77-vjetori i shkollës “Skënderbej”. Ceremonia dhe promovimi i librit bëhen sot, datë 28 mars 2022, ora 11:00, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë
Në festën e skënderbegasve, promovohet
Volumi i katërt “Skënderbegasve ndër vite” me autor Kujtim Boriçi e Maksi Fejzullai
Në kuadrin e 77-vjetorit të çeljes së Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, sot në orën11:00, në Muzeun Historik Kombëtar, bëhet promovimi i volumit të katërt të librit “Skënderbegasit ndër vite…”, i autorëve Maksim Fejzulla & Kujtim Boriçi. Aktiviteti, me pjesëmarrjen e brezave të skënderbegasve e personalitete të fushave të ndryshme, është konceptuar në formën e një skektakli, me këngë e recitime nga autorë të njohur.
Në vend të parathënies
Nëse ne, si autorë të volumit të katërt të kolanës “Skënderbegasit ndër vite”, do të duhej të themi diçka që në hyrje të tij, nisur nga mirëpritja e volumeve paraardhëse, do të duhet të shprehnim së pari mirënjohjen për bashkëpunëtorët e shumtë që e ndjenë dhe e ndjejnë veten pjesë të librit, me bindjen e plotë dhe të materializuar se, po kontribuojnë për pasurimin e historisë së një institucioni elitar e model të arsimit ushtarak shqiptar, si dhe të vlerësimit të asaj që kanë dhënë e japin përfaqësues të kësaj shkolle në Forcat tona të Armatosura dhe në shumë fusha të tjera si në politikë, art, kulturë, sport, diplomaci, qeverisje etj.
Ky bashkëpunim permanent dhe i vazhdueshëm, shoqëruar dhe me materialet të arkivave zyrtare, kujtimet e skënderbegasve-protagonistë në ngjarje të rëndësishme, ka sjellë grumbullimin e materialeve të shumtë dhe mundësinë e përzgjedhjes për botim të asaj që është më e plotë, në funksion të vetë misionit, që ka kjo kolanë për shkollën e lavdishme dhe skënderbegasit ndër vite.
Edhe pse volumi i katërt ka përgjithësisht strukturën, që kishin dhe tri volumet paraardhës, përsa më sipër, u diktuan dhe disa ndryshime në strukturë dhe sidomos në mënyrën e paraqitjes së materialit, dokumenteve apo fotove të përzgjedhura për botim.
Kuptohet, që në një kolanë të tillë, është e pamundur të gjejnë hapësirë personale mbi 50 mijë ish-skënderbegas, mësues, komandantë, komisarë apo punonjës të tjerë, të gjejnë vend të gjitha arritjet e kësaj shkolle ndër dekada, kontributet në aksionet kombëtare, rezultatet në rang vendi në aktivitete kulturore e sportive, por përkujdesja në përzgjedhje, ka konsistuar në pasqyrimin e asaj që konsiderohet më e rëndësishme, me vlera për njohjen e së djeshmes, të sotmes, por dhe të ardhmes që prodhoi dhe materializoi kjo shkollë elitare.
Në këtë aspekt, materialet e çdo kapitulli në veçanti, por edhe në tërësi struktura e librit, synon e sjell për lexuesin, por dhe studiues apo të interesuar, diçka të koncentruar, të përzgjedhur e mendojmë se ja vlen. Kështu, dokumente të panjohura e të papublikuara, që nga masat për hapjen e ‘shkollës së pionierëve’, çelja e saj më 28 mars 1944, mënyra e përgatitjes së skënderbegasve dhe kriteret e shkollimit e emërimit të tyre; dokumente dhe detaje për maturën e parë të këtij institucioni, kujtimet dhe portretet e skënderbagasve të ardhur nga LANÇ, të mësuesve, komandantëve e komisarëve të tyre të parë, në këtë volum vijnë më ndryshe; jo thjesht nëpërmjet jetëshkrimeve të tyre, por dhe kujtimeve origjinale të tyre e kolegëve, shoqëruar dhe me foto të kohës. Kjo mënyrë të paraqituri në libër, mendojmë se e bën më të plotë evenimentin, kontributin real të personazhit, por dhe më të thjeshtë e tërheqës për lexuesin.
