Si u dënua Myslym Peza për pashain që ju dorëzoi Shkodrën serbo-malazezëve

287
Sigal

Myslim Peza në kohën e Zogut ka qenë i dënuar me vdekje, sepse vrau tradhëtarin Osman Bali. Osman Bali më parë kishte vrarë pashain që nuk ju dorëzoi Shkodrën forcave serbo-malazeze, por organizoi mbrojtjen e saj deri në fund. Prandaj për këtë vrasje Myslim Peza  u dënua me vdekje, dhe kështu qe i detyruar të emigrojë jashtë vendit në Jugosllavinë e atëhershme dhe u vendos në Resnje pranë liqenit të Ohrit. Siç shkruan ai në kujtimet e tij, dy herë ministri i brendshëm jugosllav ka ardhë dhe e ka takuar dhe kërkesa e tij ishte që Myslim Peza të bëhej agjent jugosllav kur të kthehej në Shqipëri. Por ai asnjëherë nuk e pranoi këtë. Me pushtimin fashist italian të vendit më 7 prill 1939 filloi edhe Lufta e Dytë Botërore. Mbreti Zog, pasi vodhi thesarin e shtetit, u largua nga vendi, duke e lënë popullin në dorë të fatit. Me këtë rast edhe Myslim Peza u kthy në Shqipëri dhe menjëherë ju fut punës gjithë vullnet për të ngritur një çetë luftarake për të luftuar kundra fashizmit italian. Luftëtarët e parë në Çetën e Pezës qenë pjestarët e familjeve të fisit Peza: Hasan Peza, Abduraman Peza, gratë e tyre Ismete Peza, Zenepe Peza, Haxhire Peza, Kajo Karafili me të fejuarën Myrvete Peza, Dije Peza dhe Skënder Peza. Më pas në Çetë erdhën mjaft luftëtarë të tjerë nga e gjithë Shqipëria si dhe nga Kosova.

Çeta e Pezës u themelua më 10 qershor 1940 nga Myslim Peza

Luftëtarët e parë të Çetës së Pezës dhe disa nga heronjtë e LANÇ në Shqipëri:

Myslim Peza, Zenepe Peza, Hasan Peza, Ismete Peza, xha Dyrr Peza, Haxhire Peza,

Myrvete Peza, Kajan Karafili dhe Dije Peza

Pas kësaj në radhët e Çetës së Pezës erdhën edhe shumë luftëtarë të tjerë, duke arritur në 99 luftëtarë nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Kosova. Kur kapitulloi ushtria italiane në shtator të vitit 1943 në formacionet luftarake të Pezës erdhën edhe disa partizanë italianë. Disa nga këta ranë  dëshmorë në luftë me nazistët. Por për dëshmorët italianë nuk ka asnjë lapidar në varrezat e dëshmorëve të Pezës. Kjo është mangësi e madhe që duhet rregulluar.

Veterani i Pezës Sherbet Karuli, sekretar i përgjithshëm i shoqatës atdhetare  ‘Myslim Peza’, i njohur për shumë shkrime mbi Pezën dhe heroizmin e saj.

Peza i ka dhënë atdheut 26 dëshmorë, nga të cilat 12 vajza dëshmore, ndërsa numuri i partizanëve dëshmorë në Pezë është 327 dëshmorë /sipas veteranit të Pezës Sherbet Karuli.

Në këtë kohë në fshatin Grebllesh (Peza e Vogël) u mbajt një takim i Myslim Pezës dhe Enver Hoxhës. Ky i propozoi Myslim Pezës që në çetë të vinin edhe komunista. Myslm Peza e pyet Enverin:- Përse do të vijnë këta në Pezë?

Enveri përgjigjet: -për të luftuar.

Babë Myslimi ja kthen, kështu mund të sjellës edhe 500 vetë, sepse i mbaj unë për të luftuar fashizmin. Në këtë mënyrë në Pezë erdhën shumë komunistë, që formuan disa organizata bazë partie dhe luftëtarët vendosën yllin e kuq në kapele.

Luftëtarët e Çetës së Pezës në vitin 1943

Në të djathtë të Babë Myslimit është Shulja (Kristo Themelko), komisari i çetës, në të majtë të tij është  Dyl Çelmeta, Shkurt Rexha, I treti nga fundi është Latif Hakroma, në të majtë vjen shoferi Kavaja, Fadil Çelmeta, Muharrem Çelmeta, rrjeshti i mesëm: i poshtëm: Zyber Peza, Rat Muçalla, Kasalli…., rrjeshti i poshtëm: Halit Çelmeta, Skënder Peza, Dije Peza

Enver Hoxha, Myslim Peza, dr. Omer Nishani, Spiro Koleka, midis luftëtarëve të Çetës së Pezës.

