Prioritetet e 2022, BE “harron” negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

183
Sigal

Institucionet e Bashkimit Europian kanë rënë dakord mbi prioritetet e unionit për vitin e ardhshëm. Deklarata e prioriteteve është nënshkruar nga Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, Presidenti i Parlamentit Europian, Davide Sassoli dhe në emër të Presidencës sllovene të BE, nga Kryeministri Janez Jansa.Deklarata përcakton prioritetet e përbashkëta të institucioneve, vizionin për një Europë të transformuar dhe më elastike. Sipas tre udhëheqësve, deklarata demonstron vendosmërinë e institucioneve për t’i mundësuar BE-së të dalë më e fortë nga pandemia COVID-19 dhe pasojat dramatike të ndryshimeve klimatike dhe krizave të tjera globale.”Ne jemi të përkushtuar për të ofruar një Europë më të fortë, më të drejtë, më të qëndrueshme, më dixhitale dhe më elastike për qytetarët tanë. Bashkimi Europian duhet të qëndrojë me krenari për vlerat e tij thelbësore dhe të mos lërë askënd prapa”, deklaroi Davide Sassoli, President i Parlamentit Europian.”Tri institucionet tona janë të bashkuara në ofrimin e një agjende ambicioze politike dhe legjislative, që synon të rrisë qëndrueshmërinë e Europës dhe të promovojë rimëkëmbjen e saj, duke na mundësuar të gjithëve të ndërtojmë më mirë së bashku. Deklarata rikonfirmon angazhimin tonë për një Europë më të drejtë, më të gjelbër dhe më dixhitale, një Bashkim që shikon nga e ardhmja dhe u përgjigjet pritshmërive të qytetarëve pa lënë askënd pas”, u shpreh Janez Jansa, kryeministër i Sllovenisë.”Europa duhet t’u japë zgjidhje qytetarëve për problemet e menjëhershme, veçanërisht për pandeminë dhe pasojat e saj në jetën e tyre të përditshme, si dhe për sfidat afatgjata me të cilat përballemi së bashku, si ndryshimi i klimës. Deklarata jonë e përbashkët tregon përkushtimin tonë për të punuar shumë së bashku për të arritur zgjidhje për të gjitha këto çështje, nga shëndeti te ndryshimet klimatike, nga transformimi dixhital te prosperiteti i gjerë ekonomik”, tha Presidentja e KE, Ursula von der Leyen. Në deklaratën e prioriteteve “harrohet” zgjerimi dhe çështja e negociatave me Ballkanin Perëndimor, e sidomos caktimi i një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.