Petrit DEMIRAJ: Vallja Devolliçe, ky monument i Trashëgimisë Kulturore Kombëtare

383
Sigal

Ministria e Kulturës, me 14 nëntor 2023, e shpalli Vallen Devolliçe “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore”

Krahina e Devollit është një zonë me vendbanime shumë të lashta, duke filluar që nga vitet 4000-3500 p.e.s. (vendbanimi i Trenit, i Pilurit, etj). Gjurmët e kësaj kulture të lashtë janë përcaktuese në jetën e sotme shoqërore dhe kulturore të trevës.

Lufta e gjatë për mbijetesë ndaj faktorëve të huaj agresivë asimilues është thellësisht e pasqyruar në folklorin letrar, muzikor dhe koreografik. Veçanërisht vallet e burrave, kanë dominuar jetën kulturore të trevës. Me lashtësinë, shtrirjen, madhështinë dhe bukurinë e saj veçohet Vallja Devolliçe, thesari më i madh i Trashëgimisë Kulturore.

Trashëgimia e pasur e këngëve dhe valleve të Devollit është regjistruar në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore në nëntor 1964. Poeti ynë Dritëro Agolli shprehet: “Devolli është një nga krahinat më të pasura të folklorit dhe të gjithë traditës popullore. Ai ka qënë dhe vazhdon të jetë një nga qendrat më origjinale të valleve tona kombëtare, që janë ndoshta nga më origjinalet në Europë”.

Vallja Devolliçe ështe valle burrash rreth 350 vjeçare e zonës së Devollit. Ajo vjen në trajtën e një ballade, fillon shtruar me një ton të rëndë, si fortesë e pjerët që ecën mbështetur fort në tokë, duke pasqyruar sakrificat, luftën, mbijetesën. Më pas vjen e prera plot atmosferë dinamike, e cila sjell në fund kulmin spektakolar, festiv të fitores me valltarin e parë në qiell… Pra fizionomia e saj është e ndërtuar me dy faza, që duken si rrjedha e lumit të Devollit, i qetë përmes fushes dhe plot vrull e gurgullima, sipër tek burimet e tij. Me ritmin, figurat, lëvizjet dhe muzikën, ajo na sjell një koreografi të përkryer të harmonizuar në mënyrë perfekte organike.

Nga shekulli i 19-të vjen në format më të vjetra, e kënduar, me shoqërim vokal shumëzërësh dhe më pas edhe e interpretuar me instrumenta primitivë si fyell, tambura dhe dajre. Në fillim të shek. XX futet edhe klarineta. Luhej në të gjithë zonën. Teksti shpesh përcaktohej nga periudha, dramatike ose festive që perjetonte komuniteti. Më shpesh shprehej shpirti i kaçakut, i luftëtarit:

Ç’u nisa për në firar,

kam manxerrën kush ma zbras,

kam takijen kush ma lan,

kam fustanin kush ma than

Toni liriko-epik i vargut u ka dhënë ngjyrime, emocione melodisë e për rrjedhojë, edhe hapit, lëvizjes në ajër, duke rritur fuqinë shprehëse të valles.

Regjistrimet e para në pllaka gramafoni i përkasin fillimit të shekullit XX në SHBA, me shpikjen e paisjeve të regjistrimit. Kjo falë perkushtimit të atdhetarit, muzikantit, firmëtarit të Pavarësisë Spiridon Ilo, që hapi shoqërinë diskografike “Albanian Phonograph Records”. Interpretimi është me fyell nga Pando Opingari.

Në vitin 1924 kemi nje regjistrim tjetër më cilësor nga “Albanian Phonograph Records”, përsëri nga Pando Opingari, Hysni Rodenji dhe Syrja Bilishti.

Në vitin 1928 është regjistruar një seri pllakash gramafoni nga “Masters”, me grupin e sazeve “Jonuzi me shokët”, me një regjistrim cilësor më të përmirësuar të Valles Devolliçe.

