Prof. Dr. Agron F. Fico,H.C
Në një punë kërkimore në Arkivin Qendror të Shtetit, Delina, vajza ime, gjeti edhe një letër prej një faqe në gjuhën frënge, që një përfaqësi e grave të qytetit të Gjirokastrës i dërgonin zonjë së Parë, zonjës së presidentit Udrou Uillson. Kjo letër e shkurtër kishe një mesazh të fuqishëm, ku kërkohej përkrahja dhe ndërhyrja e zonjës Uillson në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Në letër, veçanërisht demaskoheshin masakrat greke në Shqipërinë e Jugut. Ato gra të mençura shkruanin pak, po thoshin shumë. Cili ishte sfondi historik i kësaj letre? Gjenocidi antishqiptar i Konferencës së Ambasadorëve në Londër, (1913) ishte goditja më e hidhur, më madhe që iu dha kombit shqiptar. Kundër vullnetit të popullit shqiptar, kjo Konferencë i mori 2/3 e territoreve të Shqipërisë etnike dhe ua dha Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. “Tërësia tokësore shqiptare gjer më 1878, pra, gjer në fillimet e copëtimit të tyre në favor të fqinjëve ishte 120 mijë kilometra katrorë. Shqipëria, në kuadrin e Perandorisë Otomane, viti 1878 e gjente me katër vilajete: Vilajeti i Kosovës, Vilajeti i Shkodrës, Vilajeti i Janinës dhe Vilajeti i Manastirit” (Agron F. Fico: “Rilindja e Shqipërisë Etnike”, Tiranë, 2009, f. 31) Kriza e brendshme e Perandorisë Osmane gërshetuar me luftën e kësaj perandorie në disa fronte me fuqitë e huaja përcaktuan edhe disfatën e kësaj perandorie në luftë me Rusinë, e cila e detyroi të nënshkruante, më 3 mars 1878 në Shën Stefan (afër Stambollit) Traktatin e Paqes me Rusinë. Në Shën Stefan u mor vendim që pjesë të mëdha të tokave shqiptare t’u jepeshin Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë. Malit të Zi i jepeshin Plava, Gucia, Rugova, Vermoshi, Kelmendi, Hoti, Gruda, Tivari me rrethina, Ulqini me rrethinat, gjer te lumi Buna, Ana e malit, Kraja. Shqiptarët u ngritën me armë në dorë kundër këtyre vendimeve kolonialiste dhe grabitqare. Më 10 qershor 1878 në Prizren u themelua Lidhja Shqiptare e njohur me emrin Lidhja e Prizrenit. Kjo organizatë politike me një program të theksuar kombëtar veproi si përfaqësuese e gjithë popullit shqiptar. Ajo zhvilloi një luftë të fuqishme politike, diplomatike, kulturore-arsimore dhe ushtarake për mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar. Kuvendi themelues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në një mbledhje 3 ditë para thirrjes së Kongresit të Berlinit (13 qershor 1878), vendosi të njoftonte Kongresin e Berlinit të mos jepte asnjë pëllëmbë nga toka e atdheut të shqiptarëve ndonjë shteti të huaj, ndryshe shqiptarët do të luftonin gjer te njeriu i fundit. Pas një muaj punimi Kongresi i Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878) dhe pas një lufte të ashpër diplomatike, më 13 korrik 1878 u nënshkrua Traktati i Berlinit. Pjesë të tëra të tokave shqiptare u jepeshin Malit të Zi. Siç dihet, Kongresi i Berlinit, me vendimet e veta nuk ndryshonte në thelb nga Traktati i Shën Stefanit në qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj territoreve shqiptare. Shqipëria u qeth e u shkurtua në Traktatin e Berlinit e në marrëveshjen e Londrës, sa askush nuk mund të dijë sot sipërfaqen dhe popullsinë e saj” shkruan Xhorxh Fred Uilliams, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1914 në Greqi dhe Mal të Zi. (“Shqipëtarët”, nga Xh. F. Uilliams, përkthyer nga anglishtja nga Shaban Balla, 1999, f. 199) Ambasadori Xh. F. Uilliams u bë dëshmitar i krimeve dhe masakrave të trupave greke në Shqipërinë e Jugut dhe i raportonte edhe në Departamentin e Shtetit. Ja dëshmia e tij: “Dukej si detyrë njerëzore sheshit për të shqyer maskën e diplomacisë evropiane dhe për të ekspozuar fytyrën e saj lyer me gjak patriotësh dhe me shikimin e dobët të saj mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në Athinë dhe, mbasi isha i detyruar të tregoja këtë panjerëzi dhe këta padrejtësi të fuqive evropiane, dhashë dorëheqje si ministër i Amerikës në Greqi dhe Mal të Zi:’(Vep. cit. f. 54) Shqiptarët, nga përvoja historike, po kuptonin se, përveç turqve osmanë të mundur nga Rusia, edhe Fuqitë e Mëdha të Evropës po silleshin me armiqësi ndaj fatit dhe territoreve të shenjta kombëtare shqiptare.. Shqiptarët, me në krye atdhetarin e madh Ismail Qemal Vlorën, shpallën Pavarësinë, më 28 Nëntor 1912 dhe ngritën flamurin kombëtar në Vlorë. Në qershor 1913 filloi Lufta e Dytë Ballkanike dhe shqiptarët