-Kadri Roshi më thoshte do ha peshk vetëm nëse zë vet peshk në det!
– Luftar Paja më kthen disa herë me kal derisa të kënaqet me mënyrën si ja sjell peshkun e pjekur.
-Si kam pritur Kadri Roshin, Dritëro Agollin, Panajot Panon, Ali Kastratin, por veçoj Luftar Pajën.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Ali Murrizi është një person tepër interesant. Ka qenë një atlet i rrallë dhe një trainer po kaq i rrallë në atletikë, por që ka mbetur i zhgënjyer. Kur mendonte se do kishte mbështetje nga shteti ai hasi në heshtjen totale të tij. Edhe pse mbiemrin e ka Murrizi, kudo në Shqipëri dhe më gjerë ai njihet me mbiemrin Kali. Një emër i madh në atletikën shqiptare. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Hajdaraj të Kavajës, të mesmen në Lushnje për veterinari dhe të lartën (Instituti i Fizkulturës) në Tiranë. Ka punuar si mësues dhe drejtues në shkollën e Sulzotaj. Është i martuar me Mimozën. Rrestoranti “Ali Kali” mbetet një ndër vendet më argëtuese e më të veçantë për pushuesit që qëndrojnë në Divjakë, ose ata ditorë. Atmosfera në ambientet e këtij lokali, nuk është si tek lokalet e tjerë. Absolutisht jo! Fëmijë, adoleshentë dhe të rritur përveç ushqimit të freskët, gjejnë dhe argëtimin që iu ofron i zoti i shtëpisë. Ai nuk iu shërben vetëm me kalin e tij të bardhë, por me mikun e tij besnik nis edhe argëtimet për të gjithë klientët pasi Aliu është shumë i pasionuar pas hipizmit. Ali Kali, ish rekordmeni i atletikës bënë spektakël me kuajt aq sa të shtang dhe nuk largohesh për minuta të tëra duke e parë. Ai kalëron, shërben si dhe kryen numra të ndryshëm cirku. Dhe ai ka stërvitur disa kuaj për të shërbyer një veprim i rrallë që se gjen në asnjë vend ballkanik. Ai është pronar, por që më mirë bën detyrën e kamerierit duke shërbyer me devotshmëri dhe plot mirësi të gjithë ata që frekuentojnë lokalin e tij. Por megjithatë ai sërishmi shpirtin e ka tek atletika….

-Jeta juaj është tepër interesante. Kushdo që ka lexuar apo ka shkruar për ju ka ndjerë një moment të vështirë, pasi aq e pabesueshme është veprimtaria juaj. Nga një talent në atletik në një talent në gastronomi. Kur ishit në kulmet e sukseseve, papritur e latë sportin e bukur të vrapimit, pse?!
E vërtetë! Jeta ime është shumë interesante. As vetë nuk e besoj ndonjëherë. Kisha shumë ëndrra…Shumë. Kujtoj me nostalgji vitet që u mora me atletikë. Ishte një kohë që atletika shqiptare në femra po arrinte rezultate të larta. Po bënim emër në Ballkan dhe Evropë. Por ja erdhi një moment që u dorëzova. Dëshira përballë realitetit thuhet. E lashë pasi ju dhashë shumë-shumë këtij sporti kaq të bukur dhe nuk po fitoja gjë as financiarisht, as shpirtërisht dhe pse arrija rezultate. Në vitin 1999 bëra shkëputjen përfundimtare kur me vajzat e mia isha në kulmin e suksesit. I dhashë shpirtin dhe pasurinë atletikës. I dhashë gjithçka timen më të bukur. Isha idealist, por pashë që shteti nuk interesohej fare-fare. Pra Unë si trajner kisha një rrogë simbolike dhe një mbështetje të pallogaritshme, kur në atë kohë ne ishin ndër më të mirët në Ballkan. Sportistet nuk inkurajoheshin, nuk vlerësoheshin maksimalisht kur në botë sportistet që kanë rezultate kanë trajtim special. Edhe ushqimi vlente për të dëshiruar. Atëherë çfarë të bëja? Kisha luftuar dhe punuar shumë dhe kisha lënë familjen time pa atë që meritonte. I thirra mendjes. Ishte koha t’i shërbeja familjes. U ktheva në vendlindje dhe hapa këtë lokal që shihni ju. Sporti kishte bërë që familja të kishte kaluar në radhë të dytë. Isha verbuar pas atletikës. Isha marrosur pas saj. Nuk mendoja për asgjë tjetër.

