Jeta e Frank Shkrelit nga trojet e pushtuara nga serbët tek zëri i lirisë

20

 Një jetë disa histori produkti më i ri i Marjana Bulkut me personalitetet shqiptaro-amerikane. Rrëfimi i Frank Shkrelit, për largimin drejtë SHBA-ve, gazetaria profesionale, situatat para dhe pas viteve 1990 në Europën Lindore, rënia e komunizmit, shqiptarët e 5 shteteve dhe pse paralajmërova se “Demokracia nuk pret” pasi rreziku ruso-serb është evident

Një jetë, disa histori- libër i ri nga autorja MARJANA BULKU

Sigal

Një Jetë Disa Histori (Albanian Edition) Paperback – March 1, 2024

Albanian Edition by Marjana Bulku (Author)

Libri “Një jetë disa histori” është një përmbledhje me intervista, profile shqiptaro-amerikane, esse dhe refleksione letraro-gazetareske. Ky publikim ka si qëllim të sjellë bashkë individualitete shqiptare, të cilat udhëve të integrimit kalojnë sfida të përbashkëta, shumë prej të cilave janë iluminuese për të tjerët, sot dhe nesër.Një prej intervistave të botuara në këtë libër është intervista me Frank Shkrelin:

-Zoti Frank Shkreli ju njiheni në botēn shqiptare si gazetar i Zërit të Amerikës, si mund ta përshkruani rolin tuaj si gazetar para viteve 90 -të, po pas 90-tës?

FSH: Unë kam filluar punën si gazetar dhe më vonë edhe si redaktor dhe producent në Zërin e Amerikës, seksioni shqip në vitin 1974 deri në vitin 1984. Më pas po tek Zëri i Amerikës, kam shërbyer edhe si shef i seksionit shqip të VOA-s (1984-1985). Nga viti 1985 deri në vitin 1990 kam shërbyer si këshilltar i lartë programacioni në Drejtorinë Europiane të Zërit të Amerikës, duke këshilluar dhe duke ndihmuar qindra gazetarë evropiano-lindorë të gjuhëve të ndryshme, në lidhje me programet dhe gazetarinë, subjektet dhe mbulimin e lajmeve në përgjithësi, drejtuar vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore. Ju kujtoj që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e luftës së ftohtë. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 jam emëruar zëvendës drejtor i Drejtorisë për Euroazinë në Zërin e Amerikës, ent i cili në atë kohë përfshinte edhe Bashkimi Sovjetik që ndërkohë u shpërbë. Gjatë luftërave ballkanike, nga viti 1994 e deri në vitin 2003 më kanë emëruar dhe kam shërbyer si Drejtor në Drejtorinë e Zërit të Amerikës për Evropën, një ent nga i cili vareshin programet e VOA-s, në nja 20-gjuhë të ndryshme drejtuar Evropës, kryesisht asaj ish-komuniste, përfshirë programet në shqip të VOA-s, por nën mbikqyrjen time kisha edhe disa radio-programe të tjera drejtuar si për shembull, Spanjës, Portogalisë dhe Greqisë, ndër të tjera.

Në vitin 2003 kam dalë në pension pas 30-vjet shërbimi në Zërin e Amerikës dhe jam marrë me shkrime dhe vazhdoj të shkruaj për median shqiptare anë e mbanë trojeve si dhe në diasporë mbi çështje dhe subjekte, me të cilat, ata që ndjekin shkrimet e mia modeste, e dinë se mbuloj një seri çështjesh, subjektesh, ngjarjesh dhe personalitetesh, të cilët kam pasë fatin të  njihja gjatë dekadave të shkruara, sidomos nga diaspora e vjetër shqiptare, për të cilët shumë pak shkruhet, aq më pak kujtohen, por të cilët kanë merita të mëdha për të gjithë ne.
 

-Një i ri emigronte në SHBA, kur vendit amë i mungonte liria dhe prek tokën ku liria frymëzonte botën, a mund të na i përshkruani shkurtimisht stacionet e këtij rrugëtimi? 

FSH: E vërteta është se nuk ishte një rrugëtim i lehtë për mua, ashtu si nuk ishte i lehtë as për mijëra shqiptarë, të cilët ishin detyruar gjithashtu të largoheshin nga Atdheu për të gjetur lirinë dhe një jetesë më të mirë për ta dhe familjet e tyre, e disa prej tyre – si kundërshtarë politikë të komunizmit – ishin detyruar të arratiseshin përballë rreziqesh edhe për të shpëtuar jetën nga komunizmi.

