- Ukraina është kthyer në një poligon gjigand të testimit të armëve të reja apo që kanë 60 vite që prodhohen
- – Plani i Putinit, se për 2 ditë deri në 72 orë do të pushtonin Kievin, dështoi që në nisje.
- -Dështimet vijnë nga informacionet e gabuara që kishte KGB-ja Ruse, për situatën në Ukrainë dhe dëshirat e Popullit Ukrainas
Gjeneral Br DR Agim LALA
Ish Zv/Shef i SHPFA

Lufta në Ukrainë vazhdon me të gjithë egërsinë e saja! Një egërsi e paralajmëruar e regjimeve totalitare. Po mbushet muaji i këtij agresioni…
Mosllogaritja e saktë e objektivave të fushatës, mos pasja e mundësisë për të përparuar dhe realizuar objektivat në një kohë të shkurtër, pamundësia për të përparuar me trupa, ndryshoi edhe mënyrën e zbatimit të fushatës. Pamundësia e përparimit me trupa, po i hap rrugën rraketave në thellësi, shkatërrimeve massive dhe goditjes së objekteve të banimit e sociale…
Pak për situatën në Ukrainë…
Ukraina është kthyer në një poligon gjigand të testimit të armëve të reja apo që kanë 60 vite që prodhohen, por që nuk u dihesh vlera reale e dëmtimi! Ato ishin të testuara në poligone ushtarake dhe jo mbi objekte dhe mbi zona të banuara. Katalogët e tyre ishin të paplota deri më testimin e fundit në rrafshin njerëzor! Natyrisht që kjo është tepër mizore, kur miliona njerëz po përdoren si kavje. Ato vriten, plagosen, infektohen dhe mbesin në qiell të hapur…

Në Ukrainë po përdoren armët e ndaluara dhe të shkatërrimit në masë, po përdoren armë kimikë, bomba me vakum, raketa hipersonike, dhe të presim cfarë tjetër….Pra ka nisur të “thirren” në skenë armatime të rezervës strategjike. Por përse po përdoren të gjitha këto? Përse e gjithë kjo egërsi mbi popullatën civile, pikërisht ndaj një populli fqinj në kufi, me kulturë, me tradita, me gjuhë gati të njejtë? Përse goditen qëndra të banuara, spitale, qëndra shëndetësore, teatro ku strehohen civilë, maternitete ku lind jeta! Përse, përse? Sipas gjykimit tim, pas çdo dështimi në negocimin politik, i është shtuar përdorimi i një arme të re në fushë betejë. Kjo si ndëshkim, hakmarrje për mos bindje dhe frikësim për çka e pret Ukrainën në ditët në vazhdim. Strategjia për goditjen e qëndrave të banuara, shkollave dhe spitaleve, nisi pikërisht pas mos pranimit të negocimit për aneksimin e tre rajoneve, Krimesë dhe dy krahinave të Donetsk dhe Luhansk.
Përdorimi i arsenalit të rëndë të armëve, ndryshimi i strategjisë Ruse, çorri maskën e Putinit për gjoja një operacion special…besoj që është e kotë të vazhdoj në këtë pikë. Plani i Putinit, se për 2 ditë deri në 72 orë do të pushtonin Kievin, dështoi që në nisje. Dështimet vijnë nga informacionet e gabuara që kishte KGB-ja Ruse, për situatën në Ukrainë dhe dëshirat e Popullit Ukrainas. Sipas meje, lufta dhe inati i Ariut, nuk është thjesht me Ukrainën…Ariu Rus po lufton të tregojë kthetrat e tija mbi viktimën e pafajëshme, duke provokuar drejtpërsëdrejti komunitetin ndërkombëtar dhe SHBA-në. Ky provokim ka të bëjë me dëshirën e madhe për të nisur Luftën e Tretë Botërore. Kjo është një kërkesë e hapur e Kremlinit, për SHBA-në dhe NATO-n, që të nxitur nga barbaria e paprecedent, të detyrohen dhe të ndërhyjnë për t’ja hequr nga thonjtë “prenë”, të përfshihen në konflikt për të përligjur çmendurinë bërthamore, e cila ka kohë që “zjen” në mëndjet e nxehta të Kremlinit. Kjo është arësyeja që SHBA dhe NATO nuk ju përgjigjën kërkesës së Zelenskit për të mbyllur hapësirën ajrore të Ukrainës.

