Prof. Dr. Osman Metalla: Do shndërrojmë UAMD në promotor të zhvillimit, përmes vlerave akademike, ndërkombëtarizimit dhe mundësive të reja për studentët

31

Prof. Dr. Osman Metalla zyrtarisht kandidat për rektor të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit

Sigal

INFO

Platforma e kandidatit për rektor- UAMD  Prof. Dr. Osman Metalla 2024-2028

  • Transparencë në menaxhim.
  • Pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje akademike.
  • Ndërkombëtarizim dhe kualifikim.
  • Tranzicion digjital dhe i gjelbër.

 

Të dashur kolegë pedagogë, Të dashur studentë, Të dashur anëtarë të familjes së madhe të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës!

UAMD ka hyrë në procesin zgjedhor për të përcaktuar demokratikisht drejtuesit dhe përfaqësuesit në senat për periudhën 2024-2028. Nisur nga dëshira e mirë, përgjegjësia, vullneti dhe përkushtimi për Universitetin tonë, paraqes para jush kandidaturën për të shërbyer si Rektor i UAMD.

Ky vendim, vjen pas një procesi të gjatë të angazhimit tim në UAMD, me reflektimin dhe dëshirën për të kontribuar në procesin e nisur tashmë të transformimit të Universitetit tonë në një universitet elitar, që ofron ekselencë akademike dhe është i orientuar drejt zhvillimit ekonomik jo vetëm në rang rajonal, por atë kombëtar. Sistemi i Arsimit të Lartë sot përballet me një sërë sfidash që duhen t’i menaxhojmë dhe kapërcejmë së bashku. Rënia e numrit të studentëve, mungesa e besimit mes universitetit dhe tregut të punës, përmirësimi i vazhdueshëm i programeve të studimit për t’iu përgjigjur ndryshimeve teknologjike, si dhe sfida të tjera, kërkojnë një qasje të re, vendimmarrje kolegjiale, fleksibilitet dhe dinamizëm veprimi. Këto sfida krijojnë edhe mundësi për zhvillim.

Unë besoj fort se arsimi është fuqia më e madhe, që qëndron pas ndryshimit dhe përparimit të vendit. Si kandidat për detyrën e drejtuesit më të lartë të UAMD, angazhohem për të përfaqësuar vlerat më të larta akademike, integritetin dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të Universitetit tonë.

Ju garantoj të dashur kolegë pedagogë dhe studentë, se do të punoj me të gjithë palët e interesuara për të siguruar një mjedis arsimor, që nxit krijimtarinë, kërkimin shkencor, shkëmbimin e ideve dhe inovacionin. Do të bashkëpunoj me stafin akademik për të siguruar burimet e nevojshme për përparimin e karrierës akademike të gjithësecilit. Do të jem mbështetësi numër 1 i studentëve, duke i dëgjuar dhe përfshirë ata në procesin e menaxhimit të UAMD. Do të promovojë pavarësinë e mendimit dhe respektin për të gjithë komunitetin tonë universitar. Do të përçoj zërin tonë të përbashkët në të gjitha instancat zyrtare arsimore të vendit e më tej, në konferencën e rektorëve, forumet e biznesit dhe ato ndërkombëtare.

E pranoj me modesti përgjegjësinë për të udhëhequr këtë rrugë sfiduese drejt përparimit dhe zhvillimit të Universitetit tonë. Ju ftoj të më bashkoheni në këtë udhë, duke zgjeruar së bashku këtë vizion, pasion dhe përkushtim për ta bërë Universitetin tonë një promotor të fuqishëm të zhvillimit, transferimit të njohurive dhe përparimit të vendit tonë përmes fuqisë së dijes. Këtu s’mund të rri pa vlerësuar të gjithë kolegët e mi që drejtuan me sukses UAMD-në në këtë mandat dhe njëherazi uroj të gjithë kolegët kandidatë në këtë proces zgjedhor, në të gjitha nivelet, pa asnjë përjashtim, për sukses dhe mbarësi. Nga ky proces duhet që fituesi kryesor të jetë vetëm një: Universiteti ynë. Ju falënderoj për mbështetjen tuaj.

Me respekt, Prof. Dr. Osman Metalla

Osman Metalla

Të dashur Kolegë Pedagogë! Të dashur Studentë të Universitetit tonë!

Në këtë mandat të drejtimit të UAMD, sëbashku synojmë ta shndërrojmë Universitetin tonë në një institucion akademik gjithpërfshirës dhe të bazuar në parimet e barazisë së dijes dhe mësimit gjatë gjithë jetës, që mundëson formimin cilësor të të gjithë pjestarëve të familjes sonë të madhe universitare.

