Prof. Dr. Emine Sadiku: Çamëria dhe Kosova, genocid pa ndëshkim

26

Mendime dhe reflektime mbi librin e autorit Hyqmet Zane.

Prof. Dr. Emine Sadiku, Bonn,
Sigal

Telegraf.al / Libri – „Çamëria dhe Kosova – Genocid pa ndëshkim“ të autorit Hyqmet Zane është një ribotim i përmirësuar, i cili ka të bëjë me disa shtesa, ndryshime dhe përmirësime të llojit përmbajtjësor dhe gjuhësor. Ndër ndryshimet dhe shtesat do të përmendnim si : Rrëfime të tjera të personave- dëshmitarë okularë të masakrës ndaj etnosit çam, blloku i plotë i memorandumeve për çështjen çame, bllok kujtimesh të kosovarëve – dëshmitarë okularë të genocidit serb ndaj etnisë kosovare, si dhe artikuj, të shkruar kohët e fundit nga autori, Hyqmet Zane, mbi ngjarje kontemporane si hetimi nga Gjykata Speciale i drejtuesve të UÇK- së etj.

Me materialin e bollshëm të prezantuar në këtë botim mund të shkruheshin dy libra, një me tematikë tragjeditë çame dhe tjetri mbi bëmat çnjerëzore në Kosovën e persekutuar në shekuj. Në këto materiale “gjëmon” historia e tmerrit dhe e dhimbjeve të dy genocideve, por shkëlqen ndër rrjeshta shpresa për drejtësi finale, për zgjidhjen optimale të problemeve të mbetura pezull. Përveçse shpresë është një thirrje, nganjëherë e dëshpëruar, për të mos harruar. Për krime të tilla nuk ka falje, as amnisti. Mungesa e drejtësisë, e hetimit, e gjykimit dhe e dënimit nga instanca kompetente të genocidit çam në mesin e shekullit të 20-të, e lë çështjen dhe problemin e popullatës çame gjithnjë të mprehtë e të nxehtë si në fillimet e saj.

Autori synon të paraqesë një informacion sa më autentik duke i dhënë punimit karakter dhe ngjyra të një studimi historik sjellë në mënyrë rrëfimtare dhe më pak argumentuese.

Është një punë madhore dhe e lavdërueshme është bërë nga autori me burimet e informacionit. Burimi kryesor janë rrëfimet e dëshmitarëve okularë, të cilëve u shtohet dokumentacioni dhe literatura e gjerë që përdoret për argumentim dhe ilustrim. Vlen të theksohet se dëshmitë gojore, dokumentet dhe literatura, që përdoren nga autori, janë krejt të qarta, nuk lejojnë asnjë mëdyshje kuptimore dhe vijnë si një akuzë gjigante ndaj një krimi të shëmtuar, unik në historinë njerëzore.

Një vlerë tjetër e punimit të Zanës është gjuha. Në të gërshetohen e bashkveprojnë gjuha e përditshme, elemente të shumta të stilit gjuhësor të veprimtarisë historike, figuracioni i fuqishëm me domethënie e shprehësi të veçantë. Gjithçka rrëfehet dhe shtjellohet nga subjektet dëshmuese. Autori shmang komentet, analizat dhe interpretimet subjektive dhe shpesh ndërhyn me tonin e fortë të revoltës pasi nuk mund të jesh vërtet indiferent kur historitë, që tregohen, ulërijnë vetë; krimet barbare shpërthejnë çdo kornizë ligjërimore që synon t’i përmbajë me rendin dhe objektivitetin e materies gjuhësore.

Filozofi gjerman Karl Jaspers, pas mbarimit të luftës së dytë botërore, zhvilloi teoritë e tij mbi fajinku ai dallon katër lloje fajesh: faj kriminal, faj politik, faj moral, faj metafizik. Për secilin faj jep përkufizimin dhe instancën përgjegjëse – gjykuese.

Faji kriminal ka të bëjë me shkeljen flagrante të ligjeve dhe është objektivisht, lehtësisht i provueshëm dhe instancë përgjegjëse – gjykuese, sipas Jaspers, është gjyqi/gjykata.

Faji politik prodhohet nga veprimet e burrave të shtetit, e politikave të ndjekura si pasojë e të cilave vuajnë bashkëkombësit, të cilët (nga ana e tyre) janë dhe bashkëfajtorë për regjimet politike në të cilat jetojnë. Për fajin politik gjykimi – dënimi bëhet me dhunë ose nga fitimtari në raste konfliktesh ushtarake.

