Vepror Hasani: Sazexhinjtë e Korçës të njohur që nga viti 1661

440
Sigal

1957/Studiuesit e folklorit gjerman, ekspeditë në trevat e Korçës etj,.

 

1809/Sazet e Korçës, përmenden edhe nga shkrimtari John Cameron Hobhouse

 

Korça ka patur shoqëri muzikore që që nga viti 1661. Ishin po aq të mrekullueshme, sa ato të qytetit të vjetër të Beratit. Edhe Leskoviku kishte shoqëri po kaq të famshme. Shoqëritë muzikore të tyre, u përmenden prej udhëtarit të famshëm Evlija Çelebiu, autor i 10 vëllimeve të quajtura “Sejahatname” (libri i udhëtimeve), i cili e vizitoi Beratin në vitin 1670. (Në Korçë kishte qenë 9 vjet më parë, në vitin 1661, ku ishte njohur edhe me shoqëritë muzikore të quajtura ndryshe “tajfa”). “Çelebiu flet me respekt për grupin e muziktarëve të Beratit, që ishte ndër më të mirët krahas tajfës së Korçës, Leskovikut etj”. (Akademiku Vasil Tole “Muzika Popullore e qytetit të Beratit”).

Vlerësimi nuk ishte i rastësishëm, shoqëritë muzikore ekzistonin prej kohësh. Sipas kompozitorit dhe etnomuzikologut, Vasil Tole: “Në regjistrat osmane qysh në shek. XVI, gjejmë të shënuar profesionin e muziktarit orkestrant të Beratit, të quajtur me emrin “mehter”. Nga defteri i hollësishëm i livasë-sanxhakut të Vlorës i vitit 1520, tek ndarja e zejeve shohim se: Hasan Hysejni, Xhafer Hasani, Ferid Hasani, Jusuf Memi, Jusuf Ahmedi Sinan Jusufi, Jusuf Hysejni etj, figurojnë të regjistruar me profesionin e orkestrantit.

Nuk është çudi që jeta e shoqërive muzikore të Korçës të ketë nisur bashkë me themelimin e qytetit. Sipas Çelebiut, Berati kishte me dhjetra vende argëtimi, ku interpretohej edhe muzika popullore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Korçën: kafenetë dhe bujtinat i pati që nga fillesat e saj. Kishte marrëdhënie tregtare dhe kulturore me Stambollin, Izmirin, Janinën, Selanikun, Manastirin e shumë qytete të tjera. Gjithashtu, nuk ishte e rastit që dy këngëtarët më të mirë të Ali Pashë Tepelenës, ishin nga Korça. Me sazet e Leskovikut dhe të Përmetit kishin bashkëpunim të përhershëm.

Hershmëria e traditës muzikore të Korçës është e evidentuar edhe prej shkrimtarit dhe mikut të Bajronit, Hobhaus (John Cameron Hobhouse), i cili e vizitoi Shqipërinë në vitet 1809-1810. Ndër të tjera ai flet edhe për llahutën. Pirro Miso, ndërsa i referohet Hobhaus-it, shkruan: “Lidhur me llojet e llahutave, njihen dy formate që janë të përhapura në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Që të dy këto tipe, historikisht janë prodhuar nga mjeshtrat shqiptarë të punimit të veglave popullore të qyteteve si Korça, Leskoviku, Përmeti etj”. (Miso Piro, “Roli dhe funksioni muzikor i llahutës”, “Kultura Popullore”, 2/1981)

 

Nga më të vjetrit e muziktarëve të Korçës, mbahet mend Ibrahimi. E qante violinën. Kur e dëgjonin nëpër dasma, nuk mbetej njeri pa lotuar. Pas tij erdhi i biri, Hajroja, edhe ai mësoi ta bënte violinën të qante. Vitet më të suksesshme të Hajros ishin 1890-1920. Hajroja pati tre djem: Demkën, Rushanin dhe Shefkën. Dy të parët mësuan violinën, kurse Shefka llahutën. Vëllezërit i dhanë dimension tjetër artit të të qarit. Shpirtin e gjysh Ibrahimit dhe të Hajros e bashkuan me shpirtrat e tyre dhe u bënë tre breza bashkë. Virtuoziteti i tre vëllezërve magjepsi banorët e Korçës.

