Gëzim Zilja: Një kujtesë miqësore për veprimtarin Artan Lame me shokë

565
Sigal

Krahas politikanëve të të gjitha ngjyrave, që tashmë janë kthyer për pjesën më të madhe të shqiptarëve në persona të urryer për korrupsionin, lidhjet me krimin e organizuar, jo rrallë injorantë, janë dhe një aradhë tjetër historianësh, albanologësh, arkitektësh, artistësh, analistësh, akademikë e profesorë, që nuk hyjnë në grupin e parë. Përgjithësisht kur janë në opozitë ata shfaqen si veprimtarë të mençur, të ditur, të kënduar, të arsimuar, parimorë, guximtarë. Në një farë mënyre ata janë “varrmihësit” e  pozitës me kritikat dhe veprimet e tyre. Me ardhjen në pushtet të partisë, ku bëjnë pjesë, sjellja e tyre ndryshon, duke u kthyer në shërbestarë të bindur të liderit të partisë. Do të veçoja si shëmbullin më tipik njeriun e ditur, publicist, koleksionist, veprimtar të shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, sot funksionar i lartë në qeverinë socialiste, Artan Lame, Shkrelin një herë tjetër.

Shkrimet e tij si opozitar i kam lexuar me kërshëri, duke i çmuar shumë për të vërtetat, profesionalizmin e lartë  dhe guximin qytetar. Kam qenë nga këndonjësit dhe përkrahësit e tij të përkushtuar. Më ka pëlqyer për finesën, qytetarinë, stilin elegant mbushur me fjalë të reja dhe arkaike, të puthitura aq mirë, humorin e gjetur, jo rrallë një shartim midis humorit të shëndetshëm të Shqipërisë së Mesme dhe ironisë therrëse të Jugut dhe plot me argumentë historikë e shkencorë. Ndër objektivat kryesorë të tij ishin shkrimet kundër pushtetit autokrat të ish-kryeministrit Berisha, korrupsionit dhe sigurisht “si kalë beteje”, duke qenë profesionist, kishte luftën për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Në artikullin me titullin rrënqethës “Ikni” pasi bën një analizë të gjendjes së mjeruar ekonomike të vendit, ku njerëzit po humbasin shpresat për një jetë më të mirë, shprehet  i revoltuar: “Të gjithë po i zë ethja të matin distancat nëpër harta, numërojnë orët, presin bileta, prenotojnë avionët, lidhen në telefona me kushërinjtë e periferive të qyteteve të Europës, bëjnë gati valixhet, shesin apartamentet dhe bibliotekat e gjyshërve dhe duan të ikin, të ikin, një orë e më parë. Në fund do të na mbetet në vesh zëri tragjik i Kadri Roshit, tek thërret ndën gunën e Plakut Mere: “Ikni, ikni dhe ju pas të madhit dhe le të këndojë qyqja mbi këtë gërmadhë”. Tetë vjet më vonë sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjendja është më e rëndë; numri i atyrë që largohen nga Shqipëria është shumë herë më i lartë dhe braktisja e vendit sidomos nga të rinjtë po kthehet në një alarm të madh kombëtar. Tashmë në pozitë, gjithë idelogët e mendimtaët e përmendur më sipër, të rreshtuar me urdhër të komandantit, gjithë diturinë përpiqen ta harxhojnë për të na mbushur mendjen, se njerëzit largohen jo se jemi keq, por sepse ashtu kanë qejf, ose heshtin si gur varri… Të ketë lidhje kjo me tespihet e panumëruara të plakut Mere?! Më tej, në shkrimin me titull “Solomoni ynë”, ai bën një analizë të thellë të sjelljes pa kuptim të kryeministrit Berisha, gjatë një takimi në Bathore: “… Ditën që një shtetar detyrohet t’u drejtohet direkt nënshtetasve të vet për t’u zgjidhur hallet, duhet të pranojë fillimisht se ka dështuar në ngritjen e shtetit funksional..”