Prof. Lush Susaj: Ja si po e rrënon korrupsioni bujqësinë. Paratë e kërkimeve shkencore në duart e OJF dhe militantëve

333
Sigal

Ja si po e rrënon korrupsioni bujqësinë dhe prodhimin bujqësor

 Flet Prof. Dr. Lush SUSAJ: Paratë për kërkime dhe studime shkencore në bujqësi janë adresuar tek shoqatat dhe OJF-të e militantëve. Ja si janw grabitur përgjatë këtyre 30 viteve, fondet e BE, SHBA, Japonia, etj.

Biora Vojka

Është rrënuar kultura bujqësore, trajnimi i fermerëve dhe specialistëve të ekstensionit ka mbi 25 vite që nuk kryhet. Hendeku apo largësia midis bujqësisë shqiptare dhe bujqësisë së vendeve të rajonit dhe vendeve të BE, po rritet në mënyrë të frikshme.

Bujqësia shqiptare ndodhet në krizë. Prodhimet vendase mbyten nga eksportet. Për kushtet tona specifike bujqësia ka qenë dhe mbetet burimi kryesor i punës dhe mirëqënies edhe pse për vite me radhë u shkatërrua pa mëshirë nga dosjet fiktive me projektet, investimet, studimet, strategjitë dhe ligjet, që kurrë nuk u bënë nga profesionistët dhe as në kohën dhe mënyrën e duhur. Mbi këto probleme sjell informacionin e sotëm Prof. Lush Susaj…

 Ju flisni shumë për rrënimin e bujqësisë, por ku duket ky rrënim?

Së pari është rrënuar kultura bujqësore e fermerit dhe specialistëve të ekstensionit.

Në praktikën time të punës, edukimit dhe informimit të publikut, thelbësore dhe e pandryshueshme ka qenë dhe mbetet fjala troç dhe dëshmia e drejtëpërdrejtë e ngjarjeve dhe shembujve të jetuar në jetën dhe punën e përditshme. Duke qenë specialist i vjetër i teorisë dhe teknologjive të zbatuara në bujqësi, gjithkund dhe gjithmonë përballem me pasojat katastrofike të korrupsionit me projektet, investimet dhe shërbimet në fushën e bujqësisë. Janë pasoja që i takon dhe prek në çdo fshat dhe fermë bujqësore të Republikës së Shqipërisë. Kujtoj faktin e trishtë që përgjatë këtyre 30 viteve, Bashkimi Europian, SHBA, Japonia, etj, kanë financuar miliarda euro e dollarë projekte për të reformuar dhe përafruar teknologjinë dhe prodhimin bujqësorë me vendet e rajonit të Ballkanit, me vëndet e BE dhe SHBA. Përballë bujarisë së këtyre vendeve mike, gjithnjë kanë qëndruar injorantët dhe bandat e strukturuara të korrupsionit dhe vjedhjes së vazhdueshme  të investimeve dhe projekteve në bujqësi. Për pasojë, në çdo fshat, fermë bujqësore apo objekti agropërpunimi e tregëtimi që të shkojmë, dallohet dhe shifet në dritën e diellit fakti që bujqësia shqiptare jo vetëm që nuk është reformuar e përafruar me bujqësinë e vendeve të rajonit dhe atyre të BE, përkundrazi është larguar edhe më shumë nga standartet ligjore, teknologjike dhe prodhuese, jetike për tregun e punës, prodhimit dhe biznesit bujqësorë. Në këtë mënyrë, hendeku apo largësia midis bujqësisë shqiptare dhe bujqësisë së vendeve të rajonit dhe vendeve të BE, po rritet në mënyrë të frikshme e dekurajuese. E gjitha kjo për shkak të nepotizmit dhe sistemit të organizuar të shpërdorimit të projekteve, investimeve dhe ligjeve që kurrë nuk u bënë në shërbim të prodhimit bujqësorë dhe bujqësisë shqiptare. Për të ardhur tek disa shëmbuj të thjeshtë e të kudogjëndur. Po sjellim dy shëmbuj e ngjarje që dëshmojnë sado pakëz përmasat e kësaj katastrofe të shkaktuar nga keqqeverisja dhe korrupsioni në vite.

Përgjatë këtyre 30 viteve, Bashkimi Europian, SHBA, Japonia, etj, kanë financuar miliarda euro e dollarë projekte për të reformuar bujqësinë. Përballë bujarisë së këtyre vendeve mike, gjithnjë kanë qëndruar injorantët dhe bandat e strukturuara të korrupsionnit

A mund të flasim konkretisht cilat janë këto dy shembuj?

