Vasil Tole: Rëndësia e trashëgimisë shpirtërore për brezat

Ndaj të njëjtin mendim se trashëgimia është brandi ynë kombëtar e njëherazi edhe identiteti ynë europian. Sic shprehej me të drejtë Ismail Kadare, shkrimtari ynë i përbotshëm, Shqipëria dhe shqiptarët janë europianë nga gjuha, gjeografia, nga arti dhe trashëgimia kulturore e tyre, qoftë ajo materiale dhe ajo shpirtërore. E pikërisht, fokusimi i kësaj tryeze të rrumbullakët në çështjen trashëgimisë kulturore e posaçërisht asaj jo materiale, është pa dyshim, një hap në drejtimin e duhur. Për me tepër kur kjo tryezë lidhet me mbështetje, nisma e projekte konkrete që Bashkimi Europian bën për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

Siç dihet, trashëgimia kulturore jo materiale në Shqipëri ka një realitet të lashtë të ekzistencës së saj, qysh në zanafillën e jetës në këto troje, e veçanërisht ajo e lidhur me fillesat e krijimtarisë gojore të njerëzimit. Dikur europianët e parë që vizituan Shqipërinë shkruanin se “pasuria kryesore e shqiptarëve është folklori, por ka edhe krom dhe bakër”! Nga ana tjetër, kjo trashëgimi e lashtë, po përjeton realitetin më të ri që lidhet me promovimin si pjesë identitare e vendit tonë.

Sigal

Për herë të parë në vitin 2003, vendosëm përdorimin e konceptit të trashëgimisë kulturore jomateriale në ligjin “Për trashëgiminë kulturore”. Fakt është që u desh një përpjekje e madhe intelektuale dhe lobim institucional që më së pari që ky koncept të pranohej nga institucionet dhe nga shumica e njerëzve si realitet, por edhe si vlerë e barabartë ligjërisht mes trashëgiminë materiale dhe asaj jo materiale. Deri më atëherë, si për ironi të fatit, prodhimet materiale artistike të njeriut pranoheshin dhe vlerësoheshin si trashëgimi (e kam fjalën për monumentet e kulturës dhe format e ndryshme të tyre), kurse vetë njeriu, gjuha dhe trashëgimia e tij, si krijues dhe bartës i drejtpërdrejtë i vlerave shpirtërore paragjykohej dhe nuk vlerësohej për atë çka ai përfaqësonte.

E në këtë drejtim, krahas plotësime të kuadrit ligjor në vend, në gjysmën e viteve 2000, shteti shqiptar hodhi hapat e duhur për të shpallur zyrtarisht një ditë dedikuar rëndësisë së trashëgimisë kulturore për vendin, u zgjodh data 29 shtator e cdo viti si “Dita kombëtare e Trashëgimisë”, kjo në sinkroni me aktivitetin “Ditët Europiane të Trashëgimisë” që Këshilli i Europës i organizon zakonisht në muajin shtator; ngritjen e komitetit përkatës për trashëgiminë jo materiale krahas atij të TK materiale pranë MK, konsiderohen një tjetër masë e vlerësimit të kësaj trashëgimie, po ashtu themelimi i skemes kombetare te Festivaleve Folklorike Tipologjike Kombetare (sazet, kenga qytetare, rapsodet, polifonia me iso, vallet dhe lojrat popullore) te cilat organizohen nga Qendra Kombetare e Veprimtarive Tradiconale. Gjithashtu u ratifikuan nga ana e shtetit shqiptar dy konventat bazë të UNESCO-s të kësaj fushe, ajo “Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore, jomateriale”, dhe atë “Për mbrojtjen dhe zhvillimin e larmisë së shprehjeve kulturore”.