Në retrospektivë duhet të ndalemi në momentet e fillimit. Kur e ke filluar për herë të parë atletikën? Në çfarë vrapimesh dhe kush të zgjodhi për të filluar këtë sport?
Më 21 shkurt të vitit 1981 unë mora pjesë në krosin kombëtar. Pra, aktiviteti im i parë ka qenë krosi kombëtar, seleksionimin e bëri Viktor Gjermeni në Lushnjë pastaj kalova në ekipin dhe klubin e Lushnjes “Traktori”.
-Në atë konkurrim zura vend të parë. Dhe konkurrentët ishin në shkallë Republike. Ai ishte kros masiv në rang Republike në Sarandë. Distanca 10 km. Pastaj më mori direkt klubi i Lushnjes si element dhe për 3-4 vite përfaqësova ekipin e Lushnjes dhe pastaj kam shumë histori. Unë konkurroja në distancat 3000 dhe 5000 m, dhe arrita rezultatin nën kampion dhe kampion për garat e mia në Shqipëri dhe pastaj m’u dha mundësia që të vazhdoj Institutin e fizkulturës në 1997-98. Pastaj kalova një periudhë me “Partizanin” dhe “Studentin” dhe më vonë me ekipin kombëtar. Me “Partizanin” konkurrova po në garën time 3000-5000. Dhe vazhdova të isha nënkampion dhe kampion Shqipërie në vitet 88-89 deri në 90, pastaj kalova me klubin “Studenti” dhe pastaj krijova ekipin vetë. Krijova ekipin tim “Divjaka Ekspres”. U ktheva përsëri në Divjakë.
-Ëndrar e çdo atleti është të masi forcat në garat ndërkombëtare…Kur ke shkuar për herë të parë jashtë shtetit? Si je ndjerë?
E kujtoj si sot atë ditë. Një ditë që kam lotuar. Realizova një tjetër ëndërr timen. Ka qenë viti 1994, nuk më jepej mundësia më përpara pasi ishim me biografi të keqe (qesh). Një periudhë punova dhe vrapova shumë derisa arrita që të marr Institutin e Fizkulturës, sepse kisha dy faktorë negative, shtatlartësia që isha 1 e 65 dhe kriteret e Institutit ishin që duhej të isha mbi 1 e 65 i gjatë ose duhet të ishe kandidat mjeshtër. Në këtë periudhë u shpalla kampion dhe mora titullin “Kandidat mjeshtër në garat me kuaj” dhe në atletikë dhe pastaj m’u dha e drejta që mund të vazhdoja Institutin e Fizkulturës që desh u përjashtova nga shtatlartësia. Kjo ishte në vitin 1998.
…Dhe jeta ka të papritura. Kur u ktheve në Divjakë?
Sigurisht jeta të befason. Kur mendon se po arrin shumë në një drejtim. Del diçka dhe jeta merr tjetër drejtim. Jam kthyer në vitin 1993-1994 dhe pastaj krijova “Divjaka Ekspres”. Krijova grup atletike me grupmoshat nga 10-14 vjeçarë meshkuj dhe femra, por kryesisht dominova tek femrat. Rezultatet qenë mbresëlënëse, sepse sfidova ekipin kombëtar të Shqipërisë në 800-1000-1500-3000-10000-20 km. Ne kur u futëm në garim atëherë kur Divjaka ishte fshat dhe ka marrë emrin qytet në vitin 1996 me 8 mijë banorë.

Nga atletika në gastronomi. Filluat aktivitet privat. Kush e ka frekuentuar nga artistët, shkrimtarët, poetët lokalin tuaj?
