Tokë e mallkuar nga nafta/ Banorët e zonave naftëmbajtëse të Jugut, jetojn mbi “flori”, por po vdesin nga varfëria, melanomat dhe mushkritë

871
Sigal

Ndotja e mjedisit nga hidrokarburet sjell sëmundje dhe varfëri në zonat naftënxjerrëse

Banorët: Ngrihesh në mëngjes, ke erë sere, erë nafte, fëmijët i kemi  me pompa nga ajri i ndotur

 

Raporti thekson se 51 për qind e familjeve raportojnë probleme pulmorare dhe 50 për qind probleme me lëkurën në forma alergjike, prurite, dermatike, ekzema e deri në melanoma.

 

Me 1 prill 2015, një pus nafte i kompanisë Bankers Petroleum i shenjuar me emrin P29A shpërtheu në fshatin Marinzë, 10 kilometra larg qytetit të Fierit, duke e detyruar qeverinë të urdhëronte evakuimin e zonës për shkak të çlirimit të gazit.

Sipërfaqja e tokës përreth vendit të shpërthimit të fontanës ishte shkatërruar dhe ngado shpërthenin “gajzera” të fuqishëm argjileje të holluar. Puset e ujit të pijshëm që gjendeshin në oborret e banesave u kthyen në shatërvanë balte, ndërkohë që banorët e shokuar nga ajo që po ndodhte, nisën t’u drejtoheshin qendrave shëndetësore me simptoma dhe shqetësime të ndryshme.

“Kemi shumë probleme me ajrin, me ushqimet, perimet, zarzavatet që kemi këtu. Është bërë e padurueshme,” shprehet Ridvan Azizi, një prej banorëve të fshatit Zharrëz, shtëpia e të cilit ndodhet vetëm pak metra larg një grupi pusesh të kompanisë Albpetrol.

“Ngrihesh në mëngjes, ke erë sere, erë nafte, nuk di ç’të them,” shtoi ai.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, zona e Patos Marinzës, për shkak të industrisë shumëvjeçare të hidrokarbureve është një nga tre zonat më të ndotura në Shqipëri – nga 31 zona të nxehta mjedisore ose ‘hotspote’ të identifikuara.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në këtë fushë naftëmbajtëse gjenden mijëra pellgje me mbetje hidrokarburesh, dhjetëra hektarë tokë bujqësore e ndotur dhe më shumë se 100 kilometra lumenj e përrenj që transportojnë çdo ditë drejt detit Adriatik mbetje të industrisë së naftës.

Edhe pse kjo ndotje industriale vazhdon prej dekadash, institucionet përgjegjëse për monitorimin e mjedisit apo të shëndetit të qytetarëve nuk parashikojnë në programet e punës së tyre vjetore kryerjen e analizave të specializuara për pasojat që ndotja sjell në shëndetin e popullatës.

“Uji këtu është i ndotur, nuk pihet fare. E blejmë, edhe atë që blejmë kot, edhe ato botet që mbushin, këtu i mbushin. Është i ndotur nga shpërthimet e Bankers-it. Edhe shtëpitë që na kanë rrëzuar. Ambientin e kemi shumë-shumë të keq,”- shprehet Lumturi Rredhi nga fshati Zharrëz.

“Ajri, këtu në mëngjes nuk ngopesh dot me frymë. Del natën, po të kesh ndonjëherë ndonjë rast që të dalësh, më mirë të vdesësh se sa të dalësh jashtë. Është shumë shumë i ndotur,”- shtoi ajo.

Në lidhje me ndotjen e konstatuar nga hidrokarburet në Patos-Marinzë, Visokë dhe Ballsh, BIRN kërkoi komente duke i dërguar pyetje të detajuara kompanive nxjerrëse të naftës Albpetrol, Transoil Group, TransAntlantic Albania Ltd dhe Bankers Petroleum, si edhe asaj përpunuese të naftës Ionian Refining and Trading Company, IRTC.

