Valter Shtylla: Ing.Veli Shtylla dhe kolegët e tij, specialistë të palodhur në ndërtimin e rrugëve në Shqipëri

557
Sigal

Prof.Dr. Valter Shtylla

Ing. Veli Shtylla dhe kolegët e tij , specialistë të palodhur  në ndërtimin e rrugëve në Shqipëri.

 Në kujtim të 30 vjetorit të vdekjes së ing. Veli Shtyllës

Përveç nderimit të emrit të babait tim, për të shkruajtur këto rrjeshta ,më ka nxitur dhe një arsye tjetër jo pak sensibël. Gjatë viteve, në organet tona publicistike është folur e shkruar mjaft për personazhe të shquara në fusha të ndryshme të jetës si në politikë, ekonomi, mjekësi, art, sport, hidrocentrale, kulturë, histori etj. Por për kontributorë dhe teknikë të njohur në sferën e ndërtimit të rrugëve dhe urave është shkruar tepër shkarazi, dhe të mos harrojmë pra, se rrugët janë arteriet komunikuese dhe zhvillimi tërësor i një vendi. Gjithashtu duhet nënvizuar se si në çdo fushë tjetër edhe në atë të ndërtimeve rrugore nuk kanë munguar emrat e përveçëm shqiptarë, të aftë, të palodhur, të kudondodhur. Në çdo kohë, me gjithë  kushtet jo optimale të një vendi të varfër, ata kanë punuar me ndershmëri, pasion, duke i shërbyer interesave kombëtare. Janë këto arsyet që përveç aktivitetit të tim eti, në këtë shkrim mendoj të citoj dhe figura të tjera të njohura të ndërtimit të rrugëve dhe urave tek ne. Ing. Veli Shtylla ka lindur ne vitin 1908 në qytetin e Korçës, në një familje patriotike me origjinë nga fshati Panarit i trevës se Vakëfeve, ku ka origjinën dhe Iljaz bej Mirahori, një nga drejtuesit kryesorë të Sulltan Mehmetit të II, pushtuesi i Konstandinopojës në vitin 1453, ku Mirahori spikati në Jedikule të Stambollit. Sot në Korçë ruhet në këmbë Xhamia e Iljaz beut e themeluar nga ai që në fillimin e shekullit të XVI. Babai i Veliut , Mehmeda Panariti (Shtylla) , në fundin e shekullit të XIX lëvizi në pllajat e Rrungajës pranë Panaritit, ku në këtë vend u krijua fshati Shtyllë, afër Vithkuqit. Me fillimin e shekullit të XX-të Mehmedaj, u vendos në Korçë nën kujdesin e dajës së tij Seida Panariti, fisnik dhe ushtarak i njohur i kohës. Prandaj dhe Mehmeti mori prapashtesën e tutorit të tij Seida. Mehmedaj pati 9 fëmijë, tetë djem dhe një vajzë.  Duhet theksuar se personazhi kryesor i familjes së Mehmedajt ishte djali i dytë Tahiri, i cili tërë formimin e tij arsimor e mori në Itali. Pasi përfundoi studimet politiko-juridike ne vitin 1925 në Romë, Tahiri vazhdimisht kreu detyrën e diplomatit fuqiplotë prej vitit 1925 e deri në vitin 1941, duke shërbyer në Legatat Shqiptare në Itali, Greqi, Jugosllavi, Bullgari, Rumani si dhe i akredituar në disa shtete të tjera europiane. Ishte Tahiri ai që bëri të mundur studimin në Itali të të gjithë vëllezërve të tij, përfshirë dhe Veliun. Veliu ishte vëllai i katërt i tetë djemve të Mehmedajt. Pas liceut të Korçës ai vijoi studimet e larta  në Akademinë Ushtarake të Modenas, një nga Akademitë  më të njohura në Europë.

 

