Rushan Dosti: Gazetari Kadri Kuka, gjysmë viti në Stamboll, gjysmë në Berat. Me mendje e shpirt, gjithë vitin në Berat

Në jetë nuk ndërtova dot një Grataçelë me tulla, por ndërtova një jetë me libra me dije, pasuri që do t’ua trashgoj femijëve, nipërve e mbesave te mia. Kam shkruar libra, por libri më emocional që kam shkruar, është ai dedikuar sime shoqeje, Xhemiles, ndarë vite më parë nga jeta. E kam shkruar me penën e dhimbjes. me lotë shpirt… Ehhh, dua të shkruaj për jetën në Emigracion, në Stamboll, Turqi, ku jeton prej vitesh djali i tij me familjen. Tashmë që jam në pension, jeta ime është ndarë gjysma në Stamboll e gjysma në Berat, por me shpirt e mendje jetoj në Beratin tim magjik…”

NOA

Të bësh skanerin e një njeriu, patjetër që duhet ta njohësh atë, siç thotë populli me “dhëmbë e dhëmballë”, ndryshe përmbajtja deformohet e personazhi nuk njeh vetveten. Por të bësh skanerin e një gazetari, shkrimtari, kritiku arti, ish drejtues i lartë kulture për disa vite me radhë, natyrisht që profesionalisht kjo detyrë vështirësohet. Kadri Kuka njihet në Berat, jo vetëm nga intelektualët dhe komuniteti vendas, por edhe nga fëmijët, për faktin që për vite me radhë ka qënë një person publik me reputuacion dhe performancë të lartë.

E njeh Beratin cep më cep dhe nuk ka lënë vend pa shkelur me këmbë. Asnjëherë se kam parë të kapardisur në ndonjë sedlilje makine, edhe pse mundësitë i ka patur, por gjithmonë më këmbë me një çantë krahëve. I zhytur në Oqeanin e Dijes, ky njeri kërkues deri në detaje, nuk ka lënë shtëpi, lokal e qëndra sociale pa shkelur, duke marrë prej andej “brumin” për lëndën e parë e pastaj për të dalë në publik me një shkrim apo libër.

Gazetari, kritiku dhe shkrimtari Kadri Kuka, falë përkushtimit të tij në promovimin e vlerave të qytetit magjik të Beratit, siç ka qejf ta quaj ai, është një “specie” e rrallë që është rritur dhe vijon të notoj në oqeanin e madh të dijes. Rrallë mund të gjesh njerëz si Kadriu, që ta duan kaq shumë qytetin e tyre. Ia njoh mirë vlerat, ndaj mora përsipër detyrë të vështirë për promovimin e këtij njeriu të mirë.

Fëmijëri dhe rini mes librash

I lindur në Berat më 18 qershor të vitit 1954, kur ishte fëmijë 6 vjeç, e mori babai me vete, babai tij ka qënë ushtarak, dhe për herë të parë u njoh me qytetin e vogël të Leskovikut. Këtu nisi mësimet e para dhe në moshën 12 vjeçari, për herë të parë në jetën e tij lexon romanin “Shpella e Piratëve” të shkrimtarit të nohur Petro Marko. Shkas u bë një detyrë, siç thotë Kadriu, e dhënë nga mësuesi Kolo Maneci, të cilin e kujton me respekt. Ky roman është dhe libri i parë, që e zhyti djaloshin beratas në Oqeanin e madh të dijes, për të mos u ndarë asnjëherë nga libri.

I mrekulluar nga ky roman fantastiko – shkencor, fantazia e tij fluturoi sikur të ishte një balonë. e kërkonte librin si ushqimin e përditshëm deri sa një ditë ra në kontakt me librin “20 000 Lega nën det” të Zhyl Vernit, roman që e tërhoqi përfundimisht dhe e zhyti në thellësi të Oqeanit të Dijes. Lexonte çdo ditë dhe gati e përpinte librin dhe kulmi i lumturisë së tij fëmijërore arriti në Konkursin letrar të asaj kohe: “Dyzet libra në tre muaj”, ku ai u vlërersua me çmimin e vendit të parë. “Unë, thotë Kadriu, në fakt kisha lexuar më shumë se dyzet libra në tre muaj, pasi libri mua më tërhiqte si magnet. Sa mbaroja një libër,filloja një tjetër. Në aktivitetet letrare – artistike që zhvilloheshin në Ersekë, shkolla “Jani Vreto” ku mësoja, zinte vend të parë ose të dytë…”. Gjithë formimin e tij kulturor, ai ua dedikon mësuesve të tij në Ersekë: Kolo Maneci, Bardhyl Prifti, Efigjeni Tandili, Dhorka Milo.