Mund të themi me plot gojën, se falë ratifikimit të këtyre konventave, sot, elemente të veçanta të trashëgimisë jo materiale shqiptare janë pjesë e listave të mbrojtura nga UNESCO, kam këtu parasysh polifoninë me iso të Shqipërisë së Jugut, dukurinë e trashumancës, kostumin e xhubletës malësore dhe së fundi edhe kcimin e Tropojës. Kjo ka ndikuar së tepërmi në promovimin e tyre ndërkombëtar e sidomos në rritjen e rëndësisë së kësaj trashëgimie për komunitetet. Për fat janë në rrugë e sipër edhe të tjera dukuri jo materiale për tu bërë pjesë e këtyre listave, kjo krahas listës kombëtare të ruajtjes së trashëgimisë kulturore jo materiale ku bëjnë pjesë një serë dukurish, listë që zuri fill në vitin 2010.

Rëndësia e trashëgimisë për brezat është pak të them që është e jashtëzakonshme. Në kohën kur procesi i integrimit europian është gjithmonë e më i shpejtë, nga ana tjetër, Shqipëria sot është më e ekspozuar se kurrë ndaj rrezikut të humbjes dhe denatyrimit të trashëgimisë së saj mijëravjeçare, edhe për shkakun se familjet e mëdha shqiptare dhe zonat konservative të kësaj trashëgimie, janë dukshëm të ekspozuara ndaj ndikimeve të globalizimit, të emigrimit dhe migrimit të popullsisë krahas shkaqeve të tjera që dëmtojnë përditë monumentet e kulturës, nga faktorët atmosferikë e deri tek papërgjshmëria njerëzore.

Krahas iniciativave për shtimin e financimit për ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë (turizmi kulturor p.sh është një nga format e prekshme), ka ende nevojë për nisma të reja ligjore sic është ajo për hartimin e një ligji të ri për përdorimin e gjuhës shqipe në funksionet publike e në mënyrë të vecantë është koha që për çështjen e edukimit përmes trashëgimisë në vend, të ndiqen standardet e dokumenteve të ngjashme, siç është rasti i “Road map for arts education”, dokument i UNESCO-s i aprovuar në konferencën kushtuar edukimit përmes artit, mbajtur në Lisbonë në mars të vitit 2006.

Aktualisht që po flasim ende nuk kemi të aprovuar një dokument politikash dhe një skemë të integruar të zbatimit të saj, pavarësisht faktit se elemente të edukimit përmes trashëgimisë i konstatojmë të ndërfutura në kurrikulat shkollore në shkollat 9-vjeçare dhe në gjimnaz dhe i dëgjojmë të artikulohen si prioritete. Çmoj se është detyrim i përbashkët i Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Akademisë së Shkencave që të prodhojnë një “Policy Paper” në këtë fushë, që të përcaktojë modalitetet, hapat dhe detyrimet që duhen përmbushur për të kryer një proces esencial të edukimit përmes trashëgimisë jo materiale duke çmuar pikërisht rëndësinë që ka kjo çështje për gjeneratat. Projekte të rëndësishme janë duke u zhvilluar nga Akademia e Shkencave dhe institutet pranë saj për evidentimin dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë dhe qytetërimit shqiptar, kam parasysh këtu hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe me 120000 fjalë, Enciklopedinë Shqiptare me mbi 12.000 zëra dhe Historinë e Shqiptarëve me 4 volume etj.

Përmasat e edukimit përmes trashëgimisë jomateriale duhet të përfshijnë edhe tri elemente shumë të rëndësishme në planin pedagogjik, të cilat lidhen me studimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore në kontakt të drejpërdrejtë të subjektit me monumentet dhe me bartësit dhe artistët popullorë; përfshirjen e tij në procesin e gjallë të transmetimit të TKSH-së. Për të çmuar rëndësinë e TKSH për brezat, Shqipërisë i nevojitet më së pari krijimi i një standardi të “edukimit cilësor” përmes kësaj trashëgimie, i cili duhet të mbështetet në principet e gjithëpranuara:

-“edukim, i cili është i pranueshëm për subjektin, por që gjithashtu promovon vlera universale; -edukim, i cili është i mundur të ndodhë në pikëpamje të aksesit publik ndaj tij dhe të mirave që sjell, duke garantuar gjithëpërfshirjen e subjekteve dhe jo përjashtimin e tyre; -dhe së treti, një edukim, i cili reflekton dhe ndihmon përmbushjen e të gjitha te drejtave individuale” (shih: Dakar Framework for Action, 2000).

