Kandidati për deputet i LSI në Librazhd, Sokol Skura: Do bëj më të mirën time që bashkëqytetarët të gjejnë shpresën e munguar te Sokoli

1116
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Këto 8 vite duket qartë që Librazhdi është lënë në harresë dhe mjerim të plotë nga “Rilindja”

Sokol Skura, kandidati për deputet i Qarkut të Elbasanit, në intervistën për gazetën “Telegraf” rrëfen se u largua nga PS ngaqë kjo parti humbi fizionominë e demokracisë së brendshme , dhe korrupsion i pandëshkuar dhe se PS në Librazhd u shndërrua në një parti familjare të Taulant Ballës për interesa personale. Zoti Skura zbardh edhe programin e LSI për Librazhdin, duke dhënë premtimin se “Do bëj më të mirën time që bashkëqytetarët të gjejnë shpresën e munguar te Sokoli”.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

-Për të gjithë ata që nuk të njohin kush është Sokol Skura?

– Sokoli ka lindur në qytetin e Librazhdit nga dy prindër intelektualë, të cilët kanë kontribuar në zhvillimin e Librazhdit e më gjerë, nëna si mësuese e ciklit të ulët, nga e cila kanë dalë dhjetëra breza nxënësish, sot ajo gëzon dhe titullin “Qytetare Nderi (pas vdekjes). Babai është farmacist nga i cili unë kam mësuar shumë, nga ku kam trashëguar profesionin .Unë jam dhe prind i një vajze 8- vjeçare.

“Mungesa e një demokracie të brendshme në PS, ku çdo anëtar apo dhe dashamirës të mos ndiheshin të vlerësuar  brenda kësaj partie, ku vendimet merreshin brenda familjes Balla, kanë përforcuar vendimin tim në LSI dhe të mos jem më pjesë e PS”

 

– Zoti Skura, ishit në  Partinë Socialiste. Përse tani kandidoni me LSI-në?

-Vendimin për të kandiduar në zgjedhjet e 25 prillit nën siglën e LSI ka qenë në momentin e duhur dhe të dëshiruar nga unë. Largimin tim nga PS e kisha menduar kohë më parë. Unë kam qenë në strukturat më të larta drejtuese të PS si në Librazhd, ashtu dhe në qendër si anëtar i Asamblesë Kombëtare. Qeverisja në mandatin e dytë nga PS ndikoi shumë në vendimin tim, si: arroganca ndaj qytetarëve, korrupsioni në nivel shumë të lartë, grykësia për të zaptuar të gjitha pronat publike, vendosja e pushtetit absolut nga një grup i vogël njerëzish, të cilët duan të ndikojnë në vendimmarrje si brenda PS-së, por dhe në qeverisjen qëndrore dhe lokale. Mungesa e një demokracie të brendshme në PS, ku çdo anëtar apo dhe dashamirës të mos ndiheshin të vlerësuar  brenda kësaj partie, ku vendimet merreshin brenda familjes Balla, kanë përforcuar vendimin tim në LSI dhe të mos jem më pjesë e PS.

– Çfarë premton para elektoratit të qytetit të Librazhdit, si kandidat për deputet i LSI-së?

– Plaga më e madhe sot që shqetëson gjithë popullatën është mungesa e infrastrukturës, mungesa e një strategjie të zhvillimit urban dhe rural. Sot të gjitha rrugët e zonës tonë janë në gjendje të mjerueshme, të rinjtë nuk shohin shpresë, perspektivë në këtë vend, pasi numri i papunësisë është shumë i lartë. Bisedoj shpesh me njerëzit, qytetarët dhe shoh te ta mungesë besimi dhe shprese të vrarë nga pakënaqësia. Hartimi i një strategjie për ngritjen e unazave lidhëse të rrugëve rurale me ato kombëtare do të jetë prioriteti im, ku brenda mandatit të parë të gjitha këto rrugë të jenë të asfaltuara në funksion dhe të qendrave turistike si Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Rritjen në hapësirë të qytetit të Librazhdit me një unazë të madhe, ku do të përfshihet qendra e populluar rreth qytetit, Semës, Babje, Spathar, Dragostujë, Murqiz -Librazhd , Katund, Dorëz, Togëz nëpërmjet një plani urbanistik ku do të bëhet zhvillimi i këtyre zonave. Nuk do të mungojë asnjëherë dhe nisma ligjore për zhvillimin në bujqësi, plehrat kimike, karburante me çmime të prekshme. Prioritet për mua do të jetë zhdukja e korrupsionit në të gjitha nivelet; arroganca e pushtetit do të marrë fund në Librazhd, çdo qytetar do jetë pjesë e vendimmarrjes për çdo iniciativë që do merret për zhvillimin e krahinës tonë. Këto 8 vite duket qartë që Librazhdi është lënë në harresë dhe mjerim të plotë “ Rilindja”.

“Prioritet për mua do të jetë zhdukja e korrupsionit në të gjitha nivelet, arroganca e pushtetit do të marrë fund në Librazhd, çdo qytetar do jetë pjesë e vendimmarrjes për çdo iniciativë.”

 

-Përse duhet t’ju votbesojnë juve bashkëqytetarët tuaj?

– Unë me Librazhdin kam një lidhje të fortë, shpesh herë kontibuoj dhe në iniciativa qytetare, duke kontribuar në arsim, por dhe kulturë dhe në çdo gjë tjetër, ku ka nevojë komuniteti im, do bëj më të mirën time që qytetarët të gjejnë shpresën e munguar te Sokoli, që nuk do sillem ashtu siç po veprohet sot, unë jam gati të heq dhe nga vetja për ta rimëkëmbur Librazhdin tonë, qytetin që nuk i mungojnë bukuritë dhe pasuritë natyrore .

– Cilat janë veçoritë e kësaj fushate elektorale?

Ajo për të cilën më vjen keq ëshë trysnia që ushtrohet mbi qytetarët e vendit nga drejtuesit e pushtetit duke i intimiduar për heqjen e asistencës, largimet nga vendi i punës, si dhe çdo presion tjetër që ka lidhje me shërbimet publike ,vetëm e vetëm që ata mos mbështesin Sokolin si kandidat , por të jenë pjesë e këtij pushteti të kapur e të korruptuar në çdo hallkë; ku ata të pasurohen dhe njerëzit të mbeten në varfëri ekstreme; por kjo është një autogol i Ballës pasi konsumimit të tij të viteve i shtohet urrejtja, që krijohet nga arroganca dhe presioni që krijojnë me mekanizma abuzive të pushtetit. Emocionet për Librazhdin më krijohen, kur takoj njerëz me të cilët unë kam qenë në të gjitha etapat e jetës të afërm, familjarë e bashkëqytetarët e mi. Ndiej çdo emocion të tyre dhe i përjetoj si të jenë pjesë e jetës time. Librazhdi dhe qytetarët e tij janë dhe do jenë gjithmonë emocione për mua.