Unë kam lindur në Amull, fshat në rrethin e Ulqinit. Shkollën fillore, 8-vjeçaren e kam krye në vendlindje ku mësimet kryheshin në shqip dhe serbisht, si gjuhë e dytë. Shkollën e mesme e kam ndjekur në Seminarin Katolik të Urdhërit të Salezianëve në Kroaci dhe Slloveni në serbo-kroatisht siç quhej në atë kohë, ku mora disa njohuri edhe për disa gjuhë të huaja. Kurse përvetësimi i gjuhës shqipe, e sidomos përvetësimi i gjuhës letrare është meritë e punës studimore autodidakte me fjalor në vitet më vonë, mbas ardhjes në SHBA dhe me ndihmën e shumë njerëzve të mirë me të cilët pata fatin të punoja.

Viti 1969 ka qenë viti i kthesës së madhe për mua dhe familjen time. Atë vit qeveria jugosllave, duke marrë shkas nga demostratat e organizuara në Prishtinë një vit më parë, i shtoi përndjekjet ndaj shqiptarëve anë e mbanë Jugosllavisë. Familjet malësore shqiptare të Malit të Zi deri në atë kohë nuk e njihnin largimin nga vendlindja as në formën e kurbetit dhe as si arratisje. Familja ime e përbërë nga prindërit, dy motrat Drania dhe Tereza dhe dy djemtë unë dhe vëllai Toma, për të shpëtuar nga këto përndjekje, vendosën ndër të parat familje të atyre anëve, të arratiseshim në Itali. Mbas disa përpjekjesh u realizua ky akt.

Qëndrimi im në një kamp refugjatësh politikë në Itali zgjati një vit. Aty u bë njohja me punonjësit e ambasadës amerikane dhe u mbushën dokumentet. Familja jonë në vitin 1970 u lejua të shkonte në SHBA, aty ku kishte kërkuar.  Me të arritur në Amerikë, ne u vendosëm në lagjen Bronks të shtetit New York, për të qenë pranë kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe disa të afërmve tanë. Unë si 19-vjeçar fillova të punoja që javën e parë, çdo punë që mund të gjëja. Pastaj, pa vonesë, u regjistrova në një kurs mbrëmjeje për mësimin e anglishtes, kurse ditën vijoja të punoja çfardo pune. Më tej u regjistrova në disa kurse mbrëmjeje në “Hunter College” në Manhattan dhe “Lehman College” në Bronx, ku fillimisht u përqendrova në disa kurse për shkencat politike dhe histori.

Në verë të vitit 1974, u largova prej familjes dhe u vendosa në Washington DC, ku fillova punën tek Zëri i Amerikës, seksioni shqip.  Në kryeqytet edhe pse kisha një punë që më pëlqente dhe krahas punës me orar të plotë si gazetar, u regjistrova në “George Washington University”, dega Shkenca Politike, me mjaft mundime e sakrifica.

Në Washington DC nuk kishte familje emigrantësh shqiptarë me përjashtim të disa punonjësve shqiptarë të Radios Zëri i Amerikës”. Këta edhe pse ishin në moshë të madhe dhe nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, më afruan dhe më mbështetën shumë dhe u bënë si mësues të mi duke më ndihmuar për të përvetësuar më mirë gjuhën shqipe dhe të shprehive radiofonike dhe për t’iu përshtatur më kollaj jetës amerikane të kryeqytetit, për çka unë dhe familja ime u mbetemi përgjithmonë, mirënjohës.

-Nga shkrimet tuaja qartazi dallohet një arkiv i pasur më fakte e informacione, por edhe personalitete që bota letrare, ajo historike dhe politike shqiptare pak ose aspak i njihte për shkak të izolimit, por edhe nihilizmit tendencioz të dirigjuar nga politika apsurde e kohës, si u kristalizua ky raport i juaji me këtë pasuri intelektuale që frymëzon dje, sot, përherë!

