Fitim Çaushi: Profesor Ago Nezha Intelektuali energjik në shërbim të Labërisë dhe çështjes kombëtare

Rrallë konstatohen intelektualë të vrullshëm si profesor Ago Nezha, për të cilin populli thotë: “Mos i shikoni gunën, po shikoni punën”. Jam impresionuar veçanërisht në Kuvendin e V të Shoqatës “Labëria”, në Gjirokastër, ku u mblodhën intelektualë elitarë, sikurse profesorët e nderuar Arben Puto, Jorgo Bulo, Moikom Zeqo, Pëllumb Xhufi, Sabit Brokaj, e mbi të gjitha solli nga Kosova akademikun Rexhep Qosen, mikun e çmuar të Labërisë, deputetin kosovar, publicistin Berat Luzha dhe Presidentin Alfred Moisiu.

Një kuvend madhështor, ku u theksua kontributi historik i banorëve të kësaj treve në mbrojtjen e tërësisë territoriale, u ngrit në mit sakrifica madhore e banorëve të kësaj treve dhe trashëgimia e pasur shpirtërore, u soll jehona e qëndresës heroike përpra rreziqeve të shovinistëve të huaj nëpër shekuj. Këtë veprimtari me kaq shumë elemente historiko-artistike, me jehonë prej shekujsh, nuk e kanë realizuar as institucionet shtetërore, që paguhen për të ruajtuar pasurinë historike dhe vlerat e popullit nëpër shekuj.

NOA

Çfarë e bën këtë njeri që të jetë kaq konstant në punën e tij të përkushtuar dhe kaq krijues në format organizative, për ta prezantuar sa më të larmishme përpara opinionit shqiptar e mbarëkombëtar, atë trashëgimi të kësaj Shoqate, që na bën krenarë për pasurinë e saj historike, luftarake, arkivore, etnike, artistike dhe diplomatike në propagandimin e tyre?

Nuk është thjesht intuita dhe inteligjenca e Prof. Ago Nezhës, në kapjen dhe trajtimin e temave madhore me frymë kombëtare, por lidhjet e tij të fuqishme shpirtërore me Labërinë, me Shqipërinë, shqetësimet e të cilave ai i bën objekt të Shoqatës, duke i trajtuar simbolikisht në veprimtari masive, me gjurmë në ndërgjegjen e pjesmarrësve në to, apo të atyre që ndjekin mjetet e informacionit masiv.

Pyetja më e thjeshtë do të ishte: Si i bën për vete gjithë këta intelektualë shqiptarë, profesorë dhe akademikë, deputetë dhe ministra të të gjitha krahëve dhe krahinave, nga Jugu dhe Veriu i Shqipërisë? Si i afron pranë për të ndihmuar qoftë edhe me pjesëmarrjen e tyre në rritjen e prestigjit të Shoqatës “Labëria”? Profesor Ago Nezha është shumë i ndieshëm ndaj problemit kombëtar, është i ngjizur me dashurinë për Shqipërinë dhe vlerave të saj dhe nuk ka rendur pas përfitimit financiar individual, por ka vrapuar pas problemeve madhore që shqetësojnë, e madje tronditin vendin, si problem i Detit, që pretendohet prej shovinizmit fqinj, si të mos jenë ngopur me Çamërinë dhe trojet rreth saj që i ka rrëmbyer e shfrytëzuar para 100 vjetësh e që për to janë sakrifikuar mijra jetë njerëzish.

Me denoncimin e Marrëveshjes së Detit të qeverisë shqiptare me Greqinë, Shoqata “Labëria” reagoi aktivisht, duke mbledhur 70 firma të shoqatave homologe, përfshirë këtu dhe Shoqatën “Kosova” dhe “Çamëria” dhe ndihmoi aktorët që të tërhiqen nga kjo aferë antikombëtare. Veprimtaritë e Shoqatës “Labëria”, nën drejtimin e prof. Ago Nezhës, kanë qenë permanente dhe promotore në mbrojtje të interesave kombëtare, duke mbajtur qëndrim kritik për pretendimet e Greqisë dhe dhunimin e varrezave në Kosinjë të Përmetit dhe Boboshticë të Korçës, për hapjen e shkollave greke në Himarë e Korçë, për asosacionet serbe në Kosovë etj.

Në gjashtë kuvende që ka organizuar Shoqata “Labëria”, Kuvendi i Tretë që u mbajt në Himarë, nuk u lejua që të zhvillohej në institucionet e Bashkisë, duke vendosur parulla greqisht: “Himara është Greqi, nuk është Labëri”, “Poshtë Labëria” etj. Në këto kushte reaksioni, profesor Ago Nezha nuk u trëmb, nuk u përul, sikurse veproi shteti shqiptar, nuk u tërhoq, e kuptoi se jemi në terren lufte dhe gjeti zgjidhje me guxim, duke ju treguar elementëve të shitur, se jemi në vendin tonë, prandaj Kuvendin e organizoi në një mjedis privat të një patrioti të Labërisë.