. Pyetja ime është: A vlen sot kjo logjikë për kryeministrin  Rama, për bisedat e tij kilometrike, dialogët legjendarë me popullin në fb, e intervistat e stërzgjatura të përditëshme nëpër TV? A ka dështuar ai me këto biseda në ngritjen e një shteti funksional? Por intelektuali plot sqimë e guxim nuk ndalej në parimet e tij demokratike. Bashkë me shokë të tjerë, ai kërkon sinqerisht në shkrimin “Debat për debat,”, që për planin rregullues të qendrës së Tiranës dhe veprime të tjera të pyeten specialistët, arkitektët, urbanistët, historianët dhe për këtë kryqëzon Bashën e Berishën, sepse: “ …. Natyrisht që as unë dhe askush prej atyre, që marrin pjesë nëpër debate, nuk pretendojmë apriori të jemi mbartës të së vërtetës absolute. Madje, në disa raste, falë debatit dhe informimit, mund të ndërrojmë edhe në ide, apo edhe administrata të ndryshojë vendimmarrje të nxituara. Por sqarimi publik, transparenca e vendimmarrjes, debati publik janë detyrime kushtetuese, ligjore dhe morale, që qëndrojnë në themel të sistemit që po përpiqemi të ngremë.” Tashmë pas tetë vjetësh qeverisje të majtë, kur vetë autori i këtyre shkrimeve është në majat e pushtetit, ndodhemi përballë fakteve edhe më skandaloze nga ato që ai ka shkruar. A pati debat të hapur për prishjen e Stadiumit Kombëtar, apo Teatrit Kombëtar nga sportistë, artistë, historianë, arkitektë, spcialistë të trashëgimisë kulurore etj? Dikur qeveria demokratike hodhi idenë e ndërtimit të një stadiumi të ri! Tepër i shqetësuar zoti Lame i ndodhur jashtë shtetit, shkruante: “I telefonova Fatos Lubonjës për të folur për marrëzinë e radhës që po planifikohet, shkatërrimi i stadiumit “Qemal Stafa (Bashkëjetesa 2012)  “Dhe më tej…. “ Tha (Sali Berisha. Shën.im) se 100-vjetori i shtetit shqiptar do të na gjejë me Stadiumin e Ri Kombëtar të ndërtuar. I thamë prapë se nuk mund të prishte Stadiumin që ishte, pasi qe monument kulture, se nuk kishte vend aty për të ndërtuar një më të madh, se duhej ngritur një stadium i ri nga themelet, në vend tjetër, se kishte nevojë qyteti edhe për një stadium tjetër, e plot argumente të tjera. (Ndërtonjësi i madh)” Qeveria demokratike u tërhoq dhe u shpreh se ishte fjala për një stadium të ri, jo për prishjen e atij kombëtar. Për shkuljen e disa pemëve, prishjen e gardhit rrethues dhe dy fortinove te Pallati i Brigadave, gjatë zgjerimit të rrugës së Elbasanit, Lame shkruan: “… Pallati i Brigadave është një prej objekteve të vetëm me vlerë europiane që ka mbetur brenda kufijve shqiptarë. Është i projektuar dhe realizuar nga arkitektët më në zë të epokës së vet. Ndërsa barbarët e Tiranës, pikërisht në ditët kur po broçkullisin për integrimin europian, po vinin dorë mbi të me kazma dhe ekskavatorë”. (“Të pabesët” 2012). Në kohën kur flitej për këto prishje, drejtor i Monumenteve të Kulturës ishte Apollon Baçe, sot një nga mbrojtësit më të mëdhenj të trashëgimisë kulturorore!? Lame me të drejtë i sulej atij, plot urrejtje, pezm dhe trishtim: “Para disa ditësh u miratua plani i ri rregullues i Tiranës. Plan i thënçin, po nejse, kohë pas kohe do i bëjmë të ditura thagmat e tij, ndërsa sot dua të them vetëm njërën syresh. Ky palo-Plani heq nga mbrojtja të gjitha zonat e trashëgimisë së qytetit dhe ua hedh ujqërve në gojë për t’i shqyer e betonizuar. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë assesi e s’ka si e bën Bashkia, nëse Instituti i Monumenteve më parë nuk thotë bjerini, e nuk i heq i pari nga mbrojtja. Për të na siguruar që edhe kjo proçkë ishte e tija, drejtori Apollon Baçe, doli vetë në televizor dhe deklaroi se zonat dhe objektet që u hoqën nga mbrojtja nuk kishin asnjë vlerë. Por po të qe kështu, qorra nga sytë kishin qenë ata që i kishin vënë në mbrojtje para tij dhe u desh të vijë Apollon syhapuri e t’i ndreqë?