Prof. Dr. Lush SUSAJ:  Gjergj Kastrioti dhe detyrat e pambaruara të Bashkimit Europian

237
Sigal

Nuk janë shqiptarët ata që duan të qëndrojnë nën robërinë, influencën sllavo-otomane, por harresa e Europës

 Prova më e madhe e lidhjeve Austro-Shqiptare është ajo e betejave antiosmane të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti-Skendërbeu dhe Janosh Huniadi. Dihet fakti që përçarja dhe braktisja që vëndet e Europës i bënë Skënderbeut dhe Janosh Huniadit, solli mynxyrën e degjenerimit të gjithanshëm në Gadishullin Ilirik.

– Duke lënë jashtë investimeve dhe jashtë integrimit botën shqiptare, duket sikur Europa po përsërit edhe njëherë gabimin fatal të mesjetës. Historia e vërtetë na mëson se pushtimi osman i Shqipërisë, është shoqëruar me një barbari të pashëmbullt.

– Tragjedia Arbnore-Shqiptare ka për zanafillë dhe vazhdimësi Europën e përçarë.

 

  • Europa e Gjergj Kastriotit dhe Janosh Huniadit

Qëndresa antiosmane, vazhdimësia e gjuhës dhe plazmës tonë autoktone, si dhe krijimi i shtetit të pavarur shqiptar, kanë për bazë projektin e Gjergj Kastriotit dhe mbështetjen e paharruar e të përjetëshme të Austro-Hungarisë.

Miqësia, bashkëpunimi dhe lidhjet Austro-Shqiptare janë të vjetra, për të kulmuar tek kultprotektorati dhe më pas tek shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor 1912

Prova më e madhe e këtyre lidhjeve është ajo e betejave antiosmane të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Janosh Huniadi. Për kujtesë, bashkërëndimi i luftës dhe qëndresës antiosmane të Gjergj Kastriotit me Huniadin, zë fill që më 11 nëntor 1444 (28 Rajab 848 për osmanët). Është një bashkëpunim që ka vazhduar gjatë gjithë jetës së tyre, duke u bërë dritë dhe trashëgimi e përjetëshme në rrugën e miqësisë dhe kujdesit të Austro-Hungarisë ndaj Shqipërisë dhe të drejtave ekzistenciale e shtetëformuese të tyre. Në këtë rrugë është edhe kultprotektorati, produkt i një marrëveshje me rëndësi ekzistenciale për kombin dhe projektin politik të shtetit të pavarur shqiptar, projekt që zë fill që me Gjergj Kastriotin. Është fjala për marrëveshjen midis Austro Hungarisë dhe Rusisë, në të cilën u specifikue fakti që pas rënies së perandorisë osmane, në hapësirën e Ballkanit të krijohej shteti i pavarur shqiptar, si zgjidhja më e drejtë historike përkundrejt dëshirës ruse për formimin e një zinxhiri të vetëm të shteteve sllave. Në kontekstin historik, mbështetja e Huniadit për shqiptarët, më shumë se askund tjetër është dëshmuar në betejën e dytë që është zhvilluar në Fushë Kosovë më 18-19 tetor 1448.

Kjo betejë është zhvilluar midis ushtrisë së krishterë të komanduar nga Huniadi dhe ushtrisë osmane të komanduar nga Murati II. Edhe kjo betejë, për herë të dytë (pas betejes së parë të 28 qershorit 1389), është fituar nga ushtria e pushtuesve osmanë. Historia tregon që në këtë betejë (1448), ushtria austro-hungareze e Huniadit ka lënë 17000 të vrarë në fushën e betejës. Ndërsa ushtria osmane thuhet se pati dyfishin e ushtarëve të vrarë. Kronikanët e asaj kohe kanë shkruar: “Komandant Huiyadi la në fushën e betejës 17000 të vrarë, ndër ta, lulen e fisnikërisë hungareze”. Ndërsa kronikani hungarez, Bonfinius (1448) e përshkruan Fushë-Kosovën si një dekor të lemerishëm, ku e përshkruan me fjalët:“Toka është mbuluar me kufoma të vdekurish, trupa të bërë fertile, gjymtyrë të prera kortarë-kortarë, që i kishin bërë ujërat e Sitnicës të dilnin nga shtrati i tij….”.

