Prof. Shezai Rrokaj: Raporti i KE-së një hap para, Shqipëria dy hapa mbrapa

750
Sigal

Raporti i Komisionit një hap para, Shqipëria dy hapa mbrapa

Prof. Dr. Shezai Rrokaj

Politika shqiptare, e mësuar tashmë me të paktën dy të vërteta, vazhdon t’i mbajë sytë nga ndërkombëtarët për të mësuar se cili është realiteti i qytetarëve të vet dhe të vetë situatës politike në vend. Kurse aleatët tanë vijojnë të jenë inkurajues dhe mbështetës të popullit shqiptar drejt rrugës së integrimit, por shpeshherë janë gjendur nën ‘presionin’ e qeverive të radhës të cilat, në vend të përballen me realitetin konkret në vend, luajnë çdo gur për t’i mikluar, madje bëjnë sikur i plotësojnë kushtet e vëna prej tyre me ligje në letër, teksa realiteti është krejt ndryshe. Kjo politikë dhelparake, kinse për t’ua hedhur të huajve që na mbikëqyrin, u është kthyer në bumerang vetë qytetarëve, të cilët po e mohojnë këtë politikëbërje duke braktisur vendin. Nga ana tjetër, e vërteta e gjendjes në Shqipëri është para së gjithash ajo që shohim e jetojmë përditë, që është ndryshe edhe nga ajo e vizitave për qoka të disa ndërkombëtarëve. Sot është fakt se, përkundër sa u reklamua nga Qeveria, negociatat nuk u çelen në 2018-ën, ashtu si dhe dy herë të tjera më parë. Gjithashtu, fakt është se rekomandimet e vjetshme të Brukselit, si: plotësimi i reformës në drejtësi me ngritjen dhe vënien në punë të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit, rritja e luftës kundër korrupsionit dhe vënia para drejtësisë e “peshqve të mëdhenj”, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të drogës si dhe shkëputja e lidhjeve të politikës me ta, depolitizimi i administratës publike prej trysnisë së pushtetit politik, përmirësimi i klimës politike pluraliste në vend, pronat, të drejtat e pakicave, duken se i kanë bishtnuar një vlerësimi realist prej Komisionit në këtë raport. Pyetja që shtrohet lidhur me ndërkombëtarët është, a duhet vazhduar ende me ‘zëmërbutësi’ ndaj shqiptarëve e, ca më pak, ndaj qeverisjes së tyre? A duhet ta vazhdojmë këtë tranzicion me modelin “progres, por…”? Mendoj se kjo lloj ‘përkëdhelie’ na ka bërë ne shqiptarëve të mësohemi me të keqen, ose ta refuzojmë atë duke braktisur vendin. Për ta kuptuar nga afër këtë që theksova më lart le të ndalemi në disa çështje të ngritura në këtë raport për t’i parë ato krahasimisht me rekomandimet e vjetshme si dhe realitetin e sotëm në vend. Lidhur me statusin e demokracisë në raport thuhet se mjedisi politik mbetet i polarizuar, kurse për zgjedhjet thuhet se për shkak të mosdakordësisë mes palëve, nuk ka asnjë progres në adresimin e rekomandimeve të mbetura të OSBE/ODIHR. Për sa i përket funksionimit të Kuvendit raporti shprehet se ka mbizotëruar një polarizim i madh dhe se Komisioni rekomandon forcimin e kapaciteteve për mbikëqyrje dhe përfshirje në procesin e integrimit; përmirësimin e transparencës dhe kontrollit të financimit të partive politike; reformë të mëtejshme, përfshirë rishikimin e Kodit Zgjedhor. Po në raport theksohet se Qeveria mbetet e angazhuar në procesin e integrimit, por edhe se ajo ka krijuar boshllëqe administrative që duhet të tejkalohen, kurse lidhur me qeverisjen lokale aty thuhet se është e nevojshme konsolidimi i mëtejshëm i reformës administrative për të garantuar autonominë fiskale si dhe krijimin e kapaciteteve dhe fuqizimin e bashkive për të kryer shërbime cilësore. Për administratën publike theksohet se adresimi i rekomandimeve të Raportit 2018 ka progres të pjesshëm, porse në 2019-ën Shqipëria duhet të krijojë kapacitetet dhe të zbatojë vlerësimet e impaktit rregullator dhe buxhetor në të gjitha ministritë; të përditësojë kuadrin rregullator për planifikimin dhe monitorimin e politikave; të zhvillojë dhe përditësojë një politikë pagash dhe të lidhë sistemin e informimit të menaxhimit të burimeve njerëzore me buxhetin për një pagesë automatike. Lidhur me reformën në drejtësi aty thuhet se ka progres, por korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese. Sipas raportit po vijon procesi i vettingut në funksionimin e