Menjëherë pas themelimit Çeta e Pezës filloi aktivitetin luftarak kundra fashistëve italianë. Aksioni i parë ka qenë prerja e kabllit nëntokësorë që lidhte Tiranën me Romën në Pezë të vogël. Në këtë aksion u godit edhe një makinë ushtarake me të cilën udhëtonte konti Kambello, i cili u plagos.

Komanda italiane në Tiranë u alarmua shumë për këtë ngjarje, prandaj përgatiti në fshehtësi sulmin kundra Pezës me forca të shumta. Osman Tafmizi dhe Dem Xhepa, dy miq të Babë Myslimit me shpejtësi e lajmëruan çetën për sulmin fashist. Kështu që komandanti i mori masat e nevojshme për të përballuar sulmin fashist. Ai i ndau forcat në disa grupe: grupi kryesor qëndroi në Pezë, një njësit me Kajo Karafilin në krye u çvendos tek lagja Bec e Pezës, disa të tjerë qenë në Çelmetje, por të gjithë do të vepronin si një trup i vetëm.

Më 16 mars 1941 rreth 700 karabinierë dhe policë e sulmuan që menatë Pezën. Por nuk mundën të rrethojnë shtëpitë e pezakëve, sepse u diktuan nga rojet. Ahere forcat armike ecën gjatë bregut të lumit dhe u vendosën në një pyll të vogël në arën e xha Dyrrit, që quhet Rrëkonja.

Ndër kohë tek shtëpitë e pezajve ishte dhënë alarmi. Komandanti menjëherë urdhëroi të zihet kodra Posta e Pezës, për të pasur epërsi terreni mbi fashistët.

-Hasan i tha Myslimi, shpejt të zihet kodra e Postës. Hasani menjëherë me dy shokë të tjerë u nisën drejt kodrës që është rreth 500 metra mbi fshat. Rrugës u ndeshën me 3 ushtarë fashistë, të cilët menjëherë u likuiduan.

Më pas filloi lufta e ashpër, që zgjati gjithë ditën. Vetëm nata e ndërpreu atë. Fashistët sipas të dhënave të tyre lanë në fushën e betejës 84 luftëtarë, ndërsa nga ana e çetës mbetën të vrarë 5 luftëtarë- dëshmorë të atdheut.

Babë s’po i mbaronin fishekët dhe dërgon fjalë në shtëpi, që i biri Skënderi t’i sillte një trajsë fishekësh, që ai e dinte ku ishte. Skënderi në vend të shkonte tek Posta mori rrugën gabim dhe u fut pa dashje në mes të luftimeve. Italianët e plagosën në krahë dhe ai u shtri si i vdekur.

Hasani sapo e mori vesh plagosjen e Skënderit tentoi t’i shkojë në ndihmë dhe ta tërheqë, por një plumb e kap në bark dhe u paralizua. Atë ditë ranë në krye të detyrë edhe Vath Korriku dhe tre luftëtarë të tjerë.

Të gjithë kujtuan që ai u vra dhe u larguan pa i dhënë ndihmën e duhur.

Pasi mbaroi lufta dhe qielli filloi të kthjellohej nga tymi i barutit Hasani u përmend dhe filloi të lëvizë. Aty pranë u shfaq çuni i komshiut Behexhet bej Hoxholli, Emini. Menjëherë Hasani i kërkoi ujë që t’i sjellë. Ai me vrap shkoi dhe lajmëroi të jatin, Behexhedin, i cili erdhi dhe e mori në krahë dhe e vendosi në shtëpinë e tij. E shoqja Bakushja i bëri mjekimet e para me vaj ulliri dhe qepë mbi plagë.

Mbas pak erdhën italianët dhe ai mori pushkën, që t’i presë sapo të hyjnë. Por italianët kërkuan të dorëzojë armët ndryshe do të djegin të gjithë shtëpinë.

Në këto kushte Hasani thirri të zotin e shtëpisë dhe i dorëzoi pushkën, revolen, sahatin e xhepit prej argjendi dhe kutinë e duhanit po prej argjendi me porosinë që t’ia japë xha Dyrrit, që t’i ruajë për të birin e vogël (Luftin).

Italianët e morën dhe nuk u kujtuan për armët e tij. Më pas e çuan në spitalin civil të Tiranës, por nga plagët e rënda nuk rezistoi dot dhe vdiq.

Menjëherë shkuan në spital njerëzit më të afërt të tij burri i hallës sime, Qazim Sedja, dhe miku i tij Osman Tafmizi (që do të bëhej më pas vjehrri im), të cilët organizuan varrimin e tij në varrezat e kryegjyshatës bektashiane në Tiranë.