Në fillim të viteve 30 pasi përfundoi studimet në Modena, Veliu, vazhdoi dy vite aplikacion në Torino dhe në vitin 1934 u diplomua në fushën e xhenjos duke u kthyer në Shqipëri si kuadër i Ushtrisë Kombëtare. Ushqeu simpati për lëvizjen anti-fashiste dhe me mbarimin e luftës, në vitin 1946 me gradën kapiten, caktohet si pjestar i trupit arsimor pranë shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Duke qënë vëllai i Rizait dhe Skënderit, të burgosur për tentativë të krijimit të opozitës social-demokrate në Korçë, çvishet si ushtarak dhe caktohet si inxhinier specialist për ndërtimin e rrugëve pranë Ndërmarjes Rruga-Ura në Tiranë, por në kantjere të shpërndara në të gjithë vendin. Puna ishte e vështirë dhe larg familjes. Ndërtoheshin dhe riparoheshin rrugët dhe urat e dëmtuara nga lufta në çdo qytet e krahinë të Shqipërisë.  Në intervalin 1946-1956 Ing.Shtylla ushtronte detyrën e përgjegjësit teknik në shumë kantiere larg Tiranës dhe familjes. Në kantierin e Mamurrasit punohej për rrugën Vorë-Fushëkrujë-Milot. Jetohej me vështirësi e madje me rreziqe jete. Ishte koha kur në Malin e Bardhë e përreth vepronin grupe të armatosura. Punëtorët flinin  nëpër rulotat e vjetra, teknika bazohej në rulot “Perlini” dhe kamionat tip ” 84 “ “ 66”  të Fiatit , prodhime të përdorura italiane të mbetura nga lufta. Kantieret jashtë familjes ndiqnin njeri-tjetrin. Skamja dhe varfëria plotësonin njera tjetrën. Pasi ushqehej nëpër mencat e kantiereve babai triskën A të bukës na e linte neve në shtëpi. Periudhë e vështirë ekonomike, veçanërisht në kohën e Koçi Xoxes, deri në vitin 1948. Ditëve të shtuna kur pas një apo dy javëve babai vinte pranë familjes, ne fëmijët të malluar dhe mamaja nikoqire prisnim ndonjë send ushqimor që punëtorët-fshatarë të kantiereve, të varfër, por me shpirt të madh, ia sillnin atij, inxhinierit të tyre tejet i komunikueshëm dhe njerëzor me ta. Në kantierin e Skurajt pranë Urës së Zogut në Milot Ing. Veliu drejtoi punimet e asfaltimit gjatë rrugës Ulëz-Milot, ku jo rrallë herë, i shoqëruar dhe i armatosur kalonte kryeministri i kohës Mehmet Shehu për zbulimin e personave të armatosur, që vepronin në ato zona. Rastiste që duke ndaluar automjetin, me autoritetin dhe tonin e tij, ai komunikonte me kuadrot, që drejtonin asfaltimin e kësaj rruge të ashpër malore.

Në një banesë të dëmtuar nga lufta, në Klos, u vendos kantieri i rrugës Klos-Bulqizë, ku punëtorët kishin pranë lumin e Matit, një ndihmesë për ta për ndonjë peshkim që mund të plotësonte racionet e tyre modeste . Në vazhdim të punimeve të asfaltimit të rrugëve në zonat e veriut, Ing. Veli Shtylla ka zbatuar punimet dhe në qytetin e Shkodrës dhe në atë të Lezhës ku terreni fushor favorizonte së tepërmi sistemet rrugore. Formimi teknik i tij dhe përvoja kanë lënë gjurmë dhe në Shqipërinë  e jugut. Ai ka dhënë kontributin e tij dhe në Ballsh, ku punëtorët flinin nëpër çadra pranë përroit të qytetit. Në Gjirokastër, Sarandë e Delvinë im atë përveç punimeve rrugore ka kryer dhe punime në fushën e ujësjellës-kanalizimeve. Në vitin 1956 ing Veliu, u kthye në Tiranë pranë familjes duke u emëruar si përgjegjës teknik i Kantierit Rruga Ura në Tiranë, ku drejtor u caktua z.Koço Grapshi. Në Tiranë inxhinier Shtylla punoi deri në vitin 1968 kur doli në pension. Kantieri i Tiranës u orientua me sistemimin e trotuareve dhe rrjetit rrugor të Tiranës. Mjaft punime u kryen dhe për sistemimin e lumit të Lanës si për urat mbi të, trajtimin e shtratit dhe skarpateve të tij. Kantieri kontribuoi dhe për rrjetin e kanalizimeve të kryeqytetit. Emri i Veli Shtyllës do të mbahet mend jo vetëm për kontributet e tij teknike. Ai ishte tepër njerëzor, komunikonte me modesti me të gjithë. Deri në vitet e fundit të jetës atë e vizitonin në shtëpi ish punëtorë të tij në jetën e kantiereve. Të pesë djemtë e tij u arsimuan dhe punuan me korrektësi dhe ndershmëri siç i kishte mësuar i jati. Mamaja, nga familja historike Pojani e Korçës arriti të përballojë me urtësi periudhën e vështirë të kohëve kur i shoqi  endej kantiereve. Nga pikpamja teknike, kur punonte inxhinier Shtylla, asfaltimet rrugore kryheshin me metodën e vjetër, me sistemin e penetracionit, dy shtresa granili mbi çakëll, të spërkatura nga autobitumatriçja me dy shtresa bitum naftor i M-2 e 3.

