Suplementi Pena Shqiptare/ Bedri Çoku: Nëna ime, me foshnje në bark, donte të hidhej nga ura edhe me fëmijët e tjerë

Unë kam qenë i vogël, kur u arrestua babai dhe na konfiskuan pasurinë e tundshme e të patundshme; i morën të gjitha. Pra, bëhet fjalë për vitin 1950. Por, nga ç’më ka treguar vëllai i madh, Rrapi, dhe nga procesi  gjyqësor që bëmë  në qeverinë pluraliste, për arsye pronësie, del që kemi pasur rreth 100 hektarë e ca tokë, prej të cilave arritëm të rimerrnim vetëm 55 hektarë. Dhe, nuk i marrim  dot, për arsye se edhe sot, pas tridhjetë vjetësh, pas ndryshimit të regjimit, mbetet akoma në fuqi ligji 7501, që ia rivodhi për së dyti pasurinë pronarëve të ligjshëm. Pra, le të themi, kishim një pasuri të konsiderueshme. Dhe më gjithë atë pasuri, na nxorën në mes të katër rrugëve…

Në  këtë rast dua ta theksoj, se, babai im kishte dy gra, njëkohësisht, sipas zakonit të kohës, kështu që ishim një familje e madhe: Ishim katër vëllezër me nënën tonë dhe  tri motra dhe një vëlla, me gruan tjetër. Jetonim bashkë dhe në harmoni. Kështu që, kur na nxorrën nga shtëpia, vëllai i madh nga babai, pra Rrapi, ishte ushtar. Gjyshja bashkë me gruan e parë të babait, nuk lëvizën nga fshati. Arsyeja ishte tronditja e madhe e humbjes së gjithcckaje dhe sëmundja  e gruas së parë. Pas ca ditësh, kjo vdiq. Edhe gjyshja e la fshatin dhe u strehua tek e bija në fshatin Cakajas. Kurse nëna jonë na mblodhi ne, fëmijët, vajza e djem, ku më i madhi, Nexhipi, ishte dymbëdhjetë vjeç; motra më e madhe rreth 14-15 vjeç, dhe morëm rrugën në këmbë, për në qytetin e Fierit, ku nëna kishte motrën e saj të martuar. Ka qenë një udhëtim i tmerrshëm. Bëhet fjalë për në vitin 1951. Unë kam qenë rreth 3-4 vjeç, dhe nuk kam si e mbaj mend mirë, por disa gjëra më kujtohen. Ishte baltë e madhe. Kalonim nëpër fshatrat e Myzeqesë dhe kërkonim bukë derë më derë, por s’na jepte njeri; s’na afronte njeri. Në fshatin tonë, jo e jo, por edhe fshatrat nga kalonim, njerëzit kishin frikë të na ndihmonin, për shkak të terrorit psikologjik që kishte krijuar sistemi në popull, sepse në atë periudhë, nuk u arrestua  vetëm babai ynë, por arrestuan  edhe  në fshatrat e tjerë, ku kishte pasanikë. Domethënë,  ishte fushatë arrestimesh, dhe për shkak të propagandës komuniste, cilësimi “kulak” u bë një etiketim i tmerrshëm dhe,  në sy të njerëzve ne  dukeshim përbindësha. Njerëzit e pushtetit bënin mbledhje natë e ditë, për të demaskuar familjet e pasura, me gjasë, kishin grabitur, varfëruar dhe shfrytëzuar mundin e të varfërve. Aq sa  arritën pastaj dhe nxorën  barcaleta të tipit, sikur…  “Azem Çoku, kur shkonte për gjueti në kënetën e Karavastasë, merrte fshatarët, u hipte mbi shpinë dhe, gjuante për rosa!!!” Duke shkuar për në Fier, mbas një sfilitje të madhe, mbaj mend  teksa ngjiteshim në kodrën ku ndodhet Manastiri i Ardenicës, ne, të vegjëlit, nëna e gjorë, na merrte një nga një, për të na ccuar në majë të kodrës; kthehej e merrte pjesën tjetër. Nuk e dinim ku shkonim, veç me hamendjen e saj për të dalë në xhaden që të cconte në Fier.  Në Manastir ndodheshin disa murgj, të cilët kur na panë duke u tërhequr  zvarrë e të rraskapitur, u turrën dhe na ndihmuan. Na morën në krahë, na zbritën poshtë, por fillimisht na dhanë për të ngrënë aty në Manastir. Pastaj na ndihmuan të zbrisnim deri në xhade. I thanë nënës të kishte kujdes gjatë rrugës nësë nuk i merrte ndonjë makinë, për  të ruajtur fëmijët nga aksidenti…