Me djalin e madh, Demkën, Hajroja krijoi shoqërinë muzikore “Demkë Hajro”. Në të bënin pjesë edhe Qamili i Famës, Arifi me llahutë dhe këngëtarët. Pas vdekjes së Hajros më 1920, shoqërisë iu bashkua Xhemal Gajdja nga Përmeti me violinë, Qamili i Famës me gërnetë, Kiço Poda, Malka, Qerimeja me dajre, këngëtare, dhe Sherifi me llautë. Më pas, shoqëria “Hajro Demkë” u ringrit nga vetë familja, nga Demka me bijtë, morën dhe Skënder Xhelin. (Demka  pati 5 djem dhe 2 vajza: Danin, Sulejmanin, Bidon, Abazin, Sazanin, Adivien dhe Xhevrien. Që të gjithë të lindur për muzikë. Abazi pati sukses të jashtëzakonshëm si fizarmonicist i shkëlqyer, si kompozitor, dirigjent, drejtues i Orkestrës së Estradës Profesioniste të Korçës dhe muzikant i Orkestrës Simfonike. Adhuruesit e tij i dhanë emrin “babai i serenatave korçare”. Bidoja shkëlqeu në violinë.

 

Formacioni  “Demkë Hajro”, mori pjesë në dasmën e mbretit Zog, si grupi muzikor më i mirë në vend. Pas përfundimit të dasmës, morën ftesën për një turne në Itali. Shtëpitë diskografike italiane treguan interes të veçantë për shoqërinë muzikore të Korçës.

Edhe prej Rushanit dhe Shefkës lindën muzikantë të talentuar. Sazexhinjtë e familjes Demka ishin të ftuar të përhershëm prej lokaleve të Korçës.

 

Si mjeshtër të violinës (përveç emrave që kemi përmendur), të paharruar mbeten dhe Hafize Leskoviku e sazeve të Leskovikut dhe Muharremi i Sazeve të Korçës. Ndër sazet e Korçës u shquan edhe ato të Cilo Qorrit. Përgjithësisht formacionet e sazeve ishin: 1 gërnetë, 1 fyell, 1 violinë, 1 llahutë + bakllama, 1 dajre. Në gajde spikatën: Skënder Feimi, Islam Bajrami Fiqiri Islami dhe Theodhor Thomai, kurse në Bilisht Safet Begolli. Jo më pak virtuozë u shfaqën dhe instrumentistët në bakllama, veçanërisht në kombinimin e saj me veglat e tjera muzikore. Në fillim të viteve 30, si mjeshtër të bakllamasë u shquan: Alo Qorri, Demka, Sulejman Bakllamaja dhe Demir Telhai. Për qytetin e Korçës, tradita e interpretimit me bakllama vijon të jetë e pëlqyer edhe sot e kësaj dite.

Në qytetin e Korçës, emër të madh patën edhe sazet e Sulo Konicës. Pjesë e këtij grupi u bë edhe Laver Bariu i Përmetit me të atin. “Laveri luante në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalike që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës. Për herë të parë luajti në gërnetë bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”. Shpejtësia dhe thjeshtësia e interpretimit të tij në gërnetë u ra në sy të tërëve, veçanërisht gërnetistit të njohur popullor në Korçë, Skëndo Kuqos. Rastësia bëri që usta Hajdar Cangonji, gërnetisti popullor nga Zvezda, me të cilin punonte nëpër dasma i ati i Laverit, e dëgjoi duke kënduar me llautë këngën popullore “Dorën mor çun dorën, më trete si dëborën”. Megjithëse i vogël në moshë, Laveri iu bashkëngjit sazeve të Hajdar Cangonjit, duke punuar nëpër dasma me “xhezban”. Ai kujton se dasma e parë ku ai interpretoi së bashku me usta Hajdarin dhe me të atin, Bariun, ishte në Vithkuq. Me ta punoi vetëm një behar. Pas kësaj formoi së bashku me vëllezërit Sulo (rreth 35 vjeç) dhe Asllan (rreth 40) nga Konica një formacion tjetër të përbërë nga Suloja në klarinetë, Asllani me def dhe Usta Laveri me llautë, të cilët luanin muzikë popullore qytetare në qytetin e Korçës”. (Referuar enciklopedisë muzikore)