 

Konkretisht ju  sjell dy shëmbuj në këto dy ditët e para të vitit 2022: Me datën 6 janar 2022, i kërkuar nga kultivuesit e vreshtave të rrushit të tavolinës, shkova për të parë situatën e krasitjes dhe trajtimeve dimërore për zgjimin dhe çeljen normale të sythave. Njëlloj sikur në vitet e kaluara, situata është alarmante. Fermerët nuk kanë asnjë përvojë e njohuri bashkëkohore mbi strukturat varietore dhe as mbi teknologjinë e nevojshme për kultivarët e rinj që janë futur në strukturat prodhuese përgjatë këtyre dekadave. Pavarësisht nga fondet e vjedhura, trajnimi i fermerëve dhe specialistëve të ekstensionit ka mbi 25 vite që nuk kryhet si duhet e as nga institucionet e afta për ta bërë këtë punë. Për pasojë, kultivarët e rrushit dhe të gjitha kulturave të tjera bujqësore, gjithnjë janë shoqëruar dhe po shoqërohen me katalogje që tregojnë origjinën, potencialet prodhuese dhe veçoritë biomorfologjike në kushtet e Italisë, Kalifornisë, Moldavisë, Rumanisë, Argjentinës, dhe vendeve të tjera ku janë prodhuar e testuar. Ndërsa nuk ka askund prova fushore dhe të dhëna për testimin e tyre në kushtet e mikrozonave, nënshartesave dhe ekosistemeve të Shqipërisë. Në të gjithë botën, këto punë i kryejnë dhe monitorojnë specialistët dhe departamentët e universiteteve. Ndërsa në kushtet e një sistemi thellësisht të korruptuar, paratë për të tilla kërkime dhe studime shkencore janë adresuar tek shoqatat dhe OJF-të e militantëve. Natyrisht që nga këto shoqata nuk ka mbetur dhe nuk mund të mbetet asgjë përveç dosjeve fiktive të mbushura me broçkulla e fotografi duke pirë verë dhe raki të pakontrolluar, e që në shumë raste nuk duhet të qarkullojë e as të konsumohet në tregjet tona. Ndërsa për eksporte konkuruese ka kohë që nuk bëhet fjalë. Në këto kushte, pavarësisht nga projektet dhe lekët e abuzuara, situata mbi teknologjinë e krasitjes, mbi sistemet dhe format e mbajtjes, mbi trajtimet me fitohormone e biostimulantë të dobishëm, mbi strukturat varietore bashkëkohore, etj, është totalisht jashtë kontrollit, jashtë realitetit dhe me një përspektivë dekurajuese për prodhimin bujqësorë e blegtoral. Kështu ka qënë e kështu do të jetë për sa kohë që punët nuk adresohen tek specialistët e mirëfilltë, të cilët janë mënjanuar qëllimisht e në shërbim të vjedhjes dhe të shkatërrimit të qëllimshëm të prodhimit bujqësor vëndas. I njëjti fenomen është edhe tek strukturat varietore dhe teknologjitë bashkëkohore të prodhimit dhe marketingut të varfër të perimeve, të frutave, të mbarështrimit të gjedhit, etj.  Ndërsa rasti apo dita tjetër është ajo e datës 8 Janar 2022, ditë që shkova në Lezhë për të ndihmuar në krasitjen dhe teknologjinë bashkëkohore të shegës. Edhe në Lezhë, njëlloj si në të gjithë Shqipërinë pashë se si fermerët punonin kuturu.

Kriza në bujqësi vjen nga nepotizmi dhe sistemi i organizuar i shpërdorimit të projekteve, investimeve dhe ligjeve. Nga këto shoqata nuk ka mbetur dhe nuk mund të mbetet asgjë përveç dosjeve fiktive të mbushura me broçkulla e fotografi duke pirë verë dhe raki të pakontrolluar

