Vepror Hasani: Kur Dritëro Agolli u nderua me titullin “Doktor Honoris Causa”

754
Sigal

Shqipëria do të behet, të huajt jo të na zhvirgjërojnë, por të na ndihmojnë

Nga Vepror Hasani

Paraditen e së premtes më 21 tetor 2011, Universiteti “Fan Noli” i qytetit të Korçës, me rastin e 80-vjetorit të lindjes të gjeniut të madh të letrave shqipe, Dritëro Agolli, e nderoi me titullin “Doctor Honoris Causa”. Në këtë ceremoni, kishte dërguar përshëndetjen e saj edhe akademikja Floresha Dado, përshëndeti gjithashtu zëvendës ministrja e Arsimit dhe Shkencës Nora Male, Rektori i Universitetit Gjergji Mero, zëvëndësrektori Ali Jashari, poeti Moikom Zeqo, pedagogë dhe studentë. Gjatë kësaj ceremonie u vu re se fjala e Agollit u prit me padurim, me kureshtje, me nderim dhe me emocion, jo vetëm nga studentët, por edhe pedagogët e këtij universiteti dhe gjithë të pranishmit e tjerë, pasi Agolli, ashtu siç pritej, solli një ligjërim njerëzor, të zgjuar, të thjeshtë, të kuptueshëm e domethënës dhe me humor njëkohësisht. Në të njëjtën kohë fjala e tij pati edhe nëntekstin, i cili u soll me mjeshtëri nga mjeshtri i fjalës, ashtu siç kuptohet një fabul e Ezopit. “Tashmë kam kohë të shkoj në një botë tjetër, tha Agolli, ku do të shndërrohem në flutur, të fluturoj…”.

 

Nuk kam kohë të turpërohem

 “Po në këtë raste, u shpreh Agolli, kur njeriu merr një titull, vihet në mendime e thotë: “A jam i zoti ta mbaj një titull të tillë apo nuk jam, se mos turpërohem. Po unë jam tani 80-vjeç dhe nuk kam kohë të turpërohem. Kam kohë vetëm të shkoj në një botë tjetër, të kthehem në një materie tjetër, (unë jam ateist, si pjesa më e madhe apo të gjithë ju që merreni me shkencë dhe letërsi), dhe vetëm mund të kthehem në një qenie tjetër: një krimb, pas krimbit pastaj bëhem flutur, (sepse larvat shndërrohen në flutura), por jam i gëzuar nga kjo anë, se nuk mbetem krimb, por do të bëhem një flutur dhe fluturoj. Krahët s’e di si mund t’i kem, të kaltra apo të bardhë, por kështu është materia: asgjë nuk humb, vetëm transformohet. Më duket Lavuazieri (Lavoisier) e ka thënë këtë, shkencëtar i madh francez, nuk e ngatërroj, sepse në moshën time njerëzit bëhen edhe matufë: i ngatërrojnë jo vetëm emrat e shkencëtarëve, por ndonjëherë harrojnë emrin e tyre, por deri tani nuk më ka ndodhur ky fenomen, vetëm fjalët më ngadalësohen…”.

E dua devolliçen

“…por (njerëzit në këtë moshë), tha Agolli, edhe e gënjehen ndonjëherë shpejt, megjithëse unë rrjedh nga fshatarësia e fshatarët janë tepër dinakë, nuk gënjehen aq kollaj, jam edhe produkt i kulturës së fshatarësisë. Unë nuk vij nga librat, por nga kultura e fshatarësisë; vij nga mjeshtrit e mëdhenj të lërimit të tokës, por vij edhe nga mjeshtrit e tjerë të këngës popullore, bile kur flas këtu përpara jush, ndonjëherë më vete mendja t’ia themi ndonjë kënge devolliçe, por duhet të jetë ndonjëri që të ma mbajë. Po, këtu e kam fjalën që, kurrë studentët të mos dalin mendjemëdhenj, por ta duan vendin e tyre. Në fillim të duan nga kanë ardhur, nga ç’krahinë, nga ç’fshat, t’i duan më përpara ato, dhe pastaj bashkohen të gjitha këto dashuri me një dashuri të vetme: me dashurinë për Shqipërinë, që ma merr mendja, se do të ecë përpara dhe do të bëhet një nga vendet më të preferuara edhe për të tjera vende, sepse është e virgjër në këto anë, në shfrytëzimin e klimës, unë nuk them në atë kuptim, që të vijë dikush nga jashtë dhe të na zhvirgjërojë, por të vijë e të na ndihmojë, jo të na bëjë gjëra të pabëra…”.

Lavdia e punës ka fytyrën e Devollit

“Pra, unë i dua me gjithë shpirt të gjitha qytetet dhe vendet e Shqipërisë, tha më tej Dritëro Agolli, por veçanërisht e dua Korçën, Bilishtin, por edhe Kolonjën se jam nip në Kolonjë. Nuk ka vend më punëtor se sa Korça, Devolli, Kolonja etj, por veçanërisht Devolli. Dhe, nëse do të bëhet, një monument e kam fjalën, (e kam thënë edhe një herë tjetër), për lavdinë e punës, me figurën e një devolliu duhej të bëhej një monument i madh. Ju falënderoi edhe një herë të gjithëve që më dhatë këtë titull dhe do ta mbaj këtë me nder, sepse siç thashë në fillim, nuk ka kohë të turpërohem, po ta kisha marrë në moshën 40-vjeçare, (më mirë që s’e mora), sepse atëherë, disa herë jemi turpëruar…”.

 E bëra “përshesh” fjalimin

Edhe këto pak fjalë që i thashë, nënvizoi Agolli , -i bëra “përshesh”, sepse një herë u futa këtej, një herë u futa andej, po tani jemi mësuar me shumë fjalime, se kemi gjithnjë zgjedhje, dëgjojmë fjalime, edhe sot gjithë këto diskutime të gjata, sikur na i kanë mësuar edhe neve. Flasim kështu kur marrim ndonjë “rrobe të tillë” të nderuar… “Ju falënderoj edhe një herë të gjithëve që më dhatë këtë titull dhe do ta mbaj këtë me nder sepse siç thashë në fillim, nuk ka kohë të turpërohem, po ta kisha marrë në moshën 40 –vjeçare, (më mirë që s’e mora) sepse në atë kohë disa herë jemi turpëruar…”Vendi ynë nuk është aq i madh dhe shqiptarët mund të njihen me emër gati të gjithë, vuri në dukje Dritëroi. Jo vetëm aq, por gjithë shqiptarët janë kushërinj (kushërinj të parë, të dytë, të tretë, të katërt), nuk gjen ndonjë shqiptar që të shkojë në qytet dhe të mos ketë kushërinj, qoftë në Veri, qoftë në Jug. Unë jam nga kjo anë edhe ndofta këtu kam shumë kushërinj në qytet, por gruaja ime është nga Shkodra, edhe atje kam kushërinj. Ku s’kam? Edhe në Tropojë, po edhe në Gjirokastër që kam mësuar në shkollën e mesme, por edhe në Bilisht që kam bërë shkollën unike, në çdo vend të Shqipërisë”, përfundoi gjeniu i letrave shqipe, Dritëro Agolli