Por si dhe përse nuk po përparon plani i pushtimit?!
Ritme të ulta, dështime dhe dëmtime të mëdha të trupave të terrenit! Një ndër ushtritë më të mëdha të botës po pëson një nga katastrofat më spektakolare në histori! Teoria e tokës së djegur, rrafshimimi i gjithçkaje, dhe hapja e gropave me raketa, për t’u hapur rrrugën trupave të këmbësorisë, po lënë pas shkatërrime, të cilat do të mbeten në historinë moderne, si një nga mizoritë më të mëdha botërore. Kjo lloj strategjie, është e diktuar nga pamundësia e të dobtit, të papërgatiturit për një luftë të vërtetë, pamundësia e një perandorie të përgjumur, që jeton akoma me delirin se të gjithë duhet ta pyesin dhe të gjithë duhet të marrin leje prej saj. Kjo mendësi e para dy shekujve, sot jo vetëm ka ndryshuar, por as nuk mundet të konceptohet. Por mesa duket Ariu ka qenë në gjumë dhe akoma nuk po e kupton se nga ka shkuar bota. Ky lloj konceptimi i botës, i çoi strategët e Kremlinit të gabojnë në planëzim, gabuan, sepse ka ikur koha kur kombet sllave varen të gjitha nga Kremlini. Çdo komb e çdo shtet ka strategjinë dhe popullin e tij që vendos për të ardhmen e tij. Megjithatë, nuk jam nga ato që nënvleftësoj fuqinë dhe supermacinë Ruse, por se kjo fuqi, e drejtuar keq, e monitoruar dhe ushqyer me gënjeshtra, shumë shpejt do shkatërrohet. Shpejt do të mësojmë për atë që ka ndodhur dhe po ndodh në rradhët e ushtrise gjigande, e cila vjen nga takot (Takot janë pajisje që ngrihet teknika e konservuar dhe e papërdorur, në pritje të stërvitjeve dhe të luftës së ardhshme)!

Po në terren?
Sot forcat ruse kanë nën kontroll më pak se sa 12-15 përqind të territorit. Pjesa tjetër veç është bombarduar dhe kanë depërtuar grupe të shkëputura. Mençuria Ukrainase konsistoi në njohjen e anëve të dobëta të kundërshtarit. Ajo e goditi pikërisht në ndjenjën e madhështisë së saj. Goditi dhe bllokoi kollonat gjigande, të cilat veç numrit, nuk kishin asgjë tjetër. Ushtritë e diktaturave rrinë mbi “ tako” dhe nuk lëvizin, nuk janë efektive. Pamundësia financiare e tyre, nuk i lejon të trajnohen dhe të ushtrohen. Tek këto ushtri, teknika sapo nis lëvizja, nis dhe nxjerr probleme të cilat e frenojnë dhe bllokojnë lvizjen. Makineritë e konservuara dhe të paushtruara në fushë betejë, pavarësisht se nuk kanë orë pune, sapo dalin në fushë, nisin nga problemet, defektet…(Kjo më ka ndodhur në 1992, gjatë transportit të trupave, nga Tirana drejt veriut). Defektet, megjithë teknikën e re dhe të sapokonservuar, sapo përfundonim një defekt, dilte një tjeter. Kjo po ndodh edhe me ushtrinë ruse. Këtë ukrainasit e dinin mirë ndaj dhe nisën goditjen dhe frenimin e kësaj kollone, kësaj anakonde të përgjumur, që u nis drejt Kievit. Por, për të kompensuar mungesën e përparimit, goditja ajrore u bë më e egër. Ajo nuk kurseu popullatën civile duke shkatërruar, vrarë dhe duke mbyllur koridoret e evakuimit të tyre.
