Roli i Selam Musait në mbrojtje të tërësisë tokësore nga rreziku i asimilimit grek në 1914-n

702
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Jaho Cana, Universiteti “Eqerem Çabej” Gjirokastër

Ngjarjet tragjike të vitit 1914, kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën historike të popullit tonë dhe në veçanti për rastin e Tepelenës. Kjo për faktin se popullsia e këtij rrethi u përballë më forcat më ekstreme të andartëve greke. Këta të fundit u sulën si bisha të etura për gjak mbi popullsinë pafajshme dhe të pambrojtur, duke bërë masakra të pashembullta. Kronikat e kohës si dhe kujtimet e të moshuarve, kanë arritur të na sjellin të gjalla deri në ditët e sotme, ato ngjarje makabre duke na dhënë kështu një tablo, të qartë të atyre situatave të cilat qenë mbushura me terror, gjakderdhje, lot, shpërngulje masive të popullsisë, masakra , por edhe me beteja heroike dhe me një qëndresë të admirueshme të burrave të krahinës së Labërisë. Të cilët edhe këtë herë ditën të përballonin me trimëri dhe guxim situatën e vështirë në të cilën po kalonin.

Në fillim të vitit 1914, forca të shumta greke kishin mundur të depërtonin në pjesën më të madhe të hapësirës gjeografike të rrethit tonë. Në këto treva andartët grekë ushtronin një dhunë të shfrenuar fizike dhe psikologjike mbi popullsinë. Kulmi i kësaj dhune do të manifestohej më 29 prill të vitit 1914, ku andartët greke mbasi morën peng 218 burra kryesisht nga fshati Hormovë dhe i çuan në kishën e fshatit Kodër. Nga aty, ata filluan ti merrnin dy e nga dy, duke i masakruar me thika e bajoneta. Këtë veprim ata e maskonin se gjoja po i merrnin në pyetje. Në një moment të caktuar kjo dredhi greke u kuptua , dhe menjëherë për tu mbrojtur ata mbyllën dyert e kishës. Atëherë grekët hipën mbi çati dhe i masakruan me armë zjarri. Kjo është edhe masakra më e egër e bërë nga grekët kundër popullsisë civile. Zemërimi popullor për këtë veprim u bë shpërthyes. Në këtë ditë, çeta luftarake e e salariotëve e drejtuar prej heroit të popullit Selam Musai, së bashku më çetat e Dukajt, Turanit dhe Veliqotit, ishte e zënë me luftime për çlirimin e qytetit të Tepelenës. Me të marrë vesh për këtë ngjarje makabre, luftëtarët e këtyre çetave, kërkuan menjëherë që të hidheshin në një sulm përfundimtar për të asgjësuar këto forca të cilat më së shumti ishin djem të rinj , paramilitar, të burgosur ordiner dhe kriminel të llojeve të ndryshme, që të gjithë me orgjinë nga Kreta. Kjo forcë ishte zgjedhur jo pa qëllim prej qarqeve shoviniste greke për të vepruar pikërisht në zonën e Tepelenës, kjo për dy arsye: e para nga ana e grekëve kjo zone quhej si djepi i rezistencës shqiptare dhe e dyta në qoftë se do të arrinin të mposhtnin Tepelenën me zonat e tjera do ta kishin më të lehtë. Prandaj kundër Tepelenës u soll ajka e trimërisë greke.

Në këto rrethana, forcat e luftëtarëve shqiptare më në krye Selam Musain morën detyrën luftarake dhe përgjegjësinë morale për asgjësimin e armikut. Të nesërmen e kësaj ngjarje tragjike çeta e Salarisë zuri vijën Tërbuq-Labovë e Vogël, kurse forcat greke zunë vijën Hundëkuq –Labovë e Vogël. Sipas kujtimeve që kanë mbërritur të gjalla deri në ditët e sotme, Selam Musai , mblodhi luftëtarët që kishte nën komandë dhe u caktoi detyrat konkrete çdo detashmenti luftëtarësh duke u bërë të qartë se kjo forcë armike duhej ekzekutuar me qëllim që të merrej hak në emër të atyre qindrave të masakruarve si dhe për barbarizmat e tjera që ata kishin kryer ndaj popullsisë së pambrojtur dhe të pafajshme. Pjesa e luftëtarëve me më përvojë dhe ata që ishin armatosur më mirë u caktuan të sulmonin Labovën e Vogël. Këto masa organizative dhanë rezultatin e pritshëm. Armiku i zënë në befasi të plotë mbas katër orë luftimesh të përgjakura u detyrua të tërhiqej, duke lënë pas shumë të vrarë e të plagosur. Por pas kësaj beteje armiku që ishte i madh në numër e i mbështetur edhe nga artileria që bombardonte pa pushim pozicionet e luftëtarëve nga Salaria, arritën që të organizoheshin dhe të zinin një vijë të re mbrojtëse. Luftimet më të ashpra u zhvilluan në kodrat dhe përrenjtë midis Labovës së Vogël dhe Tëbuqit. Luftimet vazhduan gati pa ndërprerje për dy ditë rresht. Armiku i ndodhur përballë këtij rrebeshi sulmesh të njëpasnjëshme u detyrua që të futej në bisedime për të vendosur një armëpushim të përkohshëm me qëllim që të respektoheshin dhe të varroseshin të vrarët. Kjo situatë nuk vazhdoi gjatë, grekët në mënyrë të pabesë në mbrëmje rifilluan sulmet me qëllim që ti zinin shqiptarët të papërgatitur. Mirëpo Selam Musai që kishte një përvojë të madhe në luftë dhe duke njohur natyrën e andartëve grek kishte marrë masa për të mos rënë preh e këtij kurthi të poshtër.