Në përgjigje të kërkesës që BIRN i drejtoi Albpetrol-it lidhur me monitorimin mjedisor në zonën ku kjo shoqëri ushtron aktivitetin, kompania vuri në dispozicion disa raporte të monitorimit mjedisor të përpiluar gjatë vitit 2016.

Këto raporte të Institutit të Studimeve Ambientale për llogari të Albpetrol, vlerësojnë se cilësia e ajrit në mjediset pranë aktiviteteve të nxjerrjes dhe transportit të naftës ka qenë brenda normave për industrinë, por megjithatë, ujërat e shkarkimeve teknologjike përbëjnë  shqetësim për kompaninë.

Shpërthimi nxjerr në sipërfaqe krizën shëndetësore

 

E zbuluar në vitin 1928, Patos Marinza konsiderohet si fusha më e madhe naftëmbajtëse në Europën kontinentale, me rezerva të provuara prej 2 miliardë fuçi nafte të rëndë. Nxjerrja e naftës bruto në këtë fushë ka filluar në fillim të viteve 1930.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ky vendburimin u zhvillua nga kompania shterërore e nxjerrjes së naftës që sot quhet Albpetrol, e cila në vitin 2002 i dha vendburimin me koncesion kompanisë Bankers Petroleum.

Shfrytëzimi prej gati 85-vjetësh i kësaj fushe naftëmbajtëse nuk ka qenë pa pasoja për mjedisin. Një raport i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, AKM, i publikuar pas shpërthimit të pusit P29A në Prill të vitit 2015 pranon se në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës, industria e naftës nuk është menaxhuar sipas standardeve mjedisore, duke e renditur atë përkrah rrjetit të vatrave të nxehta mjedisore që kanë nevojë për ndërhyrje dhe rehabilitim.

Në fushat e naftës në Jug të Shqipërisë, banorët që jetojnë pranë puseve vuajnë pasojat shëndetësore dhe ekonomike që sjell ndotja e tokës, e ajrit dhe e ujërave nga kompanitë hidrokarbure, ndërkohë që autoritetet duken të pafuqishme për t’a frenuar dëmin që ky aktivitet ekonomik po lë në mjedis dhe në jetën e qytetarëve.

Sipas raportit të AKM-së, në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës ekzistojnë rreth 1480 pellgje llumrash nafte në një sipërfaqe prej rreth 95 hektarësh, një ndotje ndaj të cilës banorët janë direkt të ekspozuar.

Përsa i takon ndotjes së ujërave sipërfaqësore, raporti vlerëson se rreth 117 km trupa ujore janë të ndotura nga substancat/polimeret e naftës, ku përfshihen ujërat e lumit Gjanicë, Seman dhe përrenjve të zonës.

Në monitorimin e kryer pas shpërthimit të pusit P29A në Marinzë, Instituti i Shëndetit Publik përfshiu 100 nga 416 familje gjithsej që jetojnë në fshat. Sipas monitorimit, aromat e pakëndshme dhe rreziku i perceptuar për shkak të lëkundjeve të shpeshta të tokës si rezultat i shpimit të puseve konsiderohen probleme madhore për pjesën më të madhe të familjeve në Marinzë.

Ndërkohë, ISHP vëren gjithashtu një nivel të lartë të sëmundshmërisë te fëmijët dhe të rriturit, ku dominojnë problemet me rrugët e frymëmarrjes.

Sipas ISHP-së, rreth 8 % e familjeve të intervistuara si pjesë e anketimit në fshatin Marinzë rezulton të kenë fëmijë të lindur me anomali të ndryshme, si autizmi, mushkëri të dëmtuara, abnormalitete në kokë, talasemi dhe epilepsi.

Në vitin 2012 kanë lindur 5.2% e fëmijëve me abnormalitete në qarkun e Fierit, në vitin 2013, 6.4%, në vitin 2014, 8.1%, në vitin 2015 3.6% dhe në vitin 2016 ka një nivel prej 12% të fëmijëve të lindur me anomali, krahasuar me numrin total të lindur në këtë qark.