Me një qartësi dhe përgjegjësi kombëtare, Prof. Ago Nezha ndërmori organizimin e një simpoziumi shkencor shumë të rëndësishëm kundër diversionit të “Iso-Polifonisë”, të pretenduar prej mercenarësh helenistë, si kulturë shpirtërore e prejardhur prej sirenave greke, në një territor epiriot, territori, që sipas autorëve të “iso-polifonisë”, “na qenkërka” grek, e që akademikët tanë duhet t’ia dhurojnë si pronësi shovinizmit fqinjë!

Do të ishte vendi i duhur të sillnim këtu pozicionin e kundërt me Shoqatën “Labëria” të një kupletisti të “dalluar” Sejmen Gjokolit, i cili i shkruan një mercenari, në momentin kur prof. Ago Nezha kishte denoncuar publikisht diversionin, që bëhej me çështjen “Himara”: “I dashur Timo, si gjithmonë serioz dhe i përgjegjshëm në shkrimet e tua. Po dhe shumë i vëmendshëm për t’ju përgjigjur flakë për flakë gjuhës së drunjtë të cave ndër ne labërit. Jam i sigurt, se, nëse nuk do të ishin në ca pozicione të mbajtura me “thonj”, dikush nga organizatorët e këtij të ashtuquajturi simpozium, megalomanë të pandreqshëm, më e pakta që mund të them, as kjo tollovi e frymë përçarëse nuk do të ndodhte”.

Sikundër shihet, kryemercenari Gjokoli, e konsideron mercenarin Mërkuri “serioz dhe të përgjegjshëm” për goditjet që i ka dhënë në librin e tij, kryetarit të Shoqatës“Labëria” dhe simpoziumit të “Labërisë”, i cili denoncoi “iso-polifoninë” greke dhe deklaratën e stampuar në UNESCO se“Polifonia do të mbetet nëpër shekuj, një këngë magjike e sirenave.”


Prof. Ago Nezha dhe tërë Shoqata nuk e pranoi si trashëgimi helenike, kulturën e saj
shpirtërore dhe ca më pak si “këngë magjike e sirenave”, ndërkohë që Sejmen Gjokoli dëshmon se po të ishte ai në krye të Shoqatës “Labëria”, do ta sabotonte organizimin e këtij simpoziumi, siç ka bërë që nga 2005 dhe nuk do të lejonte të denoncoheshin diversionet shoviniste kulturore të “akademikut” të dyshimtë Vasil Tole.

Prof. Ago Nezha është një intelektual i Madh që di të orientohet në situatat e turbullta të sotme, jo të konformohet dhe të fshihet mënjanë, por të luftojë për mbrojtjën e vlerave të vendit të vet, pavarësisht pengesave dhe opinioneve, që mund të përhapin mercenarë të drejtimeve të ndryshme, që nuk kanë aftësi intelektuale dhe guxim qytetar të luftojnë për të mbrojtur identitetin e kombit tonë.

Ndër veprimtaritë e shumta, prof Ago Nezha ka ditur që përmes veprimtarive të Shoqatës “Labëria, të promovojë të njëjtin unitet shpirtëror Jug-Veri; Kosovë -Shqipëri. Me shumë fantazi dhe sukses ka qenë edhe takimi në Prishtinë për ruajtjen e identitetit të emrave dhe gjuhës shqipe, si dhe takimi në Preshevë me 100 gra dhe vajza me emrin “Vlora”. Këto janë veprimtari me vizion, me emocion, që e forcojnë ndjenjën e unitetit dhe patriotizmit popullor.

Labëria është në vigjilje të kuvendit të shtatë, i cili do të organizohet në dhjetor të këtij viti në Tepelenë. Ai do të programojë veprimtari edhe më të spikatura për të ardhmen dhe do ta pasurojë biografinë arkivore të veprimtarive historiko-shoqërore të Shoqatës “Labëria”.

Është bagazhi kulturor dhe intelektual i këtij burri të papërtuar, plot sakrificë dhe thjeshtësi, që mundëson realizime veprimtarish me vlera, përmes të cilave marrin informacione të ndryshme kulturore, por edhe kemi mundësinë të shfaqim gadishmërinë tonë për kërkesat që ka shoqata ndaj nesh. Ky organizator i talentuar, i përgatitur prej dekadash në rradhët e rinisë dhe punës intesive të sferës së prodhimit dhe edukimit, sot është vlerësuar me disa tituj nderi “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” dhe “Mjeshtër i Madh”. Është diplomuar tre herë: në  Institutin e Lartë Bujqësor, Fakulteti”Agronomi”, në Universitetin Bujqësor, Fakulteti i Ekonomisë Agrare, Ekonomist Plani dhe në degën e Filozofisë. Në vitin 2009 merr titullin- “Profesor Doktor”.

