Filip Guraziu: 30-vjetori i revoltës që rrëzoi Stalinin në Shkodër

648
Sigal

Terrori politik që pasoi 14 Janarin 1990, s’mundi ta mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve

Nga Filip Guraziu

Shkodër – 14 Janar 1990

30 vjetori i Revoltës kundra stalinizmit shqiptar

Në kujtim tё Revoltës pёr shembjen e Monumentit të Stalinit, Shkodër 14 Janar 1990

Pllaka Përkujtimore e 14 Janarit 1990

E sotmja në përgjithësi dhe momenti që jetojmë, perceptohet ma mirë, kuptohet ma thellë, në qoftë se harmonizohet me të kaluemen. E kaluemja kontribuon për konsolidimin e së sotmes dhe të dyja së bashku projektojnë të ardhmen. Shqipnia para pushtimit fashist dhe sundimit komunist, me të vërtetë ishte e vorfёn dhe me marrëdhanie shoqnore pak të zhvillueme, por ishte nji vend ku parimet bazë të moralit pozitiv mbizotnojshin jetën shoqnore. Pikërisht në momentin në të cilin bota përparimtare shkatërroi bishën fashiste, një kulsheder prej lindjes iu vërsul Shqipnisё. Ngjyrën e kishte të kuqe dhe me gjak njollosi tokën arbnore. Me demagogji, por edhe me dhunë çoroditi mendjet naive të njerëzve të thjeshtë. Për me sundue dhe për me i shërbye politikës së huej eliminoi me metodat ma të ulta mendjet ma të ndrituna të shqiptarve. Historia e shqiptarve nuk kishte njoftë ndonjiherë luftë civile si ajo që u zhvillue në vitet e Luftës së Dytë Botnore. Historia e shqiptarëve nuk kishte pa ndonjëherë përdhunime, poshtnime, tortura, burgje dhe vrasje si në vitet e diktaturës komuniste. Historia e shqiptarëve nuk kishte njoftë kurrë atë demonizim të vlerave morale të kombit shqiptar; njeriu i ndershëm u shpall i poshtëm, spijuni – hero, krimineli – qengj i bekuem, njeriu i Zotit shejtan dhe shejtani u shpall engjëll!! Për gjysmë shekulli, diktatura komuniste e Enver Hoxhës ushtroi metodat ma barbare për me shkatërrue çdo gjà të mirё dhe qytetnuese që përfaqësonte qyteti i Shkodrës. Për me e mbajtë popullin e Shkodrës nën terror psikologjik, në sheshin qendror të qytetit, aty ku demokracia ndërtoi monumentet e ‘Nanё Terezёs’ dhe ‘Luigj Gurakuqit’- dy figura të krenarisë kombëtare që simbolizojnë dashuninë dhe demokracinë, diktatura vendosi monumentin e urryem të Stalinit, simbolit të së keqes.

Bustet e rrëzuara të Stalinit

Diktatura komuniste u dukte e qetë, ajo gëzonte “fitoren”. Kishte kthye në skllavni ekstreme nji popull të tanё nën slloganin e krijimit të njeriut të ri: që rezultoi nji monstër e mbrapshtё e pa besim dhe e pa moral, që zëvendsoi dashuninë me urrejtjen, besën me tradhtinë dhe të vërtetën me rrenën. Ngjarjet vёrtetuen se diktatura komuniste i pat ba gabim llogaritë, mbasi mundesh me zhdukë njerëz, me shkatërrue monumente, me grabitë prona dhe me shkrue histori të rreme, por kurrë nuk mundesh me pengue shpërthimin e ndjenjës së lirisë në shpirtin e të rijve. Dhe shpërthimi ndodhi me 14 Janar 1990, ishte nji vullkan i fuqishëm nënujor që u pasue me nji tsunam të vërtetë politik, i cili shkundi në themel diktaturën: Kohё mbrapa, monumenti i urryem i Stalinit u hoq natën mshehtas prej organeve të diktaturës. Fatkeqësisht pasojat e tsunamit ishin tragjike: qindra qytetarë të arrestuem, një pjesë e madhe psoi tortura, dhjetë ndër kryesorët; Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka, Aldo Perizi u dёnuan me shumë vite burg, gjashtë të tjerë; Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni, Viktor Martini u shtruen në psikiatri dhe shumë familje u internuen. Nji prej të burgosunve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë, doli nga burgu ne gjendje invaliditeti ekstrem. Torturat shtazarake e kishin krye efektin makabёr!Nuk mund të konsiderohet rastësi organizimi i demostratës se parë antikomuniste të 14 Janarit pikërisht në Shkodër. Populli i Shkodrës me rrethina dhe i malësive për rreth edhe ma parë kishin demostrue se komunizmi ishte i huej për to. Ky popull që mbart në gene lirinë e njerëzve të maleve, i ndodhun historikisht në kontakt me kulturën perendimore nëpërmjet marëdhanieve tregtare dhe influencës së Kishës Katolike kurrë nuk kishte se si me e pranue diktaturën dhe dogmën komuniste. Kujtojmë rezistencën e armatosun deri në vetmohim të udhëhequn prej Llesh Marashit dhe at të malsorve Kelmendas me në krye Prekë Calin, në Janar te 1945 si dhe kryengritjen e përgjakshme të Postribës në vitin 1946. Shembuj unikal në Shqipëri dhe jo vetëm. Terrori politik që pasoi 14 Janarin 1990, nuk muejti me mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve, përkundrazi vala e protestave si një ortek u rrit dhe u ba ma e ashpër për me qenë shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Historia e demokracisë shqiptare kujton me respekt revoltat e shkodranëve; 16 Qershorin 1990, 11 Nëntorin 1990, 13 Dhjetorin 1990 dhe 2 Prillin 1991. Tue u përkulё me respekt dhe me mirnjohje për të gjithë ata qe u sakrifikuen në përpjekjet kundër komunizmit dhe fitoren e demokracisë, gjej rastin të ju rikujtoj historianëve faktin, “çuditërisht” të lanё në harresë, se historia e demokracisë post komuniste shqiptare fillon me 14 janar 1990, dhe kjo duhet të shkruhet dhe të përkujtohet jo vetëm në Shkodër! Shkodranët ndërtuen themelet e demokracisë shqiptare dhe guri i parë, kryesor i themelit, ishte demostrata e 14 Janarit 1990.

Shënimi i Redaksisë: Materiali botohet duke respektuar autenticitetin në gegërisht