gjyqësorit, por vendi ka mbetur pa Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese. Nuk janë ngritur as SPAK-u dhe as BH-ja. Rekomandohet përfundimi i ngritjes së organeve të specializuara hetimore dhe gjyqësore kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe konsolidimi i strukturave e institucioneve të sapoformuara për vetëqeverisjen e gjyqësorit. Lidhur me luftën kundër korrupsionit në raport thuhet se ka progres në miratimin e disa ligjeve, por pritet edhe përmirësimi i ligjit për Financimin e Partive Politike, Kodit Zgjedhor dhe Ligjit mbi Konfliktin e Interesit. Gjithashtu aty theksohet se rekomandimet e raportit të fundit (2018) u zbatuan pjesërisht. Përpjekjet duhet të vazhdojnë drejt konsolidimit të një regjistri të sekuestrimit dhe konfiskimit/rikuperimit të pasurive kriminale që rezultojnë nga veprat penale të korrupsionit. Veçanërisht kërkohet të rritet ndikimi i masave antikorrupsion në fushat vulnerabile, si: dogana, administrata tatimore, arsimi, shëndetësia, prokurimi publik etj. Në luftën kundër krimit të organizuar thuhet se janë bërë disa përparime në përmirësimin e kapaciteteve institucionale për menaxhimin e kufirit, azilin, luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmin e dhunshëm. Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen Status me Rojën Evropiane Kufitare dhe Bregdetare, por rekomandohet të zhvillohet më tej përdorimi sistematik i hetimeve financiare paralele kur kanë të bëjnë me krimin e organizuar, trafikimin e paligjshëm, terrorizmin dhe pastrimin e parave; rritjen më tej të masave për të adresuar në mënyrë efektive problemin e aplikimeve të pabazuara për azil në BE, duke adresuar faktorët shtytës. Gjithashtu në raport kërkohet të rriten përpjekjet për ndjekjen dhe dënimin përfundimtar, si dhe shkatërrimin më efektiv të rezervave të kanabisit. Çuditërisht, për ne këtu në Shqipëri, në raport thuhet se ‘pothuajse asnjë rrënjë kanabis nuk është kultivuar, në ambient të hapur në Shqipëri gjatë dy sezoneve të kaluara të kultivimit kanabisit’. Por vendi duhet në veçanti të përparojë dukshëm në zbërthimin efektiv të grupeve të krimit të organizuar, dhënien e dënimeve parandaluese, heqjen e të ardhurave nga krimet përmes konfiskimit të pasurive dhe adresimin e pastrimit të parave; të miratojë një strategji të re dhe plan veprimi për drogat, të plotësojë boshllëkun legjislativ mbi prekursorët e drogës dhe të intensifikojë luftën kundër trafikimit të drogave të rënda. Lidhur me lirinë e shtypit raporti vlerëson se ka pasur progres të limituar. Kjo për shkak se kërcënimet dhe gjuha intimiduese ndaj gazetarëve është shtuar. Pronësia e medias audiovizuale, transparenca e financimeve dhe reklamës publike mbeten kyç për t’u adresuar dhe vetërregullimi në median online mbetet për t’u siguruar. Shqipërisë i rekomandohet gjithashtu të sigurojë zbatimin e Kodit të Punës dhe të forcojë të drejtat sociale dhe të punës të gazetarëve; të sjellë në përputhje me standartet ndërkombëtare kërkesat për transparencën e pronësisë së medias dhe kufizimet e saj; të paraqësë legjislacion për rekamën publike për të rritur transparencën. Në sythin ‘politika e vizave’ thuhet se politika e vizave e Shqipërisë nuk është e linjëzuar me atë të BE-së; numri i aplikimeve të pabaza për azil në shtetet anëtare dhe ato të Shengenit ka rënë, por ende mbetet i lartë; shtetasit shqiptarë mbeten grupi më i madh i azilkërkuesve nga vendet pa viza të Ballkanit Perëndimor. Shtetasit shqiptarë gjithashtu kanë numrin më të madh të qëndruesve të paligjshëm dhe rasteve të hyrjes ilegale. Ka pasur gjithashtu një rritje të madhe në numrin e pasaportave të falsifikuara të BE-së, të përdorura kryesisht nga shtetasit shqiptarë për të arritur destinacionet në BE. Të miturit e pashoqëruar nga Shqipëria që udhëtojnë drejt Shteteve Anëtare të BE-së mbeten një çështje shqetësuese. Si dhe shumë në raporte të tjera për Shqipërinë, edhe në këtë raport, ajo që duket është dashamirësia e strukturave evropiane për të na parë me ‘sy të mirë’, duke mos e paraqitur realitetin në vend siç është, por