Kuvendi miraton ligj special për jetën luksoze të mercenarëve dhe hajdutëve të politikës

119
Sigal

“Shërbëtorët “ e popullit pas një muaji valle firmosin pagesën e orkestrës, ligjvënësit dyfishojnë pagat për qeverinë dhe drejtuesit e nivelit të lartë në administratë.Deputetët që s’u mjaftuan me karburant, telefon qira e dieta, nga rreth 1mln e 500 mijë do pësojnë rritje në rreth 3 milionë lekë. Për policët dhe mjekët u treguan ‘kursimtarë’ me një rritje rreth 60 mijë lekë. Zbardhen diskutimet në Komisionin e Ligjeve; deputetët:“S’më intereson nëse më gjykojnë. Minisitrja Ibrahimaj: Çështje prioriteti

Komisioni i Ekonomisë miratoi strukturën e re të pagave për Qeverinë, deputetët dhe drejtuesit e nivelit të lartënë administratë. Rritja e re e pagave e çon pagën e një deputeti në 310 mijë lekë të reja. Aktualisht paga e deputetit është 156 770 dhe do të rritet në 310 mijë lekë. Paga e një ministri aktualisht është 228 mijë lekë të reja dhe shkon në 329 mijë lekë.

Ndërkohë, paga e kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit shkon rreth 395 mijë lekë.

Paga e Presidentit të Republikës aktualisht është 257 mijë lekë dhe shkon në 425 mijë lekë të reja.

Bashkë me ta, rroga është rritur me 100 mijë lekë të reja edhe për institucionet kryesore.

Por sa i rriti shteti pagat për Policët dhe mjekët? Pagat e reja për mësuesit dhe mjekët parashikojnë që ata do të përfitojnë rritje page deri në 5900 lekë vitin e ardhshëm, ndërsa infermierët dhe edukatoret në kopsht dhe çerdhe do të marrin çdo muaj 3500 lekë më shumë se sa sot. Vendimi pritet të merret në vitin 2023, sipas progamit që specifikon buxheti me rritjen në nivelin 7%.

Ndërsa për Policët, rritja e pagave është bërë në varësi të gradës me një llogaritje prej 20 mijë lekë të reja.

Te policia: Inspektori i parë e ka 71 000 lekë dhe shkon në 97 500 mijë lekë.

Komisari aktualisht e ka 92 500 i shkon në 112 500 mijë lekë.

Drejtuesi i parë aktualisht e ka 117 500 dhe i bëhet 137 500 mijë lekë.

Drejtuesi madhor e ka 139 375 dhe i shkon në 187 500 mijë lekë.

Te burgjet: 

Aktualisht Inspektori i parë e ka 71 000 lekë dhe shkon në 97 500 mijë lekë.

Aktualisht Komisari e ka 83 mijë lekë e shkon në 112 mijë lekë.

Drejtuesi i parë e ka 112 e shkon 137 mijë lekë.

Drejtuesi madhor sot e ka 138 375, shkon në 187 500 mijë lekë.

Diskutimtet/ Deputeti i PS: “S’më intereson nëse më gjykojnë. Ibrahimaj: Çështje prioriteti

Pagat e deputetëve do të llogariten me koefiçent 0.73 dhe ato të ministrave me 0.75 në një hierarki, që nis me pagën më të lartë të Presidentit të Republikës, bazuar në propozimin e deputetes Antoneta Dhima, që sipas saj ka për qëllim “përcaktimin e një hierarkie të drejtë dhe dinjitoze të pagave”. Deputeti i opozitës, Agron Shehaj e cilësoi reformën një ofendim të Kuvendit dhe i kërkoi ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, sqarim për logjikën e skemës së pagave, ku drejtori i përgjithshëm në ministri e ka pagën më të lartë se ministri.“Mos është kjo një tallje e Ramës, duke përbuzur punën e ministrave dhe deputetëve, mos vallë i konsideron të korruptuar, apo një shfaqje populiste e tij që të detyrojë deputetët që të votojnë për pagat e tyre?” pyeti ai ministren. Ibrahimaj tha se, “nuk ishte çështje vlerësimi, por prioriteti”.“Ne donim që të gjitha kategoritë e tjera të përfitonin nga rritja e pagave dhe në përfundim të kësaj, do të sillnim një nismë për rishikimin e koeficentëve për anëtarët e kabinetit dhe deputetët,”- u përgjigj ministrja. Ndryshimin e koeficentëve për pagat e deputetëve dhe ministrat e kërkuan dhe deputetët e mazhorancës.“S’më intereson nëse më gjykojnë,”- tha deputeti i PS-së, Alban Xhelili , duke shtuar se nuk ishte çështja se po flisnin për pagat e tyre, por të paktën të ruhet niveli i pagave për deputetët.