Prof. Dr. Valter Shtylla:  Gjurmë të Fisnikut Arbëror Karl Topia në Ohër gjatë Mesjetës

483
Sigal

Prof. Dr. Valter Shtylla

Në gjysmën e dytë të shek. XIII në skenën e historisë së shqiptarëve fillon të përmendet familja aristokrate e Topiajve. Që në fillimet e tyre Topiajt u shkëputën nga Perandoria e shtrirë e Bizantit dhe preferuan dinastinë e Anzhuinëve të Napolit si dhe Selinë e Shenjtë të Vatikanit, së cilës i premtuan kalimin nga feja ortodokse në atë katolike. Fisnikët Topiaj patën në zotërim tokat ndërmjet lumenjve Mat dhe Shkumbin, afërsisht territori i Principatës paraardhëse të Arbërit. Mbretëria anzhuine e Napolit duke i konsideruar Topiajt që prej vitit 1272 si vasale, në vitin 1338 i njohu atyre këto shtrirje teritoriale. Pas vitit 1338 anzhuinët ndihmuan financiarisht Tanush Topinë, ndërsa vëllanë e tij Domenikun, mbreti Robert Anzhu e mbante si këshilltar në oborrin e tij. Me njohjen e sundimit në territoret e sipërpërmendura, Papa i Romës dhe mbreti Robert i Napolit, me origjinë nga provinca franceze Anzhu, i dhanë Tanush Topisë titullin Kont.
Me kalimin e kohës, u bë shkas një lidhje familjare që marrëdhëniet ndërmjet Topiajve dhe Anzhuinëve të ftoheshin. Djali i Tanushit, Andrea Topia u martua me një vajzë ilegjitime të Robertit të Napolit, e cila kalonte nga Durrësi për t’u martuar me një princ frëng në Greqi.  Më vonë, me dinakëri mbreti Robert e ftoi ciftin në Napoli duke i eliminuar që të dy.


Ndër më të shquarit e familjes fisnike të Topiajve ishte djali i madh i Andreas dhe nipi i Tanushit, Karl Topia, i cili në vitet 1359-1388 sundoi në territoret e trashëguara nga i jati. Në mesin e shek. të XIV Karli konsolidoi pushtetin e tij në trevën e njohur të Arbërit. Pushtetin e tij politik dhe administrativ ky princ arbër e siguroi dhe me vijimin e bashkëpunimit me familjen anzhuine të Napolit, sikurse dhe të parët e tij. Gjatë sundimit të tij, ai krenohej me faktin qe kishte origjinë familjare nga dera e anzhuinëve të Francës. Stema e dinastisë princërore të tij ishte luani në këmbë me tre pendët e strucit mbi kurorën e kokës. Pjesa e poshtme e stemës heraldike të Karl Topisë ishte e mbushur me zambakët trefletësh – Fleur de Lis, simboli i anzhuinëve, i njohur dhe ndër dinasti të tjera franceze. Gjatë sundimit të tij Karl Topia zhvilloi marrëdhënie të mira me perëndimin. Në vitin 1366 Republika e Venedikut e shpalli atë “Qytetar të Venedikut” duke e njohur “Zot të Arbërise në viset bregdetare të Durrësit”. Më vonë në vitin 1374, Papa i Romës i njohu Karlit titullin “Kont i Madh i Arbërisë”.

 