Kjo arrihet nëpërmjet ekselencës akademike, përfshirjes dhe diversitetit, ndërveprimit me komunitetin, zgjerimit të rrjetit të bashkëpunimit ndërkombëtar, zhvillimit teknologjik dhe qëndrueshmërisë ambientale, shoqërore dhe qeverisjes transparente.

Të gjitha këto, së bashku, kontribuojnë në mirëqenien personale të gjithsecilit, si dhe në forcimin e demokracisë në vendin tonë, dhe në përmbushjen e qëllimit parësor kombëtar, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Drejtimet kryesore të mbështetjes studentore do të jenë:

  • Përmirësimi i metodave të mësimdhënies dhe rritje e përdorimit të teknologjisë për të patur një mësimdhënie më interaktive me pjesëmarrje të shtuar të studentit gjatë seancave mësimore (leksione/seminare/praktika)
  • Fleksibilitet në mësim – Kjo do t’i lejonte studentët të përshtasnin oraret e tyre me angazhimet e tjera, duke bërë edukimin më të arritshëm dhe të menaxhueshëm.
  • Rritjen e mundësisë së zhvillimit të praktikave profesionale në laboratoret e UAMD-së, si dhe në bizneset partnere me të cilat UAMD dhe njësitë kryesore kanë marrëveshje bashkëpunimi.
  • Mbështetje e studentëve në bërjen e mobiliteteve të ndryshme në Universitetet partnere me UAMD, si dhe transparencë në përzgjedhjen e studentëve mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga njësitë kryesore dhe njësitë bazë. Krijimin e strukturave studentore në kuadrin e projekteve Erasmus +.
  • Krijimi i forumeve të konsultimit për adresimin e çështjeve të rëndësishme strategjike si dhe krijimi i platformave interaktive për të mundësuar një komunikim më efektiv me studentët.
  • Marrja e mendimit studentor për çështje të rëndësishme strategjike nëpërmjet anketimeve dhe sondazheve të zhvilluara me studentët.

Shumë pranë tregut të punës

Në përfundim të studimeve, studenti do të ketë jo një CV, por një portofolio të punimeve dhe praktikave të tij për t’u paraqitur në Intership apo pozicion pune.

Çdo semestër student i UAMD ngarkon në një librari dixhitale kërkimet e tij shkencore dhe projekte inovatore, të cilat nxisin punësimin e menjëhershëm.

Jetëshkrimi

Prof. Dr. Osman Metalla u lind në vitin 1964 në qytetin e Shijakut- Durrës. Ai është diplomuar në Akademinë e Marinës në Vlorë si “Navigator” në vitin1986. Mes viteve 1994 – 1995 ka studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Defence LanguageInstitute” në San Antonio, Teksas, ku është diplomuar në gjuhën angleze. Ka kryer një sere specializimesh në fushën e të drejtës detare, zbatimit të ligjshmërisë në det, zbatimin e Konventave Detare Ndërkombëtare etj.

Karrierën profesionale e ka filluar në vitin 1986 në sektorin detar. Në nëntor 1996, është emëruar Kapiten i Përgjithshëm i Porteve të RSH (1996 – 2001). Në vitin 2005, emërohet Këshilltar i Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, dhe në vitin 2006-2007, emërohet Drejtor i Politikave të Transportit Detar pranë Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve. Për periudhën 2007 – 2013 ka shërbyer në dy legjislatura si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Prof. Dr. Osman Metalla është shquar si ekspert në fushën e detarisë duke kontribuar në transpozimin e legjislacionit detar, ka marrë pjesë në një sërë projektesh të UN, UNDP, IMO, ILO, si dhe ka qenë një zë publik në çështje të rëndësisë strategjike kombëtare sikurse është ndarja e kufirit detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke, çështja e rialokimit të Portit të Durrësit si dhe tematika të tjera të rëndësishme.

Në vitin 2014 angazhohet si staf akademik me kohë të plotë pranë Fakultetit të Studimeve Profesionale dhe në vitin 2016 zgjidhet Dekan i këtij Fakulteti, detyrë të cilën e mban aktualisht. Prof. Dr. Osman Metalla është autor i tekstit mësimor të Astronomisë Detare, “Sigurimi detar dhe i marinës”, bashkëautor në tekstin “Lundrimi Detar”, dhe autor/bashkautor i më shumë se 30 publikimeve në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare të botuara në vende të ndryshme si USA, UK, Indi, Itali, Rumani, Hungari, etj., dhe një numër konferencash ndërkombëtare, rajonale, dhe kombëtare. Ai është pjesë e bordit shkencor dhe editorial te disa revista shkencore. Prof. Osman Metalla është i martuar dhe ka dy fëmijë.