Si u çlirua Tepelena më 15 shtator 1943, ja 510 dëshmorët

126
Sigal

 

Në luftë për çështjen kombëtare janë vrarë e shpallur dëshmorë të atdheut 510 djem e vajza

 

Lëvizja çlirimtare në Tepelenë filloi dhe u intensifikua në vitin 1943 me krijimin e çetave si ajo në Toçë, Lopës dhe Kurvelesh. Më pas u krijuan batalionet dhe pastaj brigadat, ku Brigada V dhe VI vepronin kryesisht në rrethin e Tepelenës dhe në Jug. Forcat çlirimtare vazhdonin me sukses luftimet kundër italianëve, por ata ende qëndronin në Tepelenë, ku ishin kazermat e një pjese të rëndësishme të ushtrisë për gjithë Jugun. Këto beteja dhe fitore, sidomos në Mogila, në Qafë Miricë dhe në Qafën e Kiçokut kishin rritur besimin te populli, se pushtuesit italianë i kishin ditët të numëruara. Sipas kujtimeve të Rebani Shehut, në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit, drejtuesit e Luftës së Tepelenës si Abas Shehu, Zenel Shehu, Mustafa Matohiti, Adil Çarçani, Asaf Dragoti etj, në fshatin Arrës vendosën që të sulmojnë dhe të çlirojnë Tepelenën si qendër Nënprefekture. Vendimi për sulmin u mor më 10 shtator 1943. Përpara se të ndërmerrej aksioni përfundimtar, vendimi iu komunikua gjithë faktorit politik e ushtarak. Në kujtimet e tij Çome Cini, veteran dhe pjesëmarrës në aksion, shkruan: “Zenel Shehu, Xhevat Shehu unë dhe ndonjë tjetër bëmë një udhëtim nëpër Kurvelesh, duke u nisur nga Bënça, Lekdush, Progonat, Gusmar dhe u kthyem në Turan.

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte takimi me kryetarët e Lëvizjes në Kurvelesh dhe përgatitja për çlirimin e Tepelenës”. Sipas këtij plani forcat që ndodheshin në anën e Labërisë i bënë një rrethim paraprak Tepelenës në pritje të urdhrit për ndërhyrjen përfundimtare. Po kështu dhe forcat që ishin nga ana e Toskërisë iu afruan Tepelenës në periferi. Dhe për çudi historia përsëritet gati në të njëjtin mënyrë si në vitin 1920 kundër italianëve. Në qershor të 1920, mbi 700 forca vullnetare të drejtuara nga Baba Ahmet Turani e mbajtën të rrethuar Tepelenën derisa e çliruan më 21 qershor 1920 duke u dorëzuan 302 ushtarë e armatime te Komanda e Luftës. Këtë herë Italia kishte pësuar humbje kudo dhe ishte në prag të kapitullimit. U bllokua rruga Tepelenë-Vlorë dhe Tepelenë-Gjirokastër. Ishte çliruar qendra e Nënprefekturës Kurvelesh, por në Tepelenë forcat e armikut ishin të mëdha. Sipas kujtimeve të Medi Axhemit, i cili u plagos në këtë përplasje, batalioni “Baba Abas” u vendos në Majkosh, Turhan, Veliqot, Bënçë dhe Beçisht. Çetat territoriale fillojnë të vijnë nga Kalivaçi, Krahësi, Lopësi, e Kurveleshi në drejtim të Tepelenës. Gjithashtu populli i inkuadruar në çeta si ajo e Dervenit me komandant Resmi Latif Shehu, çeta e Rezës e drejtuar nga Zenel Gjinushi, e Lopësit me komandant Mustafa Asllanin , e Luzatit me komandant Fuat Shehun, ishin në gadishmëri për çdo urdhër. Duke parë gjëndjen e ushtrisë italiane që ishte në prag kapitullimi, drejtuesit e Tepelenës, si Abaz Shehu, Xhevat Shehu, Zenel Shehu etj, për të shmangur përplasjen që do të sillte gjakderdhje, vendosën t’i kërkojnë një takim komandantit të ushtrisë italiane. Nga kushtet në të cilën ndodhej, ai e pranoi të takohej me përfaqësuesit e Lëvizjes, ndërkohë që forcat partizane mbanin të rrethuar si në unazë Tepelenën. Sipas kujtimeve të Rebani Shehut, pjesëmarrës në këtë takim, forcat partizane u përfaqësuan nga Zenel Shehu dhe Asaf Dragoti. Takimi u bë në teqenë e Sheh Kutbiut që ndodhej brenda në kala. Komandanti italian duke ditur edhe gjendjen në përgjithësi, pasi Italia kishte shpallur kapitullimin më 9 shtator 1943, pranoi dorëzimin ditën tjetër. Marrëveshja ishte që forcat italiane do të lejoheshin të niseshin drejt Sarandës, pasi të çarmatoseshin. Siguria u garantua nga Zenel Shehu së bashku me kolegët e tij Gjylani Shehu, Anasher Kapo e Veiz Manes.