“Rezultatet e përftuara tregojnë që 19 % e familjeve deklarojnë se kanë të sëmurë me astmë bronkiale të konfirmuar dhe trajtohen nga mjeku specialist,” shton ISHP.

Ridvan Azizi, banor i fshatit Zharrëz shprehet se në Patos Marinzë, problemet me astmën janë në mënyrë të veçantë shqetësuese te fëmijët.

“Problem me fëmijët, me pompa i kemi nga ajri. Ja pompa e çupës, vajza po vete 12 vjeçe! Ka nisur të ketë shqetësime që para katër vitesh,”- tregoi ai.

Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, gjysma e familjeve të përfshira në anketim raportojnë probleme të herëpashershme pulmonare dhe po kaq shqetësuese janë edhe sëmundjet e lëkurës. Raporti thekson se 51 për qind e familjeve raportojnë probleme pulmorare dhe 50 për qind probleme me lëkurën në forma alergjike, prurite, dermatike, ekzema e deri në melanoma.

“Një nga simptomatologjitë karakteristike e ekspozimit ndaj ndotësve të ajrit është dhe djegia dhe skuqja e syve, e cila është shprehur në 84 % e popullatës së studiuar,” shkruan ISHP.

Një mjek në qytetin e Ballshit pohoi se gjendja shëndetësore e banorëve të këtij qyteti dhe e punëtorëve të Uzinës është mjaft e rëndë, si pasojë e nivelit të lartë të karbonit në gjak dhe të fenoleve si edhe lëndëve të tjera toksike që çlirohen si pasojë e përpunimit të hidrokabureve.

Sipas tij, prej vitesh punonjësit e ARMO nuk i kryejnë më analizat e fenolit dhe nuk e njohin situatën e tyre. Ndërkohë, edhe kur i bëjnë këto analiza nuk njoftohen për situatën e tyre reale shëndetësore. Mjeku u shpreh se është e nevojshme që shteti të marrë masa të menjëhershme për kryerjen e analizave reale të 1,100 punonjësve të KPTHN-së Ballsh si dhe për depistimin e popullsisë së fshatrave Lavdan, Panahor, Kalenjë, Hekalit, Kashit, Koilaçit, Drenovës, Usojës e Visokës lidhur me karbonin në gjak.

Edhe në njësitë administrative Zharrëz dhe Marinzë, mjekët tregojnë në kushtet e anonimatit se nuk disponojnë të dhëna statistikore apo informacione për fenolet në gjak, pasi analiza të tilla nuk kryhen në laboratorët shtetërorë. Ndërkohë, theksuan se nuk mund të rekomandojnë qytetarët t’i bëjnë analizat në klinikat private, pasi nuk u lejohet një gjë e tillë.

Burime pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Fier u shprehën për BIRN se në laboratorët shtetërorë nuk është e mundur kryerja e analizave të karbonit në gjak apo të fenoleve.

Sipas mjekëve, nuk ka pasur ndonjë urdhëresë për depistimin e popullsisë lidhur me fenolet në gjak dhe se do të kishte qenë e nevojshme që analizat e fenoleve në gjak për zonat naftëmbajtëse të ishin parashikuar në chek-up e përgjithshëm.

Monitorimi evidenton se analizat e fenol urinës u kryen vetëm për 8 banorë të fshatit, me banesa në pozicione dhe largësi të ndryshme nga pus-shpimi i naftës dhe që nuk punonin në sektorin e naftës.

Monitorimi vëren se në të gjitha rastet e analizave,  pavarësisht gjinisë, moshës dhe profesionit, vlerat e fenol urinës janë mbi normë, rreth dy herë më të larta nga norma e lejuar për punonjësit e naftës. Një prej banorëve ka qenë një nxënëse 13-vjeçe dhe vlerat kanë qenë 158, nga 80 maksimalja që lejohet për punonjësit e sektorit të hidrokabureve.