Faji moral. Për çdo veprim tonin ne mbajmë përgjegjësi morale. Këtu përfshihen dhe veprimet ushtarake dhe politike. Asnjëherë nuk është justifikim urdhëri. Se krimet mbeten të tilla edhe kur janë bërë me/nën urdhra politikë a ushtarakë. Faji moral gjykohet nga ndërgjegjja (ose si faji kriminal).

Për fajin metafizik Jaspers thotë se, ne njerëzit kemi pjesën tonë të fajit për krimet që ndodhin përreth nesh, në kohën tonë, kur ne nuk bëjmë aq sa mundim për të penguar një padrejtësi, dhe këtë faj e gjykon zoti vetë.

Po të analizonim krimet e bëmave të prezantuara në librin e Hyqmet Zanes, po t’i kategorizonim ato sipas skemës së K. Jaspers, do të rezultonte që terroristët grekë dhe serbë, me veprimet e tyre, i kanë ezauruar të gjitha llojet e krimeve.

Për çështjen dhe masakrën çame mungon qëndrimi i instancave përkatëse

Hyqmet Zane, autori i këtij libri, monument i historisë tragjike të shqiptarëve të Çamërisë, ngre zërin dhe apelon për drejtësi, për gjykim e dënim të kësaj së keqeje radikale. Edhe pse historia moderne hesht, edhe pse instancat dhe institucionet përgjegjëse europiane mungojnë të merren me genocidin, çështjen dhe problemin çam, ai jeton ende në përjetimet, kujtimet dhe kujtesën e popullatës çame dhe e shumë dëshmitarëve, studjuesve seriozë e të ndershëm etj. Le të besojmë se e drejta vonon, por nuk harron.

Tetëdhjetë –vjet gjenocid grek pa ndëshkim

Nga Ahmet Mehmeti

Historia e Çamërisë nën pushtimin grek filloi që në vitin e mbrapsht 1913, kur me pabesinë e Fuqive të Mëdha, për interesat e tyre të ulta e çnjerëzore, që atëhere e për një kohë të gjatë në vijim, ishin gati t’ja ngulnin thikën në fyt njera tjetrës, të molepsura me frymën dhe mentalitetin kolonialist, ja dorëzuan trojet shqiptare si dhuratë shtetit terrorist e racist grek. Në një mënyrë origjinale dhe krejt ndryshe na vjen libri “Çamëria dhe Kosova, Gjenocid pa Ndëshkim” i Hyqmet Zanes, gazetar i mirënjohur dhe hulumtues investigativ që na i sjell ngjarjet, bëmat dhe gjëmat, drejt për drejt nga goja e dëshmitarëve okularë, atyre që i kanë provuar në kurriz ose i kanë parë me sytë e tyre, në kohë reale, kanë mbajtur shënime dhe kanë lënë dëshmi me shkrim e me firmë. Ka pasur kritika edhe nga dashamirës tanë të huaj që ne shqiptarët na e shkruajnë të huajt historinë tonë. Me këtë libër të Hyqmet Zanes rezulton se ka edhe një mënyrë kur vetë luftëtarët ose ata që kanë pësuar dhe vepruar në kushte nga më ekstremet janë përpjekur dhe kanë arritur të japin me shkrim fakte me rëndësi historike që jo vetëm dëshmojnë, por edhe rrëzojnë dizinformimet dhe gënjeshtrat me forcën e të dhënave e të argumenteve për realitetin nga fushat e betejave dhe nga zjarri i luftës. Dëshmitarët okularë në këtë libër të Hyqmet Zanes si Mehmet Izeti nga Filati, Xheladin Abdullai nga Galbaqi, Adem Osman. Hamiti dhe Zija Xhelo nga Vërsela, Ilfane Mehmeti (Gaxheli) nga Filati, Gani Bilal Abdullai nga Galbaqi e shumë të tjerë janë ata që kanë mbajtur shënime ose kanë rrënjosur në kujtesë  historitë personale ose të të afërmve të tyre, të njësive luftarake ku kanë marrë pjesë vetë ose gjatë internimeve e dëbimit biblik, duke i çrrënjosur nga trojet mijëvjeçare, me të vetmin shkak për të grabitur trojet e pasuritë e tjera të tyre.