Karl Topia qe martuar me Vojsavën, bije e Balshajve, sundimtare të Shqipërisë së Veriut, dhe kishte një djalë me emrin Gjergj. Veç burimeve e të dhënave të ndryshme dokumentare historike, emri i Karl Topisë është i lidhur dhe me një objekt të kulturës materiale në Shqipërinë e Mesme, ku ai sundonte. Theksojmë këtu kishën e Shën Gjon Vladimirit në fshatin Shinjon në hyrje të qytetit të Elbasanit. Gjon (Jovan) Vladimiri ka qenë Princi i Zetës në fund të shek. të X-fillimi i XI. Ai qe martuar me Kosaren, bija e Perandorit sllav Samuil. Vladimiri e kishte oborrin mbretëror në fshatin Koshtanicë, në veri të manastirit “Zonja e Papërlyer” e Krajës. Manastiri i Krajës “Zonja e Papërlyer” ndodhet në bregun malazez në jug- perëndim të liqenit të Shkodrës. Prej shek. të X këtu ekzistonte kisha e Nënës së Zotit, ku në vitin 1015 u varros Gjon Vladimiri, i cili për vlerat dhe sakrificat e tij u shpall Shenjtori i parë i Zetës. Më pas, gjatë sundimit të princave të njohur arbërore Balshaj, në vitin 1413 kisha e Nënës së Zotit u transformua në manastir me emrin “Zonja e Papërlyer” e Krajës. Eshtrat e Gjon Vladimirit qëndruan në këtë manastir deri në vitin 1215 kur sunduesi i Despotatit të Epirit, Mihal Komneni (1204-16), pasi pushtoi Durrësin, i solli eshtrat e këtij Shenjti në këtë qytet. Më vonë eshtrat e Shën Gjonit u shpërngulën në kishën e Shinjonit në Elbasan, e cila mori emrin e tij. Në kohën e sundimit të Karl Topisë, kisha e Shën Gjon Vladimirit u rrënua krejtësisht nga një tërmet që goditi zonën. Mbi portën e kishës së rindërtuar pas vitit 1381 ruhej stema e familjes së Topiajve dhe poshtë saj tre mbishkrime të gdhendura në gur në gjuhët latine, greke e serbe.

 


Në këto mbishkrime përjetësohet vepra ktitore (bamirëse) e këtij Princi katolik shqiptar. Në to shprehet se Princi i Arbërisë, i gjithëlarti Karl Topia, me gjak të mbretit të Francës, ka ndërtuar nga themeli, gjatë viteve 1381- 83 këtë tempull të Shën Gjon Vladimirit. Kisha e Manastirit të Shën Gjon Vladimirit në Elbasan, vepër e Karl Topisë, prêt gjurmimet arkeologjike për sqarimin e të dhënave të reja historike, përfshirë ndoshta dhe vendndodhjen e eshtrave të Princit shqiptar në këtë tempull.
Gjurmimet e fundit bibliografike dhe reliket e kulturës materiale kanë dëshmuar për një aktivitet të këtij princi të njohur shqiptar edhe në treva në jug të luginës së Shkumbinit. Në Ohër, qendër e njohur antike – mesjetare, stacion i rëndësishëm i rrugës antike Via Egnatia, në vendin e pranë quajtur Plashnik, brenda mureve të kalasë së Samuilit, ndodhet Manastiri më i vjetër i sllavëve, ai i Shën Pantelejmonit. Deri në vitin 2000 rrënojat e këtij manastiri përbënin fazën më të hershme të një objekti arkeologjik mbi të cilin shtresëzoheshin gjurmët e disa fazave të tjera ndërtimore pasardhëse. Në vitin 893 Klementi i Ohrit ngriti në këto themele tempullin e tij, ku ky njeriu i parë i letrave në Maqedoni do të kishte dhe varrin e tij. Në shekujt që pasuan mbi themele më të hershme u ndërtua një kishë me arkitekturë të njohur në kohën e Klementit dhe Naumit. Kisha u rikonstruktua në shek. e XII dhe më pas në shek. e XIII. Në vitet që pasuan kishës ju shtuan disa kapela të vogla dhe së fundi në shek. e XIV ajo u plotësua me një narteks dhe ekzonarteks. Afresket e kishës së parë të shek. të IX të Klementit, nuk ruhen më. Fragmentet e afreskave të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike i takojnë tre periudhave të ndryshme, që lidhen me rikonstruksionet dhe zgjerimin e manastirit të Shën Klementit. Pas pushtimit të Ohrit nga turqit, kisha e Shën Klementit u transformua në xhami nga Sulltan Mehmeti II në periudhën 1466 -70, i cili pat kthyer në xhami edhe kishën e famshme të Shën Sofisë në Kostandinopojë, pa kryer këtu ndryshime esenciale strukturore, por vetëm në infrastrukturë, si në dekor, simbole etj.