FSH: Merita ishte e këtyre personaliteteve shqiptaro-amerikane dhe të diasporës në përgjithësi dhe ishte fati im që i kam njohur, gjatë një periudhe dhe një moshë kur ndoshta kisha më së shumti nevojë për mësimet, udhëzimet, këshillat dhe përvojën e tyre, shpesh shumë dimensionale. Nuk dua të përmend emra pasi lista është shumë e gjatë, por jam munduar që shumë prej tyre i kam përmendur e kujtuar, me mirënjohje të thellë gjatë viteve, me artikuj dedikuar atyre, jo vetëm për ndihmën dhe këshillat që kam marrë prej tyre, por jam përpjekur të theksoj dhe rolin e tyre historic, ashtuqë brezat e ardhshëm të mos harrojnë kontributin e tyre të madh në fusha të shumta të veprimtarisë atdhetare, politike dhe kulturore, gjatë shekullit të kaluar, kryesisht në mërgim. E vërteta është se unë kam pasë fatin e mirë të takoj dhe disa prej tyre edhe të punojë me ta, siç thua edhe vet, ishin njerëz që pak ose aspak nuk njiheshin në atdhe – emrat e të cilëve ishin shlyer nga historia shqiptare, sepse konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit komunist dhe më keq trajtoheshin edhe si tradhëtarë nga regjimi komunist i Tiranës për shkak të “izolimit, por edhe nihilizmit tendencioz të dirigjuar nga politika absurde e kohës”, siç thua edhe vet. Ishte ndryshe kur lexoje shkrime në anglisht mbi komunizmin dhe ishte krejt ndryshe kur dëgjoje, drejtë për drejtë nga goja e tyre, përvojën e këtyre njerëzve dhe vuajtjet e familjeve të tyre, nën komunizëm. Unë, modestësisht, i kam venë në dukje disa prej tyre, nëpërmjet artikujve të ndryshëm, që në të vërtetë janë botuar gjithandej, kontributin e shumë prej këtyre patriotëve shqiptarë të shekullit të kaluar, pikërisht me qëllimin që, jo vetëm t’i kujtojmë ata, por edhe që, mundësisht, vepra e tyre të shërbejë edhe si frymëzim për të rinj ose të reja shqiptare që mund të lexojë për ta shkrimet që, fatbardhësisht, falë teknologjisë moderne mund të gjënden lehtë në internet.
 

-Le të ndalemi pak te botimi juaj, “Demokracia nuk pret”, i cili në këndvështrimin tim êshtë këmbana e një alarmi për shuarjen e demokracisë, po për ju si autor?

FSH: Tre vëllimet e “Demokracia nuk pret”, janë një përmbledhje vetëm e 25-30 % e shkrimeve të mia që tani mund të kenë arritur mbi 1000 artikuj gjithsejt. Shkrimet, siç e dijnë lexuesit e rregullt, kanë përfshirë gjatë viteve përveç personaliteteve shqiptaro-amerikane e të tjera që përmenda më lartë, i kam përqëndruar mbi subjektet dhe temat që janë shumë afër zemrës time dhe të cilave mund të them se ua kam kushtuar edhe jetën dhe profesionin tim, me fjalë të tjera, vlera, të cilat i kam konsideruar si mision të jetës time, për t’i mbrojtur, për t’i promovuar dhe për t’i mbrojtur: mbi të gjitha, demokracia, fjala e lirë, liria e shtypit dhe të drejtat e njeriut, jo vetëm për botën tonë shqiptare, të cilës këto vlera njerëzore i janë mohuar për një shekull, por edhe si vlera dhe të drejta që duhen promovuar dhe mbrojtur për mbarë botën.

Është e vërtetë se titulli i vëllimeve I, II dhe III përbën një alarm se Demokracia e vërtetë në trojet shqiptare, sidomos në dy shtetet shqiptare -Shqipëri dhe në Kosovë – këto 30-vjet post-komunizëm, jo vetëm që nuk u vendos kurrë bazuar në thirrjen e studentëve shqiptarë 30-vjet më parë: “E Duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, por edhe parlajmëron se mungesa e një demokracie të vërtetë, kollaj i lë vendin një autoritarizmi personal, siç e shohim sot në Shqipëri. Nëqoftëse demokracia e vërtetë nuk merret seriozisht nga politika dhe nga votuesit atëherë ajo zevendësohet me diçka tjetër. Demokracia e vërtetë nuk pret për gjithmonë, boshllëkun e mbush dikush që nuk ia do të mirën demokracisë as zhvillimit të saj në trojet shqiptare.