Prej 45 vjetësh ka kryer një veprimtari pedagogjike nga Universiteti i Tiranës, deri në Fakultetin e Ekonomisë Agrare. Ka dhënë mësim në gjashtë Universitete private të Tiranës dhe aktualisht jep mësim në Universitetin “Luarasi”. Profesor Ago Nezha ka një sërë botimesh dhe punime shkencore: nëntë monografi, shtatë libra të karakterit profesional, nëntë libra me karakter teknik dhe popullarizues të shkencës, si dhe bashkëpunëtor në Enciklopedinë “Historia e Bujqësisë Shqiptare”.

Përveç pasionit të poezisë: “Lot në Sytë e Detit”, “Diell i Tradhëtuar”, “Hall me Nuse Keq me Vjehrra”, “Pse Vrapoj”, “Hënë e Verbuar”, prof. Ago Nezha ka botuar tetë vëllime me prozë: “Lypsi dhe Zyrtari”, “Rron gjatë ai që lë emër të mire”, “50 Vjet të Ndarë -50 Vjet të Bashkuar”, “Dialogoj me Diabolikët”, “Shtëpia në Amfiteatrin e Pemëve”, “Balil Nezha – Kalorës i Trimërisë””, Portrete me Penë”, “Sfidat e jetës të Seit Boshnjakut”.

Krijimtaria e profesor Ago Nezhës është sa cilësore aq edhe aktuale në tematikë, ai ka botuar edhe gjashtë vëllime publicistike: “Papagajtë e Politikës”, “Ishim më mirë kur ishim më keq”, “Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” 30 vjet jetë dhe aktivitet”, “Shqipëria dhe Krahinomania”, “Demonët e Demokracisë”, “”Informacioni dhe Komunikimi në Bujqësi.

Me shumë mjeshtëri Ago Nezha ka skalitur korifej të letrave shqip dhe ç’ka është më e rëndësishmja ka meritën, se i ka trajtuar si përfaqësues që luftojnë për një letërsi përparimtare dhe kulturë kombëtare në shërbim të popullit dhe kombit. Me një ndjenjë të thellë respekti, që tingëllon sa solemne, aq edhe e natyrshme për ta, me detaje të pasura njerëzore, mbështjellë me një kulturë të thellë, sikundër një vello nusërie mbi një bukuri të rrallë, prof. Ago Nezha ka ngritur lapidarë artistikë për secilin, për të përjetësuar, jo vetëm disa nga majat e letërsisë, artit dhe shkencës tonë, por edhe një epokë, në të cilën punojnë e krijojnë këta intelektualë të shquar.

Aq me besnikëri dhe natyrshmëri i përjeton çastet e jetuara me ata korifej të kulturës shqiptare, sa herë-herë, duket se nuk zbulon veçoritë e tyre nga ngjarjet e jetuara me ta, por i rikrijon mjeshtërisht ato, si të krijonte personazhe artistikë të një vepre të mirëfilltë letrare, përmes së cilës tipizohen personalitetet e tyre madhore. Një gjuhë e bukur, e latuar deri në përsosmëri, pa asnjë sllogan e fjalë parazitare, një rrëfim i natyrshëm emocional, që gdhend çdo cilësi të tyre e me detaje njerëzore. Janë përshkrime që përthyen në larmi karakteresh të korifejve të letërsisë shqipe, të cilat, Ago, nuk i mbajti për vete, por i përcolli në brezat e ardhshëm. Në kujtimet për gjithsecilin, ngarkesa estetike është impresionuese, sikundër edhe informacioni mbi jetën dhe vlerat më të spikatura të veprës së tyre, veçanërisht mbi atë pjesë të panjohur të krijimtarisë. Botimet e prof. Agos, karaktrizohen nga problematika, thellësia e studimit, shumësia e përgjithshme e ideve, dhe mënyra e trajtimit të tyre.

Prof. Ago Nezha është një militant i fushës së kulturës dhe edukimit qytetar. Është një krenari edhe për Shoqatën “Labëria” të ketë në drejtim një punëtor të palodhur të Kulturës, i cili ka përgatitur 15 dokumentarë bujqësor, të transmetuar në TVSH, si dhe një film dokumentar artistik për vendlindjen: “DUKATI, NJË VEND MAGJIK“. Prof. Ago Nezha ka një prodhimtari të bollshme edhe në publicistikë: 36 Artikuj shkencor, të botuar brenda dhe jashtë shtetit. Mbi 3000 artikuj të botuar në 55 organe të shtypit periodik, si në gazeta dhe revista, para dhe pas viteve 1990, dhe vazhdon të jetë aktiv me shkrime në gazetat periodike.