u ndodhën në zjarrin e qëndrimeve antishqiptare të Fuqive evropiane dhe kërkesave aneksioniste greko-serbo-malazeze. Saga e padrejtësive ndaj kombit shqiptar ishte e pasosur. Më 26 prill 1915 u nënshkrua Traktati i fshehtë i Londrës, që synonte copëtimin e mëtejshëm të trojeve të mbetura të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve (më 1913). Denoncimi i Traktatit të fshehtë të Londrës (26 prill 1915) nga Lenini dhe kundërshtimi nga Uillsoni i kompromisit anglo-franko-italian (janar 1920) zgjuan ndjenjat kombëtare te shqiptarët. Mesazhi i Uillsonit erdhi në kohën e përshtatshme për atdhetarët shqiptarë, që organizuan Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës, me anën e të cilave u arrit të sigurohej dhe të forcohej qenia jonë kombëtare. Në Konferencën e Parë të Paqes në Paris (1919-1920) shqiptarët patën përkrahjen energjike të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Udrou Uillson (1856-1924) që, siç na thotë Fan Noli, i kishte thënë: “Një zë do të kem në Kongresin e Paqes dhe atë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë” (Vep. cit. f. 26) Në letrën sipërpërmendur të grave të Gjirokastrës, drejtuar zonjës së parë, të presidentit U. Uillson, shkruhej pak, por thuhej shumë. Letra i bënte jehonë alarmit, revoltës dhe denoncoheshin masakrat e trupave greke në fshatrat e Gjirokastrës. Ata digjnin fshatrat, grabisnin bagëtinë dhe masakronin popullsinë, pleq dhe të moshuar, madje me bajoneta çanin barqet e nënave shtatzëna. “Ne nënat, gratë dhe motrat e viktimave -shkruanin në letërju lutemi me mirësi dhe me fisnikërinë e zemrës suaj të bashkoni përpjekjet tuaja me ato të zotit President Uillson, apostull i qytetërimit dhe mbrojtësi i të drejtave të njeriut, që të mos jetë e mundur përsëritja e vrasjeve dhe poshtërimeve të pashembullta në histori”. Letra drejtuar zonjës Uillson si duket shpjegon edhe shprehjen“Thuaj Uillsonit, por thuaj edhe gruas së tij”.
Ka një interes të veçantë të theksohet se nënshkrueset e letrës janë gra nga dyert e mëdha të Gjirokastrës. Ja edhe renditja e tyre sipas letrës origjinale: Hava Fico, Merushe Fico, Alem Babameto, Hedo Gega, Fatime Dabulla, Zahide Tushe, Shefikat Karralliu, Lela Guri, Hedo Çuberi, Korin Meksi, Hariglia Papapano, Helenë Meksi, Zeino Kadare. Hava Fico ishte e ëma e Rauf Ficos, që ndofta edhe për traditën familjare, por mbi të gjitha për bindjet e tij republikane, do të ndërmerrte një nismë historike, propozimin për të nderuar kujtimin e Presidentit mik, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Udrou Uillson. Prof. Shyqyri Hysi, autor i monografisë “Rauf Fico-shtetar dhe diplomat i shquar”, shkruan: “Në mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë, Rauf Fico, duke ndërprerë seancën e sapo filluar, kërkoi fjalën dhe tha: “Zoti Kryetar! Pa bisedimin e rendit të ditës, dua të bëj një propozim. Me hidhnim muarmë vesh se ish-kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës U. Uillson vdiq. Duke marrë parasysh shërbimet e mëdha që i ka bërë Shqipërisë, propozoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi dhe t’i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit.” (Vep. cit., f. 63) Rauf Fico njihet si një nga burrat më të aftë, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit, shkruante një gazetë gjermane. Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Sër Robert Hodgson, shkruante për Rauf Ficon: “Një nga personalitet më tërheqëse në jetën publike shqiptare dhe një njeri i padiskutueshëm për ndershmërinë dhe patriotizmin, me pikëpamje përparimtare.” (Enciklopedia Britanike, f. 8) Sër R. Hodgson e karakterizon Rauf Ficon “Republikan sipas bindjeve”. Rauf Fico ishte një personalitet me integritet të lartë intelektual, politik, diplomatik dhe mbi të gjitha atdhetar i zjarrtë, tribun i Kosovës dhe Çamërisë. “Rauf Fico ishte shqiptar dhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri” – do të shkruante një vigan i panteonit shqiptar, Faik Konica. Kjo traditë atdhetare, madje kombëtare e grave ë Gjirokastrës ishte ai prushi i zjarrtë, që frymëzoi në Luftën e Dytë botërore, në luftën kundër fashizmit edhe nazizmit, me dhjetëra gra e vajza që luftuam me amë në dorë , duke dhënë, shumë prej tyre edhe jetën për liri. Anetë, nënat e urta dhe të mençura gjirokastrite, bashkë me qumështin e gjirit, u mëkonin vajzave të tyre dhe virtytet e larta te atdhedashurisë dhe përparimit shoqëror.