Ritja e çmimeve përfshi edhe artikujt bazik ose sikundër quhen ndryshe ato të nevojës jetike janë futur në ullinë e një turravrapi galopantë që ska policë dhe doganë apo institucion, që i frenon. Veçanërisht ndjeshëm dhe në mënyrë shqetësuese janë ngritur bulmeti dhe nënproduktet e tij si djathi, kosi, gjiza dhe gjalpi. Aktualisht djathi shitet më shtrenjtë se një kile mish, madje përzierë edhe me niseshte. Kjo ka bërë që situata e çmimeve në sektorin e blegtorisë të agravohet për herë e në vazhdimësi. Edhe perimet kanë pësuar rritje të çmimeve. Kështu nga informacioni që dispoj rezulton që një kile qepë të shitet me 120 lekë të reja, mjaft shtrenjtë po shitet domatja ku një kile domate po shitet me 200 lekë të reja. Një situatë e tillë aspak normale ka gjasa që të agravojë edhe më tepër dhe kjo për dy arsye: Së pari sepse ka rënie të ndjeshme të prodhimit, pasi njerëzit më mirë preferojnë emigracionin sesa të punojnë këtu çka po zbeh edhe ndjenjën patriotike dhe atë atdhetare, një dukuri e ndjeshme e shqetësuese e që duhet të alarmojë politikën në përgjithësi dhe mazhorancën qeverisëse në veçanti. Së dyti, sepse ka një mospërputhje të ndjeshme midis kërkesës dhe ofertës, pasi kërkesa është më e lartë se oferta dhe kjo ngritja galopante e çmimeve ka gjasa të vazhdojë deri sa këta dy faktorë të përputhen e të harmonizohen midis tyre. Ngritja e pandalshme e çmimeve përfshi këtu në radhë të parë çmimet e artikujve të nevojës jetike penalizon në radhë të parë shtresat në nevojë si pensionistët, qytetarët që trajnohen me asistencë sociale, punojësit me paga minimale etj, të cilët me shumë sakrifica po mbijetojnë. Në këtë situatë aspak normale është mëse emergjente qe politika në përgjithësi edhe maxhoranca enverisëse në veçanti lipset që domosdoshmërisht të kërkojë, gjejë, shpalosë dhe aplikojë politika dhe alternativa financiare zbutëse që t’u vijë sadopak në ndihmë qytetarëve hallexhinj që u tundën dhe shkundën xhepat e grisur e të boshatisur nga skamja dhe varfëria ekstreme që u rëndon si shkëmb në shpatullat e tyre të dobëta e të brishta. Para pak ditësh në kongresin e shëndetësisë qeveria mori vendimin për ngritjen e pagave deri në 50.000 lekë të reja për mjekët specialist: si presion që të mos largohen nga vëndi. Mirë për këta po për pagat e administratës, mësuesve , intelektualëve e sidomos për pagat e pensionistëve, të atyre që trajtohen me ndihmë sociale, për ato që marrin paga të ulta çfarë do të bëhet?! Apo secili për vete dhe zoti për të gjithë! Personalisht arsyetoj dhe gjykoj pa as më të voglin ekujvokë që problematikave të shumta e të ndryshme të varfërisë t’u kushtohet më tepër vëmëndje nga ana e medias së shkruar edhe jo duke trajtuar shkrime sipërfaqësore e fragmetike, por cilësore, me përmbajtje dhe analitikë të mirëfilltë dhe kompetentë në fushën ekonomike, financiare materiale e sociale. Në lidhje me këtë problematikë, pra me shtypin, Kurt Tucholesky, shkrimtar i viteve 1890-1935, ka thënë: “ As teologët që predikojnë në institucionet fetare, as oratorët në parlament, as profesorët në shkolla nuk kanë aq ndikim sa ka shtypi”. Pra, kjo thënie brilante dhe e artë dikton nevojën dhe domosdoshmërinë që shtypi të jetë përherë prezent dhe sa më aktiv dhe pikant e të rrokë e të analizojë me theks përmbajtje problematikat e përditshmërisë me të cilat përballemi orë e çast. Së fundi, përderisa çmimet i kemi në stratosferë, pagat dhe pensionet t’i liberalizojmë e të mos i mbajmë të ngrira përherë e gjithmonë!