Pas atletikës unë u lidha shumë me artin apo më mirë të them me njerëzit e artit. Ata më frymëzonin. Janë të shumtë njerëzit e shquar, ikona të sportit dhe artit që kanë frekuentuar dhe frekuentojnë odën-pyll këtu në Golem. Po të shumtë. Kam shumë miq këngëtarë, aktorë, profesorë, shkrimtarë, gazetarë. Së pari Luftar Paja. Këtë e kam timin. Pastaj me radhë kanë qenë Kadri Roshi, Dritëro Agolli, Panajot Pano, Ali Kastrati, apo Ahmet Golemi, Kreshnik Tartari, Pavlina Evro, e boksierët Qato dhe Keta, Irini Qirjako, Hysni Zela, Petrit Lulo, Ylli Baka, etj. Po ashtu kanë drekuar në këtë odë edhe qeveritarë e deputetë, diplomatë të huaj e turistë nga Italia, SHBA, Gjermania, Anglia, Franca, Holanda etj.
-Çfarë kujton me këta artistë diçka të veçantë që nuk e ke thënë më parë?
(Qesh). Shumë gjëra. Psh. Me Kadri Roshin bëja shumë shaka. Ai kishte shumë qejf gjuetinë e peshkut. Sa herë vinte më thoshte Ali do ha peshk vetëm po zura peshk vetë. Dhe vërtet zinte. Kur vinte me peshqit e tij i qeshte fytyra dhe më thoshte: Tani do ha për qef. Më sill raki nga ajo e mira dhe nuk do më sjellësh asgjë pa u pjekur peshqit e mi. Priste 40 minuta duke pirë pak raki sa vinte në tavë peshku i tij. Fërkonte gjoksin dhe fillonte nga kënga. Më qetësonte. Ndërsa Dritëroi më thoshte, o Ali a lexon ti? Kur kam kohë lexoj i thosha. Po çfarë lexon më shumë poezi apo romane? Poezi, poezi lexoj. Ai pinte raki dhe fillonte më recitonte ca poezi ruse. Unë habitesha me dijet e tij. Ndërsa me Luftarin kam shumë shumë situata. Ai zinte vend që t’ja sillja peshkun me kalë. Madje më kthente dy tri herë që t’ja servirja si e donte ai. Unë kthehesha me kalin derisa Luftari të kënaqej. Athere më thoshte ka lezet. Kjo është të ushqehesh si mbret.
-Ju keni një libër (në fakt të vjetër) përshtypjesh. Sa veta kanë lënë përshtypjet e tyre në këto libra?
Ah! (qesh). Janë shumë thuajse kanë arritur 82 mijë. Ta besosh. Ky libër, për nga numri i firmëtarëve, shpërndarja gjeografike e tyre dhe individualiteti i mendimeve të shprehura aty, është një enciklopedi më vete. Nësa e sa raste, kur Aliu shkon pranë tavolinave për të bërë llogarinë e shpenzimeve, është parë e dëgjuar të shprehet: “Ai fëmijë atje, kjo e moshuar, ky djaloshi këtu (për një të sëmurë), filani (emri i një sportisti…), ju që jeni i njohuri i mikut tim – dhe ndonjëherë – e gjithë kjo tavolinë, më nderuat me praninë tuaj, këtu në odën time, prandaj është në nderin tim që këtë drekë t’ua ofroj unë. Ndaj jush jam borxhli. Faleminderit që erdhët”!

Hipizmi dhe Aliu
Duke pasur pasion kalërimin, në vitin 1992, Aliu i nxitur edhe nga A. Ohri, Q. Biba dhe A.Ruçi, formoi Shoqatën e Hipizmit me anëtarë Myslim Murrizi, Miço Prifti, Mimoza Murrizi, Sokrat Labi etj. Të gjithë kanë marrë pjesë në gara lokale dhe kombëtare, kurse Aliu është shpallur edhe kampion kombëtar. Aktivitetet e kalërimit zhvilloheshin në livadhin në mbarim të pyllit, fare pranë detit. Për t’i ardhur në ndihmë kësaj shoqate, Aliu ngriti pranë pistës së hipizmit një lokal të vogël ku mblidheshin të apasionuarit e garave me kuaj, para dhe pas stërvitjes.





