“Prania e vlerave mbi normë të fenolit në urinë tek banorët e fshatit, të cilët nuk punojnë në industrinë e naftës tregojnë për praninë e gazeve të biomasës si dhe ekspozimin e popullatës në zonën e banuar”, theksohet në raportin e ISHP-së.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier  tregojnë se gjatë vitit 2014 në fshatin Marinzë është konstatuar një person që vuante nga kanceri i mushkërive, ndërsa në fshatin Zharrëz 3 persona me të njëjtën sëmundje. Në fshatin Zharrëz, po gjatë vitit 2014, janë konstatuar të vuajnë nga “Asthma bronchialis” 38 persona, një nivel relativisht i lartë i kësaj sëmundjeje.

“Ne po vdesim këtu. Vijnë e bëjmë ankesa ne, e asgjë s’po bëhet. Edhe unë vetë jam e sëmurë, jam me karbon dhe kurohem. Tani unë po i lë mjekimet, se s’kam lekë. Unë vete në Tiranë që mjekohem. Në shtet kam vajtur, tani nuk ia dal dot as në shtet. Tani po kurohem këtu në Fier, edhe këtu në Fier nuk ia dal dot, s’kam lekë,” tregon Lumturi Rredhi.

“I kam me alergji fëmijët. Vete tek doktori atje, të pyet nga je?… nga Zharrëza… , ça do bëjmë thotë,” shtoi ajo.

Një situatë e ngjashme shfaqet dhe në fshatin Aranitas të bashkisë Mallakastër. Sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik në Mallakastër, në qendrën shëndetësore Aranitas, nga 124 persona të egzaminuar, 80% e tyre kanë shqetësime shëndetësore ku dominojnë: probleme të sistemit të gjakut, problem të sistemit të tretjes dhe çrregullim i metabolizmit të yndyrnave. Në përgjigjen e saj, DSHP Mallakastër thekson se nuk ka mjete të posaçme, kështu që nuk mund të përcaktojë si shkaktarë të kësaj sëmundshmërie ndotjen nga aktiviteti për nxjerrjen e përpunimit të hidrokabureve.

Tokë e mallkuar nga nafta

Vetë banorët e zonave ku ushtrohet aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve janë të vetëdijshëm për ndotjen që është shkaktuar aty prej dekadash dhe pasojat që ka sjellë në ambient e në shëndetin e tyre. Ata ankohen për mungesën e reagimit të institucioneve shtetërore dhe theksojnë se kanë humbur besimin se diçka mund të ndryshojë në të ardhmen.

“Që kur kanë hyrë këto firmat është ndezur toka nën të, uji është prishur pothuajse 100%, në tërë zonën që është me naftë,” shprehet Dashnor Selimi, një banor i fshatit Zharrëz.

Tek banorët perceptohet një frikë e madhe përsa i përket lëkundjeve të tokës. Gjithashtu, ata ankohen për dëmtimin e mjedisit të tokave bujqësore, ujërave, dhe të pemëve frutore e të mbjellave.

Denoncimet e banorëve mbështeten edhe nga kreu i njësisë administrative në Zharrëz, Arben Semanjaku-njësi, e cila përmbledh 6 fshatra dhe ku 80 % e territorit përfshihet në zonën naftëxjerrëse të Patos Marinzës. Sipas Semanjakut, ndotja në njësinë e tij është aq e madhe sa mund të shihet me sy të lirë.

“Ndotja është në një shkallë të tillë që vihet re edhe pa syrin e specialistit,”- shtoi ai.

Megjithatë, Semanjaku nënvizon se dhënia me koncesion e fushës së Patos Marinzës nga Albpetrol për Bankers Petroleum ka sjell përmirësime të ndjeshme në pastrimin e ndotjes së trashëguar në puse.

Semanjaku shprehet se për një pjesë të puseve Bankers dhe Albpetrol nuk bien dakord se kujt i takon përgjegjësia për t’i pastruar dhe ky ngërç mbetet shqetësues për pushtetin vendor dhe banorët.

