Prof. Dr. Lavdosh Ahmetaj: Makiaveli dhe analiza se si duhet të jetë udhëheqësi

577
Sigal

E lumtur mund të quhet ajo republikë së cilës i bie në short një njeri aq i urtë sa t’i japë asaj ligje të mirërenduara

Makiaveli dhe analiza se si duhet të jetë udhëheqësi

Prof. As. Dr. Lavdosh Ahmetaj

Dhe ky është rrethi në të cilin duke u qarkuar, të gjitha republikat janë të qeverisura ose vetëqeverisen. Në mënyrë të tillë që, pasi atyre u duhet me maturi të hartojnë ligje, duke e njohur këtë mangësi, secili iu shmang këtyre rasteve për vetveten, duke zgjedhur njërin që të merrte pjesë për të gjithë, duke e gjykuar më të vendosur dhe më të qëndrueshëm.

Republikës romake, Makiaveli, pas përshkrimit të ciklit tripolitikos (në të cilin rikujton, si tek Herodoti, i kushton këtë analizë:

E lumtur mund të quhet ajo republikë së cilës i bie në short një njeri aq i urtë sa t’i japë asaj ligje të mirërenduara. Mes atyre që kanë merituar më tepër lëvdata për struktura ligjore të tilla, është Likurgu. Por vijmë në Romë, e cila nuk ishte kundër që të kishte një Likurg, megjithatë pati shumë të papritura që lindën në të, prej ndasisë që kishte mes Plebenjve dhe Senatit, sa atë që nuk e kishte bërë një organizues, e bëri rasti.

Unë them se ata që dënojnë trazirat mes Fisnikëve dhe Plebenjve, më duket se qortojnë ato gjëra që ishin shkaku kryesor që e mbajti Romën të lirë, dhe se llogarisin më tepër poteren dhe britmat që shkaktonin trazira të tilla, se rrjedhojat e mira që ato sillnin; dhe se nuk marrin në vlerësim se si ka në çdo republikë dy gjendje shpirtërore të ndryshme, ajo e popullit, dhe ajo e të mëdhenjve; dhe se si të gjithë ligjet që bëhen në përkrahje të lirisë, lindin nga ndasia e tyre, siç mund të shihet lehtësisht se është vijuar në Romë; sepse nga Tarkuinët e deri tek Grakët, që janë më tepër se treqind vjet, trazirat e Romës rrallëherë shkaktonin mërgim dhe mjaft rrallë gjak. Dhe nëse trazirat ishin shkasi i krijimit të Tribunëve, meritojnë lavdet më të mëdha; pasi, përveçse i japin pjesën e tij administrimit popullor, ishin krijuar si rojtarë të lirisë romake.

Nga tema e Princit (personaliteti i veçantë si Likurgu, për Spartën; ndikimi i fatit-rast, për Romën), kalohet në atë të Ligjëratave: roli i grupeve shoqërorë dhe i institucioneve. Ndeshim përsëri të përmendet tribunati i plebenjve, me një kuptim intuitiv të përpiktë të rolit të asaj që do të mund të përcaktohej “opozitë konstitucionale” për të kontrolluar tensionet brenda sistemit. Është ky kontroll tensionesh që redukton rrezikun e luftës civile, deri në krizën e simbolizuar me emrin e Grakëve.

Mungon në këtë vizion konkret të rolit të opozitës brenda sistemit, ajo që do të jetë arritja (konceptuale, një shekull më pas; praktike, në shekujt pasues deri në shekullin XX) e mendimit liberaldemokrat: opozita që mund – përherë brenda sistemit – të bëhet qeverisje alternative. Partia “popullore” që zëvendëson në qeverisje atë të “optimatëve”, pa u shndërruar në diktaturë ushtarake më parë dhe principatë më pas (ajo që ndodhi mes Gaj Marios dhe Augustit, në perëndimin e “republikës” së Romës).

Ky evolucion konceptual i mendimit politik tek Makiaveli është kuptuar qartësisht nga një prej studiuesve më të mëdhenj në nivel europian, Xhenaro Saso. Ai shkruan: “Rrjedha historike që pa Makiaveli, i përqendruar në ndërtimin e teorisë së republikës dhe pastaj atë të principatës, pasqyrohet në librin e parë të Ligjëratave që shtjellon atë të “kalimit” (kalim problematik) nga republika “e shthurur” në rrugëdaljen “mbretërore”. Dhe prandaj kuptohet se, nëse në mendjen e Makiavelit, apo nëse parapëlqehet, në këtë shqyrtim të posaçëm të tij, principata presupozon krizën e republikës, dhe lind vetëm kur kjo ka arritur në format e skajshme të korruptimit dhe të degjenerimit – kjo është atëherë “koha reale” e procesit që duhet ta mbajmë parasysh, ta shqyrtojmë dhe, nëse është e mundur, ta kuptojmë. Pika e vetme që duhet përpjekur të kuptohet është se, sido që të jenë të përcaktuara dhe të ardhura në radhë, ndërkohë, hartimi i Princit dhe i Ligjëratave, principata nuk mund të lindë, në këtë hulumtim të posaçëm makiavelian, nëse republikat nuk kanë prekur cakun e skajmë të degjenerimit, të dekadencës apo, në terma “teknikë”, të korrupsionit. Për këtë arsye orvatja e tij polemike dhe njëkohësisht konstruktive, kërkon të interpretojë në dritën e historisë brenda republikës së parë romake (nga tribunati i plebenjve tek Grakët), dy shekuj të historisë fiorentine dhe italiane – atë periudhë të acaruar luftërash dhe përmbysjesh të brendshme që, prej konfliktit të partive dhe të grupeve shoqërore, kishte përfunduar, në ditët e saj, në një katastrofë gjigante[1]. Dhe mbi përvojën tragjike të asaj historie lind atëherë koncepti makiavelian i shtetit “të lirë”, të një shteti që ka në themel garën aktive dhe antagoniste të forcave politike që përfshihen në gjirin e tij, dhe me po ato luftëra mes klasave dhe “partive”, di të bëjë pra instrumentin që të kontrollojë “legalisht” forcën e “pozitave” të tij”.