NOA

U nisëm në këmbë

Nëna i la në Manastir pak sende guzhine, lugë e pjata dhe ca rroba për veshmbathje. Me mendje për t’i marrë më vonë. Komunistët zbritën të uritur nga malet, si kaccakë, dhe zhvatën gjithçka në familjen tonë, pa pikë mëshire. Nuk u dhimbseshin as fëmijët e vegjël. Na lanë  zbathur e zhveshur në mes  të dimërit, pa shtëpi, pa katandi. Pastaj, kur dolëm në xhade, tmerroheshim dhe mblidheshim pas nënës, ngaqë pranë nesh kalonin  makina të mëdha, që s’i kishim parë ndonjëherë. Ajo e gjora ngrinte dorën për të ndaluar ndonjë, por jo! Nuk ndaloi  asnjë. Ndoshta, ngaqë e shihnin që ishim shumë vetë. Për fat qëlloi një njeri me qerre, i cili kishte rrugën drejt Fierit dhe pa na pyetur na ngjiti ne të vegjlit mbi të dhe kjo qe lumturi e madhe një copë herë. Na zbriti pranë një kishe, duke i thënë nënës se, kur të mbërrinim afër fshatit Mbrostar, aty është ura për të kaluar lumin, pastaj keni edhe pak rrugë të soseni në Fier. Poshtë kishës, buzë xhades ishte dhe një cezme. U ulëm për të shuar etjen dhe për të ngrënë ato pak ushqime që na kishin dhënë murgjit. Nëna volli zorrët nga lodhja e madhe, pasi piu ujë në cezmë. U zverdh dhe s’po i pushonin lotët. Ne u mblodhëm rreth saj duke qarë. Pritëm deri sa ajo të mblidhte veten. Motrat i fërkonin damarët e qafës dhe qanin. Aman, mos na lerë mome… po na le ti do të vdesim edhe ne? Për fat, nëna u ngrit në këmbë dhe i hodhi të gjitha sendet, që i kishte ruajtur deri tani me shpirt ndër dhëmbë. Mori Ccaushin gati dy vjecarë, përdore dhe u nis e para. Mua më merrte Esati përdore. Sapo mbërritëm tek Ura e Mbrostarit, nëna na tha të rrinim në shkallinën e urës që të mos na shtypte makina. Dhe, sapo mbërritëm gati në mes të urës ajo, me Ccaushin përdore, na tha që të bashkoheshim të gjithë pranë saj, për t’u ruajtur nga makinat dhe, në hapësirën prej hekuri të urës, tentoi të hidhej në lumë së bashku me ne. Ishte e tmerruar: Tri ditë e tri netë jetuam në ferr! Çfarë të bënte, ku të mbështetej? Ne të gjithë ishim të vegjël. Por, ishte motra e madhe, Lumturia, ajo që uluriti e para dhe, me të dyja duart u mbërthye fort pas hekurave të urës dhe bërtiste duke tërhequr momën:“Mos… Mos!.. Mos… Mos! mome”, derisa  Nexhipi, Esati dhe dy motrat, Hakilja dhe Liria u kapën pas fustanit të nënës, deri sa ajo u rrëzua përtokë, duke qarë. Kur e kujtoj këtë skenë, nuk kam marr guximin të ulem e ta shkruaj për këtë ngjarje, nga frika se nuk do t’i rrëfej dot sicc duhet. Kur hymë në qytetin e Fierit, nëna nuk donte që të shkonim direkt te tezja. Druhej se mund t’i prishte punë?

 

Brodhëm ca nëpër lagjen “Liri” deri sa gjetëm një shtëpi të vjetër, pa dritare e  tavan, sicc kishte mbetur e prishur nga lufta; me sa dukej. Sapo u shlodhëm, motrat me Nexhipin dhe Esatin, dolën rrugëve për të lypur, Ishin të vegjël dhe nuk u vinte turp. Nëna shkoi në disa shtëpi dhe kërkoi rroba për të shtruar poshtë dhe mbulesa për të fjetur. Tjetër ishte qyteti. Ajo u tregoi hallin dhe disa  gra pranë shtëpisë, ku futëm kokën ne, i dhanë nënës ushqime dhe bukë. Kurse  me ato pak të holla që mblodhën duke lypur, nëna i ruajti për të nesërmen. Merre me mend: Ne, që kishim pasur gjithë atë pasuri, me djersën e ballit, u katandisëm për faqe të zezë, duke lypur rrugëve. Kjo gjendje e tmerrshme zgjati disa ditë. Sepse, motra e nënës, tezja e jonë,  nuk e di nga e kishte marrë vesh, erdhi te shtëpia ku rrinim ne, me duart në kokë, bashkë me burrin  e saj, Ali Boriçin. Ata na morën në shtëpinë e tyre, gjë që ne nuk ia harrojmë gjithë jetën! Aliu, ishte me origjinë nga Dibra dhe burrë shumë i mirë. Tezja ime, pra njerëzit e nënës, ishin nga Elbasani, por edhe këta ishin zhvendosur në fshatin Vidhishtë të Roskovecit. Pra, tezja dhe i shoqi na strehuan në shtëpinë e tyre, ku kemi jetuar një vit. Ndërkohë nëna, që siç ju thashë ishte shtatzanë, lindi  vajzë. E përgëzuam  me emrin Vathe, me qëllim që të rronte gjatë. Isha unë që sillesha rrotull saj, se dy vëllezërit e mëdhenj ruanin delet e fqinjve bashkë me motrat, në mënyrë që të mund të siguronin ndonjë lek. Ndërsa nëna, filloi punë në fabrikën e tullave; Ja  gjeti burri i teze këtë  punë, të cilin ne e thërrisnim “dajë Aliu”. Vajza e vogël rrojti 6 muaj dhe vdiq. Vëllai i vogël Çaushi, poet  i shquar, ka shkruar  një elegji për kujtim të motrës tonë të pafat, Vathen.