Në vitin 1930 realizohet regjistrimi në pllaka gramafoni i Valles Devolliçe nga studioja diskografike gjermane ODEON dhe interpretuar nga “Shoqnija Demka Hajro”.

Në vitet 1935 regjjstrohet në pllaka gramafoni në Nju Jork nga shtëpia diskografike “Victor”, interpretuar nga Usta Jonuzi i Lamçes.

Në vitin 1937 në Detroit SHBA regjistrohet për gramafonët e kohës nga klarinetisti Ajdin Asllan me studion “MI-RE REKORD”. Deri në fund të jetës së tij, Vallja Devolliçe kryesonte repertorin e Ajdinit.

Në vitet 1940 Vallja Devolliçe regjistrohet në pllaka gramafoni nga BALKAN PHONOGRAPH RECORDS nga Jonuz Lamçe dhe Sabri Fehim.

  • Vallja Devolliçe ka qënë moment kulmor edhe në ngjarje të shënuara kombëtare. Për të ka shkruar edhe Fan Noli që ishte deputeti i zonës. Luftëtarët vullnetarë devollinj e ndezën vallen edhe në Luftën e Vlorës 1920, bashkë me valltarët e “Labërishtes” (Ferik Demiraj).

Gjithashtu grupi i valles (Kapshticë, Bilisht, Progër) u ftua për një javë në prill 1938 në dasmën e mbretit Zog. Edhe në kohën e pushtimit fashist, autoritetet i kushtuan asaj vëmendje të veçante në ceremonitë festive të kohës.

Pas viteve 1944, kemi shumë regjistrime optike me video të valles duke dokumentuar gjithë hijeshinë e saj, koreografinë, plastikën dhe estetikën e valltarëve, emocionet që sjell dinamika e valles. Kështu Vallja Devolliçe në vitin 1976 përzgjidhet nga regjisori Piro Milkani për skenën përmbyllëse të filmit “Zonja nga qyteti”, në vitin 1978 në filmin”Pranverë në Gjirokastër”, në filmin “Kënge dhe valle nga gurra popullore”, dhe në shumë dokumentarë dhe kronika të Kinostudios dhe Televizionit Shqiptar.

Festivalet kombëtare kanë qënë arena më madhështore e Valles Devolliçe. Me 21 shtator 1948 në stadiumin “Qemal Stafa” vallja u prit me duartrokitje të pandërprera. Në tribunë janë udhëheqësit e kohës dhe ambasadorët e huaj.

Në vitin 1957, nga data 28 korrik deri më 11 gusht, u zhvillua në Moskë Festivali VI Ndërkombëtar i Rinisë. Në festival morën pjesë 34 000 të rinj nga 131 vende të botës. Në përfundim Vallja Devolliçe u vlerësua nga festivali me Çmimin II. Fustanellat devollite në Moskë u veshën nga valltarët Nevruz Kondi, Adil Demiraj, Ali Kondi, Shefki Kordalli, Qerim Reci, Hajdër Muzikanti.

Vallja Devolliçe, po luhej në skenat më prestigjoze të folklorit nga institucionet, valltarët më të shquar të vendit edhe nga mjeshtëra të huaj me përmasa botërore. Në vitin 1950 në premierën “Vllazërimi i popujve”, Vallja Devolliç luhet nga Ansambli i Valleve Profesioniste e përpunuar nga balet–maestri rus Giorgi Vasiljeviç Perkin, interpretuar nga valltarët korifej të kohës, veteranët e shquar të artit koreografik: Agron Aliaj, Xhemil Simitxhiu, Skënder Selimi, Vilhelm Konjari, Timoleo Papa, Mehmet Myftiu, Ramazan Bogdani, Skënder Gorenca, Sadik Batku.

Ndërsa në 1960 realizohet nga Kinostudio “Shqipëria e Re” nën drejtimin e regjizorit Endri Keko dokumentari “Vallëzimi i shqipeve”, ku luhet përsëri nga valltarët e Ansamblit Shtetëror, i cili vazhdimisht ka pasur në repertorin e vet Vallen Devolliçe, duke e ngritur në një tjetër shkallë të lartë të melosit shqiptar.

Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës ,Vallja Devolliçe ishte gjithmonë një nga prurjet më të pëlqyera të kësaj feste kombëtare duke ndezur skenën e tij mes duartrokitjeve dhe emocioneve të shikuesve dhe duke u vlerësuar vazhdimisht me çmime të festivalit. Në vitin 1973, Devolli paraqitet edhe me grupin e fëmijëve, nën kujdesin e Artistit të Merituar Ali Kondi, duke fituar ovacione pafund dhe duke shprehur fuqishëm vazhdimësinë e kësaj tradite të bukur folklorike nga lashtësia drejt së ardhmes.

Gjithashtu, Vallja Devolliçe disa herë është bërë pjesë e repertorit të Orkestrës Sinfonike të Radio TV, si një nga veprat më të realizuara të këtij formacioni nga Tish Daija dhe Eno Koço.

Në vitin 1985 kjo valle është interpretuar plot dinamizëm dhe mjeshtëri edhe nga Ansambli i Ushtrisë Popullore. Ndërsa në takimin e grupeve folklorike Ballkanike ne vitin 1987, Devolliçja u vleresua me e mira e Ballkanit, dhe mori medaljen “Naim Frashëri”.

Vallja Devolliçe luhet në shumë skena dhe festa në të gjithë vendin dhe jashtë tij, në Kosovë, SHBA, Australi, Kanada, Francë, Itali, Gjermani, Zvicër, Greqi, Rumani, Poloni, Spanjë, Hungari, Çekosllavaki, Norvegji, Suedi, Danimarkë… Artistët tanë i japin asaj gjithë madhështinë duke fituar ovacionet dhe admirimin pa kufi të shikuesve. Sot ajo interpretohet masivisht në të gjithë Devollin dhe nga të gjitha moshat. Valltarët i gjejmë në shumë grupe përfaqësues të mirë organizuar me aktivitet të pasur brenda dhe jashtë vendit.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, në Samitin e Bashkimit Europian në Tiranë, në skenën para Arenës Kombëtare, Vallja Devolliçe, fitoi duartrokitjet e pandërprera të të gjithë udhëheqësve europianë. Ansambli Shtetëror interpretoi plot dinjitet duke prezantuar këtë aset të çmuar, Trashëgiminë Kulturore të kombit tonë.

.

  • Në Vallen Devolliçe veshja përbën një element etnografik dhe artistik po aq përcaktues të sintezës koreografike.

Vallja luhet vetëm nga burrat me kostumet kombëtare të zonës. Veshja përbëhet nga: fustanella me 300 palë, qeleshja e bardhë, jeleku prej shajaku i stolisur me gajtan, mëngorja me qëndisje të bukura sermi, çapken i stolisur, brezi me ngjyra, kallcet prej shajaku, çorapet deri në gjunjë, opingat prej lëkure me xhufka kuq e zi, dogat me xhufkat nën gju. Shpesh veshja shoqërohej me aksesorë, armë brezi, qëndisje ari dhe argjendi të punuara me zejtari që shprehin estetikën peshën dhe eposin e valles, duke prezantuar edhe një shfaqje trimërie, krenarie vetjake. Si e tillë ajo ka dëshmuar një manifest etnik, shprehur edhe në vargje të epikës historike, si simbol i përkatësisë sonë kombëtare.

Ja, se si shpaloset bukuria e veshjes në vargjet e Dritëroit:

Pesëmbëdhjetë fustanella mbi truall u hapën,

pesëmbëdhjetë fustanella mes dyshemesë e tavanit u ngritën,

pesëmbëdhjetë fustanella ranë mbi truall prap,

dhe gotat mbi tryezë u zunë dhe bërtitën…

  • Orkestrimi me saze përbën sot formacionin muzikor më të plotë në shoqërimin e Valles Devolliçe duke zëvendësuar përfundimisht shoqërimin e saj me këngë. Pra, Vallja Devolliçe është fryt edhe i sazexhinjve të talentuar të Devollit, që e stolisën, e bënë të përkryer melodinë, duke i dhënë bukuri dhe përsosmëri valles.