Punonin pa mjete, pa kualifikime dhe pa skema bashkëkohore krasitje e shërbimesh teknologjike. Fermerët kishin shpenzuar aq shumë para për të ndërtuar pemëtoret, të cilat ishin në vitin e tyre të pestë. Ndërsa kishin bërë gabime fatale në lidhje me distancat dhe skemat e mbjelljes. Për më tepër nuk kishin parë asnjë agronom që t’i mësonte e dëgjonte në lidhje me krasitjen dimërore dhe operacionet e gjelbra. Në këto kushte me mbuloi një ndjenjë dëshpërimi kur lexova një material të përkthyer keq nga italishtja, të cilin e mbante në dorë njëri nga fermerët. Në atë material lexova se si përkthyesi joprofesionist (mediokër) kishte shkruar fjalë për fjalë: ‘Shega i formon lulet dhe frutat në luspat e majës së rrënjëve”. Shoqatat dhe militantët që marrin fondet e shërbimeve dhe ekspertizave, nuk e njohin fare bujqësinë e as specifikën e formimit të luleve dhe frutave tek shega e as tek kulturat e tjera. Për pasojë në Shqipëri nuk ka standarte konkuruese e bashkëkohore të prodhimit e as të marketingut bujqësorë e blegtoral. Shoqatat dhe militantët që gllabërojnë dhe zhgërryejnë projektet dhe investimet në bujqësi, nuk e dinë dhe nuk kanë për ta mësuar kurrë që standartet konkuruese dhe cilësia e produkteve bujqësore e blegtorale varen nga teknologjia e zbatuar në fermat e prodhimit e jo nga mashtrimet e broçkullat e shkarravitura e të palosura në dosjet e hajnisë e korrupsionit. Edhe në Lezhë, për mbi 5 orë me radhë, pashë njerëz të etur për dije, pashë punëtorët e urtë e të mrekullueshëm që mësuan se si të krasitin pemëtoret e shegës, në shërbim të ngarkesës normale me fruta dhe të standarteve europiane mbi madhësinë dhe cilësinë e frutave. Në këtë mënyrë, çdo ditë e gjithëkund shohim dhe prekim nga afër pasojat e deformimit dhe shpërdorimit të qëllimshëm të projekteve dhe investimeve në bujqësi. Në këtë mënyrë përjetojmë çdo ditë atë mënyrën se si janë nxjerrë jashtë funksionit institucionet e mirëfillta shkencore dhe specialistët më të mirë të fushave të bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare. Mbi të gjitha, jemi bezdisur nga propaganda bajate që fsheh shkëputjen e qëllimshme të Universitetit Bujqësorë nga detyrat kombëtare dhe funksionet jetike që ka patur e që duhet të ketë në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm e bashkëkohorë të bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri. Ministria e Bujqësisë dhe të gjitha organizmat e tjera të shtetit, duhet të ndërhyjnë sa më parë për të ndalur këtë praktikë shpërblimesh dhe shpërdorimesh të fondeve e projekteve që shkojnë për shoqata e militantë. Bujqësia duhet të ndërtohet mbi baza ligjore e shkencore, punë që mund të arrihet vetëm përmes profesionistëve. Abuzivizmi në bujqësi, më shumë se asgjë tjetër, ka prodhuar e do të prodhojë gjithnjë e më shumë varfëri, papunësi, konfliktualitet dhe emigracion. Është momenti për të folur troç e për të ndalur sa më parë degradimin e mëtejshëm të strukturave dhe potencialeve prodhuese që ka bujqësia dhe blegtoria shqiptare. Heshtja përballë shoqatave dhe militantëve që abuzojnë me fondet dhe investimet është dëmi dhe mallkimi më i madh për punësimin dhe fatet e ekonomisë sonë kombëtare. Ligjet dhe përvoja rajonale dhe ndërkombëtare na mësojnë që punët duhen adresuar e zgjidhur me institucione të çertifikuara dhe me profesionistë, e kurrë më me OJF-të e njohura të korrupsionit dhe nepotizmit të neveritshëm e tradicional të këtyre 20 viteve..

Bujqësia duhet të ndertohet mbi baza ligjore e shkëncore, punë që mund të arrihet vetëm përmes profesionistëve. Abuzivizmi në bujqësi, më shumë se asgjë tjetër, ka prodhuar e do të prodhojë gjithnjë e më shumë varfëri, papunësi, konfliktualitet dhe emigracion

Mbi të gjitha, jemi bezdisur nga propaganda bajate që fsheh shkëputjen e qëllimshme të Universitit Bujqësorë nga detyrat kombëtare dhe funksionet jetike që ka patur e që duhet të ketë në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm e bashkëkohorë të bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri. Ndërsa nuk ka askund prova fushore dhe të dhëna për testimin e tyre në kushtet e mikrozonave, nënshartesave dhe ekosistemeve të Shqipërisë.