… Për më tepër, në vitin 2007 vetë Apolloni e kishte shpallur sërish monument kulture atë objekt, ndërsa tani, tre vjet më pas, prapë po vetë ai doli t’i hiqte statusin dhe pa pikë turpi të deklaronte se: “Piramida ishte objekt pa vlerë”…(Punë të pista)” Ai e akuzonte Apollonin për bunkeret gjermanë, në hyrje të Pogradecit, shatërvanin para parlamentit, kabinën elektrike të asaj kohe,  dy vepra mesjetare në Shkodër, shtëpinë e Flamurit në Korçë, të cilat ai i kishte hequr nga lista e trashëgimisë kulturore, duke përfunduar: “E mbyllëm gojën se ky shpirtkazmë ishte hazër t’i vinte kazmën çdo gjëje që thoshim ne, sikur edhe Mikelanxhelo ta kish ndërtuar….Ne nuk e ndajmë dot pse-në e urrejtjes së këtij direktori për trashëgiminë tonë. Ndoshta e bën se tani që është plakur, i vjen inat që kalatë e kishat tona do të rrojnë edhe pasi ai të mos bëjë më hije mbi dhé; apo e bën se i duhen pará për të shtyrë pleqërinë dhe ca qejfe që nuk i shkojnë moshës së tij; apo thjesht, për t’u bërë qejfin atyre që e kanë vënë në atë detyrë”. (“Punë të pista”). Më tej Lamja ngre zërin deri në kupë të qiellit se burgu i Spaçit dhe i Sarandës duhet të ruheshin e të ktheheshin në Muze, të ndaloheshin ndërtimet në kalanë e Krujës, etj etj.  Megjithëse në përgjithësi Artani (jo Shkreli) është një kritikonjës i përkorë, kundër Apollonit e ka prishur pak etikën. Po Apolloni ma merr mendja ka zbatuar porositë e Partisë në pushtet dhe ndoshta autori ka të drejtë, kur thotë se i është dashur dhe ndonjë lek. Po citoj së fundmi dhe një përmbledhje të shkurtër sesi e vlerësonte z. Lame, Bulevardin e Madh dhe veprat e ndërtuara gjatë tij nga italianët, përfshi edhe Teatrin Kombëtar:  “Pas pushtimit italian, në ëndrrat e Musolinit, Shqipëria do të ishte baza fillestare për Perandorinë e Re Romake në Ballkan. Në këtë skemë, Tirana do të luante rolin e kryeqytetit ballkanik të Perandorisë. E shihni se çfarë roli na kish rënë në pjesë? I gjithë plani i ri rregullues i Tiranës, bulevardet, godinat madhështore, (përfshi dhe Teatrin Kombëtar. Shën.im) ) ishin në funksion të këtij projekti ballkanik. Natyrisht që për këtë projekt, italianët mobilizuan arkitektët e tyre më të mirë, që i bie të ishin praktikisht edhe më të mirët e botës, të cilët lanë punët e tyre në Romë, Firence e Milano dhe erdhën këtu te Lana, Varri i Bamit dhe Brraka, që të projektonin qytetin e së ardhmes. Dhe e bënë…(Shëmbuj rezistence). Por kur gjithë këto mrekulli si thotë me të drejtë autori si Stadiumi që u rrafshua, Teatri që u kthye në varr, kur Kulla e Sahatit po mbulohet me qefin, dhe Tirana po shpërfytyrohet prej partisë se tyre, gjithë ata socialistë në parlament dhe jashtë tij, publicistë, arkitektë, urbanistë, historianë, që vërtetësisht e kuptojnë se çfarë po ndodh pse nuk bëzajnë? Pse ngarkojnë  të na mbushin mëndjen pilivesat elisa, apo gushëkuqët erionë? Tetë vjet më vonë me heshtjen e tyre, shkrelët e lamet e PS-së, janë kthyer në simetrikët e apollonëve të PD-së, madje edhe më keq. Fundja të thonë si specialistë, që kryeminstri ka të drejtë dhe të japin për këtë një arsye të vetme e të mos fshihen vrimave. Një “megazinë e Jovan Bardhit” vlen më shumë se dinjiteti i njeriut, se e vërteta, se liria e mendimit? Sepse populli ka nevojë t’i thuhet e vërteta. Shëmbuj ka plot. Ja, Maks Velo derisa shkoi në atë botë, nuk bëri kompromis me asnjë qeveri, Aurel Plasari po ashtu, Fatos Lubonja thotë ato që mendon. Poshtë shumë poshtë ka rënë pazari…