sllavëve të jugut. Prof. Beniamin Kruta ka realizuar 28 botime diskografike në Austri, Francë, Gjermani, Itali etj. Në vitin 1984 prof. Kruta është zgjedhuar Anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës me qendër në Bratislavë. Në vitin 1993 emërohet drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, deri sa u nda nga jeta. Prof. Kruta është konsideruar një nga studiuesit më të mirë në fushën e etnomuzikologjisë dhe polifonisë shqiptare. Prof. Kruta në metodologji shkencore që ka përdorur, e ka parë këngën polifonike në zhvillimin historik. Rëndësi të veçantë i ka kushtuar elementëve bazë të polifonisë: ”Zhvillimi i zërave nëpërmjet parimit të kontrastit meloritmik i diferencon në kohë këto këngë nga këngët ku dominon parimi i programuar i imitacionit. Kështu formave polifonike shqiptare dy – tre dhe katërzërëshe, u përgjigjen një mori teknikash, si: kryqëzimi i zërave, paralelizmi, kontrapukti, burdoni, teknika antifonale, imitacioni, polimelodika etj”( B. Kruta, Vendi i polifonisë shqiptare në polifoninë ballkanike. nr. 1, 1990 …f. 13) Në trajtimin e polifonisë sonë popullore, ka theksuar prof. Kruta, në mënyrë të shkëlqyer populli ynë ka krijuar vlera të vërteta emocionale, duke fuqizuar së tepërmi mendimet muzikore, epikën e ngrohtë dhe burrërore të Labërisë e Toskërisë, brenda të cilave shpaloset pasuria e madhe e vlerave stilistike, polifonike, individualiteti i melodive, kontrasti, figurat ritmike, kadencat, format interesante imituese, e deri te krijimi i bashkëtingëllimave harmonike, të cilat kanë me të vërtetë vlera origjinale. Ky zbërthim i detajuar, e bën më të qartë përmbajtjen strukturore të polifonisë shqiptare. Duke e studiuar polifoninë shqiptare në procesin e zhvillimit të saj historik si një çështje, që lidhet me zhvillimin e antropogjenezës, prof. Kruta ka theksuar: “Procesi i zhvillimit të polifonisë shqiptare nuk ka qenë i një trajtshëm dhe nuk ka ecur në vijë të drejtë…rrjedhim i këtij zhvillimi të brendshëm të polifonisë ishte edhe formimi i burdonit (isos) si funksion më vete…kjo dukuri muzikore (formimi i isos) ashtu si shumë të tjera, që kanë lidhje me kalimin nga një formë polifonike më të ulët në një formë më të lartë është rezultat i një praktike të gjatë historike…”( B. Kruta  Polifonia – trashëgim i lashtë kulturor i popullit shqiptar, “Kultura Popullore” 2/1982 f. 471). Prof. Kruta e studioi polifoninë shqiptare brenda etnosit shqiptar, për të cilin arkeologët e vendosin gjatë periudhës së kalimit nga epoka e neolitit në atë të bronzit, epokë në të cilën është e pranuar autoktonia e banorëve iliro-epiriotë. Shumë më vonë, në bronzin, e mesëm, fillon formimi i etnosit kulturor. Në këtë epokë shkalla e përputhjes midis kulturës dhe etnosit, theksojnë studiuesit, është gati e plotë, duke arritur pastaj tiparet më të përkryera dalluese gjatë kohës së hekurit. Kjo krijimtari e hershme është pjesë e proceseve shpirtërore dhe kulturore iliro-epiriote.