Historia na mëson se qëndresa antiosmane e shqiptarëve, që në ditët e para të pushtimit otoman e deri në vitin 1912, ka qenë një histori e vështirë dhe shumë e mundimshme. Këtë mund ta kuptojmë më mirë nga fjalimi i fundit që Skënderbeu ka mbajtur në senatin e Romës me 7 janar 1467, nga ku i drejtohet Papës dhe mbretërve të përçarë të Europës me fjalët:“Vetëm unë kam mbetur o At fort i lumë, me shtetin tim të vogël e të dobët, me ushtarët e mi aq të sfilitur prej gjith atyre luftimesh, të rraskapitur prej gjith atyre betejave  sa nuk kanë më asnjë vend në trup ku të marrin plagë të reja dhe nuk u ka mbetur më asnjë pikë gjaku që ta derdhin. Dhe duke mos u mjaftuar me të këqijat, me vrasjet dhe me rrëmbimet, që është mësuar të bëjë në Azi, si dhe pa u nginjur me gjakun e krishterë me të cilin leu dhe përleu, njollosi dhe përdhosi Europën mbarë, përpiqet tani të me shkatërrojë mua, njerëzit e mi, si të qënkeshim e fundmja mbetje dëshmuese për t’u hequr qafe”

  • Europa nuk duhet të braktisë territorin as popullin e saj

Si për ironi të fatit, duke lënë jashtë investimeve dhe jashtë integrimit botën shqiptare, duket sikur Europa po përserit dhe njëherë gabimin fatal të mesjetës. Dihet fakti që përçarja dhe braktisja, që vëndet e Europës i bënë Skënderbeut dhe Janosh Huniadit, solli gjithë këtë mynxyrë e degjenerim të gjithanshëm në Gadishullin Ilirik (sot Gadishulli Ballkanik). Nga ky këndvështrim, vendet e Europës janë mëkatare dhe shumë të vonuara në hapjen sa më parë dhe pa kushte të negociatave për Shqiptarët e të gjithë rajonit të Gadishullit Ilirik. Nuk ka historian që nuk e di faktin që tragjedia Arbnore-Shqiptare ka për zanafillë dhe vazhdimësi Europën e përçarë, nga ku mbi këtë popullsi dhe territor të Europës, depërtuan dhe duket që po depërtojnë përsëri politika dhe influenca të zeza antishqiptare, antieuropiane dhe antiamerikane, sikur edhe më pare të kamufluara me demagogji dhe me ngjyrat e bukura të qilimave dhe fasadave të religjoneve. Unë mendoj se nuk ishin dhe nuk janë shqiptarët ata që duan të qëndrojnë nën robërinë, influencën dhe pasojat e pazareve dhe aleancave të vjetëra e të reja sllavo-otomane e ruso-turke. Përkundrazi, shqiptarët nuk i kanë harruar dhe nuk mund t’i harrojnë kurrë plagët e shkaktuara nga kjo histori e gjatë dhe e mbushur me pushtime, me dëbime, me krime dhe me klika banditësh e sundimtarësh të kultivuar e të rritur në hapësirën e braktisur padrejtësisht nga investimet dhe politikat integruese të Europës. Historia e Skënderbeut është historia e dhimbjeve të mëdha e të pamerituara të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Saktësisht është historia nga ku Europa duhet të kishte nxjerrë me kohë mësimet e duhura për territorin dhe për popullsinë e saj. Nuk ka asnjë mëdyshje, që shqiptarët, si askush tjetër në rajon, e duan Europën, shqiptarët janë sakrifikuar dhe janë gati të sakrifikojnë për Europën. Me të drejtë shqiptarët kërkojnë dhe presin të drejtën e tyre hyjnore – të konsiderohen dhe të pranohen ashtu siç ishin dhe janë – plazmë, gjeografi dhe kulturë e mirëfilltë e Europës. Historia e vërtetë na mëson se pushtimi osman i Shqipërisë, ndryshe nga pushtimi i vendeve të tjera të rajonit është shoqëruar me një barbari të pashëmbullt dhe me administratë fanatike, e cila u ndërtue dhe funksionoi me feudalë, me bejlerë, me administratorë, me kadilerë, me pashallarë, me bejlerë, me gazi, me gjithçka të planifikuar, të emëruar dhe të sjellur nga Azia. Jetojmë në një kohë dhe rajon ku pothuajse çdo ditë, madje edhe në rastet e vizitave të përsonaliteteve të rëndësishme politike e shtetërore, takojmë dhe dëgjojmë njerëz të paditur në fushën e historisë, të cilët ngatërrojnë otomanizmin me Turqinë dhe me përqafimin e fesë islame nga popullsia shqiptare. Mendoj se është e rendësishme që të sqarojmë faktin që Turqia moderne, nuk është dhe nuk duhet ngatërruar kurrë me pasojat, krimet dhe mynxyrën e ish perandorisë otomane. Theksoj faktin që kjo lidhje apo tezë e hedhur dhe e përgojuar aq shumë, nuk ka bazë reale e as argument historik, sepse:

