Prof. Dr. Bashkim Baholli: Robert Progri – Njeriu, pedagogu dhe shkencëtari i shquar

778
Prof. Dr. Bashkim Baholli
Sigal

Pak ditë më parë u nda nga jeta Prof. Dr. Robert Progri për të hyrë në Panteonin e mendimtarëve dhe veprimtarëve të shquar të kombit tonë, përkrah vëllezërve Gazuli, inxhinierit famëmadh Karl Gega, Gjovalin Gjadrit, Kiço Negovanit, Besim Dajës, Fehmi Shehut,Tahir Haxhiymerit, Dhimitër Mihalit, Farudin Hoxhës, Eshref Pumos. Për të zënë vendin e mendimtarit të shquar, studiuesit, projektuesit, eksperimentuesit të përcaktuar në hapësirën e komplikuar të mekanikës teorike dhe të derivateve të saj në hapësirat e mikrokontakteve, të fenomeneve të plasticitetit, elasticitetit, e të tjera. Robert Progriu rrit në periudhën e vrullshme të ngritjes se arsimit shqiptar në nivelet universitare në përgjithësi dhe ato me të koindicionuara inxhinerike në veçanti. Kështu ai u rreshtua në radhët e para për t’iu përkushtuar detyrave të kohës. Përfundoi me rezultate të shkëlqyera fakultetin e inxhinierise mekanike duke dhënë dëshminë e përgjegjësisë së lartë morale ndaj kombit dhe motivimit për nga më e suksesshmja mundësi. Një patriot i denjë dhe shembull për brezat e tij dhe të atyre në vazhdim për t’u ngritur në lartësinë e detyrës për konsolidimin e vendit tonë si vend me ekonomi dhe teknologji bashkëkohore, me qëllim që dija të përcaktonte konceptimin e ekonomisë së vendit dhe orientimin moral politik dhe social të cilitdo në rolin e tij. Me mbarimin e ciklit universitar të inxhinierit mekanik Roberti emërohet pedagog në fakultet dhe aktivizohet si mësimdhënës (leksione dhe ushtrime) në nivel universitar dhe pasuniversitar në disiplina të rëndësishme të formimit të inxhinierit: mekanike teorike, rezistencë të materialeve, tolerancë dhe matje teknike, teori elasticiteti, metoda numerike në mekanikë. Një vërshim polivalent në botën e konstruksioneve të mekanizmave dhe makinave dhe në sinergjine e tyre me problemet e mëdha të teknologjive të prodhimit. Një shtrirje e tillë, të cilën e përballoi me sukses të dukshëm, kërkonte një shtrirje paralele të thelluar në kërkimin shkencor në bazat e fenomenologjisë të disiplinave konstruktive. Filluar kështu me studime të matematikës së zbatuar në mekanikë të paraqitura në tezën e studimeve të thelluara ( Njohur DEA Diplomë e Studimeve të Thelluara) mbrojtur në vitin 1975 në Institutin e Studimeve ( INSA) në Lion. Vazhduar me Modele Teorike të Mekanikës së Kontaktit në fushën e Tribologjisë konkluduar në tezën e doktoratës mbrojtur në 1983 në Institutin Superior të Materialeve dhe Konstruksioneve Mekanike (ISMCM). Më tej akoma pas një viti mbron tezën e Doktorit të Shtetit në Universitetin Pierre e Mari Kyri. Doktor shteti në Francë është një titull i shkallës më të lartë, të cilin e mban vetëm Robert Progri. Robert Progri është i vetmi shqiptar që mban këtë titull të lartë në fushën e Fizikës dhe Tribologjisë.

Në vitin 1991 për vlerat e tij të veçanta Roberti u ftua të punojë si profesor dhe punonjës shkencor në Institutin e Materialeve dhe Konstruksioneve Mekanike  Franceze në Paris.

Në këtë periudhë të vrullshme ai shkroi dhe botoi vetëm dhe me bashkëpunëtorë të njohur në revista teorike dhjetëra artikuj shkencorë, në të cilat trajtohen probleme bazore tribologjike ( të mekanikës së kontaktit , të komportimit elastoplastik të mikrogjeometrisë (ashpërsisë) të siërfaqeve të kontaktit e të tjera. Mori pjesë dhe prezantoi studiues në konferenca e seminare shkencore ndërkombëtare. Sukseset e tija në këto vite, kur bota e përparuar është orientuar për nga konsolidimi i sistemit ekonomik postkapitalist, të dijes, asnjëherë nuk kanë tërhequr vemendjen e shtetit dhe institucioneve akademike. U la për 30 vite në harresë. Dhe kjo e lodhte shpirtin e tij krijues, shpirtin e tij atdhetar. Një paturpesi e presidencës për një nderim.

Është diçka e pakuptueshme në veprimtarinë e këtyre institucioneve diçka që e lodh shpirtin krijues të Robertit, shpirtin e tij atdhetar dhe që të le shije të hidhur pikëllimi tek miqtë e tij .

Po huazoj nga historia: Nderi i tij nuk ka patur nevojë për ato, por ato kanë nevojë për veprën dhe nderin e tij. Breza të terë studentësh e bashkëpunëtorësh të profesor Progrit do të ruajnë në zemrat e tyre kujtimin për të dhe në mendjet e tyre vlerat e krijimtarisë shkencore, botuese , vlerat e lektorit shembullor, metodist, udhëheqës studimesh, shef katedre.

NDERIMIN ME TE MADH!