Eksperti Fadil Kepi për ushtarakët/ Ja si të llogaritni pensionin suplementar, pagesa kalimtare dhe njohja si vjetërsi pune e shërbimit të detyrueshëm në policinë e shtetit. Përfitimet e minatorëve, ish-kooperatvistëve, mësuesve, emigrantëve dhe elektricistëve

969
Sigal

Njohja e periudhës së studimeve të larta si vite pune për pension dhe procesi gjyqësor për rillogaritjen e tij. Përfitimi për minatorët e nëntokës, ish-kooperativistët, mësuesit, emigrantët dhe elektricistët

 

Ushtarakët/ Ja si të llogarisni pensionin suplementar dhe njohja si vjetërsi pune: e shërbimit të detyrueshëm në policinë e shtetit dhe pagesës kalimtare

 

Baza ligjore dhe procedura e rillogaritjes së pensionit

Pyetje

Znj. Tefta Zota nga Fieri me banim në Rodos të Greqisë shkruan: Jam e datëlindjes 20.04.1957, dhe pasi punova 15 vjet e siguruar dola në pension të pjesshëm, por nuk jam dakord me masën e pensionit. Të njëjtën kërkesë ka edhe z. Guri Zoto, i cili ka dalë në pension në Fier, në moshën 65 vjeç në datën 15.02.2014, me 19 vjet e 7 muaj punë të siguruara. Meqenëse të dy nuk janë të bindur me masën e pensionit, në letrat e tyre dërguar gazetës Telegraf, pyesin cila është baza ligjore dhe procedura që duhet të ndjekin për rillogaritjen e pensionit?

Përgjigje

Zonja Tefta ka marrë pension minimal, pasi kur plotësoi moshën e pensionit kishte vetëm 15 vjet punë të siguruara, ndërsa zoti Guri ka marrë pension të pjesshëm, mbasi nga 35 vjet punë të siguruara që duhet të kishte për pension të plotë, ai ka pasur vetëm 19 vjet e 7 muaj. Në këto kushte, bazuar në nenin 86 të ligjit të sigurimeve shoqërore, çdo pensionist pavarësisht vendbanimit të tij ka të drejtë t’i bëjë ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Fier (për rastin konkret) dhe të rretheve të tjerë sipas rastit, duke parashtruar pretendimet e tyre që kanë për masën e pensionit. Pavarësisht se ku banojnë, brenda ose jashtë vendit, sa herë indeksohen pensionet me vendim qeverie në vendin tonë, rriten edhe pensionet e personave që jetojnë të jashtë shtetit. Nëse nuk bindeni me përgjigjen zyrtare të dy komisioneve të mësipërme, keni të drejtë t’i drejtoheni Gjykatës Administrative në Shqipëri.

Llogaritja e pensionit suplementar për ushtarakët

Pyetje

Zoti Beqir nga Tropoja me banim në Tiranë në mesazhin e tij sqaron: Jam i datëlindjes 7 korrik 1956 dhe mbasi punova ushtarak 15 vjet e 8 muaj, dola në rezervë, dhe për rrjedhojë përfitova për dy vjet pagesë kalimtare dhe pastaj pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension pleqërie, sa vite pune të siguruara duhen gjithsej dhe si llogaritet pensioni suplementar?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension pleqërie 65 vjeç më 7 korrik 2021, dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen gjithsej 37 vjet e 4 muaj punë të siguruara gjithsej në vendin tonë nga mosha 16 vjeç, përfshirë dhe kohën që keni përfituar pagesë kalimtare dhe atë të pensionit suplementar. Gjithashtu, sipas nenit 16 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, do të përfitoni dhe pension suplementar si ushtarak, i cili llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto për çdo vit të plotë pune, të cilën do ta merrni në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe do ta dërgoni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, ku do të dorëzoni dokumentet e pensionit.

Pensioni për ish-kooperativistët

Pyetje

Zoti Elmaz Isufi nga Gjirokastra shkruan: Jam i datëlindjes 23 mars 1954 dhe kam 41 vjet e 1 muaj punë të siguruara, nga të cilat 20 vjet në ish-kooperativë bujqësore, 27 muaj ushtar dhe 18 vjet e 6 muaj kam bërë sigurime vullnetare. Pyes, kur dal në pension dhe si llogaritet ai?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e keni plotësuar në 23 mars të këtij viti, dhe për pension të plotë shteti duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara nga mosha 16 vjeç në vendin tonë. Viti i plotë pune për pension, në ish-kooperativën bujqësore për burrat, quhet kur keni realizuar 280 ditë pune në një vit të plotë kalendarik ose 24 ditë pune në muaj. Sipas ligjit të sigurimeve shoqërore masa e pensionit nuk ka kufi maksimal, por varet nga shuma e viteve të punës dhe paga mesatare bruto mujore e të gjithë periudhave të siguruara mbasi sigurimet shoqërore i kanë shumëzuar me koeficientët të përcaktuara nga qeveria. Përveç pensionit të pleqërisë, nëse jeni dy pensionistë, sipas certifikatës të gjendjes familjare, keni të drejtë të aplikoni për të përfituar kompensim të energjisë elektrike. Sqarime më të hollësishme do të merrni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Gjirokastrës.

Ripunësimi dhe shtesa e pensionit për mësuesit

Pyetje

Jam një mësuese nga Tirana që kam punuar në shkolla shtetërore 37 vjet dhe në qershor të vitit 2018 dola në pension të plotë. Në janar të vitit 2019, rifillova punë në një shkollë private dhe paguaj rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Pyes, kur ta lë punën a do të marr shtesë pensioni?

Përgjigje

Pensionistët kur ripunësohen në sektor privat përfitojnë pensionin dhe shtesat apo indeksimet që i bëhen pensioneve me vendime Qeverie, shpërblimin e vitit të ri dhe rrogën atje ku janë ripunësuar, por janë të detyruar të vazhdojnë të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore njëlloj sikur nuk kanë dalë në pension. Për vitet që ju punoni mbi moshën e pensionit dhe paguani kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore nuk përfitoni pension shtesë.

Kur përfitohet shtesa pas fitimit të gjyqit për rillogaritjen e pensionit

Pyetje

Një pensionist nga Peshkopia në letrën e tij trajton këtë problem: në shtator të vitit 2017, plotësova moshën e pensionit 65 vjeç dhe sipas librezës së punës kisha 37 vjet punë të siguruara. Sigurimet shoqërore më dhanë pension të pjesshëm për 34 vjet punë me pretendimin se për 3 vjet nuk gjendeshin dokumentet. Për këtë arsye u detyrova t’i drejtohesha gjykatës, e cila më 20 mars të këtij viti vendosi në favorin tim. Pyes, nga cila datë do ta marr shtesën e pensionit, nga dita që plotësova moshën 65 vjeç apo nga dita që ka vendosur gjykata këtë vit ?

Përgjigje

Sipas nenit 62 të ligjit të sigurimeve shoqërore, ju shtesën e pensionit do ta përfitoni nga dita që ka vendosur gjykata dhe indeksimi i pensionit më 1 prill të këtij viti në masën 2,8% do t’ju bëhet mbi shumën e pensionit të plotë që do të llogarisin sigurimet shoqërore, sipas vendimit të gjykatës…

Për më tepër lexoni “Telegraf”