Sazet përbëhen nga: gërneta, dy violina, fyelli, llahuta, dhe defi. E përsosur është harmonina e plotë e zërave të këtyre instrumenteve, të gërnetës me zërin e parë (marrësin), të violinës me zërin e dytë (kthyesin), të llautës me iso-n.

Vallja Devolliçe, ky ansambël kompleks koreografik, është sa madhështore dhe e bukur , po aq edhe e vështirë për ta mësuar dhe interpretuar. Valltarët kanë cilësi të veçanta fizike, të shprehive artistike, të personalitetit, që spikasin fort në lidhje me të tjerët. Cilësitë e tyre përcaktojnë edhe hirarkinë në valle. Devolli ka rreth dhjetë valle autoktone, por Devolliçja është kryevallja, që shënon kulmin e dasmës ose festës.

Valltarët e parë të regjistruar që kanë marrë vlerësime kombëtare për interpretimin e Valles Devolliçe janë që nga Bane Vranishti, (1890–1966) dhe më tej artistët e mëdhenj: Nevruz Kondi, Adil Demiraj, Ali Kondi, Shefki Kordalli, Xhemali Habillari, Safet Kutrolli, Z. Taho, Qerim Reci, R. Zizolli, Hajder Muzikanti, Zalo Poloska, Banush Demiraj, Ismail Plasa, Refki Taho, Hajdër Cangonji, Veli Bitincka, etj.

Vendin e tyre e kanë zënë të tjerë interpretues të talentuar që Devollit nuk do t’i mungojnë kurrë. Sot janë organizuar plot grupe artistësh të rinj që e duan dhe e interpretojnë mjeshtërisht, brenda dhe jashtë vendit vallen e stërgjyshërve të tyre, Vallen Devolliçe.

 

 

Sot Vallja Devolliçe paraqitet në formë artistike të kristalizuar dhe të përkryer. Kjo tregon për nivelin e arritur të një krijimi që vjen nga thellësitë e shekujve; prandaj përbën edhe një element kulturor të qëndrueshëm. Është një akt krijues shpirtëror që shpreh njëherësh edhe një shkallë të lartë të vetëdijes artistike të fshatarit të Devollit duke u bërë pikë referimi për kulturën popullore të zonës. Kjo është arritur për shkak, pasurimit të saj me ide dhe vlera të reja ideoestetike, grumbullimit të përvojës artistike e të evoluimit të saj nga njëri brez te tjetri.

Vallja Devolliçe është një nga vallet më të vjetra shqiptare, fryt madhor i krijimit popullor, për nga fryma, madhështia, struktura dhe elementet shprehës estetikë, një përsosmëri e harmonizuar koreografike, një nga thesaret e çmuara më të mëdha të trashëgimisë së kulturës kombëtare shqiptare.

  • Në nëntor 2023, me kërkesën e Shoqatës AK Devolli dhe Bashkisë Devoll, pas një pune disa vjeçare të komisionit të hartimit të dosjes, si mbledhja e materialit historik dhe profesional që nga fillimi i shekullit të kaluar, kërkesave të firmosura që erdhën nga të gjithë fshatrat e Devollit, oponencave të dhëna nga personalitetet e larta të kulturës kombëtare të artit folklorik koreografik dhe materialeve të shumta arkivore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e shpalli Vallen Devolliçe “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore”.

Ky ishte një vendim i shumëpritur, me të cilin shteti shqiptar vlerëson maksimalisht këtë objekt të lashtë të trashëgimisë sonë kulturore, këtë kështjellë të identitetit kombëtar. Ky vendim sanksionon autenticitetin e Valles Devolliçe si thesar i lashtë kulturor që vjen nga shekujt nga stërgjyshërit, për tja lënë atë niprave të vegjël që me aq dashuri dhe përkushtim kanë veshur sot fustanellën për ta ruajtur Devolliçen e gjyshërve të tyre, në përjetësinë e Kombit Shqiptar.