me një farë optimizmi suksesesh që inkurajojnë popullin dhe qeverinë e radhës. Me një fjalë, jepet një vlerësim antidepresiv me qëllim që të mbahet shpresa se vendi po ecën përpara. Kjo formulë e vlerësimit e tipit “po, por…” po e shoqëron gjithë agoninë e tranzicionit shqiptar, duke i bërë qytetarët e vendit të lëngojnë nën shpresë. Sigurisht, në mjaft raste vlerësimi i tyre pozitiv ka ardhur prej hapave reale që shoqëria shqiptare ka shënuar drejt integrimit, sikundër ka shumë raste, si ky raport, kur realiteti është më zezonë sesa pudrosja nëpër rreshta me suksese në letër. Suksesi në letër është një produkt i sistemit komunist, ku me fjalë janë arritur majat e fitoreve, kurse me vepra vijon teposhtja e tyre. Në shumë raste, ndërkombëtarët po bien ‘viktima’ të vlerësimeve sipas sukseseve që lidhen me përmbushjet e detyrimeve ligjore sipas “acquis communautaire”, por zbatimi i tyre në praktikë është “Hane Shane, hane Bagdad!”. Pra, edhe në këtë raport citohen ligjet e miratuara, por nuk pasqyrohet realiteti i dhimbshëm për të cilin mban përgjegjësi në vetë të parë Qeveria. Një pjesë e ligjeve të miratuara sipas ‘acquis communautaires’, që përmenden në raport, janë vetëm në letër, teksa efektet e tyre mbahen peng e autokracisë, e cila e ka zënë për fyti demokracinë e një shteti funksional. Dashamirësia e ndërkombëtarëve mund të merret me mend kur ajo shkon për t’u dhënë shpresë qytetarëve, por kur mëton t’i japë oksigjen të pamerituar Qeverisë ajo kthehet në gaz po aq helmues sa ai i përdorur në protesta, sepse ua vret gradualisht shpresën. Treguesi më i qartë i shpresës së vrarë është braktisja masive e vendit, ku Shqipëria renditet vendi me masën më të madhe të azilkërkuesve, pa përmendur pjesën tjetër që nuk kërkon azil prej frikës së kthimit mbrapsht. Po pse në këtë raport nuk flitet për korrupsione si tenderët e Astirit (20 milionë/km) dhe ai i OSCHE-së me sipërmarrje fantazmë e as për rrugën Milot-Balldren (15 milionë/km) me sipërmarrje të dyshimtë? Pse nuk theksohet rreziku për një borxh të fshehur që do t’i rëndojë vendit për vitet e ardhshme prej PPP-ve me fonde buxhetore si koncesione, sidomos ato të pakërkuara? Pse nuk theksohen as praktikat korruptive të tenderëve pa garë ose me kompani formale? Bie fjala, pse nuk janë vënë re kontratat gjoja sekrete me shuma marramendëse për xhepat e shqiptarëve? Pse ligje korruptive si ai i Teatrit nuk janë shqetësim në këtë raport? Po kështu rriten pikëpyetjet për reformën në drejtësi, e cila u miratua unanimisht, por mazhoranca e kapi atë me gjashtë ligje në vijim, pa konsensus dhe në kundërshti të opozitës. Zgjedhja në mënyrë të njëanshme e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, procesi i deformuar dhe i njëanshëm i vettingut, mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë, i SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit janë fakte që tregojnë se reforma jo vetëm nuk po shkon në rrugë të drejtë, por ajo është futur në një rrugë pa krye. Mosngritja e strukturave operative të mësipërme, si kusht i vënë në raportin e vjetshëm, e ka dobësuar fuqinë e sistemit për të bërë drejtësi për të gjithë, duke e deformuar vetë objektivin e reformës. Vetë pandëshkueshmëria e ‘peshqve të mëdhenj’, mbajtja mbyllur e dosjeve të krimit elektoral 184/339, ku politika edhe krimi i organizuar kishin bërë pakt për qeverisjen e sotme, tregon se Brukseli duhet të jetë me të drejtë në anën e qytetarëve, por jo në anën Qeverisë dhe se nuk mund të ketë stabilitet kur deformohen shtyllat e demokracisë. Ky lloj stabiliteti shpie doemos në tensione që shoqërohen me përplasje civile. Ndaj, çelja e negociatave ka si kusht kryesor demokratizimin e sistemit politik, duke ndërtuar shtyllat e shtetit për të mos u kapur prej liderëve autokratë. Dhe themelet e këtij shteti janë zgjedhjet e lira. Ky duhet të jetë i vetmi pakt midis partive politike në vend dhe i vetmi kusht prej Brukselit, nëse duam t’i japim fund tranzicionit të lodhur 30-vjeçar dhe që Brukseli të mos na thotë më se kemi bërë një hap para kur Shqipëria po bën dy hapa mbrapa.