Kështu edhe po ndodh, fatkeqësisht. Për mua, titulli, “Demokracia nuk pret” do të thotë se stili i qeverisjes ndër shqiptarët, sidomos në Shqipëri, por edhe në Kosovë, duhet të ndryshojë patjetër dhe me themel ashtu që të ndalohet emigrimi i shqiptarëve nga tokat shqiptare dhe që kjo klasë politike, të cilën me të drejtë ose pa të drejtë, e kam kritikuar për 30-vitet e kaluara, ka nevojë që të përqendrohet tek interesat themelore kombëtare e jo tek ato partiake ose tek objektivat politike dhe ekonomike të momentit, siç po ndodh edhe tani. Për ndryshe do vazhdojmë të kemi një Shqipëri dhe një Kosovë, pjesërisht demokratike ose pjesërisht të lirë, siç janë cilësuar vazhdimisht gjatë viteve në raportet mbi të drejtat e njeriut të Departamentit Amerikan të Shtetit si dhe nga organizata ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut.

-Gazetaria juaj aktive përfshin shumë dimensione të informimit, çfarë mesazhi keni për gazetarinë sot në kushtet kur bota e informacionit nuk njeh limit dhe ku e vërteta dhe mashtrimi janë sa larg po aq edhe pranë për shkak të disinformimit?

FSH: Mesazhi im është i thjeshtë: Të thuhet dhe të shkruhet e vërteta! Jam plotësisht dakort me ty, Marjana. Nuk është aspak e rastit se në një botë si sot, ku “informacioni nuk njeh limit dhe ku e vërteta dhe mashtrimi janë sa larg po aq edhe pranë për shkak të disinformimit” – që liria e shtypit, gazetaria e lirë në përgjithësi, është sot më e kërcënuar se kurrë. Prandaj, sot është më e rëndsishme se kurrë që të mbrohet, të promovohet dhe të fuqizohet shtypi i lirë, në interes të publikut dhe në interes të demokracisë së vërtetë.

Unë kam punuar për 30-vjet për një ent mediatik amerikan ndërkombëtar – Zëri i Amerikës – në detyra të ndryshme me përgjegjësi politike, menaxhuese, redaksionale dhe programore. Si i tillë nuk mund ta largoj veten, as tashti që kryesisht shkruaj opinione, nga përvoja ime prej tre dekadash si gazetar dhe si përgjegjës e drejtor lajmesh e transmetimesh ndërkombëtare për audienca, kryesisht, të kapura nga propaganda komuniste e asaj kohe. Zëri i Amerikës, si asnjë ent tjetër mediatik në botë, ka vepruar dhe vepron, gjithnjë, bazuar në një ligj të vitit 1976, i cili përcakton që të gjitha transmetimet qeveritare duhet t’u përmbahen standarteve strikte mediatike, për të cilat mbështetësit e shtypit të lirë thonë se janë thelbësore për të qenë një burim i besueshëm lajmesh për audiencat ndërkombëtare. Ishte detyra ime si përgjegjës dhe drejtor programesh të mbroja, pothuaj me fanatizëm, ligjin sipas të cilit Zëri i Amerikës, të shërbente si burim i besueshëm dhe autoritativ lajmesh dhe informacioni, që lajmet të ishin të sakta, objektive dhe të shumanshme.

-Sa peshë ka liria në profilin e gazetarit, apo intelektualit dhe duke qenë se jeni formuar në një vend ku liria nis nga rregulli cili është mendimi i juaj për politikën shqiptare?

FSH: Pa dyshim se liria për gazetarinë është alfa dhe omega e gjithçkaje, e profilit të tij ose të saj, po se po, e punës dhe natyrisht, pasqyrohet patjetër edhe në produktin përfundimtar të gazetarit.  Përgjigja ime ndaj pyetjes për mendimin tim mbi politikën shqiptare që më është bërë shpesh në intervista të shumta, fatkeqësisht, kurrë nuk më ka bërë miq në radhët e politikës shqiptare, përkundrazi.

