-Ndahet nga jeta Kolonel KUJTIM ARSHIN BASHO-

I pari komisar divizioni nga Skrapari
Më 7 nëntor 2024 u nda nga jeta ushtaraku madhor Kujtim Arshin. Basho pas disa operacionesh shëndetësore. Ai u përcoll me nderimet përkatëse nga familja, të afërmit, të njohurit e shumtë, shokët e ushtrisë e të terrenit, njerëz të thjeshtë, farefisi dhe qytetarë të ndryshëm.
Fëmijëria e oficerit të ardhshëm
Kujtimi lindi më 20 qershor 1945 në Çepan, në një familje atdhetare e punëdashëse. Ishin njëmbëdhjetë fëmijë nga që babait i kish vdekur gruaja e parë, Semikua, duke lënë pesë fëmijë, dhe me të dytën, Këzen, lindën edhe gjashtë të tjerë. I ati i tij, Arshini, derisa u shua mbeti punëtor i palodhur, i zoti fjalës dhe i këngës, tepër familjar dhe i shkuar me të gjithë fshatin. Ishte aktivizuar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare me transport ushqimesh dhe materialesh lufte si dhe strehim partizanësh e përgatitje veshmbathje për ta. Vetëm me punë e djersë, Arshini dhe Këzja rritën, edukuan e shkolluan të gjithë fëmijët, në kushtet tejet të vështira të kohës para Çlirimit të vendit dhe në vitet e para të pasluftës. Kujtimit i duhej të bënte mësimet, por të shkonte edhe me bagëti, edhe me punë të tjera bujqësore aq të shumta të një familje të madhe, sepse kishte tri motra e dy vëllezër para vetes dhe po aq motra e vëllezër pas vetes që duhej të ushqeheshin brenda asaj shtëpie. Atëkohë bëhej fjalë për sigurimin e bukës së gojës e pastaj të tjerat. Dashuria për punë dhe etja për dije iu kultivua që në familje. Shkollën fillore e shtatëvjeçare i kreu me rezultate të shkëlqyera në fshatlindje. Detyrat e mësimet i bënte në darkë nën dritën e shkarpave të zjarrit dhe të kandilit. Në vitin 1959, ai ishte njëri nga tre nxënësit më të dalluar të zonës së Çepanit, që u përzgjodhën për të vazhduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, me bursë shteti, të cilën e përfundoi në vitin 1963 me rezultate shumë të mira. Oficeri madhor Kujtim Nj. Laço, njëherazi edhe shok fëmijërie me të, për Kujtim Bashon tregon: “ Kaluam se toku një jetë të tërë që nga fshati Çepan, ku lindëm, edhe në shkollën ushtarake ‘Skënderbej’ edhe në shkollën e bashkuar të oficerëve ku ishim në të njëjtin specialitet, artileri tokësore. Pastaj na ndau puna, detyrat që na u ngarkuan, por emrin e tij e dëgjoja gjithnjë për mirë

Katër dekada vetëm në jetë ushtarake
Kujtimi e veshi uniformën ushtarake në moshën e njomë trembëdhjetë vjeçare dhe e hoqi në vitin 1999 pas dyzet vitesh. Kreu këto detyra në ushtri:- përgjegjës rinie në Grupin Kundërtank në Tiranë; -sekretar i Komitetit të Rinisë njësisë së Rezervës së Komandës së Përgjithshme;
-sekretar i Komitetit të Rinisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore;-Në 1969-1973 student në Universitetin e Tiranës, dega histori-filologji me rezultate të larta; -shef artilerie batalioni këmbsorie në Divjakë të Lushjes; -shef shtabi grupi artilerie tokësore në Mëzez, e njëkohësisht u zgjodh sekretar i komitetit të rinisë së Korpusit të Mbrojtjes Bregdetare të ushtrisë. Në vitin 1979, instruktor në aparatin e komitetit të partisë në korpus. Në vitin 1981 u zgjodh zëvendës sekretar i komitetit të partisë për edukimin në korpus. Në 1982-1984 kreu me rezultate të larta studimet në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”; -Në qershor 1984, sekretar i komitetit të partisë së divizionit “Avdyl Frashëri” në Përmet dhe në gusht të atij viti u emërua në detyrën e komisarit të atij divizioni- detyrë që e kreu me devotshmëri e atdhetari si pakkush tjetër deri në vitin 1991. Pas shkrirjes së funksionit të komisarit në ushtrinë shqiptare , emërohet shef i edukimit në atë divizion. Në prill 1992 e transferuan në Tiranë me detyrën e shefit të kuadër-organizim të njësisë së Bazës së Armatës. Oficeri i lartë, artilieri Guximtar Gogo shprehet: “ruaj respekt të veçantë për Kujtimin si artilier, si komisar divizioni dhe për punë të mirë që bëri në detyrën që iu caktua në bazën e armatës, pavarësisht kohës së shkurtër që punoi atje.”
Lirohet nga ushtria me reformë 1992. Mbetet pa punë e pagë ndaj vetpunësohet si shitës ambulant bulmeti dhe produktesh të tjera ushqimore. E rimarrin në ushtri në prill 1998 me detyrën e shefit të organizimit të Grupimit të Tiranës dhe me kërkesën e tij u lirua përfundimisht nga ushtria në dhjetor 1999, duke iu drejtuar emigrimit në shtetin fqinj jugor, nga ku kthehet pas disa viteve punë e vuajtje prej emigranti.
