Prof. Ago Nezha: Të dielën, më 19 dhjetor, ora 11.00, Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria, “Nderi i Kombit” feston me madhështi në Vlorë, 30-vjetorin e krijimit

288
Sigal

Të dielën, 19 dhjetor, Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria, “Nderi i Kombit” feston me madhështi në Vlorë 30-vjetorin e krijimit

Shoqata Labëria 30 vite jetë dhe aktivitet

Kohëlindja e Shoqatës “Labëria” më 12 Dhjetor të vitit 1991, në fillimet e demokracisë, lidhet me 113 vjet më parë, më 29 Tetor 1908, kur një grup patriotësh, atdhetarë, njëherazi edhe intelektualë, nga Labëria e jashtë saj, nën drejtimin e plakut të urtë e të mençur Ismail Qemali, krijuan në Vlorë, Klubin Patriotik “Labëria”, me pjesëmarrjen e 45 anëtarëve, ku Kryetar Nderi u zgjodh Ismail Qemali. Në të, u përfshinë intelektualët dhe atdhetarët më të shquar të fillimit të shekullit XX në Vlorë dhe trevat e saj. Të dy këto krijesa simotra, nuk ishin aksidentale e as rastësore. E para lindi në vargun e 40 klubeve patriotike që u ngritën në Shqipëri,  e kryesisht pas Kongresit të Alfabetit Shqip të Manastirit, ku Klubi “Labëria”, ishte ndër të parët, e pikërisht në prag të mbajtjes të atij Kongresi.

Demokracia në Shqipëri, erdhi mes një acari politik dhe e nisi rrugën në situata të tensionuara dhe acaruara mes grupeve të ndryshme shoqërore dhe politike. Partitë, u shfaqën si një kopsht me gjemba që çponin dhe helmonin njëra tjetrën për përfitime klanore, pushtetare dhe pasurore. Ndërsa shoqatat lindën si një kopsht me lule , që i bashkonin dhe vëllazëronin grupe të ndryshme politike, jashtë interesave personale. Në këto kushte lindën shoqatat Atdhetare Kulturore si valvula shkarkimi për të amortizuar tensioned, që rriteshin artificialisht nga injoranca, mungesa e kulturës politike, ndjenjës së hakmarrjes, miopisë politike dhe ndërhyrjeve nga jashtë të fqinjëve tanë jugor dhe verior. Një grup intelektualësh lab, që patën sensibilitetin e situatës kritike që kalonte vendi, u përpoqën të krijonin Shoqatën Labëria, por nuk mundën ta konstituojnë dhe konsolidojnë si një organizëm vetëveprues për kushtet dhe rrethanat e kohës së trazuar politike dhe ndikimeve subjektive. Pluralizmi në Shqipëri u shfaq si një uragan shkatërrues të pasurisë kombëtare që ishte krijuar me djersën e popullit në hapësirën 45 vjeçare të sistemit monist. Ndryshimet e sistemit u zhvilluan mes kontradiktave të nxehta të kundërshtarëve politik, të astuquajtur të majtë dhe të djathtë, që buronin nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, të aleancave të forcave destruktive, që frymëzoheshin dhe financoheshin nga emigracioni politik dhe agjenturat e huaja sllavo-ortodokse. Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria, formësimin e saj si një formacion shoqëror e arriti në Kuvendin e Parë të Përgjithshëm që u mbajt në Tiranë, më 5 Qershor 1998, në sallën e “Shtëpisë Qendrore të Ushtarakëve”, ku u zgjodhën organet drejtuese me Kryetar poetin Halil Qendron. Në këtë kuvend u zgjodh Kryetar Nderi, Akademiku kosovar Prof. Dr. Rexhep Qosja, intelektual i shquar dhe patriot i çështjes kombëtare.

Kuvendi i Dytë i zhvilloi punimet në Vlorën e flamurit, ndërsa Kuvendin e Tretë e mbajtën në Himarë, jo rastësisht por për t’u thënë himarjotëve se Himara është Labëri dhe në lashtësi ka qenë dhe kryeqendra e Labërisë me 52 fshatra në juridiksionin e saj. Në këtë kuvend ka pasur një reagim tepër ekstremist nga Kryetari Vasil Bollano, që jo vetëm nuk na lejoi të zhvillonim punimet dhe të jepnim koncert në qytet dhe për rrjedhojë i zhvilluam në hotel “Panorama”, në kushte të rrepta sigurie, pasi muret e qytetit ishin mbushur me parrulla:  “Poshtë Labëria”, “ Himara s’është Labëri”, “ Himara është Greqi” etj.,