Historia e formacioneve partizane të Tepelenës

Sipas arkivit të kësaj lufte legjendare, rezulton me fakte, se Tepelena ka pasur dy çeta partizane, të cilat në 10 gusht të vitit 1943, u bashkuan në Batalionin “Baba Abaz”. Në faqen 27 të librit “Grusht Çelik Brigada e 6-të”, thuhet: “Çetat që formuan Batalionin e 3-të ishin formuar gjatë vitit 1942. Secila çetë, ka historinë e vet. Çeta e parë në Tepelenë, u formua në 15 dhjetor të vitit 1942 me emrin “Naim Frashëri”, me të rinj e të reja nga zonat e Krahësit e Buzit, por edhe nga të ardhur të disa fshatrave të Qendrës. Disa ditë më vonë u krijua çeta “Selam Musai” me të rinj e të reja nga zona e Sinanajt. Gjatë Luftës N. Çl, çetat partizane të Tepelenës, mbanin emrat e figurave të shquara të Rilindjes Kombëtare, personalitete të penës e luftëtarë të çështjes kombëtare. Çetat u përfshinë në përbërje të Batalioneve që u inkuadruan brenda “Brigadës-6 S”, batalione të cilët mbanin emrat e mëdhenj të Avni Rustemit, Abdyl e Sami Frashërit, Çerçiz Topullit, Koto Hoxhit, Musa Fratarit etj. Nga radhët e këtyre çetave, dhanë jetën në luftime me pushtuesit dhe kolaboracionistët dhe u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” 80 partizanë. Nga fillimi i vitit 1943, të gjitha zonat rreth qytetit të Tepelenës ishin çliruar nga çetat. Mbas kësaj kohe, çetat partizane të Tepelenës “Naim Frashëri” dhe “Selam Musai” u bashkuan me Batalionin Partizan të ish-prefekturës Tepelenë më 10 gusht 1943, në Donie të Kalivaçit dhe iu vu emri i atdhetarit “Baba Abazi”, i cili u pushkatua nga fashistët më 25 qershor 1943 së bashku me 10 të tjerë.

 

Betejat e çetave partizane, krijimi i Këshillave Nacional-Çlirimtare dhe historia tek Rrapet e Dervenit

