75-vjet martesë, Shaban Gugashi “rekordmeni” i dashurisë durrsake

1021
Sigal

U shuajt në moshën 100 vjeçare Shaban Gugashi.

“Rekordmeni” dashurisë durrsake që me zonjën e tij, Sulltane Gugashi kishin hyrë për 75 vjet martesë së bashku

Nga Ardi Omeri

Një rekord jo vetëm shqiptar por edhe botëror. Ai lindi më 14 qershor 1919 në Shkup nga një familje gjakovare. Në kohën kur lindi kufijtë e Shqipërisë nuk ishin të ndaluar për shqiptarët që kishin banesë dhe aktivitete kudo ku banonin shqiptarët në Ballkan. Babai tij Ramadani kishte aktivitet në Kosovë Maqedoni dhe Shqipëri, Durrës. Ai kishte një restorant aty ku është  sot Pallati i Kulturës. Shabani vjen në Durrës,  pas studimeve në Shkup dhe merret me mbarëvajtjen e biznesit familjar, por pas shumë pak muajsh, pasi ra në kontakt me Lëvizjen Atdhetare Antifashiste ai arrestohet nga italianët dhe burgoset. Familja paguan dhe pasi del nga burgu ai shkon partizan. Luftoi dhe vazhdoi shërbimin në Shtabin e Përgjithshëm deri në 1945-n.  Falë studimeve në Shkup ai fillon punë në ofiçinën e parë mekanike në Durrës me specialistin italian Mario Catalanin dhe durrsakun Kosta Mano.  Në 1947-48 për nevojat e popullsisë lindi nevoja e krijimit të fabrikës së makaronave që në atë kohë quhej Punishtja e Beshirit, që ishte tek kryqëzimi i Lagjes së Re ose te ish-shkolla e natës (për ata që e mbajnë mend). Më pas u krijua një fabrikë e tjetër pikërisht përballë Spitalit Rajonal Durrës me rreth 200 punëtorë, e cila më pas po me drejtimin mekanik të usta Shabanit u transferua tek  fabrika  makaronave, atje ku është edhe sot firma “Teuta”. Shaban Gugashi në moshë shumë të re me asistencën e mjeshtrit italian ndërtoi makineritë e para dhe Durrësi u bë furnizuesi i gjithë Shqipërisë me makaronat e para “Made in Albania”. Këto linja më pas, me porosi të Ministrisë së Lehtë e Ushqimore u shtrinë në gjithë Shqipërinë dhe në të gjitha ishte firma e mjeshtrit Gugashi. Në fabrikën e makaronave ai u njoh me zonjën Sulltane që ishte nga familja durrsake Çyrbja dhe në fund të marsit 1946 martohen, për të kaluar së bashku gati 75 vjet. Ata sollën në jetë tre vajza dhe një djalë. Me ikjen nga jeta të Shaban Gugashit shuhet një rekord jete martesore, ikën nga jeta një nga të paktë partizanë antifashistë e gjallë në shekullin XXI, ustai i ndërtimit të makinerive të prodhimit të makaronave, një baba dhe gjysh e stërgjysh për dhjetëra  nipër e stërnipër, por edhe një bashkëqytetar durrsak që jetoi në dy shekuj, në tre shtete ku shtrihet kombi shqiptar.