Nga Leskoviku..familjarisht shkon në një qytet tjetër të artit dhe kulturës, në Përmetin e Trëndafilave, aty ku u transferua babai i tij. Në këtë kohë Kadriu ishte nxënës në vitin e parë të shkollës se mesme,”Sami Frashëri”. Tashmë rruga e artit për të ishte një kauzë dhe jo thjesht një dëshirë. Prirjet dhe interesat letrare ranë në sy të mësuesve, duke i rezervuar një vend emrit të tij në Këndin Letrar të shkollës. Aty morën rrugën e “botimit” poezitë e tij të para.

Afirmohet shpejt kur në konkursin e recituesve, zë vendin e dytë, me poemën e İsmail Kadaresë “Shqiponjat fluturojnë lart”. Këtu mori kontakte me poetë, shkrimtarë, kompozitorë e aktorë, që ftoheshin në shkollë për takime me nxënësit. Kadriu kujton, se në atë kohë kishin ardhur në Përmet, kompozitori Aleksandër Peçi dhe shkrimtari Xhevahir Spahiu, me të cilët kishte dëshirë të takohej. Ai kujton me mall mbresat e përjetuara gjatë vënies në skenë nga grupi teatror i shkollës, të dramës “Mosha e Bardhë” të të madhit Dritëro Agolli. Djaloshi beratas lunate rolin e Fredit dhe pas kësaj kuptoi se ishte futur në rrugën e artit dhe për të s’kishte më kthim pas.

Kur mbaroi gjimnazin, pa asnjë mëdyshje kërkoi vetëm dy degë: Gazetari dhe Gjuhë -Letërsi. Madje shkoi e konkuroi për gazetari, por në atë kohë, kjo degë preferohej nga bij me prindër ambasadorë e nëpunës të lartë në KQPPSH, kështu që nuk mund të dilte para tyre, një djalë i një oficeri të thjeshtë. Natyrisht që nuk fitoi, jo pse nuk kishte talent, por sepse edhe në atë kohë sekseri i sotshëm ishte miku. “Fakti e tregoi, thotë Kadriu, se asnjë nga ata që konkuruan ndershmërisht, nuk u bë gazetarë”

Tashmë kishte mbetur fisheku i fundit, ndaj filloi studimet në Fakultetin e Gjuhë -Letërsisë,në Universitetin e Tiranës, të cilin e nisi në  vitin 1974 dhe e përfundoi në vitin 1978, kur jeta letrare në Tiranë ishte në kulmin e saj në  ato vite. Në Fakultet,u angazhua në Rrethin Letrar, ku kishte emra, që më vonë u bënë zëra të njohur si: Hamit Aliaj, Skënder Buçpapaj, Agım İsaku, Valter File, Fatmir Musai, Fahri Balliu, Durim Çaça, Bujar Balliu, Vera İsaku, Flora Gjondedaj etj.

Kadri Kuka vazhdoi Rrugën e Gazetarisë ndërsa Fakulteti Gjuhë -Letërsi, ishte paradhoma për të hyrë në Panteonin e Letërsisë. Lexonte pafund, shkonte në Bibliotekën Kombëtare, botonte në shtypin letraro-artistik të kohës si Revista “Nentori”, Gazetën “Drita, Gazetën “Zëri i Rinişë” etj. Në librin bibliografik të studiuesit Abaz Hoxha, në vitet 1974 – 1978, emri i Kadri Kukës renditet i dyti,pas atij të regjisorit Viktor Gjika,për botimet në shtypin periodik letraro – artisik të asaj kohe.

Gjatë viteve të jetës stundentore ka takuar me İsmail Kadarenë, Dritëro Agollin, Jakov Xoxen,  Shefqet Musarain, Adriatik Kallullin, Sandër Prosin,  Pjetër Gjokën etj, me të cilët ka  diskutuar e polemizuar në Akademinë e Shkencave,  në Lidhjen e Shkrimtareve she Artisteve, për libra e tema të ndryshme të artit.  Gjithsesi konstatne mbeti koha e leximit, ku ai Brenda një nate lexonte Prustin, Xhojsin, Kafkën….. Ato pak lekë që i dërgonte i linte për libra në librari.