Ukraina, për shkak të raportit inferior të forcave, ka zgjedhur një strategji SMART (zgjuar) për të reaguar! Ajo nuk po lufton tank me tank, apo avion me avion. Kjo taktikë do t’i vinte përshtat Rusisë, e cila kështu e kishte planëzuar që në fillim luftën në Ukrainë, duke përllogaritur ballafaqim të sasisë së tankeve, avionëve, anijeve, grykave të zjarrit, mbushjet raketore, etj. Ky ballafaqim do të ishte shkatërrimtar për shkaqe, që dihen. Ukrainasit, ndryshe nga çka kishin parapërgatitur në mënyrën klasike, ndryshuan tërësisht strategji në momentin e fundit. Kjo i kapi të papërgatitur Rusët. Lufta klasike e shekullit të kaluar, sot po ndeshet me mendimin e ri doktrinar, të luftës në qëndrat urbane. Shmangia e ndeshjes frontale! Ato po ndjekin një strategji të zgjuar, duke goditur tanket dhe bllokuar kollona, godasin personelin rus që nevojitet për të përparuar dhe përforcuar vijat, godasin me armë kundratanke në mënyrë masive dhe me shumë pak tanke! Ky është një koncept i ri doktrinar i luftës moderne (që natyrisht ta mundëson teknologjia moderne), nisur nga armiku dhe terreni konkret. Kjo ka çuar në një taktikë të papërdorur më parë në luftimet e deri mësotme. Raketat kundra tanke, me një probalitet të lartë shkatërrimi, manovrueshmëri dhe të kudo ndodhura, po japin rezultatet e pritshme. Kjo lloj përballje do të ndryshojë doemos rrjedhën e luftë, duke dëmtuat teknikë dhe personel rusë. Përparimi i “thatë” Rus, për të çarë rrugën me tanke apo avionë, gjeti taktikën vdekjeprurëse, të mospërballjes së tankeve me tanke, të avionëve me avionët ukrainas, por të përballjes me raketat shkatërrimtare kundra tanke dhe kundra ajrore. Kjo lloj lufte mbrojtëse nuk mundet të kryhesh nga tanket apo avionët ukrainas.

Raketat e supit, janë sa preçizë po aq vdekjeprurëse, duke sfomuar luftën e drejtëpërdrejtë avion-avion, që padyshim ishte llogari e strategjisë ruse. Nëse do të ndiqnin këtë strategji, Ukraina sot do të ishte e pushtuar dhe e falimentuar. Për Rusët do të kishte shumë pak humbje. Luftimi me ariun në fushë të hapur, do të ishte një strategji e gabuar, të cilën strategët e Ukrainës kanë zëvendësuar me reagimet e zgjuara dhe ekonomike. Njeriu me anti tank dhe raketë supi, është më i manovrueshëm se sa tanku dhe avioni ukrainas! Ukrainasit, po shfrytëzojnë më së miri njohuritë e marra në akademitë ruse (oficerat e saja janë të përgatitur në Rusi). Ato i kanë shtuar kësaj experience, të rejat e mësuara në kuadër të stërvitjeve të përbashkëta në vënde të NATO-s. Ndërkohë, në planin psikologjik, zhvillimi i një lufte pa kompromis, ka zhvilluar dhe çuar përpara taktika sociale, të cilat po ndihmojnë e lartësojnë njera tjetrën. Nga njëra anë është Zelenski, një president, që qëndron jashtë çdo kompromisi me Kremlinin, që bie ndesh me interesat e Ukrainës. Një Lider që frymëzon dhe i jep shpirt një populli të tërë. Nga ana tjetër është një popull ukrainas, që mbështet, motivon për qëndresë dhe duke i dhënë zemër, një Zelenski dhe një lidershipi, një ushtrie të përbërë nga burra e gra të Ukrainës dhe të nbarë botës. Ky lloj binomi nuk mundet dhe nuk mendoj se do të ketë humbje! Ky lloj binomi do rezistoi gjatë dhe do të mbesi në histori! Sot “gjella” është e ngrohtë, por vitet, doktrinat, letërsia botërore do të flasin gjatë. Kjo do të thotë që koha punon për Ukrainën! Kështu që fitorja, sado e përgjakur do të jetë me Ukrainën. Kjo është edhe urrejtja dhe sebepi i egërsinë Ruse!
