Adriana Dizdari: Nxënësit e klasës së pianos luajnë Moxart, Bethoven, Shopen, Rahmaninov, krenare për çka bëjmë në Ksamil

349
Sigal

 

Krenare, për ç’ka kemi bërë dhe bëjmë në Ksamil

 

Një ditë si e sotmja, me shi të shtruar, të ftohtë, ishte dita e parë kur zbritëm në Ksamil 21 vjet të shkuara.  Kisha qënë edhe më parë, në vitet e rinisë time, në një ditë të bukur fund pranvere, kur gati mbeta pa frymë nga ajo që mu shfaq me të kaluar urën e Çukës dhe më tej në kthesën për Ksamil. Bukuri magjepsëse. Me këtë imazh përmallues kthehemi pas 25 vjetëve, tashmë me tjetër qëllim. Shpesh disa ëndrra të vogla, të pabesueshme edhe nga vetvetja, bëhen motiv i jetës, të ndjekin si hije, nuk i shmang dot, i përpunon, u vë këmbë e duar, u jep trup e shpirt dhe më në fund ke rënë në grackën e tyre të cilën e ke ngritur vetë. Ëndrrat janë të rrezikshme, nuk të ndahen, marrin forma gjithnjë më tërheqëse. Si për inat, sa më shumë do t’i përzesh, aq më shumë të rrethojnë, të përkëdhelin, të ngrohin, të aromatizojnë, sa ndihesh si i dehur. Të bëhen si një ortek dritash të lëvizshme që s’të lënë rehat, të verbojnë sytë. Ato pjellin ëndrra të tjera, ëndrra që pothuaj se të dhëmbin. Por si të shpëtosh nga trysnija e tyre?

Atëherë ëndrrat duhet të bëhen realitet, duhet të blihen me çfaredo çmimi.

Lajmi se Limos Dizdari do të rindërtojë vatrën e kulturës, të shkatërruar dhe të sakatosur, për të ngritur një qendër arti me një teatër koncertor, kishte marrë dhenë. ” Mos kanë luajtur mendsh? Teatër koncertor në një fshat të humbur”? Por a nuk është mbrapa çdo vepre të madhe, në të gjitha sferat e jetës, fshehur një ëndërrimtar, që për kohën ndoshta e kanë quajtur “të çmendur” ? A nuk na kanë ardhur emrat e njerëzve të mëdhenj të kohërave, të mbretërve, konteve, dukëve, mbështetësve të artit, ndërtuesve të katedraleve, qyteteve, manastireve deri në ditët tona? E pra, kanë qënë ëndrrat të parat ato që u kanë mpiksur mendimin.  Me sytë e shpirtit ata kanë parë fillimisht atë që për të tjerët ishte një “asgjë”, të  realizuar.

Prandaj jam krenare. Për ëndrrat tona, jam krenare.

​Dhe ja, kthehemi një ditë në një fundjave, pas shumë vitesh, në Ksamil. Ngjitemi në kodrën ku dikur ishte Vatra e Kulturës dhe na ngrijnë këmbët. Mos ka qënë gjë shesh betejash ky vend? Shkatërrim, dyer dhe penxhere të hequra me gjithë suva, pllaka dyshemeje të shkulura me forcë me gjithë çimenton, tualetet, të rrëmbyera si të kishin ndonjë vlerë të veçantë, dhomat të kthyera në gërmadha dhe pastaj salla e kinemasë e cfilitur nga gjithçka, me pllaka të shkulura, muret me rimeso të hequra me forcë, skena e kalbur nga uji që binte nga çatia në mënyrë të pamëshirshme, bajgat e bagëtive që kuntërbonin ngado, shiringa droge të hedhura sa andej këtej. ‘O Zot, çfarë ka ndodhur’, pyesim dikë. ‘97-ta professor, e shqyen të shkretën, nuk kemi ku të vemi tani as për një kafe, pa lëre pastaj filma e koncerte….as që e çojmë ndërmend.’

Na pikoi në zemër kjo pamje, sidomos Limosit. I iku fytyra, zemërimi po i merrte frymën.

– Po si është e mundur, si mund të lihet ky kompleks kulture në meshirë të fatit? Si mund të shkaterrohet shpirti i popullit kështu ? Se shpirti është shpirt,  ka nevojë të ushqehet njësoj si trupi. Kjo është e tmerrshme… si mund, si mund? Ah, duhet bërë diçka ! Dhe këtu ëndrrat morën rrugëtimin e vështire. – Dëgjo, – më thotë – do të interesohem se nga varet kjo godinë dhe do ta kërkoj ta marr në administrim dhe ta rikonstruktoj. Do ta kthej në një qendër arti, krejt të veçantë e cila të funksionojë me tërë parametrat e një ambienti artistik dhe kulturor. Në fund të fundit, Shqipëria nuk është vetëm Tirana. Dhe kështu, në një nga ditët, ngarkuam një piano të madhe koncerti në një kamion dhe drejt e në Ksamil. Ish-vatra e kulturës u kthye në një kantjer ndërtimi. Ndërsa Limosi ndiqte punimet, unë merresha me zgjedhjen e fëmijëve, për të ngritur klasën e pianos. Harrova nxënësit prej shumë vjetësh në Tiranë. Ideja se do t’u mësoja piano fëmijëve të fshatit, të cilët ndoshta as e kishin parë me sy, m’u bë si motiv i ardhjes tone ne Ksamil.