Në këto rrethana, detyrë me përparësi e brezave të devollinjve si autorë dhe trashëgimtarë të saj, e institucioneve dhe e Shtetit Shqiptar, është që të tilla Trashëgimi Kombëtare ti ruajmë dhe tua çojmë brezave të ardhshëm të paprekura si monumente shekullore, larg deformimeve të cilat i çojnë ato drejt asgjesimit, asimilimit, humbjes të plotë përballë agresivitetit, fallcitetit, dhe kaosit të kohës.

Vallja Devolliçe është unike, e vetme në llojin e saj për nga fizionomia, struktura dhe të gjithë parametrat, të përmbajtjes, koreografikë dhe muzikorë. Ajo erdhi deri në kohët e sotme si e tillë, e lindur, e kultivuar, e trashëguar nga brezat e valltarëve devollinj. Por edhe në këtë fushë veprojnë faktorë të ndryshëm, të cilët mund të shkaktojnë efekt të dëmshëm dhe të pariparueshëm mbi trashëgiminë tonë kulturore.

Në vitet 1980 nga organet qendrore, u kërkohej me çdo kusht institucioneve në rrethe të zbulonin nëpër fshatra prurje te reja, për në Festivalin e Gjirokastrës. Në këto kushte ndonjëherë abuzohej duke sajuar si të reja dhe duke u bërë ndonjë kozmetikë përciptazi objekteve ekzistuese, duke ndryshuar valltarët ose duke ndryshuar titullin e objektit që paraqitej. Kjo ka ndodhur edhe me Vallen Devolliçe, duke e riemërtuar atë me një emër tjetër, krejt pa lidhje, për ta parqitur si prurje të re, pa menduar për pasojat për të ardhmen, për identitetin e saj.

Për inerci, ky fenomen ndodh ndonjëherë edhe sot, madje me disa “riemërtime” të ndryshme (zonash, malesh…), ose në raste edhe fare pa emër. Ndodh kjo shpesh për arësye edhe banale të dëshirës për përdorimin e një objekti cilësor të zotëruar nga dikush tjetër, duke i ndryshuar minimalisht emrin. Gjithashtu ndodh edhe për arsye të tendencave që vijnë nga parimet ligjore të së drejtës së pronësisë të autorit (në këtë rast populli i Devollit). Mbase edhe për arësye të tjera…

Vallja Devolliçe është luajtur jo vetëm nga devollinjtë, por edhe nga shumë institucione qëndrore, brenda dhe jashtë vendit, si Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve popullore, Orkesta e Radio Televizionit, Ansambli “Skënderbeu”, Ansambli i Ushtrisë, Kinostudioja “Shqipëria e Re”, etj, dhe gjithmonë me emrin, me identitetin e saj të plotë dhe të vetëm: “Vallja Devolliçe”, duke lartësuar kështu vlerat e interpretimit, të prezantimit të tyre para admiruesve bashkëkombas ose jo te valles.

Natyrshëm, një kryevlerë e tillë do te shtrihet dhe do të interpretohet në të ardhmen jo vetëm nga devollinjtë, pasi është pasuri kombëtare. Madje, me pranimin e saj në UNESCO do të jetë edhe një markë e shquar shqiptare në thesarin global të kulturës, dhe do te interpretohet edhe nga artistë të huaj botërorë të artit koreografik. Por si e tillë do të paraqitet kudo tek admiruesit me të gjithë komponentët e saj rigorozisht origjinalë dhe me emrin që mbart historinë, origjinën dhe madhështinë e saj: VALLJA DEVOLLIÇE.

 

Për grupin e punës së dosjes të Valles Devolliçe

Petrit DEMIRAJ