Shpendi Topollaj: A kanë punë tjetër këta ndërkombëtarët?

93
Sigal

 

Qëndrimi plot ekuivoke i ndërkombëtarëve, dalja kundër në çdo hap që ndërmerr qeveria e Kosovës dhe trajtimi i atij shteti të ri, si i pazoti që të ecë me këmbët e veta, ma do mendja se më shumë po lë shtigje për ta mbajtur ndezur zjarrin e sherrit.Por të shohim se deri ku do të shkojë kjo punë. Dhe pastaj, ndofta do të zgjohet nga letargjia edhe politika shqiptare.

As ura e varur e Bruklinit, gati dy km. e gjatë, e ndërtuar për 14 vjet me radhë nga Emily Roeblingu, gruaja e ideatorit gjerman John, që me historinë e saj plot viktima dhe madhështinë inxhinierike, u bë një nga simbolet më të rëndësishme të Nju Jorkut, nuk ka tërhequr qysh nga viti 1883, kaq shumë vëmendjen e diplomacisë botërore, sa ajo ura e thjeshtë me dy harqe si veshë e Ibrit, që ndan në dy pjesë qytetin shqiptar të Mitrovicës në Kosovë. Sot, në kohën kur luftrat e përgjakshme në Ukrainë dhe Palestinë po marrin prej një kohe të gjatë mijra e mijra jetë njerëzit, ku nuk kursehen as fëmijët e shkollave, sot pra kur bombardimet e topave dhe raketat po shkatërrojnë deri në rrafshim qytetërime të tëra, duke shkaktuar tragjedi të tmerrshme, që nuk po u duket fundi, e gjithë vëmendja e ndërkombëtarëve duket se është përqendruar tek ajo ura e menaxhuar dikur nga francezi Pierre Lottici, dhe që kushtoi gjithsej vetëm 3 milion marka. Urat kudo në botë ndërtohen për bashkim, kurse muret për ndarje. Atëherë, përse kërcyen përpjetë të huajt dhe nisën nga paralajmërimet e kërcënimet, sapo dëgjuan se Kryeministri i Kosovës, zoti Albin Kurti ka vendosur që ajo urë, e cila brenda shtetit të Kosovës po shërbente si vijë demarkacioni mes shqiptarëve dhe serbëve, tani e tutje të hapej dhe të bëhej e kalueshme për të gjithë qytetarët dhe mjetet e tyre, pra të kthehej në qëllimin për të cilin ishte ndërtuar. Qeveria aktuale e Kosovës, por edhe ato të shkuarat, në qoftë se duhej të qortoheshin, ishte fakti se pse e zgjatën kaq shumë hapjen e saj, duke larguar patrullat e policisë, pasi ajo jo vetëm në kuptimin utilitar, por dhe atë psikologjik, po i shërbente urrejtjes dhe armiqësisë mes dy etnive.

Urat kudo në botë ndërtohen për bashkim, kurse muret për ndarje. Atëherë, përse kërcyen përpjetë të huajt dhe nisën nga paralajmërimet e kërcënimet, sapo dëgjuan se Kryeministri i Kosovës, zoti Albin Kurti ka vendosur që ajo urë, e cila brenda shtetit të Kosovës po shërbente si vijë demarkacioni mes shqiptarëve dhe serbëve, tani e tutje të hapej dhe të bëhej e kalueshme për të gjithë qytetarët dhe mjetet e tyre, pra të kthehej në qëllimin për të cilin ishte ndërtuar.