Deri në vitin 2000, në Plashnik ruhej Imaret Xhamia e Mehmetit II, në dyshemenë e së cilës vëreheshin qartë fazat e hershme të kishave paraardhëse, të zbuluara nga arkeologët vendas, duke pranuar kështu bashkëjetesën e objektit arkeologjik me atë ekzistues arkitektonik, zgjidhje kjo e njohur në praktikën e konservimit dhe respektimit të monumenteve. Në vitin 2002 mbi themelet e rrënojave të kishave dhe të xhamisë është rikompozuar një kishë e re e Shën Klementit me siluetë dhe teknikë me frymë bizantine, ku në skajin jug-lindor ndodhet varri i Shën Klementit.
Në narteksin verior të kishës, pranë hyrjes në naos, restauratorët kanë ekspozuar copa afresku të gjetura gjatë punimeve të kishës së rë. Në këtë fragment afresku shihen qartë disa rrathë brenda të cilëve janë pikturuar shqiponja me dy krerë, tek të cilat ndërmjet qafave të tyre është vizatuar zambaku tresh, simboli heraldik i stemës së familjes mbretërore të anzhuinëve të Francës, i cili ndodhet dhe në stemën e Princit Shqiptar Karl Topia.
Në një artikull të tij të vitit 1961, autori sllav V. Moshin thekson se “rreth vitit 1380, plaku Gervasije, igumen i Manastirit të Shën Klementit, bashkë me vëllezërit i drejtohet Karl Topisë si Ktitori jonë i ri.”
Studiuesi i njohur nga Shkupi, Grozdanov, shprehet në veprën e tij “Portretet e Shenjtorëve të Maqedonisë gjatë shekujve IX-XVIII” se nuk përjashtohet që Topia të ketë ndihmuar Manastirin e Klementit, duke e bërë këtë manastir të fuqishëm e të pasur të Ohrit, që të kishte (pronat) nën pushtetin e Karl Topisë, i cili e rindërtoi ose ndihmoi atë. “Siç theksuam, në shek. XIV kisha e Shën Klementit ka pësuar rikonstruksionin e fundit, me shtesa narteksi dhe ekzonarteksi. Afresku i gjetur i takon dhe këtij shekulli të ndërhyrjes së fundit e mbase pikërisht narteksit verior të shtuar. Eshtë ky shekulli i sundimit dhe aktivitetit të Karl Topisë. Në vazhdim sqarohet problemi i stemës së Karl Topisë, e cila ishte me luan dhe jo me shqiponjë. Në kishën e Shën Gjon Vladimirit ka qenë një ikonë e piktorit korçar Kostandin Zografi, e vitit 1731.

Në qendër të kompozimit të kësaj ikone është figura e Shën Gjon Vladimirit e rrethuar nga të katër anët me nëntë miniskena të ndryshme. Sipër në skajin e majtë ndodhet figura e Karl Topisë në këmbë, i cili në rolin e ktitorit të kishës, tregon me dorë nga ndërtesa e kishës, që ai e rindërtoi në vitet 1381-83. Në këtë pikturë Karl Topia është veshur me një mantel të kuq mbi të cilin janë qëndisur me të verdhë disa shqiponja dykrerëshe me kurorën princërore mbi kokat. Nga kjo ikonë rezulton se edhe shqiponja me dy krerë ka përfaqësuar një simbol për princin shqiptar. Në afreskun e kishës së Shën Klementit shihet e njëjta shqiponjë e ikonës së piktorit korçar, me ndryshimin se të vend të kurorës, mbi kokat e shqiponjave në kishën e Ohrit ndodhet zambaku me tre fletë, simbol i anzhuinëve dhe i stemës së Karl Topisë. Në këtë mënyrë pas këtij ballafaqimi argumentash, vërehet një përputhje ndërmjet burimeve bibliografike dhe objekteve të kulturës materiale, gjë që dëshmon praninë e Princit Shqiptar të shek. të XIV si “Ktitor” në rikonstruksionin e fundit të kishës së Shën Klementit në Ohër, të atij të fundshekullit të XIV. Qenia Ktitor e Karl Topisë në Manastirin më të Shenjtë e më të fuqishëm të Ohrit shpreh faktin se Princi i Arbërit nga familja fisnike e Topiajve përfaqësonte një prijës shqiptar me mjaft influencë dhe me kontribute të gjera.