Agim Çiraku: Tepelena me bedena, mbetet simbol i krenarisë labe e shqiptare. Nen shëmbullin e Babait të Kombit Ismail Qemali, të mbajmë gjallë kulturën, arsimin, traditat,zakonet, folklorin, patriotizmin dhe luftën për pavarsi e liri të Labërisë

41

Fjala e hapjes në Kuvendin e 7- të të Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”

Sigal

Nga Agim Çiraku:

Të nderuar të ftuar!

Të dashur delegatë, deputetë, dhe miq të Shoqatës.

Të nderuar President Moisiu dhe Topi.

-I nderuar Kryetar i Gjykatës Kushtetuese z. Sokol Maliqi.

I nderuar Kryetar i Bashkisë Tepelenës z. Tërmet Peçi.

Motra dhe vëllezër.

Sot jemi mbledhur këtu, në Tepelenën e heronjve, të Ali Pashës, Bilbilenjëve, Selam Musait; në Tepelenën e kryengritjeve të paepura popullore kundër pushtuesve të çdo ngjyre; në Tepelenën e njerëzve të shquar të pushkës, të penës e të këngës, e kapedanëve të hershëm legjendar, të poetëve të mëdhenj të kombit, për të zhvilluar Kuvendin e 7-të të Shoqatës tonë “Nderi i Kombit“. Të gjithë së bashku në këtë ditë të shenjtë, u sjellim tepelenasve përshëndetjet dhe falënderimet tona të përzemërta për gjithë atë çka ata kanë bërë ndër shekuj e deri më sot, në interes të kombit shqiptar.

Nga Tepelena me bedena, ky simbol i krenarisë labe e shqiptare, përshëndesim gjithë labërit, kudo ku punojnë e jetojnë, u premtojmë atyre se do të punojmë e kontribuojmë akoma më mirë për ruajtjen e transmetimin e vlerave atdhetare e kulturore të trevës së të parëve tanë, të krenarisë e të dinjitetit legjitim lab. Qyteti i Tepelenës është i bukur, i pastër, me rrugë të gjera e sheshe të mëdha, me shëtitore të re, me vepra arti, me buste e shtatore të heronjve, siç janë: Ali Pashë Tepelena, Sali Nivica, Nimete Progonati, Selam Musai, Balil Nezha, Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Asim Zeneli, etj. Këtu në Tepelenën e këngës ndodhin mrekullitë. Polifonia labe dhe kënga ‘Hapu moj Evrop’, e interpretuar me mjeshtëri nga Grupi i Bënçës mahniti deputetët britanikë në parlamentin anglez, gjatë një turi të tyre në shtetin anglez.
  

Teksti dhe performanca e grupit, u konsiderua si “magji” e jehona e këtij lajmi u përhap me shpejtësi dhe në mediat shqiptare. Sot përmes punimeve të Kuvendit tonë të 7-të, përcjellim mesazhet e mirëkuptimit e të bashkëpunimit me të gjitha komunitetet e tjera jo labe, që jetojnë e punojnë në trevën e Labërisë si minoritarë çamë etj., si dhe shoqatat përkatëse, për të qenë gjithnjë bashkë, në ditë të mira e të këqia, sikurse ka ndodhur në rrjedhat e kohërave dhe të punojmë së toku në të mirë të Labërisë e të komuniteteve tona, të Shqipërisë dhe të çështjes sonë kombëtare.

Këtu, nga kalaja mistike, dërgojmë urimet më të mira për gjithë atë pjesë të trungut shqiptar, që padrejtësisht historia e ka nxjerrë jashtë kufijve të Atdheut amë dhe urojmë realizimin sa më shpejt të dëshirave tona të përbashkëta atdhetare, për ta parë kombin shqiptar një të tërë në rrjedhat e kohëve nën flamurin shqiptar.

Kuvendi i 7-të i Shoqatës zhvillon punimet e tij pas analizave e zgjedhjeve nëpër degë. Ai, me ndjenjën e përgjegjësisë së lartë që i është besuar nga anëtarësia, jo vetëm do të analizojë e përgjithësojë punën e kryer, por edhe do të përcaktojë drejtimet kryesore të punës, si dhe do të zgjedhë në krye të shoqatës përfaqësues nga më të përkushtuarit, në përmbushje të misionit të saj të madh e fisnik.
  

Kuvendin tonë e nderojnë me pjesëmarrjen e tyre drejtues të zgjedhur në pushtetin vendor në trevën e Labërisë:

Por ne kemi bërë shumë dhe akoma më shumë duhet të bëjmë, pasi kemi amanetin e atyre që e ndërtuan shoqatën dhe sot nuk janë mes nesh. Ata janë shumë dhe nuk mund t’i përmend të gjithë pasi do jenë në raportin e gjerë të kryetarit. Ndaj, në shenjë respekti e mirënjohjeje për jetën e veprën e atyre anëtarëve e simpatizantëve të shoqatës të ndarë nga jeta: Ju ftoj të mbajmë 1 minutë heshtje… I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Të nderuar delegatë! Rrethi i Tepelenës ka tradita, zakone e rite të njohura popullore. Historia dhe folklori janë pasuri e çmuar e Tepelenës. Polifonia dhe kënga qytetare apo sazet e Tepelenës janë vlera të rralla muzikore popullore, polifonia edhe si pjesë e UNESCO-s dhe pjesë e identitetit shpirtëror të Labërisë.
 

Ndaj, në emrin tuaj, të dashur delegatë, më lejoni edhe njëherë të falënderojmë të ftuarit për nderin që na bëjnë me praninë e tyre dhe njëherazi, duke qenë se  në punimet e Kuvendit janë të pranishëm mbi 85% e delegatëve, të deklaroj të hapur punimet e këtij Kuvendi.

Punë të mbarë Kuvendit të 7-të në të mirë të Labërisë sonë dhe të çështjes tonë kombëtare. Me këtë rast më lejoni të ftoj Kryetarin e Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria Prof. Dr. Ago Nezha, “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, për të mbajtur raportin në emër të Kryesisë së shoqatës.