 

Pas viteve 50 edhe në Shqipëri filloi asfaltimi me metodën e asfaltobetonit të nxehtë rreth 150°C që prodhohej në bazat e ngritura në Tiranë, Durrës, Suç të Klosit, në Xibrakë etj. Në vitet e fundit para pensionit edhe atij i takoi të punonte me asfaltbetonet. Përmenda që në hyrje se për arsye të mungesës së informacionit publicistik, dhe si një njohës edhe unë i fushës së rrugëve të sotme, ndërkohë që njihem dhe si gjurmues i rrugëve dhe urave të hershme monumentale tashmë të botuara dhe si specialist i monumenteve, në shkrimin për inxhinier Shtyllën do të bëj një përpjekje prezantuese për mjaft kuadro dhe specialistë të fushës së rrugëve dhe urave. Duke qenë njëherazi dhe kolegë e miq të tim eti padyshim ata janë pjesë organike e këtij shkrimi, të themi individual. Fillimisht Ndërmarrja Rruga-Ura në Tiranë u drejtua nga kuadro me kontribute gjatë luftës. Të tillë qenë Halil Vasjari, Koço Grapshi, Lefter Konomi etj, të cilët qenë njerëz me bonsens siç i kujton babai. Pas mesit të viteve 50 në drejtimin e ndërmarrjes erdhën kuadrot e para teknike të shkolluar në vendet e lindjes. Sokrat Hobdari me kulturën teknike çeke dhe Mithat Demiri nga shkolla ruse, përkatësisht ishin Drejtor dhe Kryeinxhinier i Ndërmarrjes, me Ministër Ndërtimi Josif Pashkon. Të dy këta drejtues ishin njerëz me cilësi humane dhe teknike. Pas vitit 1958 me hyrjen e asfaltobetonit në Shqipëri filluan të vijnë këshilltarë sovjetikë.

 

Fjodor Bjelloborodov dhe Sergei Utkin, i pari me përvojë dhe në Afrikë, ishin specialistë të mirëfilltë dhe respektonin rigorozisht standartet shtetërore. Në kantieret dhe infrastrukturën e Ndërmarrjes punonin mjeshtër të kualifikuar si karpentjeri i palodhur Kamber Shevroja dhe mekaniku i Ofiçinës ,Ilo Veneti, të dy shpallur Heronj të Punës Socialiste. Shqipëria mund të krenohet me inxhinierët e hershëm të rrugëve dhe urave si Gjovalin Gjadri, Jovan Adami, njëherazi dhe gjurmues i vlerave historike , Dhimitër Pilika, etj. Në sistemin e projektimit të rrugëve shquheshin topografi i talentuar Dhori Guri, Hero i Punës, Dhori Afezolli, Pëllumb Qadhimi, Fori Stasa, Telat Dobi, Mihal Mosko, Agim Xhomo, etj. Të palodhur ishin konstruktorët e urave dhe hekurudhave  Shaban Torozi, Rifat Bodinaku, Petraq Çerepi, Bardhyl Çeku e Pirro Bedo. I saktë dhe skrupuloz hartuesi i standarteve shtetërore Cefo Fico. Me mjaft kontribut ishte dhe laboratori i asfaltobetoneve në Ministri, ku vepronte kimisti i njohur i fushës së ndërtimeve Ramiz Bodinaku. Të gjithë këta e mjaft të tjerë, siç thoshte babai, formonin atë që quhej ”familja e teknikëve rrugorë të Shqipërisë”.  Personalisht kam për nder që në periudhën 1958-1965 kam qenë pjestar i laboratorit të bitumeve e asfaltobetoneve , duke patur që në moshë të re komunikime me këta emra të shquar të ndërtimit të rrugëve si dhe me specialistët e huaj të përmendur më sipër. Ja vlen të përmendim në mbyllje iniciativën e inxhinierit të njohur Dhimitër Kosta, me Dojç Kulturë, i cili bëri tentativat e para për përdorimin e asfaltobetonit të ftohtë në Shqipëri, me bitum e solar, i cili ende nuk po praktikohet. Me frymëzim nga emrat e cituar më lart edhe në ditët tona hasen kuadro të aftë të rrugëve si Faruk Kaba, Rrok Bushati (sot në emigrim) etj. Mendoj se unë me këtë shkrim kam dhënë një kontribut modest për një fushë deri më tani të munguar, në ndriçimin e figurave tona të shquara të jetësimit të arterieve rrugore në trojet tona. Në mbyllje theksoj se natyrisht, është e pamundur që brenda një shkrimi, të përmenden mjaft personazhe të tjerë të kësaj fushe, të cilët dhe ata kanë kontribuar jo më pak  në fushën e ndërtimit të rrugëve dhe urave në Shqipëri. Sigurisht, këto përgjithësime mund të arrihen në botime speciale përkatëse që mund të pasojnë në të ardhmen.