Çetat partizane dhe këshillat Nacional-Çlirimtare formuan çetat territoriale, zonale e në bazë fshati, për t’u mbrojtur nga pushtuesit dhe mbështetur çetat partizane në aksionet që bënin kundër forcave italiane. Këto çeta, organizuan debatin politik në 4 maj 1943 tek Rrapet e Dervenit në Memaliaj, me bashkëpunëtorin e fashizmit, njërin nga krerët kryesorë të Ballit Kombëtar, Ali Këlcyrën. Në këtë debat pati pjesëmarrje të madhe të popullit të Tepelenës, nga gjithë zonat. Beu Ali Këlcyra që kishte nënshkruar marrëveshjen me italianët për të mos luftuar kundër tyre, bëri çmos të bindë e trembë tepelenasit me sloganet: “Nuk ka ardhur koha të luftojmë kundër italianëve, se ne jemi pak dhe të paarmatosur, kurse ata janë fuqi e madhe”. Përfaqësuesit lokalë të Luftës Nacional-Çlirimtare, që organizuan debatin kishin ftuar për ndihmë edhe Mehmet Shehun. Abaz Shehu dhe Mehmet Shehu me fakte e dokumente e demaskuan ashpër Ali Këlcyrën, duke e akuzuar hapur si bashkëpunëtor të fashizmit. Deri në pranverë 1943-shit çetat partizane kishin bërë 22 aksione kundër forcave pushtuese. “Selam Musai” më 25 shkurt ’43 u përplas me forcat italiane në afërsi të fshatit Turan dhe i shpartalloi ato. Më 26 qershor ’43 në Mogila të Vasjarit, çeta “Naim Frashëri” e mbështetur dhe nga të tjerë luftoi ashpër kundër italianëve që donin të futeshin në zonën e Krahësit, duke i dëmtuar e zënë rob. Në këtë betejë ra heroikisht dëshmori i parë Qazim Manxhari nga Toçi. Dy ditë pas dështimit në luftën e qafës së Miricës, forca të shumta italiane erdhën nga Berati me synim të futeshin në zonën e Krahësit nga Rabia. Por çeta partizane dhe ato territoriale i pritën në Gllavë me luftë të pandërprerë për 12 orë dhe i detyruan të kthehen nga erdhën. Në Rabie italianët erdhën edhe nga Fieri për t’u futur në Krahës, por për të tretën herë dështuan, sepse në këtë fshat janë bërë luftime me 20-25-27 qershor, 20-23 qershor dhe 25 korrik 1943 dhe kanë dhënë jetën 25 dëshmorë të atdheut. Në këtë zonë u formua edhe Batalioni partizan i rrethit, më 10 gusht 1943, që çoi në çlirimin e 15 shtatorit 1943.

Tepelenasit nuk i kanë “puthur”, por i kanë përzënë deri në çlirimin e saj

Në këto beteja, populli i Tepelenës ka qenë aktiv e me kontribute të çmuar. Nuk ka pushtues që tepelenasit të mos e kenë pritur me armë, të organizuar në njësi e çeta. Në këto luftëra, nga gjiri i popullit të Tepelenës kanë dalë figura të shquara për mendje, trimëri, atdhetarizëm, me kontribute jo vetëm krahinore, por edhe në shkallë vendi. Mjafton të përmendim Ali Pashë Tepelenën, prijësit e dëgjuar të luftëtarëve Tafil Buzi, Selam Musai, Osman Haxhiu e shumë të tjerë gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare. Kontribuan me çfarë patën dhe bënë sakrifica të mëdha, sepse u dogjën e u shkatërruan nga pushtuesit. Në formacionet partizane u radhitën 1937 djem e vajza që luftuan brenda e jashtë atdheut, që nga fillimi e deri në çlirimin e plotë të vendit. Që nga vitit 1912 e deri në 29 Nëntor të vitit 1944, në përpjekje me pushtuesit e huaj për interesat e çështjes kombëtare janë vrarë e shpallur dëshmorë të atdheut 510 djem e vajza nga Tepelena, nga të cilët vetëm 445 në Luftën Nacional-Çlirimtare, 6 prej të cilëve janë shpallur “Heronj të Popullit” Pikërisht këtë luftë, këtë datë përkujtimore të çlirimit të Tepelenës, drejtuesit e Bashkisë së Tepelenë e nderojnë çdo 15 Shtator me aktivitete dhe vlerësim të veteranëve e të familjeve të dëshmorëve, që skalitën këtë datë me gjakun dhe heroizmat e tyre.