Kuvendi i IV-të i Shoqatës Labëria u mbajt në Kuç të Vlorës, për të evokuar ngjarjen historike siç është 97 vjetori i Kuvendit të Parë të Labërisë, që u mbajt në Kuç të Vlorës nga data 28 Nëntor- 4 Dhjetor, të vitit 1924, nën drejtimin e patriotëve Halim Xhelo e Sali Hallkokondi, me praninë e 300 delegatëve nga të gjitha trevat e Labërisë, përfshirë këtu edhe Kosovë e Çamëri. Vlerësimi për këtë ngjarje kombëtare, ishte maksimal nga autoritetet e kohës, mbasi u nisën për të marrë pjesë në zhvillimet e Kuvendit Kryeministri Fan Noli dhe Barjam Curi, që për vështirësi objektive u kthyen në Vlorë. Ky event u pasqyrua nga gjithë shtypi i kohës, në të gjitha gazetat dhe revistat më në zë. Duke parë rëndësinë dhe efektivitetin e këtij kuvendi, që trajtoi problemin e gjakmarrjes, krimin në familje, dhe dhunimin e gruas nga burri, analfabetizmi etj, fenomene që po të heqësh një paralele i ndeshim dhe në ditët e sotme, u vendos që kuvendi i ardhshëm të mbahej në Orosh të Mirditës, por për situatën që rrodhi pas një viti me trazira politike, objektivi për zhvillimet e punimeve të një kuvendi tjetër dështoi.

Kuvendi i Pestë zhvilloi punimet në kryeqendrën e kulturës labe, në Gjirokastër, ku shënoi një hop cilësor me prurje të mëdha intelektuale.

Në Jubileun e 30 vjetorit të hoqatës Labëria na mungojnë disa “ personalitete të shquara të Labërisë”, që ishin dijetarë të Kombit, si Dr Moikom Zeqo, profesor Sabit Broka, Luan Muhameti, Hasan Halili, poetët e perlave popullore Petrit Ruka dhe Lefter Çipa si dhe drejtues të Shoqatës Labëria në vite, me kontribute të spikatura si ish Sekretar i Përgjithshëm Xhemil Çeli, nën/kryetarët Kastriot Zoto e Gafur Duda dhe në rrethe ish Kryetari i Shoqatës Labëria Dega Sarandë Aris Mema. (Propozoj të mbajmë një minutë heshtje) I paharruar qoftë kujtimi i tyre.

Kuvendi i Gjashtë i zhvilloi punimet në Vlorë, ku shënoi prurje të degëve nga ana sasiore dhe cilësore. Ky Kuvend ndryshoi dhe emërtimin e shoqatës nga Kulturore Atdhetare, në Atdhetare Kulturore, që shpreh dhe misionin e saj historik të këtyre 30 viteve.

Rrugëtimi prej tre dekadash, për t’u ngjitur në lartësinë e 30 vjetorit, që kremtojmë sot, nuk ka qenë i lehtë. Ai, ka kaluar përmes baticave dhe zbaticave të rrymave të ndryshme që ka krijuar faktori politik për të minuar veprimtarinë e saj patriotike dhe kulturore.