Së pari,Stambolli, Turqia, njëlloj sikurse edhe vendet e tjera të pushtuara nga ushtritë me dominancë mongolo-tartare, është viktima më e madhe dhe populli më i dëmtuar nga ky pushtim. Mjafton të kujtojmë kronikat që dëshmojnë për pushtimin dhe kolonizimin e Kostandinopojës në maj të vitit 1453. Për këtë ngjarje, Tursun Beu, ka shkruar: “Para së gjithash (Sulltani), shpalli dhe njoftoi; “ Që tash e tutje kryeqyteti im do të jetë Stambolli, vendi që sheh nga dy dete dhe nga dy toka. Kushdo plebe a fisnik qoftë, që vjen me dëshirë për të banuar në Stamboll, do bëhet pronar i banesës që do zinte mes kolibeve të pabanuara, apo banesave të zbrazura të pafeve (krishterëve). Me këtë joshje u derdhën aty të kamur e të skamur nga të gjitha anët, të cilët pushtuan shtëpi, pallate e troje…Në vendet e të pafeve të pushtuar me shpatë, ai solli robërit e luftës duke ngritur aty fshatra e çifligje. Në këtë mënyrë, asnje vend nuk mbeti i pabanuar, e gjithë zona u kolonizue”.

Së dyti, turqit, për nga origjina nuk janë otomanë dhe nuk kanë asnjë lidhje gjenetike e as historike me fiset dhe ushtritë barbare që iu sulën Turqisë dhe Europës me shpatë dhe hushtë në dorë (Sami Frashëri, 1899).

Së treti, historia tregon se si të gjithë sulltanët e ish Perandorisë Osmane, kanë patur një urrejtje të madhe ndaj turqve autoktonë të cilët i kanë mënjanuar nga postet, nga politika, nga vendimarrja dhe nga drejtimi i punëve të ish perandorisë osmane. Këtë e ka theksuar edhe Hammeri (f. 316), ku ka shkruar se: “Në Perandorinë osmane, timoni i anijEs së shtetit, rrallë i besohej një personi me origjinë turke. Më shpesh ai ishte në duart e të krishterëve me origjinë: Grekë, Kroatë, Shqiptarë, Serbë, madje dhe Hungarezë apo Gjermanë”, etj.

Nga ana tjetër, historia dhe jeta e përditshme na mëson edhe faktin që otomanizmi i superngarkuar me dhunë, plaçkitje, vrasje, shfarosje dhe injorancë, nuk ka asnjë lidhje me islamin kuranorë e as me fenë islame ku besojnë dhe falën shumica e shqiptarëve. Periudha e pushtimit otoman në Arbëri ka zgjatur mbi 550 vite. Për mendimin tim është hyjnore dhe mistike mënyra se si, në të tilla kushte represioni, varfërie e barbarie,  ka arritur që të mbijetojë qëndresa, gjuha shqipe, tradita dhe plazma autoktone e fiseve të vjetëra të Ilirisë.

Në këtë mrekulli, me të drejtë themi që rrolin më të madh e ka luajtur emëri dhe vepra e Gjergj Kastriotit, si dhe bashkëpunimi dhe mbështetja e hershme dhe e vonë e Austro-Hungarisë dhe Italisë për realizimin e projektit politik të Gjergj Kastriotit.