Me ushtarakë të armatosur në hyrje dhe dalje, ajo ngjiste me ata filmat e Luftës së Dytë Botërore, kur gjermanët vendosnin coprifuoco – netyre. Kam qenë vetë atje dhe ende e ruaj shijen e keqe që më la ajo pamje. Dashje pa dashje, Ura e Ibrit në asgjë nuk të kujtonte paqen e mirëkuptimin mes qytetarëve me etni të ndryshme, veç kultivonte dhe mbante gjallë armiqësinë mes tyre. Nuk e di se nga cili shtet i botës, ishte kopjuar një marrëzi e tillë. Diplomatët ndëkombëtarë prej vitesh po i ulin në tavolina bisedimesh (natyrisht pa sukses, për hir të shejtanllëqeve të palës serbe), drejtuesit e Serbisë dhe Kosovës, por atje siç dihet, vetëm rrihet ujë në havan. Po si mund të jenë të suksesshme ato, kur vetë ndërkombëtarët dhe forcat e tyre ushtarake i fërkojnë kokën presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe shpallin herezi çdo përpjekje të drejtë të qeverisë së Kosovës për rend e ligj? Ata nuk kanë përse të çuditen ngaqë bisedimet nuk po ecin, se kjo është lojë e ndyrë e Serbisë, në kurthin e të cilit ata kanë rënë. Është jashtë ç`do llogjike po të thuash se po gabon zoti Kurti që kërkon ta vërë urën në efiçencë si në çdo vend të botës, dhe e kanë mirë burokratët diplomatë me qëndrimin pengues që mbajnë. Peter Stano, pa ardhur mirë pozicionohet kundër nismave të qeverisë Kurti. Dikush duhet ta pyesë atë: Po sikur në Sllovaki, hungarezët që zënë 7.7 % të popullsisë, të llastoheshin si serbët e Kosovës, ç`qëndrim do të mbante qeveria e zotit Robert Fico? Ambasadori i SHBA gjithashtu të habit kur thotë se me hapjen e urës rrezikohen ushtarët e KFOR – it dhe sidomos ata amerikanë. Po ashtu edhe komandante i atyre trupave bën deklarata dykuptimëshe se do të mbajnë qëndrim sipas zhvillimeve, në pajtim me tagrin e dhënë nga OKB – ja. Po pse nuk e dinë ata se ushtarët dhe oficerët e instaluar në Kosovë, nuk kanë shkuar për dasmë atje, por për t`i ndalur dorën dhe orekset agresorëve serbë? Po kjo nuk bëhet as me frikëra, as me tërheqje dhe as me burracakëri. Në këtë rast, i lihet shteg serbomëdhenjve që të shpikin tyrli pretekstesh të tjera, siç qe ai i postave serbe pa leje, për ta mbajtur konfliktin ndezur. Hegeli, filozofi që dikur e dëgjonte e gjithë Evropa, qysh herët mësonte se “Çdo qenie njerëzore dëshiron që të tjerët të pranojnë epërsinë e tij, e duke qenë se të gjithë duan po të njëjtën gjë, konflikti është i pashmangshëm”. Prandaj duhet shumë maturi dhe paanësi, kur ke marrë përsipër të jesh arbitër mes palëve, për të nuhatur, përcaktuar e mbrojtur atë që ka të drejtë në këtë konflikt. Se lind pyetja: si po ndodh që ndërkombëtarët që dhanë aq kontribut për të ndalur makinerinë gjakatare serbe një çerek shekulli më parë, ndaj popullit të viktimizuar dhe absolutisht të pafajshëm të Kosovës, sot mbajnë haptazi anën e atyre që vranë, dogjën e masakruan atë popull i cili si askush tjetër në Evropë u është mirënjohës dhe u qëndron besnik? Qëndrimi plot ekuivoke i ndërkombëtarëve, dalja kundër në çdo hap që ndërmerr qeveria e Kosovës dhe trajtimi i atij shteti të ri, si i pazoti që të ecë me këmbët e veta, ma do mendja se më shumë po lë shtigje për ta mbajtur ndezur zjarrin e sherrit. Diplomatët e huaj patjetër që duke qenë të lexuar e dinë se Albert Camys thosh se “Përpjekja e inteligjencës njerëzore duhet të jetë një trashëgimi e përbashkët dhe jo një burim konfliktesh e vrasjesh”. Nuk është qeveria e zotit Kurti që i do konfliktet, pasi as është në natyrën e popullit kosovar, dhe as është mundësia e atij shteti për t`u ndeshur me armë. Prandaj, askush nuk ka të drejtë të mendojë se e keqja në rajon vjen nga qëndrimi i Kosovës. Këtë e di edhe vetë Vuçiçi, i cili krijon një tymnajë, në esencë jo vetëm të paimagjinueshme, por edhe qesharake, pasi shfrytëzon qëndrimin afrues të gjoja diplomacisë ndërkombëtare. Dhe të mos ja hamë hakun: me politikën e tij, me shpifje e sajesa diçka ka arritur, pasi ndaj Kosovës për turpin e atyre që e bëjnë, po merren sanksione. Por të shohim se deri ku do të shkojë kjo punë. Dhe pastaj, ndofta do të zgjohet nga letargjia edhe politika shqiptare.