Pasuria intelektuale e Prof. Ago Nezhës, shtrihet edhe në arenën ndërkombëtare: Nëntë referate e kumtesa të mbajtura në Konferenca e Seminare kombëtare e ndërkombëtare. Ka qenë pjesëmarrës në konkurse dhe panaire  ndërkombëtare: Panairi “ Java e Gjelbër ”, Berlin – Gjermani, Panairi “ Polagra Food ”, Poznan – Poloni, Panairi “ Fiera Del Levante “, Bari – Itali, Panairi i “ Mekanikës “, Monpelje – Francë, Panairi Bujqësor, Selanik- Greqi, Panairi Bujqësor, Madrid – Spanjë, etj.

Përveç forumeve kombëtare, profesor Ago Nezha ka qenë edhe anëtar i Forumeve Ndërkombëtare: Nën/Kryetar i Shoqatës Mbarë Kombëtare Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, Anëtar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë (International Federation ofJournalists) me qendër në Bruksel. Anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve të Bujqësisë. (International Federation of Agrikultural Journalists), Kandidat i Byrosë Komitetit Qendror të Rinisë, etj.

Për aktivizim dhe kontribute patriotike dhe shoqërore, profesor Ago Nezha është shpallur:  “Personalitet i Shquar i Labërisë” “Personalitet i Shquar i Qarkut të  Vlorës”, “Nderi i Qarkut të Gjirokastër”, “Qytetar  Nderi i Bashkisë Orikum”,“Qytetar Nderi i Tepelenës, “Qytetar Nderi i Vlorës“ Mirënjohje nga “ Kryegjyshata Botërore Bektashiane Selia e Shenjtë“, etj. Ka merituar Medalje “Për Shërbime të Shquara Shtetërore dhe Shoqërore”, Medalje e Punës, Diplomë dhe Mirënjohje nga Shoqata e Gazetarëve të Bujqësisë, Nderi i Forumit të Mbrojtjes së Trashëgimisë Historiko-Kulturore Kombëtare etj.

Ky është edhe shpjegimi pse profesor Ago Nezha ka aftësinë dhe mundësinë të aktivizojë në veprimtari të ndryshme të Shoqatës “Labëria”, intelektualë cilësorë dhe atdhetarë që e duan Shoqatën “Labëria” dhe do ta pasojnë gjithmonë veprimtarinë e saj shoqërore. Ai ka bagazhin kulturor të nevojshëm, komunikimin e intelektualit modest dhe qytetar, si dhe vlerat e rralla të natyrës së tij  fisnike.

Prof. Ago Nezha nuk ka patur vetëm një objektivitet të spikatur në jetën e përditshme, por edhe një karakter të lartë, të bukur, të qëndrueshëm, sikundër një majë mali që i qëndroi stuhive shkatërruese, ashtu edhe prof. Ago Nezha i qëndroi ndikimeve shkatëruese ndaj natyrës njerëzore në epokën e sotme të restaurimit të kapitalizmit. Kjo është merita dhe forca e pendës së tij, por edhe e mënçurisë së tij, mënçuri, që sjell shembuj jetëdhënës e që shtrihet në të gjitha botimet e tij. Duke jetuar gëzimet dhe brengat e miqve të tij, prof. Ago prezanton shpirtin human, dashamirës, njerëzor, tepër njerëzor dhe shpesh gjatë leximit të librave të Agos, lexuesi thotë: “Lum ata që kanë patur një mik si Ago Nezha”!

Prof. Agua gëzon ndjenja simpatie e respekti që shkojnë deri edhe tek shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Vepra është ajo që mbetet vlerë e përhershme  dhe dëshmia më e sigurtë për gjeneratat e ardhshme, për punën, përpjekjet, sakrificat që kanë bërë paraardhësit, për t’i sendërtuar  idealet e mëdha të prosperitertit të popullit shqiptar. Si njohësi më i mirë i realtetit shqiptar në të dy epokat, Ago Nezha  është njëherësh edhe esteti me shije të hollë, ç’ka e dëshmojnë studimet e tij të thelluara, dhe preokupimet e tij për çështje të rëndësishme të jetës shqiptare. Me një vepër kaq të madhe, prof. Ago Nezha përfaqësohet si një Fenomen Kulturor, që karaktrizohet nga problematika, thellësia e studimit, shumësia e përgjithshme e ideve, dhe mënyra e trajtimit të tyre. Agua me punën dhe krijimtarinë e tij, është Pasuri Shpirtërore e kombit shqiptar dhe i bashkangjitet prijësve shpirtëror të Labërisë.