Hapësira të veçanta i kemi dhënë në këtë volum, dhe kontributit të personaliteteve të shkollës “Skënderbej” e të skënderbegasve të thjeshtë, që të braktisur nga shteti e të nxjerrë në lirim në moshë të re, u detyruan që të marrin rrugën e emigrimit, por gjithmonë me ‘kokën pas’, me dashurinë e pakufishme për atdheun që i shërbyen vite e dekada. Shembujt konkret të ish-skënderbegasve emigrantë, të integruar me dinjitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontributi i tyre atdhetar nëpërmjet shoqatës “Skënderbej” atje; të grupimeve të skënderbegasve në emigrim në Greqi, në Itali, Gjermani, Kanada etj, që sillen në hapësira të konsiderueshme në këtë volum, janë një tjetër dëshmi reale e fisnikërisë dhe shembullit dinjitoz të shtresës së ushtarakëve shqiptarë.
Në një kapitull të veçantë, jepen dokumente, dëshmi e foto të oficerëve ish-skënderbegas që kanë përgatitur që në vitin 1990 e në vazhdim, komandantët e ardhshëm të UÇK-s, që nga Adem Jashari, Hashim Thaçi etj… Detajet që sillen në libër, janë jo vetëm interesante e të panjohura, por tregojnë dhe atdhetarinë, përkushtimin e oficerëve nga Shqipëria, të cilët ashtu pa zhurmë e bujë, pa asnjë përfitim ndonëse me sakrifica të jashtëzakonshme, bënë gjithçka në përmbushje të misionit në shërbim të kombit.
Po ashtu, nxënësit e shkollës “Skënderbej”, siç pasqyrohet edhe në këtë libër, kanë shkëlqyer dhe shkëlqejnë edhe në fusha të tjera, jo vetëm atë ushtarake. Shumë prej tyre janë bërë shkencëtarë me kontribute në Shqipëri e shumë vende të tjera, të tjerë mjekë të njohur, deputetë e politikanë, biznesmenë të shquar në vend e deri në Shtetet e Bashkuar të Amerikës
“Materialet e çdo kapitulli në veçanti, por edhe në tërësi, struktura e librit synojnë e sjellin për lexuesin, por dhe studiuesin apo të interesuar, diçka të koncentruar, të përzgjedhur e mendojmë se ja vlen. Kështu, dokumente të panjohura e të papublikuara, që nga masat për hapjen e ‘shkollës së pionierëve’, çelja e saj më 28 mars 1944, mënyra e përgatitjes së skënderbegasve dhe kriteret e shkollimit e emërimit të tyre; dokumente dhe detaje për maturën e parë të këtij institucioni, kujtimet dhe portretet e skënderbagasve të ardhur nga LANÇ, të mësuesve, komandantëve e komisarëve të tyre të parë, në këtë volum vijnë më ndryshe; jo thjesht nëpërmjet jetëshkrimeve të tyre, por dhe kujtimeve origjinale të tyre e kolegëve, shoqëruar dhe me foto të kohës.”
Edhe pse ne si autorë bashkë me shumë bashkëpunëtorë u përpoqëm të bënim më të mirën, në kushtet dhe mundësitë konkrete, sigurisht që për skënderbegasit e shkollën ”Skënderbej”, ka shumë për të shkruar e thënë, pasi e tillë qe kjo shkollë, të tillë, dinjitoz e krenarë në shërbim të kombit, kanë qenë e mbeten ata që studiuan dhe edukuan në këtë institucion. Dhe mendojmë se koha ecën, e nxitimi për ta bërë këtë, sigurisht më mirë e më të plotë, është tani. Në fund të fundit, kush bëhet pjesë e këtij projekti, jep ndihmesën e tij në të mirë të shoqërisë e vendit. Pasi dokumentimi i memories së brezave, është detyrë për të gjithë intelektualët, është pjesë e historisë që mban gjallë një shoqëri, një komb.