Ja pse jam krenare?

Çfarë force hyjnore na shtyu të lemë Tiranën, ku ishim në majën e Olimpit, të shesim shtëpinë në zemër të qytetit, të zbresim në fshatin më të largët, të quajtur Ksamil, për të shpëtuar nga rrënimi i plotë, një vatër kulture si shumë të tjera, të zhdukura pa nam e nishan? Me çfarë u ushqye ky guxim paksa i “çmendur” i dy njerëzve të matur dhe të pergjegjshëm, përveç se me dashurinë për të bukurën, me idealizmin ëndërrues të artistit, me vizionin e qytetarit që e do vendin e tij, me sfidën për të fituar mbi meskinitetin dhe llafollogjitë boshe, për të treguar se dhe vetëm dy njerëz me të njëjtin vullnet, pa lakmi ndotëse, duke harxhuar kaq shumë energji të shpirtit, kaq lodhje shkatërruese fizike, duke shpenzuar deri qindarkat e fundit, të triumfojnë duke bërë ëndrrat e tyre rinore realitet. Sa perpjekje dhe mund ! Sa ballafaqime dhe luftë me ortekë ligësie ! Sa pengesa të papërfytyruara për ta rindërtuar këtë ngrehinë të çfoshkur pa mëshire, të kafshuar si nga ndonje përbindësh përrallash….. dhe ia dolëm. A nuk është një forcë hyjnore? A nuk duhet të krenohemi ? Me gjithë vështirësitë e mëdha që na u desh të përballonim, këtyre punëve ndërtimore po u vinte fundi. Por tani fillonte më e vështira.  Si do të viheshin në funksionim ingranazhet e ndryshkura të atij mekanizmit të hedhur sa andej këndej, të quajtur “art dhe kulture”? Që të japi gëzim dhe shpresë, të ushqejë ëndrrat e fëmijëve per t’u marrë me muzikë, pikturë, balet. Që t’u thotë ‘lexoje këtë libër, shikoji keto vepra arti në pikturë dhe skulpturë, shikoje këtë koncert të bukur, shikoje këtë dramë……..merr pjesë në spektaklin “Miss Ksamili”. Me vullnet, forcë dhe besim, ia dolëm.

Ja përse jemi krenare !

Dikush e ka quajtur   ” Fraku i jugut”. Jo vetëm  për pemët, agrumet, ullinjtë, lulet, për bustet dhe skulpturat, për sallën koncertore, për sallonin e veprave të artit “Buza”, për sallonin e librit ” Migjeni” por për çka realizohet brenda tyre. Aktivitetet e Qendrës kthehen në festa. Femijë dhe prindër, të veshur bukur, si për një ngjarje të veçantë, mbushin oborrin dhe sallat. Ëndrrat tona kanë fluturuar tek ata. Si zor ta imagjinojë kush që nxënësit e klasës së pianos luajnë Bach, Moxart, Bethoven, Shopen, Rahmaninov, etj…. Që vetëm në Sarandë e Ksamil tani janë katërmbëdhjetë piano. Që fëmijët, të rinj e te reja, ngjiten në skenën e teatrit “Dafinat” dhe me zë të lartë bërtasin ‘më shikoni, jam edhe unë këtu’. Kemi të drejtë të jemi krenarë. Sigurisht, dikujt edhe nuk i pëlqen dhe presin momentin e duhur, si ato bishat e egra, që t’i vërsulen këtij oazi kulture. Duan të prishin ëndrrat e fëmijëve për një jetë sa më të plotësuar estetikisht. Duan t’i thonë Shopenit, Bethovenit, Çajkovskit me shokë, “ikni, zhdukuni, nuk kemi nevojë për ju…kush jeni ju….nuk duam t’ju njohim.” Duan t’u thonë fëmijëve, “në kohën e lirë vërtituni nëpër rrugë”. Librat? Veprat e artit? Në kosh të plehrave. Falë Zotit, kemi tre vajza trimëresha, që në kryeqytetet e botës perendimore kanë ditur të tregojnë veten se janë të zonjat, që e duan atdheun e tyre të jetë i kulturuar dhe i emancipuar, që do ta çojnë më tej punën e prindërve të tyre. Dy shkolla muzike të ngritura prej tyre, si motra të Qendres së Artit Dea, funksionojnë në New York dhe në Londër. Mbështeten nga institucionet shtetërore, stimulohen. Shpresojmë dhe lutemi që edhe institucionet tona të bëhen krahë nesh, që së bashku të realizojmë sfidat qe na i kërkon koha. Bashkëpunimi i ndërsjelltë i tre institucioneve edukuese të artit dhe kulturës, – Ksamil, New York, Londër – kthehet në një grusht të fortë ndaj injorancës dhe mediokritetit që po i merr frymën kulturës tonë kombëtare.

Prandaj kemi të drejtë të ndjehemi krenarë.