Polifonia këndohet në të gjithë Shqipërinë

Meqenëse prof. Beniamin Kruta ka argumentuar, se muzika polifonike është kënduar në tërë territorin shqiptar, Vasil Tole devijon dhe e vendos “isopolifoninë” deri në Shkumbin! Dyzërëshi nuk është i përhapur vetëm në Jugun e Shqipërisë, ka ekzistur dhe ekziston edhe sot në Veri të Shqipërisë përmes vajtimeve dhe këngëve të ndryshme. Për këtë prof. Kruta ka shkruar: “Dyzërëshi i popujve të Ballkanit, si dukuri duhet t’i përkasë një substrati të përbashkët me burim të lashtë, këtë e provojnë një sërë faktorësh, midis të cilëve elementët me bazë strukturore gjenetike dhe formale-intonative janë kryesore”.(B. Kruta – Vendi i polifonisë shqiptare në polifoninë Ballkanike, “Kultura popullore”, nr. 1-1990..f.14) dhe vazhdon: “Disa forma të polifonisë dyzërëshe ekzistojnë edhe në Bosnjë-Hercegovinë, dhe në Kroaci, por në forma rudimentare, të cilat nuk i kanë pasur fiset sllave të zbritura në trojet e banuara nga Ilirët”. (B. Kruta – Vendi i polifonisë shqiptare në polifoninë ballkanike, “Kultura popullore”, nr.1 1990, f. 14). Ndërkohë prof. Kruta ka sqaruar edhe strukturat polifonike dyzërëshe paraburdonale: “Shtjellimi i njëkohshëm i vijave të ndryshme të institucionit zanor është prototipi i polifonisë labe. Është natyra kontrastuese, kontrapunktike e zërit të dytë, “kthyesit”, në raport me zërat e tjerë, që përcakton këtu një shkallë të veçantë të zhvillimit polifonik”( B. Kruta-Polifonia trashëgimi e lashtë e popullit shqiptar- « Kultura popullore nr. 1 1990, f. 469) që si substrat të saj janë strukturat polifonike paraburdonale: “tiparet unitare të polifonisë shqiptare, veç të tjerash, e kanë bazën te ekzistenca e një substrati të hershëm të përbashkët të kësaj kulture muzikore, që i takon periudhës para formimit të dy nënsistemeve të polifonisë shqiptare tre dhe katërzërëshe burbonale toske dhe labe. Format karakteristike të këtij substrati janë pikërisht strukturat polifonike dyzërëshe paraburdonale me shmangie heterofonike, si dhe vetë format heterofonike, të cilat i ndeshim kudo në Shqipëri”(B. Kruta Polifonia trashëgimi … f. 469). Pas shqyrtimit tërësor tipologjik të shumëzërëshit polifonik në mbarë truallin gjuhësor të shqipes, prof. Kruta jep rezultatin përfundimtar: ”Trashëgimia e polifonisë shqiptare në gjendjen e sotme, me format e saj të zhvilluara tre-dhe katërzërëshe, nuk është veçse rezultante e atyre formave muzikore dyzërëshe, që e kishin kapërxyer stadin e heterofonisë dhe që vepruan që herët për një kohë të gjatë në formimin e saj”(B. Kruta, Polifonia trashëgim…f. 15. Prof. Beniamin Kruta, në Simpoziumin Ballkanik të Polifonisë në tetor 1989, e shtrin polifoninë deri në Shqipërinë e Veriut: “Shqipëria, sidomos ajo jugore, me shumëllojshmërinë e stileve dhe të formave vokale dhe instrumentale dy, tre dhe katërzërëshe, paraqitet një nga trevat më të gjera, më të zhvilluara dhe tipike. Nuk gabohemi po ta quajmë atë, epiqendër e polifonisë së Ballkanit. Polifonia shqiptare mbulon një territor që shtrihet që nga hapësirat verilindore përreth Strugës, e krahut lindor të liqenit Ohër e Prespë e rrethinave të Kosturit dhe krejt jugut të Shqipërisë deri në thellësi të Çamërisë. Por atë, në forma dyzërëshe, e ndeshim edhe nëpër Dibër, Kosovë, (Pejë, Kaçanik) te shqiptarët që jetojnë në Maqedoni në fshatrat e Pologut, prej rrethinave të Tetovës, Gostivarit e deri në rrethinat e Kërçovës. Në Shkup në zonën e Dervenit… Polifonia më shumë e më pak, gjallon në pjesën më të madhe të truallit gjuhësor të shqipes.” Kultura Popullore nr 1, 1990. Simpoziumi Polifonia e popujve të Ballkanit. 6 -7 tetor 1989) Ky fakt ka rëndësi të veçantë, pasi dëshmon, se shtrirja e polifonisë te shqiptarët në këtë apo atë formë, përkon plotësisht me trojet ku është bërë kalimi nga kultura e ilirëve në kulturën e kombësisë shqiptare.

