Policët, gati të shpërthejnë…

565
Sigal

Nga prof. Dr. Kastriot Islami

 

Si asnjëherë tjetër më parë, Edi Rama dhe ministri Sandër Lleshi, të gjendur në panik e të mbërthyer nga një frikë e madhe po përpiqen të ushtrojnë dhunë e terror mbi qytetarët duke përdorur policët në kundërshtim me ligjin, duke u dhënë atyre urdhra politikë, duke i detyruar ata të përplasen me qytetarët. Këto veprime kanë çuar në gjakosje të shumë qytetarëve, në dhunim të të drejtave të njeriut madje edhe duke rrezikuar jetën e shumë qytetarëve por duke shkaktuar lëndimin e disa policëve të thjeshtë.

Shumica e policëve të thjeshtë dhe e familjeve të tyre janë në një gjendje po aq të rëndë dhe të tmerrshme sa edhe të gjithë qytetarët e tjerë, qoftë në aspektin ekonomik, atë financiar, apo lidhur me pamundësinë për të përballuar jetesën me rrogat e ulëta dhe hallet e problemet e tyre të përditshme, të cilat janë shumë të mëdha, por që për shkak të keqqeverisjes janë shtuar kohët e fundit me shpejtësi të madhe…

Shumica e policëve të thjeshtë marrin çdo ditë urdhra antiligjorë, nga “lart” për tu përplasur me vëllezërit e motrat e tyre që janë duke protestuar kundër varfërisë, papunësisë, korrupsionit, krimit të organizuar e trafiqeve, pra kundër të keqes që ju ka helmuar jetën dhe po i detyron të largohen nga vendi.

Shumica e policëve të thjeshtë marrin urdhra politikë që me shumë gjasa vijnë nga Edi Rama dhe nga Sandër Lleshi, por që ju përcillen me zë policëve të thjeshtë, të keq veshur, të keq ushqyer, të keq pajisur dhe të keq paguar, nga shefat e tyre arrogantë e agresivë, që janë pjesë e kupolës së korruptuar, të inkriminuar dhe klienteliste të policisë…

Shumica e policëve të thjeshtë shprehen kudo e gjithnjë e më shpesh se nuk e durojnë dot më këtë gjendje tmerri e terrori dhe se janë në prag të shpërthimit për shkak të një revolte të brendshme që ka arritur kulmin. Por policët e thjeshtë kanë nga ana tjetër shumë frikë se janë të kërcënuar çdo ditë me largim nga puna, pra me bukën e gojës së fëmijëve.

Shumica e policëve të thjeshtë nuk ka më as dëshirë dhe as energji të veprojnë duke dhunuar ligjet kundër vëllezërve të tyre, duke ju lëshuar atyre gaz neuroparalizues, duke u përplasur me protestuesit me të cilët kanë halle e shqetësime të përbashkëta.

Shumë prej policëve të thjeshtë nuk mund të durojnë dot më që Sandër Lleshi i trajton si ushtarë apo gardistë që duhet vetëm të zbatojnë urdhrat antiligjore dhe s’duhet të reagojnë apo reflektojnë për veprimet në dhunim të pronës dhe jetës së qytetarëve.

Shumë prej policëve të thjeshtë e kanë tashmë të qartë se Rama kërkon ata ti përdorë si mish për top, për ti vënë përballë vëllezërve e motrave të tyre, për ti armiqësuar me qytetarët e revoltuar, pse jo edhe për ti futur në përplasje gjakosëse mes tyre.

Shumë prej policëve të thjeshtë kanë tashmë të qartë se Rama tallet me ta, se sa herë që ka një protestë Rama largohet nga Tirana dhe jep urdhra që të ushtrohet dhunë, të hidhet gaz neuroparalizues, të goditen qytetarët dhe të provokohen protestuesit që ata të kryejnë veprime radikale apo deri edhe të dhunshme,

Shumica e policëve të thjeshtë janë gati të refuzojnë zbatimin e urdhrave politikë antiligjorë të Edi Ramës dhe të Sandër Leshajt. Nuk dëshirojnë më të dalin dhe të hedhin gaz neuroparalizues kundër vëllezërve te tyre, Nuk kanë më asnjë dëshirë të godasin me shkopinj motrat dhe nënat e tyre. Nuk mund më të pranojnë të nxjerrin në qiell të hapur familjarët e varfër që nuk dinë ku të shkojnë e të strehohen. Nuk e durojnë më këtë gjendje se e kuptojnë qartas se e gjithë kjo bëhet vetëm për karrigen e Edi Ramës që për më tepër është gati ti bëjë kurban të gjithë për karrigen e tij.

Ata e kanë kuptuar se po keqpërdoren sot dhe kanë shumë frikë se do të jenë pikërisht ata që do të ndëshkohen nesër… Shumica e tyre nuk janë naivë por janë të varfër, madje edhe ndonjëri që mund të jetë militant nuk pranon të shkojë kaq larg…Por janë të kërcënuar nga shefat e tyre të korruptuar e të inkriminuar të lidhur me Edi Ramën.