Tërmet Peçi, kryebashkiau i Tepelenës: Ju presim krahëhapur me dashurinë e një nëne, me krahët e shqiponjës në fluturim, me flladin e luleve të Këndrevicës e maleve hije rëndë, që kanë mbajtur mbi supe luftëtarët dhe heronjtë tanë

35

– Në këtë përshëndetje është amaneti i tyre, janë zërat e fëmijëve lab e tepelenas që aspirojnë për një jetë më të begatë.

Sigal

Nga Tërmet Peçi, Kryetar i bashkisë Tepelenë/

Përshëndetje dy Presidentëve të nderuar Z.Alfred Moisi, Z.Bamir Topi. Presidentët e nyjeve gordiane, që e drejtuan shtetin shqiptar me qetësi olimpike, në kohët e trazuara të tranzicionit të tej zgjatur shqiptar.

Përshëndetje Kryetarit të Shoqatës “Labëria” “Nderi Kombit” Z.Ago Nezha.

Përshëndetje Klerikëve të nderuar.

Përshëndetje deputetëve dhe ish-deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Përshëndetje Ministres Zj.Elisa Spiropali, Prefektëve, Kryetar Qarqesh, Kryetar të Bashkive dhe gjithë administratorëve që ndodhen në këtë sallë! Përshëndetje motrave dhe vëllezërve tanë Kosovarë.

Përshëndetje të gjithe miqve të Labërisë, që na nderojnë sot në këtë Kuvend, atyre që janë në këtë sallë dhe jashtë saj! Përshëndetje labëve, kudo që janë. Mirë se erdhët, faleminderit dhe punë të mbarë!

Si bir i Labërisë e Kurveleshit, dhe nën cilësinë e Kryetarit të Bashkisë labe të Tepelenës, kam nderin, kënaqësinë, privilegjin dhe obligimin t’ju përshëndes e mirëpres sot, në sarajet natyrore të Labërisë, në sofrën bujare e baronjane të zemrave tepelenase, në këtë trevë mitike e legjendare ku edhe“zoti vjen i ftuar”. Në këtë trevë ku bashkë me gjirin, nënat tona u mëkojnë bijve e bijave parime sokratiane: “virtytin dhe nderin”; ku rriten burra e gra që kudo e kurdoherë, sikurse e theksonte edhe diplomati francez Fransua Pukëvil: “janë sediment dhe shërbëtor të kombit”. Në përshëndetjen time përcillen fjalët e ngrohta të nënave, motrave, prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve, vëllezërve, nipërve e mbesave tona, të shpërndarë në çdo cep të globit. Këtu është puna, mundi, por edhe gjaku i bijve dhe bijave të Labërisë, i atyre që dhanë jetën për nder – liri – e Atdhe. Të atyre që ishin shqiptarë kur s’kishte Shqipëri. Ju presim sot me dashurinë e një nëne, me krahët e shqiponjës në fluturim, me flladin e luleve të Këndrevicës e të maleve tona hije rënda. Për t’u uruar mirseardhjen, ngrihen nga varri kapedanët, pashai, gjithë luftëtarët e lirisë, dëshmorët dhe heronjtë tanë. Në këtë përshëndetje është amaneti i tyre, janë zërat e fëmijëve lab e tepelenas që aspirojnë për një jetë më të begatë. Mirënjohje brezave ndër shekuj, që na lane trashëgimi trojet arbërore, belvedere të Ballkanit, gjuhën e zogjve e të bilbilave, historinë e papërsëritshme kombëtare, traditat, doket, zakonet, emrin emblematik të Labërisë, karakterin e stërralltë të burrërisë labe dhe gjithçka të vyer e të denjë për  çmimin Nobel. Labi në rrjedhat kronologjike të historise sonë kombëtare ka ditur të eci me hapin e vlerave kombëtare e botërore, sipas konceptit të Nënë Terezës. Të përballojë vështirësi e sfida, natyrore, hyjnore e njerëzore, të bjerë e të ngrihet si zgalemi, pa përfillur stuhitë e tufanet e kohërave. Punë të mbarë Kuvendit të shtatë të Labërisë!

Shtata ky numër kuptimplot, numër biblik e kuranik, numër i traditës popullore, i ditëve të javës, i krijimit mitologjik të njerëzimit etj. Shtata qoftë një ogurë i mbarë për të gjithë labrit dhe shqiptarët kudo që janë! Punë të mbarë! Faleminderit!