“Bankers-i pretendon se këto janë ndotje të shkaktuara nga industria e naftës nga Albpetrol-i në vite, ndërsa Albpetrol-i thotë që fushën ia kemi dhënë me koncesion kompanisë dhe duhet t’i pastrojë kjo,” shtoi ai.

Megjithë ngërçin e krijuar midis koncesionarit dhe kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol, kreu njësisë administrative Zharrëz mbetet optimist se një zgjidhje do të gjendet, pasi së fundmi kanë marrë përgjigje pozitive dhe është bërë vlerësimi i volumeve të ndotjes.

Në përgjigjen e Këshillit të Qarkut Fier thuhet se më datë 1 Prill 2015 në Marinëz janë dëmtuar 70,656 metër katrorë tokë bujqësore, pronë e 60 familjeve.

Ndotja e ujërave nga hidrokarburet

Në studimin për fshatin Marinzë pas shpërthimit të pusit P29A, Instituti i Shëndetit Publik ka sqaruar se nuk kryen monitorim për ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se matjet e kryera nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik në Fier nga viti 2000 deri në vitin 2013 konstatojnë ndotje të lartë të baseneve ujore, në mënyrë të veçantë të lumit Gjanica.

Në raportin përfundimtar të vlerësimit strategjik mjedisor të Bashkisë Fier të datës 30 Shtator 2016  shkruhet se zona naftëmbajtëse e Fierit, për shkak të historikut të veprimtarisë industriale në të shkuarën, mbart ndotje të lartë me hidrokarbure në tokë, ujë dhe ajër- në mënyrë të veçantë zona e administruar nga kompania publike Albpetrol.

Sipas Bashkisë Mallakastër, nga hidrokaburet janë të dëmtuara gjithsej 8 hektarë tokë, 3 hektarë në njësinë administrative Hekal dhe 5 hektarë në njësinë Administrative Qendër.

Edhe Bashkia Roskovec sqaron se prej vitit 2015 ka nisur pastrimi, sistemimi dhe largimi i mbetjeve të naftës nga sipërfaqet dhe kanalet kulluese dhe ujitëse, jo vetëm në Marinëz. Bashkia Roskovec ka kryer një studim për ndotjen e ajrit dhe thekson se do të nisin të hartojnë marrjen e masave në bashkëpunim me kompaninë Bankers për përmirësimin e kësaj situate.

Ndërkohë që situata e rëndë e ndotjes pranohet nga një mori institucionesh, veprimet kundër autorëve kanë qenë thuajse të papërfillshme.

Më 27 Qershor 2016, Prokuroria e Fierit regjistroi një procedimin penal për veprën penale të “ndotjes së ujërave” për ndotjen nga hidrokaburet të lumit Gjanica, por hetimi u mbyll pak kohë më pas.

Ndotja mjedisore dhe varfëria në Patos Marinzë

Ndonëse jetojnë mbi rezervat e qindra milionë fuçive nafte, pjesa më e madhe e banorëve të zonave naftëmbajtëse janë të papunë dhe përballen çdo ditë me varfërinë, me degradimin mjedisor e me sëmundje të ndryshme që kanë si shkak ndotjen e hidrokarbureve.

Në disa raste, shtëpitë e tyre ndodhen vetëm pak metra larg puseve të naftës së Albpetrolit prej nga gulçon gazi natyror. Ndërkohë, në Zharrëz e Marinzë nuk gjendet thuajse asnjë banesë që të mos jetë dëmtuar si pasojë e lëkundjeve të tokës për vite me radhë, 61 prej të cilave janë vlerësuar si të pabanueshme së fundmi në Zharrëz.

Në monitorimin e kryer pas shpërthimit të pusit P29A në Marinzë, Instituti i Shëndetit Publik përfshiu 100 familje nga 416 gjithsej që jetojnë në fshat.

Monitorimi ka zbuluar gjithashtu se pjesa më e madhe familjeve ka të ardhura të ulëta financiare. Sipas raportit të ISHP-së, 74.7% e familjeve kanë të ardhura mujore nën 30 mijë lekë, ku papunësia është në normën 43 %.