Përsa i takon librit, sigurisht që ka dhe mangësi, pasi në projekte të kësaj natyre, është gjithmonë e vështirë të bësh, së paku atë që dëshiron, pasi janë një sërë rrethanash që jo rrallë bëhen pengesa në një formë e në një tjetër në këtë drejtim. Ne u përpoqëm për më të mirën…
Autorët e librit:
Maksi Fejzulla
Kujtim Boriçi
“Heroi i Popullit” Abdyl Bakiu, komandanti i parë i shkollës Ushtarake “Skënderbej”
Avdul Hakiu u lind në Kuç të Vlorës në vitin 1911. Që në moshë të re, i mbrujtur me traditat atdhetare e familjare të zonës nga vinte, formoi një personalitet të qëndrueshëm dhe falë intelektit e zgjuarsisë natyrale, shumë shpejt, ndonëse në moshë shumë të re, u bë pjesë e pleqësisë në fshat.
Në vitin 1942, ashtu si shumë atdhetar të zonës, ai u lidh me çetën partizane “Avni Rustemi”, ku u bë pjesëtar e një nga luftëtarët e drejtuesit aktiv të saj. Më vonë, në zjarrin e luftës për liri, ai u evidentua si një drejtues tepër i aftë e trim, ndaj ngjiti shkallët e karrierës në repartet partizane që luftonin kundër pushtuesve e tradhtarëve të vendit. Kështu, Abdiu emërohet komisar batalioni në Brigadën e 6-të Sulmuese. Në drejtimin e kësaj brigade, veçanërisht në luftën për çlirimin e Shkodrës, Kontributi i Abdylit si luftëtar e drejtues është shënuar dhe në beteja të tjera gjatë kohës së luftës: si aksioni për çlirimin e nënprefekturës së krahinës së Kurveleshit, që për nga hartimi i operacionit e deri tek realizimi i tij, mbetet një nga aksionet model të zhvilluar në krahinë e më gjerë.
Gjatë luftës, forcat e organizuara të Kurveleshit të Poshtëm, nën drejtimin e Abdyl Bakiut dhe Ali Lalës, në bashkëpunim me forcat partizane që komandoheshin nga Mustafa Matohiti e Ago Çeli, në mbrëmjen e 27 Nëntorit 1942, u gjendën bashkë në rrethimin e nënprefekturës ku ishin 150 xhandarë, milicë dhe ushtarë. Për të evituar vëllavrasjen, drejtuesit e operacionit i dhanë ultimatum nënprefektit që të dorëzohej Në orën e caktuar, nënprefekti u detyrua të pranonte ultimatumin e komandës partizane dhe u dorëzuan. Duke ulur tytat e armëve poshtë, e me kokulur, ata u lanë të lirë dhe u larguan në drejtimin Nivicë-Salari-Tepelenë. Kështu, populli festoi i lirë 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë.
Me çlirimin e vendit dhe me hapjen e shkollës ushtarake “Skënderbej”, Abdyl Hakiu, emërohet komandant i saj. Në vitin 1949, Abdyli është ndër kuadrot e parë që dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik. Studimet i mbaron në vitin 1952 dhe kthehet në atdhe. Pas kthimit, emërohet si titullar në një drejtori të rëndësishme të Ministrisë së Mbrojtjes. Në vitin 1966 Abdyli del në pension dhe shkon vullnetarisht në fshatin e lindjes për të dhënë kontributin e tij. Në fillim ai emërohet kryetar i lokalitetit, ku spikasin aftësitë e tij drejtuese e organizuese, përballë problemeve të shumta, që kishte populli në ato vite të vështira.
Përveç kryerjes me përgjegjësi të gjithë detyrave të ngarkuara, Abdyli ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm dhe në aspekte të tjera si në ngritjen e muzeut të fshatit, ndërtimin e mirëmbajtjen e varrezave të fshatit, në ndërtimin e shtëpisë së kulturës e mbarëvajtjes së aktiviteteve, etj…
Gjatë kohës që ishte në ushtri, ashtu dhe gjatë viteve kur ishte funksionar në pushtetin lokal, Abdyli është zgjedhur deputet dhe ka përfaqësuar zonën në disa legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë.
Unë skënderbegasi që u bëra komandues e mësimdhënës në shkollën “Skënderbej”
Shyqyri LOHJA
Unë kam pasur fatin jo vetëm të përfundoj studimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, por për plot një dekadë të jem dhe mësimdhënës dhe komandues në këtë institucion të rëndësishëm elitar në Shqipëri.