Po si e kaluam një vit në shtëpinë e tezes?

Babai ishte në burg. Nëna, duke punuar në NISH tulla, ngaqë nuk kishte punuar ndonjëherë si puntore, preu dy gishtat e mesëm të dorës, duke marrë tullat që dilnin nga prerësja, dhe e ccuan urgjentisht në spitalin e Vlorës. Pastaj ka punuar gjithë kohën te Ndërmarrja e druve, që stivoheshin për t’ua shitur qytetarëve,  në Fier. Për një vit që  jetuam në shtëpinë  e tezes, vetëm nëna punonte në shtet, ndërsa vëllezërit merreshin me delet e qytetarëve në periferi të qytetit,  duke paguar barinjë, ndërsa motrat pastronin shtëpitë e fqinjëve, kur burrë e grua punonin në punë të shtetit. Edhe pse shtëpia e tezes  ishte me dy kate, gjithsesi. ishim shumë ngushtë: tetë vetë ishim ne dhe gjashtë ata, burrë e grua me gjithë fëmijët: Etemin, Fatbardhën, Agimin dhe Feruzen.  Me çfarë sakrifice na kanë mbajtur! Pastaj Këshilli i Lagjes, na dha një shtëpi te Llambi Caco, a se si e kishte emrin… Shtëpia ishte vetëm një dhomë, me banjë, por të zotët e shtëpisë  gjashtë muaj na lanë, u ankuan te Këshilli i Lagjes, me gjasë ishim shumë  dhe, ne femijët i shqetësonim… Ato ditë që po prisnim të dilnim nga shtëpia me beton, u gëzuam kur na erdhi papritur vëllai i madh, Rrapi. Sapo ishte liruar nga ushtria dhe erdhi jo vetëm për t’u shmallur me të gjithë ne, por edhe për të marrë motrat e tij, për në fshat. Fjeti një natë me ne dhe të nesërme ata u larguan, të katër me lot në sy. Së fundi përfunduam në  ahurin e kuajve të ish tregtarit, Taq Bozos, po në lagjen “Liri, gati ngjitur me xhaden kryesore pranë “shkollës numër 2”. Kjo ishte pa tavan, pa dritare dhe pa banjë. Kishte vetëm një dollap të madh nga   ana e xhades. Aty kemi qëndruar nëntë vjet. Djemtë e tij ishin lidhur me komunizmin  dhe jetonin në Tiranë, me poste shtetërore. Ccdo muaj Taq Bozo-ja i kërkonte nënës qiranë, fiks 121 lekë. I binte derës me forcë e me zë të rëndë thoshte: “Zonjë, o zonjë, erdha për qiranë!” Qiraja është 121 lekë e gjysmë; edhe gjysmën e lekut e kërkonte. Nëna ia jepte 121 lekë dhe e mallkonte: “ T’u bëfshin helm, kur kërkon edhe gjysmë leku! Sa jemi gëzuar kur një komshi, duke parë varfërinë tonë dhe shtëpinë ku jetonim i gjeti punë vëllait të madh, Nexhipit, katërmbëdhjë vjecc, të punonte në mirmbajtjen e lulishtes së madhe, në qëndër të qytetit. Në fillim e mori një rrogë fare minimale, megjithatë për ne ishte goxha ndihmë. Esati  filloi i pari shkollën, me një palë shapka dhe me një këmishë që ia qepi tezja me makinë. Ishim në një rrugice me shtëpinë e tezes. Në dimër Esati ecte gur më gur, për në shkollë, me një palë shapka. Jeta ishte e rëndë sidomos në dimër, sepse ishim zbathur, ku t’i gjenim këpucët? Me një palë rroba jemi rritur: I linte i madhi, i vishte më i vogli. Kështu me radhë, se ishim katër djem. Nëna e shkretë, ditën punonte dhe natën lante rrobat. Ahuri nuk kishte drita. Me kandil bënim dritë. Ndërsa zjarrin e ndiznim në mes të ahurit, për të gatuar e për t’u ngrohur. Por, për fat, te rruga kryesore afër shtëpisë, ndodhej një shtyllë me tela korenti dhe një llambë të varur si në ccdo furkë gjatë xhades. Nën të nëna vinte kazanin dhe govatën për të larë rrobat. Për të gjitha këto sakrifica të jashtëzakonshme, gratë e lagjes filluan ta admironin. Sajuam diçka për nënën, aty brenda, ndërsa ne djemtë dilnim jashtë. Ku të mundnim…

Pjesë e një interviste të gjatë shkëputur nga “Zërat e kujtesës, vëllimi III”