Marrëveshja….Armëpushimi…
A do të ketë marrëveshje? A do të vijë ajo shpejt? Për mua është larg! Përse?! Sepse, sipas meje, kërkësat për armëpushim nuk kanë ndryshuar nga arësyet për të cilat nisi konflikti. Palët janë në llogoret e mëparëshme. Por sot, këto llogore kanë ardhur duke u thelluar së tepërmi nga gjaku i derdhur, shkatërrimet masive të qyteteve, dëmeve materiale, vrasjet e fëmijëve dhe shkatërrimit psikollogjik, etj.
Sipas meje, ky armëpushim duhet parë nga këndëvështrimet e palëve në konflikt. Koha çdo ditë shton kërkesa të reja, pasi lufta po rrit faturën e saj! Dëmet sa vijnë e bëhen më të papërballueshme. Kjo faturë e dëmeve të luftës, do t’i faturohet Rusisë. Kjo faturë do të jetë, ekonomike, politike, dhe mbi të gjitha morale. Rusisë, përvec faturës ekonomike të shkaktuar nga saksionet e ndërkombëtarëve, veç ndryshimit të linjave të furnizimit të hidrokarbureve në drejtim të Europës, që nuk do të jetë më ajo e para luftës, veç faturës së përditëshme të zhvillimit të operacionit, do t’i shtohet edhe ajo e dëmeve të shkaktuara në Ukrainë.
1.Nga këndvështrimi Ukrainas!
- Varianti i parë: Është kërkuar që Ukraina të pranojë aneksimin territorial! Për mua nuk ka gjasa dhe do të ishte fatale po të ndodhi. Pas këtij shkatërrimi nuk mundet të mendohet për një lëshim të atillë. Kujtojmë dorëzimin e Parisit në 1940-tën, për të ruajtur kulturën. Por Ukraina është rrafshuar… kështu që edhe Krimea, sipas gjykimit tim, do të rikthehet në statusin e para vitit 2014.
- Variant i dytë: Nënshkrim i një traktati si pasojë e tradhëtisë! Ukrainase! Edhe kjo nuk mundet të ndodhi kurrë!
- Se treti që do të kërkohet: Dëmet e luftës. Pra dita që vjen dhe rëndohet atmosfera.
2.Në planin Rus! Rusia do të pranonte armëpushimin:
- Varianti i parë: Nëse legjitimonte kërkesat e saja, për aneksimet që janë kërkuar që në nisje.
- Varianti i dytë: Nëse ushtarakët Rus, do të parashikonin një dështim në horizont dhe do të mundoheshin që të bindnin udhëheqjen e tyre për ndalimin e kësaj lufte dhe të arrinin minimumin të objektivave. Të paktën një objektiv nderi (ky moment do të ishte luftë doktrinare). Pra në momentin kur nis shterimi i forcave Ruse (gjë që ka nisur), do të mundohet të kërkohet armëpushimi… Por… Megjithëse, nëse lufta zgjatet, Rusët do të zgjedhin këtë variant..
- Por koha punon për mbrojtësin.Mbrojtësi do të nisi marrjen e nismës në nivel operativ (sepse në atë taktik e ka arritur, sidomos në qytete) dhe më vonë në atë Strategjik. Kjo do të ishte fundi i lavdishëm i luftës, pa dorëzuar teritore. (Por gjykoj se për marrjen e Krimes, do të ndërrohen portat, do të luftohet nga llogore te ndryshme, ku Ukraina do të ishte mësymëse dhe Rusët në mbrojtje). Pra do të shohim se sa do të rezistojë dhe cili do të jetë cmimi i pavarsisë së Ukrainës?
Por diçka është e sigurtë sido që të përfundojë kjo luftë, Ukraina do të jetë fundi i Putinit dhe i diktaturave, dhe ushtria Ruse do të shkatërrohet sic u shkatërrua Napoleoni dhe Hitleri në stepat Ruse.



