 

 Si klarinetist virtoz i Korçës, në gjysmën e dytë të shek XX, do të mbahet mend Lulushi (Nevruz Nure, 23.03.1954 – 23.04.1990), i cili, i lindur në familje muzikantësh, shfaqi talentin e tij që në fëmijëri. Luante edhe në klarinetë dhe fisarmonikë. Shumë shpejt u bë pjesë e Ansamablit “Skënderbeu”.  Në vitin 1983, në Festivalin e Gjirokastrës interpretoi kabanë e papërsëritshme, të njohur tashmë me emrin “Kabaja e Lulushit në Sol”. Ka qenë tri herë laureat i Festivaleve Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës duke filluar nga 1978, 1983, 1988. Nderohet me çmim të veçantë në Samsun të Turqisë më 1987, e  po ashtu mjeshtër nderi në Prevezë-Greqi më 1984 dhe 1989. Nuk ka realizuar ndonjë kasetë apo CD të plotë, por një pjesë e madhe e regjistrimeve të tij i janë bashkëngjitur repertorit muzikor të këngëtarëve popullorë Lindita Theodhori, Sotiraq Vangjeli dhe Eli Fara. Sazet e tij përbëheshin nga 2 gërneta, 1 violinë, 1 fyell, 2 llauta, 1 fizarmonikë dhe 1 dajre. Vdiq në moshën 46 vjeçare me 23 prill 1990 nga një sëmundje e rëndë. (Lit: Tole Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë 1998)

 

Ishin këto arritje të muzikës shqiptare në përgjithësi që tërhoqën vëmendjen e studiuesve gjermanë. Sipas Encikopedisë muzikore: “Një ndër interesimet më të mëdha të studiuesve të huaj për folklorin muzikor shqiptar zë fill me ekspeditën shqiptaro-gjermane, e kryer nga muaji maj deri në gusht të vitit 1957. Kjo ekspeditë u realizua si një ndërmarrje e përbashkët mes Akademisë së Shkencave Gjermane në Berlin,(Instituti për Folklorin Gjerman) dhe  Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Itenerari i ekspeditës ishte si më poshtë: ekspedita filloi punën në zonën e liqenit të Ohrit, pastaj në Mokër, në rrethin e Pogradecit dhe të Korçës, në Kolonjë e Leskovik, Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Sarandë (Borsh dhe Himarë), në Dukat të Vlorës, në malësinë e Kurveleshit, në Myzeqe dhe Mallakastër, në Fier, Berat, Lushnjë dhe Skrapar. Anëtarët shqiptarë të ekspeditës ishin Albert Paparisto dhe Ramadan Sokoli. Anëtarët gjermanë ishin gjuhëtari Wilfried Fiedler, tekniku Johanes Kyritz dhe etnomuzikologu Erich Stoçkman. Materialet muzikore të regjistruara, gjenden në arkivat gjermane”.

 

Fig1

Grupi i Ligoraq Qano. 1955. Sipër, majtas djathtas: Gjergji Peleshi, Thanas Kondili. Më poshtë: Tomi Macko, Raqi Abeshi, Ligoraq Qano

 

Fig2

Një grup miqsh gjatë një feste të veçantë, ca. 1959

 

Fig3

Muzikantët tradicionalë gjatë një shfaqje zyrtare, ca. 1959