Me mendje e shpirt në qytetin magjik të Beratit

Në Berat..filloi punë si mësues, në vitin 1978, Qafë Dardhë të Tomorrit.  Qëndroi  vetëm një vit dhe rikthehet në pasionin e rinisë si gazetar, në  gazetën lokale “Kushtrimi”, ku mbulonte rubrikat shoqërore – kulturore dhe  gjini të ndryshme të publicistikës, reportazhin, skicën letrare, portretin, fejtonin,etj.  Ardhja në Berat, ishte një fat pasi i “çeli”, dyer te tjera. U bë pjesë e  Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit bashkë me miqtë e tij: Ylli Polovinen, Hysni Milloshin, Simon Vrushon, Llazar Fypen, Yzedin Himën, Agım Likën, Rushan Dostin, Luan Shmillin, Thanas Janin, Mihal Krimçen,etj.

Ai nuk u nda asnjëherë nga libri duke vijuar të lexonte duke qënë një nga miqtë më të zellshëm të Bibliotekës “Kahreman Ylli”, më vone “Vexhi Buharaja” dhe merrte pjesë gjallërisht në jetën letraro – artistike të qytetit.. Kadri Kuka nuk mund të mungonte në diskutimet e veprave letrare – artistike në rang lokal dhe kombëtar. Ka qënë figure qëndrore në panelet e mediave lokale, TV – “Onufri”, “Berati”, dhe një penë e fortë në faqet e Gazetës “Orakulli i Tomorit. Ka botuar rregullisht në Gazetën “Drita”, në shypin qëndror “Zëri i Popullit”, “Drita”, Zëri i Rinişë”, “Bashkimi”, “Puna”, etj.

Gradualisht, Kadriu do të maturohej dhe ishte i gatshëm të merrte përsipër detyra drejtuese në sektorin e artit dhe kulturës në rreth. E nisi si Drejtor i Kulturës në Këshillin e Rrethit,  anëtar i Këshillit të Rrethit dhe vijoi Drejtor i Kulturës në Bashkinë,Berat, Drejtor i Teatrit dhe Estradës Profesioniste të qytetit, me aktorët e së cilës vuri në skenë me dhjetra premiera  Pjesë e rëndësishme e jetës së tij, është botimi i disa  librave

Në 60 vite art të jetës së tij ka botuar 6 libra:  “Kohë e trazuar”, “Berati qyteti magjik”,  “Një burrë që qan”,  “Cekja i Beratıt”, “Beratas në vite,(Enciklopedi njerëzore)”, “Hotele, Bare Restorante të Beratıt magjik”.

Në gjithë rrugëtimin e jetës së tij letrare – artistike, Kadri Kuka ka spikatur si një hulmutues, krijues dhe drejtues korrekt. Për këtë pjesë të jetës së tij, ai vetë kujton me mall:

“Në jetë nuk ndërtova dot një Grataçielë me tulla, por ndërtova një jetë me libra me dije, pasuri që do t’ua trashgoj femijëve, nipërve e mbesave te mia. Kam shkruar libra, por libri më emocional që kam shkruar, është ai dedikuar sime shoqeje, Xhemiles, ndarë vite më parë nga jeta. E kam shkruar me penën e dhimbjes. me lotë shpirt… Ehhh, dua të shkruaj për jetën në Emigracion, në Stamboll, Turqi, ku jeton prej vitesh djali i tij me familjen. . Tashmë që jam në pension, jeta ime është ndarë gjysma në Stamboll e gjysma në Berat, por me shpirt e mendje jetoj në Beratin tim magjik…

Në vitet 1994 – 2000, Kadri Kuka për 6 vite ka qënë Kryetar i Emigrantëve Shqiptarë në Stamboll dhe pas viteve 1990 një nga nismëtarët e hapjes së shkollës shqipe në Stamboll. Si misionar dijeje e kulture, ai ka organizuar veprimtari patriotiko – kombëtare, ka ndihmuar njerëz në nevojë e të sëmurë, në  bashkëpunim me Karitasin Italian me qëndër në Taksim, Stamboll dhe Konsullatën shqiptare në Stamboll.

Në vitin 2001 kthehet në Berat ku shërbeu për 20 vite  në  Bashkinë e Beratit, deri në vitin 2019, kur doli në pension. Pensionist i thënçin, pasi ai është mjaft aktiv. Lexon pafund, shkruan libra dhe vijon të jetoj gjysmë viti në Stamboll tek djali, (dentist në Stamboll) dhe gjysmë tjetër të vitit, në Berat, me vajzën, nipin dhe mbesat.