Ja se ç’thotë z.Nuredin Nurçe, intelektual me profesion inxhinier pyjesh, nga Dëshnica e Përmetit :” Kur unë punoja në aparatin e komitetit të partisë në Divizion, Kujtimin e kishim eprorin tone. por ai kishte ndërtuar me ne marrëdhënie krejt shoqërore në kuptimin e thjeshtësisë, sinqeritetit dhe korrektësisë. Kujtimi kishte aftësi që të dallonte të mirën dhe ta stimulonte atë për suksese më të mëdha, nga e keqja, të cilën e dënonte, ndëshkonte si koncept për të mos u përsëritur dhe për të mbrojtur njerëzit tanë nga shfaqjet e huaja. Asnjëherë nuk lejonte që të zvarritesh puna për kryerjen e detyrave të planizuara në fillim të muajit. Ishte i dashur me shokët dhe vartësit, respektonte shumë njerëzit e bazës dhe punën e tyre. Kishte cilësi që atij ia zbukuronin portretin si intelektual, si komisar, si kuadër i lartë.”
Z.Taip Çela, sekretar i Komitetit të veteranëve të LANÇ- të rrethit të Skraparit kujton: ”Kujtim Basho ishte dhe mbetet një personalitet i Skraparit, sepse si bir i këtij vendi, kreu me përpikmëri detyrat për drejtimin e punës edukative dhe ushtarake në Divizion, ku ne kryenim stërvitjet ushtarake sipas ligjit 17 ditë në vit dhe si oficerë rezervistë 36 ditë në vit. Ai respektonte vartësit, i dëgjonte, ua zgjidhte në kohë kërkesat e drejta dhe kishte fituar besimin e tyre në kryerjen e çdo detyre.Kujtimi ishte vërtet një drejtues politik i lartë por për ne ishte njeri shumë i ëmbël, tepër i thjeshtë dhe kur vinte puna për zbatimin e detyrave ishte shumë këmbëngulës. Kam pasur mardhënie shumë të mira familjare dhe shoqërore me të gjatë gjithë kohës edhe kur doli në pension”-kështu shprehet kuadri i lartë ushtarak Sherif Myftari. Në të gjitha vlerësimet e shkruara për të nga eprorët dhe organet e nomeklaturave përkatëse, për të gjejmë vetëm fjalë e konsiderata të mira. Gjithashtu, se cili ka qenë karakteri dhe personaliteti i tij, flasin edhe disa qindra klikime, komente ngushëlluese e fjalëzemre për të në statusin e hedhur në facebook nga gazeta “Orakujt e Tomorrit”, për komisarin zemërqelibar. Kujtim Basho, nga të gjithë kontinentet ku janë shpërndarë njerëzit tanë që e njohin, apo kanë punuar me të.
Trashëgimia më e vyer: emri i mirë, figura e pastër, fëmijë të mbarë
Kujtim Basho ishte djalë i mbarë, skënderbegas shumë i disiplinuar dhe i zellshëm në mësime, kursant i shkathët dhe kërkues ndaj vetes, oficer i aftë , edukator shumë i zoti për ushtarët dhe oficerët, drejtues që udhëheq me shembullin personal si komunist për kapërcimin e çdo vështirësie, këmbëngulës, korrekt dhe njeri që imponon respekt. Gjurmët e punës së Kujtim A. Bashos kanë mbetur në rezultatet e arritura në kompleksin e treguesve të gadishmërisë luftarake të reparteve dhe njësive që ai drejtoi, ku ka spikatur kompetenca profesionale dhe aftësitë mobilizuese dhe shembulli i tij personal. Këto tipare e kanë karakterizuar atë në punë e në shoqëri. Ishte kryefamiljar i mirë, baba i devotshëm , bashkëshort tejet i kujdesshëm, fqinj i gjendur, nip e dajë i respektuar, xhaxha i dashur, gjysh i ëmbël. Ashtu si katër vëllezërit dhe gjashtë motrat e tij që u angazhuan suksesshëm dhe me ndershmëri, me të gjithë forcat e tyre në punët dhe ngjarjet e rrjedhave të kohës, Kujtimi ishte modeli që ndiqej për tërë virtytet që manifestoi në jetë. Ishte i martuar me znj. Liri Dyrmishi nga fshati Muzhakë, bijë e një ushtaraku të hershëm e cila iu gjend pranë në çdo lëvizje e transferim në rrethe e detyra të ndryshme, në çdo çast të vështirë që kaluan së toku, deri tek lirimi para kohe nga ushtria. As Kujtimi e as Liria nuk u përkulën para asnjë lloj vështirësije që nxirrte koha, por ecën duke punuar kurdoherë me ndërgjegje të lartë e disiplinë të ndërgjeshme. Ata lindën, rritën, shkolluan dhe edukuan tre fëmijë të mrekullueshëm Entela, Dritani dhe Arshini, të cilët ecin në gjurmët e prindërve të tyre, njeriut të ëmbël e kuadrit të përkushtuar si rrallëkush për detyrën, atdheun, familjen, shoqërinë, të parit komisar divizioni që ka nxjerrë Skrapari në ushtrinë e shtetit shqiptar.






