Mbyllja e shkollës “Skënderbej”, mendoj se ishte e pastudiuar mirë, pasi mbyllej një shkollë elitare e profilizuar për kuadro ushtarak, por u ndërpre dhe një traditë e vyer kombëtare që kjo shkollë pati konsoliduar si “Fidanishte e ushtrisë”. Mendoj që edhe në këto kushte, asaj shkolle i duhet dhënë Medalja “Nderi i Kombit!”.
Kam lindur në qytetin e Shkodrës me 23.4.1945, ku kam kaluar dhe vitet e para të fëmijërisë. Në këtë qytet kam jetuar deri në moshën 8 vjeç, pasi në vitin 1954, familja ime transferohet me banim në Tiranë, ku unë vazhdova dhe përfundova me rezultate shumë të mira dhe shkollën shtatëvjeçare. Në shtator të vitit 1960 më del e drejta për të vijuar mësimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. I kujtoj me nostalgji vitet në shkollën “Skënderbej”, ngarkesën mësimore e atë ushtarake, shoqërinë e sinqertë, mësuesit tanë të mrekullueshëm, komanduesit që rrinin me ne, duke u bërë prindër të dytë dhe atë klimë uniteti e dashurie, që rrallë mund të gjendet në kolektiva të tjerë. E përfundova gjimnazin me rezultate të mira dhe në shtator të vitit 1963, nis studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë. Në korrik të vitit 1965 përfundoj studimet në këtë shkollë dhe me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, titullohem oficer aktiv me gradën nëntoger. E paharruar ka mbetur dhe për brezin tonë ajo ditë kur u grumbulluam në kinemanë e shkollës dhe prisnim nga përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes të merrnim emërimet. Unë pata fatin që të emërohem komandues në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, në atë shkollë ku dhe unë kisha qenë një nga nxënësit e saj. Ka qenë shtatori i vitit 1965 kur unë nisa punën e komanduesit dhe pedagogut të lëndëve ushtarake në shkollën “Skënderbej”. Megjithëse isha i ri në moshë dhe kisha pak vite diferencë me skënderbegasit që komandoja e stërvisja, bëra të gjitha përpjekjet për të arritur rezultate sa më të larta dhe skënderbegasit të fitonin njohuri sa më të plota në arsimimin e përgjithshëm dhe atë ushtarak. Kujtoj se rezultatet nuk munguan, gjë për të cilën dhe jam vlerësuar me stimuj të ndryshëm. Ndër vlerësimet që kam marrë si kuadër në këtë shkollë, mes të tjerave, do të përmendja Dekoratën “Urdhër i Shërbimit, Klasi III”. Në shkollën ushtarake “Skënderbej” kam qëndruar si edukator dhe oficer, plot 10 vite, përkatësisht në periudhën 1965-1975.
Ndërkohë, kam mbaruan dhe Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe Kursin e Lartë të Filozofisë pranë Shkollës së Partisë “V. I. Lenin” në Tiranë.
Në vazhdim, kam punuar në detyra të rëndësishme në reparte dhe njësi të ushtrisë, derisa pas ndryshimeve politike të vitit 1990, dal në rezervë në kuadër të reformave në Forcat e Armatosura.
Edhe pse kam dekada punë në Forcat e Armatosura, periudha kur kam qenë skënderbegas, mbetet një nga periudhat më të mira të jetës sime, për të cilën kam kujtime dhe mbresa të pafund. Ndër kujtimet e paharruara, mbetet kalimi me not i Liqenit Artificial të Tiranës, të veshur me pajime e armatim, marshimet e shumta, pjesëmarrja në aksione kombëtare etj. Kujtoj gjithashtu se falë përkushtimit dhe punës së palodhur në mësime, atë kohë doli një iniciativë, eksperiment, që studenët ekselentë të mbaronin maturën në një periudhë trevjeçare dhe jo katër. Kujtoj se ndër ‘to ishin dhe Qemal Zylo, Xhevat Jaho, Agron Çibuku etj..
Mbyllja e shkollës “Skënderbej”, mendoj se ishte e pastudiuar mirë, pasi mbyllej një shkollë elitare e profilizuar për kuadro ushtarak, por u ndërpre dhe një traditë e vyer kombëtare që kjo shkollë pati konsoliduar si “Fidanishte e ushtrisë”. Mendoj që edhe në këto kushte, asaj shkolle i duhet dhënë Medalja “Nderi i Kombit!”.
Përgatiti faqet: Prof. Bernard Xotaj