Vangjush Saro: Kaliningradi i Karnavaleve: Lufta dhe Paqja

204
Sigal

Diku nga mesi i viteve ‘90, shoqëroja Ansamblin Artistik të Korçës në një Festival Kulturor në Kaliningrad, ku mes të tjerave afishohej edhe tradita e Karnavaleve. Bëhej fjalë për një takim ndërkombëtar, ku shtete të ndryshëm sillnin kulturat dhe trashëgiminë e tyre, valle, muzikë, veshje, gatime, etj. Ne udhëtuam nga Tirana në Vjenë, që këtej në Varshavë e, mandej, me autobuz, për në Kaliningrad. Mësuam që kishte qenë një krahinë e Gjermanisë, në fakt zemra e Prusisë; dhe atje kishin lindur disa njerëz të njohur e filozofë, mes të cilëve Emanuel Kanti. Mësuam, gjithashtu, që kishte qenë një bazë e madhe ushtarake, por tash po i zvenitej fama dhe rëndësia. Edhe pse kam shumë kujtime nga një sërë udhëtime në vende të ndryshme, sidomos si gazetar e zëdhënës i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, ky festival la mbresa të veçanta tek unë. Kisha qenë edhe më parë në Rusi (në Moskë dhe, për një qëndrim të shkurtër, edhe në Kursk) me kolegët Nezihat Hoxha (atëherë gazetare në TVSH) dhe Martin Leka (aso kohe gazetar te “Koha jonë”). Por ky festival dhe ato dhjetë ditë të qëndrimit në Kaliningrad, ishin njëlloj feste, me shfaqje të përnatshme, me mbrëmje vallzimi të hareshme, me shumë miqësi, madje edhe me flirte…  Isha në shoqërinë e poetit Skënder Rusi, që zuri miqësi me Elenën, një vajzë që kishte studjuar për Gjuhë Shqipe në Shën Petërburg (s’jam i sigurt nëse e quanin ende Leningrad). Me regjisorin e mirënjohur Dhimitër Orgocka, një punëtor i madh i skenës dhe ekranit, edhe për shkak të itinerarit, folëm për vuajtjet e rënda të vëllait të tij dhe gruas së shkretë polake. Me këngëtaren Lindita Theodhori (Sota) kujtuam festivalet e këngës, ditët dhe netët në Qytetin e Studentëve, dashuritë e asaj kohe, njohjen e saj me burrin e ardhshëm, student në Inxhinierinë e Ndërtimit dhe që e thërrisnin Sorge (i ngjiste atij aktorit që kishte luajtur në filmin “Cili jeni ju z. Sorge?”) dhe i përmend këto sepse, fundja, ishim në Rusi… Ndjesë që u zgjata pak në disa kujtime, për t’i ndihmuar atmosferës së këtij shënimi; le të vijmë tani më në temë. Gjatë rrugës, në Vjenë, Autoritetet e Kufirit i sekuestruan njërit prej pjesëmarrësve, një kuzhinier, disa thika me të cilat ai do të demostronte kulturën tonë të gatimit… Ia sekuestruan thikat, me gjithë ndërhyrjen dhe shpjegimet e Përfaqësuesit të Ministrisë së Kulturës, një djalë e nëpunës ekselent; na thanë se kuzhinieri mund t’i merrte ato kur të ktheheshim… Kaliningradi është një provincë krejt e veçuar, në kufij tokësorë, nga Rusia. (E ndajnë nga ajo Polonia dhe Lituania.) Bashkimi Sovjetik ia rrëmbeu Gjermanisë Konigsbergun (emri gjerman i asaj treve) në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, edhe më parë, dy shekuj më parë, qyteti dhe krahinat përqark ishin pushtuar nga Perandoria Ruse, por shpejt i qenë rikthyer Prusisë. Në Konferencën e Potsdamit, gusht 1945, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia besuan sërish sovjetikëve këtë territor; ata e kishin pushtuar atë disa muaj më parë. Në vitin 1946, qytetit iu dha emri Kaliningrad; (qyteti i Kalininit; Mihail Kalinin ishte një revolucionar bolshevik me ndikim të rëndësishëm në Revolucionin e Tetorit e më pas dhe kishte vdekur atë vit). Një krahinë tërësisht gjermane u shndërrua në ruse, siç është edhe sot Kaliningradi. Ndaj popullsisë gjermane u ushtrua dhunë në mënyrë konstante. Pa njohuritë e duhura në fushën përkatëse – me gjithë “shkollimin” tonë në zbore e në kurse ushtarake për vite me radhë – kujtoj që askush nuk fliste për këtë qytet kohë më parë, madje edhe vetë pothuaj e kisha harruar, pavarësisht kujtimeve të mira. I ndërmenda ato tash që disa media shkruajnë se Kaliningradi është vendi ku Rusia mban armë bërthamore. Media të tjera tregojnë se do të dërgohen aso… (D. Medvedev, një nga ndihmësit më të afërt të Putinit, ka thënë se në enklavën e Kaliningradit do të instaloheshin (Kur?) raketa hipersonike dhe armë bërthamore.) Kjo është një temë për ekspertë të fushës. Ndërkaq, në këto kohë lufte e frike, mua më kujtohen edhe njëherë thikat e pafajshme të atij kuzhinierit korçar, si dhe ato netë të bukura me mbrëmje vallzimi e shfaqje në paqe. Qyteti që po e humbiste rëndësinë e dikurshme ushtarake, po organizonte aktivitete ndërkombëtare, po hapej për kulturat e vendeve të ndryshme, edhe për Karnavalet; dhe tash ai shndërrohet në një kërcënim për botën, karnavalizohet…Putini është parë me valixhen e kodit atomik, është parë edhe me qiri në dorë; koha është për të mbajtur në to prangat. Mbase do ta sjellë rasti; mbase Perëndimi (dhe të eturit për paqe) nuk e kanë krejt të humbur davanë me të…