Unë kam menduar gjithnjë se problemet e demokracisë në Shqipëri, ose “antagonizmat politike’ siç i quajnë disa, janë rezultat i trashëgimisë së kaluarës së tmershme komuniste. Elita e sotme politike në Shqipëri, qoftë ajo qeveritare, shtetërore, udhëheqës partish, deputetë, drejtorë e udheheqës të ndryshëm institutesh, akademisë e entesh të ndryshme deri edhe drejtues të mediave në mos të gjithë, atëherë shumë prej tyre janë pjedhë e një klase, që dikur ka mbajtur gjallë regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. Në këtë kuptim, mund të thuhet se ishin “normale” zhvillimet politike të 30-viteve të fundit. Por kjo “normale” është anormalitet për Shqipërinë e sotme dhe të nesërmen shqiptare, të krahasohet me zhvillimet në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës.

Fatkeqësisht, fryma e mos kompromisit të ish-regjimit komunist, vihet re kudo në shoqërinë shqiptare nga parlamenti e deri në studiot televizive; ndërkohë që të ulurit në tryezë për të diskutuar për zgjidhjen e problemeve, për të mirën e përbashkët dhe për t’u përballur me sfidat që afektojnë të gjithë, duket se nuk është në “modë”. Ky polarizim politik, që siç duket nuk ka të ndalur midis palëve kryesore politike, për fat të keq, mund të keqësojë edhe më tej situatën politike edhe ashtu të acaruar dhe mund të prekë edhe gjendjen ekonomike të vendit, duke shkaktuar kështu edhe emigrimin në masë, sidomos të rinjve, duke zbrazur vendin nga njerëzit më të mirë të Kombit.

A mund të na rrëfeni sekretin e ruajtjes gjallë të gjuhës shqipe dhe lidhjes së fortë me të edhe pse disa dekada larg atdheut? 

FSH: Me thënë të drejtën, nuk ka ndonjë sekret të madh. Interesimi personal, kurioziteti intelektual dhe ndihma e pakursyer e njerëzve të mirë. Në këtë pikë, më shumë në zhvillimin e gjuhës shqipe se në ruajtjen e saj më kanë ndihmuar disa prej atyre personaliteteve të diasporës shqiptare, që përmenda më lartë, përfshirë Ernest Koliqin gjatë qëndrimit tim në kampet e refugjatëve në Itali, i cili më dhuroi disa prej librave të tij në vitin 1970 në Romë, Dom Prenk Ndrevashaj, i cili më pasuroi me ‘Lahutën e Malësisë’ dhe vepra të tjera të Fishtës, gjithashtu gjatë qëndrimit tim në Itali, si refugjat. Me të ardhur në Amerikë, ishte Mons Zef Oroshi, i cili më dha mundësi për të ndihmuar në përgatitjen për botimin e revistës, “Jeta Katolike” dhe të tjerë patriotë të komunitetit që m’u gjendën pranë në atë kohë. Për fat tim të keq, unë nuk pata kurrë rastin të studjoja shqip në nivel universitar dhe as në shkollë të mesme. Vetëm 8-vjeçaren kisha bërë shqip, përzier me serbo-kroatisht.

Por gjuha ime shqipe vërtetë u përmirësua dukshëm pasi fillova punën në seksionin shqip të Zërit të Amerikës në vitin 1974.  Ishte aty që hodha hapat e para serioze me ndihmën e disa veteranëve të gazetarisë shqiptare, sidomos Xhevat Kallajxhiu, botues i gazetës ‘Demokracia’ në Gjirokastër para Luftës dhe më vonë Kryeredaktor i Diellit në Amerikë.  Ishte Xhevati dhe kolegët e tij që i gjeta në Zërin e Amerikës, ata të cilët u munduan të përsosnin gjuhën time shqipe, megjithëse jam tepër i vetëdijshëm për mungesat e mia në këtë fushë, sot e kësaj dite. Atyre u takon merita edhe për urimin që më bëri shkrimtari, poeti dhe politikani, z. Besnik Mustafaj me rastin e promovimit të tre vëllimeve “Demokracia nuk pret”, dy vjet më parë në Tiranë: “Gjuha e Frank Shkrelit është shumë e pastër nga fjalët e huaja se sa shumë nga gazetarët që kanë lindur, shkolluar, jetojnë e punojnë në Shqipëri. Ky është një shembull për të gjithë ne” – ka thënë me atë rast, zoti Mustafaj. Urim dhe përshëndetje më të mirë nuk mund të prisja nga një njeri i njohur i letrave shqip!

Shumë Faleminderit, Marjana!