Pas kësaj humbje të madhe për mua dhe nënën time filloi jeta mjaft e vështirë.

Familja jonë ishte shumë e nderuar dhe e lumtur në Pezë. Babai kishte ditur të ngrinte një fermë të begatë dhe ne ishim të lumtur me jetë mjaft të mirë. Kishin fermën me mbi 320 krerë dhi nga merrnim të ardhura mjaft të mira. Babai kishte edhe kodrën e Postës më shumë ullinj  dhe toka të tjera dhe pyje, që së bashku përbëjnë rreth 100 ha. Kishim edhe dy apo tre puntorë me mëditje (hyzmeqarë siç quheshin ahere).

Tre nga herojtë e Pezës: Sali Verdha (komisar i batalionit), Kajo Karafili (komandant i batalionit dhe Safet Kurti

Të tre ahere ishin të rinj, kishin lënë bangot e shkollës teknike dhe dolën malit, erdhën në çetën e Babë Myslimit për të luftuar armikun pushtues dhe fitiuar lirinë e atdheut.

U endëm ca kohë nëpër miq e kushërij për t’i shpëtuar ndjekjes së fashistëve. Më në fund mamaja vendosi të rrëmbejë pushkën dhe të dalë partizane dhe të luftojë ashtu si burri i vet për çlirimin e Atdheut.

Fillimisht u vendosëm në Muçallje, në repartin partizan midis Pezës dhe Arbanës, por kemi lëvizur në Pezë, Arbanë etj. Kudo ku shkoi mamaja nuk e hoqi pushkën nga dora.ë grykën e kishte pak të shtrembëruar.

Në Muçallje gjatë maj-qershorit të vitit 1943 prunë një farkëtar nga Tirana për të riparuar ca armë të dëmtuara lehtë, por ai kërkoi një njeri që ta ndihmonte në punën e tij, sidomos për t’i fryrë forxhës, e cila jepte flakë tek zjarri. Më thanë mua dhe unë pranova pa hezitim, porse i thashë ustait të rregullonte një pushkë për mua. Ai menjëherë më tha zgjidhe pushkën dhe unë ndërmjet pushkëve që ishin zgjodha njërën prej tyre. Pushka nuk kishte shumë dëmtime, vetëm tytën pak të shtrembëruar.

Kështu në maj-qershor të vitit 1943 unë u bëra me pushkën time si të gjithë partizanët e tjerë të repartit partizan. Unë në këtë kohë isha 8 vjeç (datlindja ime nëntor 1934) dhe mund të them që isha partizani më i vogël në Shqipëri në atë kohë. Armët i kam pasur qejf shumë gjithë kohën edhe më parë, kështu që me to bëja çmontime dhe montime përditë për t’i lyer me vaj.

Njëherë gjatë kësaj kohe na sulmuan italianët dhe të gjithë partizanët, edhe nëna ime u shtrinë barkas dhe filluan luftën me to. Ndërsa partizanët qëllonin me armë armikun unë rrija tek këmbët e mamasë. Frikë kisha, por e doja edhe mamanë shumë dhe nuk e linja vetëm.

Kam pasur një partizan që e kam dashur shumë dhe që më ndihmonte në çdo rast, Zyber Peza nga Peza e Vogël. Kur ky kishte shërbim roje unë rrija roje me të. Në këtë kohë kishim dy ushtarë italian robër dhe mua më kishte besuar komanda e repartit t’i shoqëroja ata deri në përrua, që ishte nja 100 metra poshtë repartit tonë, kur kishin nevoja personale për t’u larë etj., dhe unë e bëja me të gjithë dëshirën time këtë punë.

Në tetor të vitit 1943 u zhvillua Lufta e Arbanës, që ka qenë ndofta beteja më e madhe e të gjithë LANÇ. Gjermanët kishin informacion të plotë që në këtë   kohë në Arbanë ishin Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi dhe deshën t’i kapnin gjallë. Prandaj sulmuan rrufeshëm dhe me mjete të fuqishme si autoblinda etj. Por shpejt u zhgënjyen. Forcat partizane të udhëhequra nga Myslim Peza ditën ta thyejnë sulmin gjerman dhe të dalin fitimtarë.

Gjatë regjimit komunist vlerësimi për çetën e Pezës nuk ka qenë ai që duhet. Disa brigata partizane, e para, e gjashta etj. u dekoruan me titullin e lartë Hero i Popullit. Çeta e Pezës megjithëse i pari formacion luftarak antifashist në Europë, nuk ju dha ky titull i lartë.