Refleksionet dhe reagimet aktive të Shoqatës “Labëria,” gjatë këtyre 30 viteve, kanë qenë permanente, për momentet më kritike që ka kaluar jo vetëm Labëria, por Shqipëria  dhe Kosova. Mjafton të përmendim disa nga veprimtaritë më mbresëlënëse, të karakterit kombëtar, që kanë pasur akses në opinionin e gjerë shoqëror, për të kuptuar rolin madhor të kësaj shoqate. Shoqata Labëria, ka qenë gjithmonë sensibël dhe pararendëse, ndaj çdo fenomeni denigrues e shkatërrues të vlerave të kulturës dhe identitetit kombëtar. Ishte Shoqata Labëria nismëtarja që sensibilizoi mbarë opinionin shoqëror nëpërmjet një tubimi të gjerë, për denoncimin e Marrëveshjes famëkeqe për detin, midis dy qeverive, asaj shqiptare dhe greke, për shitjen e 344 km2 të ujërave detare të Greqisë. Ne mblodhëm rreth 70 shoqata mbarëkombëtare nga Jugu në Veri, përfshirë këtu dhe shoqatën Kosova dhe Çamëria, që firmosën një peticion unanim drejtuar Presidentit të Republikës, Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit dhe organizmave ndërkombëtare. Një veprim i tillë reagues, u përsërit me rastin e regjistrimit të popullsisë dhe vetëdeklarimit të kombësisë sipas etnisë dhe fesë, nëpërmjet formularit  që polli Pollua. Kemi mbajtur qëndrim kritik për inferioritetin që ka treguar shteti ynë deri në përulësi në vitet e demokracisë ndaj fqinjit tonë jugor duke mos respektuar reciprocitetin ndaj palëve. Lëshimet e qeverive shqiptare, gjatë këtyre 30 viteve kanë qenë në dinamikë, duke filluar me hapjen e shkollave greke, në Korçë dhe Himarë, me dhunimin e varrezave në Kosinjë të Përmetit dhe në Boboshticë të Korçës, me pretendimet për Vorioepirin, dhe për ta quajtur Himarën tokë dhe komunitet grek. Kanë vazhduar me incidentin e Bularatit në Gjirokastër, ku turma histerike të ekstremistëve grekë provokuan luftënxitje dhe urrejtje etnike nëpërmjet parrullave antishqiptare se: “Vorioepiri është Greqi, sëpata dhe zjarr ndaj qenve shqiptarë” etj,  e deri në episodet e shëmtuara me qëndrime diskriminuese ndaj emigrantëve tanë në Greqi, etj. Të gjitha këto dukuri anormale në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinj kanë qenë objekt i reagimeve të ashpra të Shoqatës Labëria, në qendër e në rrethe. Reagimi e Shoqatës Labëria kanë qenë edhe për propozimin banal të Partisë Çame PDIU, për heqjen e emrit të sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë, e për të vendosur emrin Çamëria, a thua t’i se u mbaruan sheshet e Tiranës!! Ç’marrëzi!…

Shoqata Labëria ka reaguar jo vetëm për çështje madhore të Kombit, por edhe kur është prekur mjedisi turistik duke shkatërruar pyjet siç është rasti flagrant në pyllin e Sodës në Vlorë, ku mblodhëm 60 shoqata në protestë në Tiranë me  thirrjen: “ Vlora në rrezik “. Edhe për shkatërrimin barbar të pyjeve të Lurës, një perlë e bukurisë shqiptare, kemi ngritur zërin deri në instancat më të larta të shtetit duke bërë dhe deklarata, por qëndrimi shtetar ka qenë indiferent dhe mospërfillës. Krahas këtyre qëndrimeve aktive, kemi përkrahur refuzimin që bënë banorët e Dukatit për ngritjen e mullinjve të erës në kreshtën e maleve, që dëmtojnë faunën dhe florën e zonës, si dhe për protestat për pronat, që shteti i ka uzurpuar me pa të drejtë nga Karaburuni në Llogora. Njëkohësisht nëpërmjet peticioneve dhe takimeve kemi ngritur zërin dhe kemi kërkuar shtrimin e rrugës së Lumit të Vlorës, që ishte një gangrenë që po ç’popullonte banorët e asaj zone, me kontribute të veçanta patriotike për vendin, që më së fundi mori përgjigjen e merituar..

 

PROGRAMI

  1. FJALA E ÇELJES SË VEPRIMTARISË NGA, KRYETARI I SHOQATËS DEGA VLORË, Z. AHMET DEMA
  2. FJALA E RASTIT, NGA KRYETARI I SHOQATËS ATDHETARE KULTURORE LABËRIA, PROF. DR. AGO NEZHA, “Mjeshtër i Madh”, “Urdhri Kalorës i Skënderbeut”

 

3-FJALA PËRSHËNDETËSE E KRYETARIT TË NDERIT TË SHOQATËS LABËRIA, AKADEMIKUT REXHEP QOSJA, DO LEXOHET NGA MODERATORI I VEPRIMTARISË, ALBERT ZHOLI

 

4-DEKORIME ME TITUJ NDERI NGA SHOQATA LABËRIA

5-FJALA E MBYLLJES DO MBAHET NGA KRYETARI I BASHKISË VLORË, DR. DRITAN LELI

6-KONCERT: GRUPE POLIFONIKE DHE ME ÇIFTELI

Vlerësimet

1-PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË I JEPET

AKADEMIK- SKËNDER GJINUSHI

2-PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË  I JEPET Prof. Dr. Fatos Tarifa,

3-PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË I JEPET

Prof. Dr. Hysen Çobani

4-PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË I jepet

  1. Petro KOÇI    

5- PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË I JEPET

Prof. Dr. Sokol Sadushi

6-PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË I JEPET

Prof. Dr. Sokrat Sinaj

7- MIK I LABËRISË I JEPET “Mjeshtër i Madh”

  1. Zhani Ciko