**

Pas Tiranës,Vlorës, Himarës, Kuçit e Gjirokastrës jemi mbledhur në Tepelenë, në zemrën e Labërisë

Miq, vëllezër e motra, mirë se erdhët. Eshtë kënaqësi të jemi sot në këtë event madhështor, ku na bashkon emri i madh i Labërisë. Është nder për qytetin e Tepelenës, me histori, kulturë dhe tradita, nga ku kanë dalë artistë dhe figura të shquara, të mirëpres në shtëpinë e saj këtë ngjarje të përmasave kombëtare. Ky Kuvend realizohet nga Shoqata Labëria nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Tepelenë dhe bijve të saj. Me shoqatën Labëria (nderi kombit) në këtë Kuvend të 7, manifestojmë plot 32 vite kontribute atdhetare brenda dhe jashtë kufijve shqipfolëse. Pas Tiranës,Vlorës, Himarës, Kuçit e Gjirokastrës jemi mbledhur në Tepelenë, në zemrën e Labërisë. Në Tepelenën e Pashait, e birbilenjve, kapedanëve. Në Tepelenën e traditave luftarake, të këngës e të besës. Në Tepelenën e sofrës së mikut dhe Zotit, ku ruajtja dhe transmetimi i vlerave kulturore, atdhetare, shpirtërore e morale të trevës së Labërisë është në simbiozën më të natyrshme me qëllimin e shoqërisë së bashkuar Labe. Ky organizëm shoqëror ´´Nderi i Kombit´´ është një pasuri e shenjtë shpirtërore që bën bashkë personalitete të të gjitha fushave, të cilët i janë gjetur Shqipërisë e në çdo rrethanë duke shpalosur veten e tyre me dinjitet e moral të lartë, dhe nuk e teproj aspak të them se disa prej tyre janë me ne në këtë sallë.

Përfundoi me sukses Kuvendi i 7 –të i Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”

Ky Kuvend i zhvilloi punimet në Tepelenën heroike nga data 16-17 dhjetor 2023. Tepelena ishte stolisur si për festë. Flamujt kombëtar dhe flamujt e shoqatës ishin vendosur në pikat më të larta të qytetit. Në hyrjet jugore dhe veriore të qytetit ishin vendosur parullat “Mirsevini në Kuvendin e 7- të të Shoqatës Labëria”. Në sallën e pallatit të Kulturës ishin 200 delegatë nga të gjitha trevat e kombit dhe nga Kosova, Maqedonia Veriut, Mali Zi, Çamëria. Na nderuan me pjesëmarrjen ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, deputetët Elisa Spiropali, Vullnet Sina, Etjen Xhafa, Petro Koçi dhe Bujar Leskaj. Profesorët, Shezai Rrokaj, Bardhosh Gaçe, Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Sherif Lushaj. Prefekti Vlorës Flamur Manaj, Kryetari Qarkut Vlorë Ervis Moçka, Kryetari Bashkisë Vlorë Ermal Dredha dhe 6 grupe polifonike. Ishte një Kuvend i organizuar në mënyrë perfekte. Kryetar i ri u zgjodh Agim Çiraku…..Prof Ago Nezha organizoi një Kuvend perfekt.

Prof. Bamir Topi-ish President i Republikës së Shqipërisë

-Jam shumë i emocionuar për vlerësimin që më bëri Shoqata Labëria “Nderi i Kombit” po aq i nderuar që jam pjesë e këtij Kuvendi. Kam qenë gjithmonë pjesë e aktiviteteve të Shoqatës, por ky Kuvend është shumë i veçantë. Shumë i bukur. Kam ndjekur me vëmendje debatin për polifoninë tonë të bukur. Askush nuk duhet të guxojë të denigrojë historinë e lashtë dhe origjinën e kësaj kënge kaq hyjnore. Urime dhe suksese Kuvendit!

Vullnet Sina-deputet i PS


Sot pashë një Kuvend që të mrekullon. Një organizim të përsosur. Një organizim që të befason. Një Kuvend që zgjat 2 ditë aq sa nuk mund ta organizojë asnjë parti politike. Kur shikon Tepelenën si sot ndihesh krenar për këtë trevë. Kjo tregon se çfarë fuqie ka kjo shoqatë. Ka në gjirin e saj personalitete të spikatur.

Elisa Spiropali-deputete e PS

Erdha me shumë dëshirë në këtë Kuvend. Unë jam nga Çorraj nga Kurveleshi dhe ndihem krenare që jam nga kjo trevë me histori të rrallë. Ky kuvend tregon se çfarë di të bëjë Shoqata Labëria dhe çfarë personalitetesh ka në gjirin e saj kjo Shoqatë. Ndihem shumë e vlerësuar që jam pjesë e këtij Kuvendi kaq sinjifikativ.