Sabini kufizohej të vinte në dukje se dy librat kishin qenë të dy të përfunduar në vitin 1513.

Lindi më pas një debat, shpeshherë teorik, mbi kohët e hartimit. Saso, duke dalluar qartë “kohën reale”, sqaron më tej karakterin modern të Makiavelit: kontroll legal të forcave shoqërore nëpërmjet partive, për të shmangur korruptimin e republikës (shtet “i lirë”), korruptim që është parakusht i principatës autoritare. Shteti i lirë i përzier do të merret më tej në kuptimin e “mbretit në parlament” të “revolucionit të lavdishëm” anglez (1688); dhe më pas në atë të miratimit të të gjithëve, (votim i zgjeruar dhe më pas i përgjithshëm për drejtimin e të paktëve (parlamenti), me një lider me autoritet (njëshi) në drejtimin e qeverisjes.

Është domethënëse që pikërisht Ligjëratat nxisin kritikën e kujdesshme të Francesko Guiçardinit. Bashkëkohës i Makiavelit, funksionar jo i një republike (fiorentine), por i papës, Guiçardini nuk shqetësohet për probleme të rrezes së gjerë si raportet mes principatës autoritare dhe republikës, e cila bazohet mbi miratimin dhe që mund të vihet në krizë nga korrupsioni. Vëzhgues i mprehtë i realitetit bashkëkohës, në Librin e parë të konsideratave rreth “Ligjëratave” të Makiavelit, ai sjell në historinë e mendimit politik një riparashtrim të qeverisjes së përzier, në kuadrin e një parapëlqimi për monarkinë dhe një realizmi vlerësimesh saktësisht në lidhje me karakteristikat e republikave, përfshirë atë romake.

Dhe nuk ka dyshim se qeverisja e përzier e tre llojeve, princër, optimatë dhe popull, është më e mirë dhe më e qëndrueshme se një qeverisje e thjeshtë e cilitdo prej tre llojeve, dhe shkalla më e lartë kur është e përzier në mënyrë që prej cilitdo lloj është marrë më e mira dhe është lënë pas e keqja; që është pika ku duhet të bëhet kujdes, dhe ku mund të qëndrojë mashtrueshëria e kujt i rendit ato. Dhe për të folur më hollësisht për këtë parim, them se fryti i qeverisjes mbretërore është se, shumë më mirë, me më tepër rregull, me më tepër shpejtësi, me më tepër fshehtësi, me më tepër vendosmëri, qeverisen punët publike kur varen nga vullneti i një njeriu të vetëm, se kur qëndrojnë nën vullnetin e të shumtëve. E keqja këtu qëndron se, nëse bie në një person të lig, duke pasur pushtet të papenguar për të bërë keq, të gjithë atë autoritet që i është dhënë për të prodhuar fryte të mira e shfrytëzon për të këqija; kështu nëse është i mirë por i mangët, lindin për shkak të plogëtisë së tij shthurje të pafundme. Por edhe sikur mbreti të bëhej nëpërmjet zgjedhjes, e jo prej trashëgueshmërisë, nuk ka siguri të plotë prej këtyre rreziqeve, sepse kush zgjedh shumë herë mund të mashtrohet, duke quajtur të mirë apo të urtë dikë që ka tjetër fat dhe madhësia e pushtetit apo e lirisë së tepruar ndryshon shpesh natyrën e atij që është zgjedhur, e aq më keq nëse ka bij, është e vështirë të mos dëshirojë t’i ketë trashëgues; gjë që, kur është mbret me pushtet absolut, vështirësisht mund t’i ndalohet, edhe po të jetë kundër organizimit të mbretërisë, por mund ta arrijë atë veçse me mjeshtri dhe mjete jo të lavdërueshme. Në qeverisjen e optimatëve është kjo e mirë, që, duke qenë më shumë, nuk munden kaq lehtë të bëjnë një tirani ashtu si një njeri i vetëm. E keqja është se, duke u ndjerë autoriteti i madh, favorizojnë ato gjëra që janë të dobishme për ta dhe shtypjen e popullit; dhe duke mos pasur fund ambicia e njerëzve, për të përmirësuar kushtet e tyre, prishen me njëri-tjetrin dhe bëjnë kryengritje, prej nga lind ose nëpërmjet tiranisë ose në ndonjë mënyrë tjetër rrënimi i qytetit. Në qeverisjen e popullit është e mirë, se ndërsa zgjat nuk ka tirani; munden më tepër ligjet se njerëzit; dhe qëllimi i të gjithë vendimeve i përket të mirës së përgjithshme. E keqja këtu është se, populli prej padijes së tij nuk është i aftë të vendosë për gjërat e rëndësishme, dhe prandaj shpejt rrezikohet një republikë që ia beson punët konsultës së popullit; është e paqëndrueshme dhe e dëshirueshme përherë për gjëra të reja, dhe megjithatë e lehtë të nxitet dhe të mashtrohet nga njerëzit ambiciozë dhe turbullues; shtyp me vullnet qytetarët cilësorë, çka i nevojitet për të kërkuar risi dhe trazime.