Kontributi i prof. Krutës në problemin e “iso”-s

Problemi i “iso”-s në muzikën polifonike ka mbetur mes studiuesve të huaj, një diskutim i vazhdueshëm. Profesor  Kruta ka dhënë analiza konkrete dhe shteruese për “iso”-n e këngës polifonike shqiptare: “Ky tingull bazal shërben si pikë orjentimi për t’u intonuar me të gjithë pjesëmarrësit e grupit. Është ky tingull që rroket prej grupit dhe mbahet prej tij deri në fund të këngës. Në polifoninë labe sinjali burdonal nga zëri i parë nuk jepet që në hapje të këngës, por në fund të një, dy ose më shumë melovargjeve nismëtare. Kjo është në vartësi të strukturës arkitektonike të këngës”( B. Kruta, Burboni – isua në polifoninë shqiptare, disa çështje të etnogjenezës, “Kultura Popullore”, 1/1991, f.52). Nuk është grupi që mban burdonin, ai që në çaste të ndryshme ndërpret meloditë e dy solistëve, janë dy zërat kryesorë, të cilët me ndalesat e tyre të brendshme kadenciale e ndërpresin rrjedhën e burbonit (B. Kruta, isua…f.  53)...në periudhën e parë të formimit, periudhë, e cila duhet të përkojë me kohën e formimit dhe të zhvillimit të ritualeve, polifonia toske nuk duhet ta ketë njohur burdonin si element funksional”.( B. Kruta, Isua… f. 66) Përkundër analizave tepër të sakta të prof. Krutës, akademiku Tole, pas largimit të Krutës nga jeta, tenton ta ngrejë në mit rolin e “isos”-s: “Isoja është gati si institucion në gjithë muzikën popullore iso-polifonike të Shqipërisë së Jugut, pasi mbart identitetin e gjithë të kënduarit shumëzërësh iso-polifonik”.(V. S. Tole, Kur qanin kuajt e Akilit, f. 148) Sipas akademikut Tole, identiteti i këngës tradicionale shqiptare, nuk qëndron më, në përmbajtjen epiko-heroiko-lirike, në melodikën dhe psikologjinë e saj, por në blegërimat, që formojnë “iso-polifoninë”, “munguar” prej shekujsh në polifoninë shqiptare dhe në vitin 2005, me futjen në UNESCO, “isopolifonia” e Toles idha identitetin” kulturës polifonike shqiptare! Kjo na bind se Akademiku Tole nuk i ka njohur studimet e prof. Krutës, i cili si formë karakteristike të substratit polifonik, vendos strukturën polifonike dy zërëshe paraburdonale: “Në llojet e ndryshme të dyzërëshit dhe sidomos të atij fshatari ku, herë njëri zë, herë tjetri kanë karakter kolektiv, pra ekzekutohen në grup. Formimi i një mikrozëri apo i një nënzëri brenda zërit masiv (zërit kolektiv) është një dukuri që e përligj vetë mënyra e të kënduarit në grup, mënyrë në të cilën janë pothuajse përherë të larmishme shmangiet heterofonike”( B. Kruta Vendi i polifonisë shqiptare….f. 15) dhe më poshtë: “…Kemi parasysh këtu disa forma të polifonisë dy zërëshe të kënduara në grup, në të cilën shmangiet heterofonike shfaqen zakonisht në zërin masiv, zë i cili sipas strukturave tipologjike, herë luan funksionin e zërit udhëheqës, herë luan funksionin e zërit të dytë. Ky zë për vetë karakterin kolektiv të ekzekutimit, i ka të gjitha premisat për shmangie individuale nga uniformiteti melodik dhe për formimin e një zëri të tretë”(B. Kruta-Polifonia –Trashëgim i lashtë kulturor i popullit shqiptar. “Kultura popullore” 2/1982)