Para së gjithash, evidentimin e rëndësisë së trashëgimisë jo materiale për brezat nuk duhet ta trajtojmë si një binom të thjeshtë mes të rinjve dhe trashëgimisë, i cili për hir të së vërtetës nuk “lexohet” dot me “çelësat” që kanë sot për sot në përdorim institucionet shqiptare të kulturës dhe arsimit. Nuk duhet harruar se edukimi përmes artit dhe trashëgimisë ngërthen disa komponentë shumë të rëndësishëm që lidhen me zhvillimin e gjithë qenies njerëzore. Këto komponentë, referuar “Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut”, posaçërisht nenit 22, 26 dhe 27, lidhen me rëndësinë e trashëgimisë si një e drejtë kulturore bazë, gjë e cila përforcohet edhe në “Konventën kuadër të të drejtave të fëmijëve”, neni 29 dhe 31, ku theksohet fakti se shtetet duhet të promovojnë të drejtën e fëmijëve për të marrë pjesë në jetën kulturore dhe artistike, si dhe të drejtën për të pasur mundësi të barabarta rikrijuese në të gjitha llojet e formave kulturore dhe artistike pasi përmes edukimit, fëmijët dhe të rinjtë do të ndërgjegjësohen për larminë e formave kulturore dhe përmes tyre do të mund të njohin tjetrin dhe kulturën e tij, për t’i shërbyer një të ardhmeje në paqe dhe zhvillim.

Nuk është e tepërt të themi se si në shumë vende, trashëgimia kulturore dhe aspekte të saj materiale ose shpirtërore kanë shkuar drejt humbjes, sepse vlerat e tyre nuk u përfshinë në kurrikulat e edukimit shkollor. Kjo është një kërkesë imperative që duhet të vazhdojë të kryhet në vijim; p.sh.: nxitja e larmisë gjuhësore ndërkohë që respekton gjuhën tënde në të gjitha nivelet e edukimit, është një aspekt që duhet të marrë zgjidhjen e duhur.

Së fundi, duke përfituar nga prania në këtë tryezë, po rendit përmbledhtazi edhe disa çështje të tjera që janë të ndërlidhura me edukimin përmes TK dhe që kërkojnë zgjidhje të shpejtë si:

– hartimi dhe mirëpërcaktimi i parimeve të strategjisë dhe të politikave shtetërore në fushën e trashëgimisë kulturore jo materiale;

– identifikimi i trashëgimisë kulturore shpirtërore përmes një shenjimi të veçantë të tipit të emblemës etj;

– ripërkufizimi i kuptimit të trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe i vlerave përbërëse të saj;

– shpërblimi i vlerave artistike të bartësve dhe prodhuesve të trashëgimisë kulturore shpirtërore;

– krijimi i muzeve të trashëgimisë kulturore jo materiale;

– krijimi i një fondi publik për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jo materiale  në buxhetin e shtetit për MK dhe për pushtetin vendor;

– përditësimi i listave të monumenteve dhe dukurive me elemente të reja nga trashëgimia kulturore e Shqipërisë dhe krijimi i më shumë se një inventari të katalogimit të trashëgimisë kulturore jo materiale;

– mbështetje për projekte kombëtare dhe vendore të ruajtjes së trashëgimisë, të tilla si: veprimtari të gjallimit, transmetimit, edukimit, të studimeve dhe kërkimeve mbi të;

– vendosja e standardeve për shumëfishimin dhe riprodhimin e certifikuar të dukurive të TKSH  etj.