Nazif Muçaj, një ish-luftëtar bashkëkohës dhe njëkohësisht bashkëfshatar i Selam Musait, më pas në kujtimet e tij thotë: “Heroi, atë ditë kishte luftuar tërë ditën në këmbë dhe herë pas herë edhe në majë të kalit. Ai u hodh përsëri i pari në sulm, duke i sulmuar llogoret greke më sokëllima dhe thirrje të herëpashershme, që u lëshonte luftëtarëve për t’u dhënë kurajë. Mbasi vrau disa ushtarë u hodh brenda në llogoren armike ku u ndesh përballë me një oficer grek, i cili  e sulmoi befasisht duke qëlluar kundër tij më armë, por edhe Selam Musai, arriti që të shtinte njëkohësisht mbi të. Oficeri u plandos menjëherë i vdekur në vend. Kurse Selam Musain, plumbi e mori në kraharor në anën e djathtë. Menjëherë në ndihmë të tij vjen Islam Malua, një tjetër bashkëluftëtar i tij besnik, i cili arriti t’i binte kalin dhe ta hipte të plagosurin, duke e tërhequr nga fushë beteja. Selami mbas disa kundërshtimeve u bind që të shkonte në qytetin e Tepelenës për t’u mjekuar në spitalin e këtij qyteti, që ishte ngritur enkas nga holandezët për t’u ardhur në ndihmë luftëtarëve dhe xhandarëve shqiptarë që do të plagoseshin në luftë.

Momenti i plagosjes së Selam Musait në luftën e Labovës së Vogël nuk i shpëtoi rapsodit popullor që e ka përjetësuar me këto vargje:

“Mu atje në Labovë,

u plagos Selami i gjorë,

u plagos në kraharor”.

Mbas këtyre ngjarjeve Selam Musai për dy javë rresht qëndroi i shtruar në spital dhe mbasi pushoi edhe dy ditë tjera në shtëpi, ai shkoi përsëri pranë bashkëluftëtarëve të vet, në Labovë. Gjatë kësaj kohe ndërmjet dy palëve ishte vendosur një armëpushim i heshtur, ku secila palë mendonte se si t’i merrte avantazhin tjetrës. Grekët që tashmë ishin organizuar dhe kishin marrë përforcime të reja ndoqën një taktikë të tillë që t’i rrethonin forcat shqiptare duke i sulmuar ato nga ana e Humelicës, pra, matanë lumit me detyrën që të asgjësonin çetën e Ismail Kasos që drejtonte çetën e Lopësit. Selam Musai e kuptoi dredhinë e tyre dhe u doli para duke i asgjësuar. Mbas këtij suksesi, tashmë janë luftëtarët shqiptarë, të cilët u hodhën në kundërsulm. Përballë tyre qëndronin dy batalione greke të armatosura më së miri, luftimet vazhduan gjithë ditën. Madje edhe natën forcat greke vazhdonin ta rrihnin vendin me artileri. Afër mëngjesit rifilluan luftimet ku Selam Musai urdhëroi që të merrej me patjetër Labova e Vogël. Luftimet qenë të ashpra. Dhe grekët nuk mundën t’i bënin më ballë sulmit dhe filluan të tërhiqeshin në panik.

Pra, lufta e Labovës së Vogël, u mbyll me fitoren e plotë të luftëtarëve shqiptarë. Në këtë betejë mbetën shumë armiq të vrarë e të plagosur dhe u zunë një numër jo i vogël robërish. Kjo betejë tregoi edhe njëherë, se shqiptarët nuk do të tërhiqeshin kurrë nga trojet e tyre. Nga ana tjetër beteja tregoi se Selam Musai, jo vetëm që ishte një luftëtar e patriot shumë i madh, por ai ishte edhe një strateg shumë i mirë ushtarak, i cili me përvojën dhe intuitën e tij u bë arkitekti i vetëm i kësaj fitoreje të lavdishme. Në luftën e Labovës së Vogël, edhe nga pala e luftëtarëve shqiptarë pati shumë të vrarë dhe të plagosur. Kështu vetëm brenda një dite nga fshati Salari u vranë shtatë luftëtarë dhe gjithsej 17 veta në të gjitha luftimet. Ndërmjet tyre mund të përmendim; Hekuran Liçaj, Zano Musaraj, Shaban Muharremi, Shyqo Jaupi, Hasan Bushi etj. Pra, kështu përfundoi një nga përpjekjet më të egra të vitit 1914. Betejë në të cilën roli i Selam Musait ishte determinant. E theksojmë këtë fakt, sepse shpesh herë kur flitet për figurën e Heroi të Popullit Selam Musai, i mëshohet vetëm rolit të tij në Luftën e Vlorës së vitit 1920, duke anashkaluar në këtë mënyrë rolin e tij në ngjarjet tragjike të vitit 1914.