Nga Kujtim Boriçi – Mblidhen oficerët dibranë: Na mbledh dashuria për vendlindjen dhe Kombin!

27
Sigal

Takim mbresëlënës i oficerëve dibranë në Peshkopi. Mall, dashuri e krenari për dekadat në Forcat e Armatosura, nderim për kolegët ‘Dëshmorë të Atdheut’ dhe vendosmëri, për të qenë kurdoherë të gatshëm për Kombin.

Telegraf.al / Atmosferës festive të Ditës së Verës në mjediset e Peshkopisë, ‘Qytetit të blirëve’, këtë 14 mars, iu bashkuan grupime të shumtë ushtarakësh (aktiv e rezervistë), që kishin zgjedhur pikërisht këtë ditë, për t’u mbledhur së bashku në vendlindje, me objektin: “Na mbledh dashuria për vendlindjen, kombin dhe betimi ushtarak!”. Grupe ushtarakësh, (burra e gra) gjeneralë, kolonelë, familje të të rënëve, ”Dëshmorë të Atdheut”, fillimisht populluan bulevardin qendror të qytetit, më pas mbushën sallën qendrore të Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli”, ku u bë dhe aktiviteti ceremonial.

U mblodhën në këtë ditë, breza ushtarakësh e kujtuan dekadat në punë në këtë trevë e gjithë Shqipërinë; kujtimet e tyre nga misionet e përbashkëta me aleatët në vatrat e luftës jashtë vendit, duke shprehur dashuri, nostalgji, mall e njëkohësisht krenari për dinjitetin që kanë treguar në përmbushje të betimit ushtarak dhe detyrave që iu janë ngarkuar. Kishte takime mes disave, dhe pas 40-50 apo 60 viteve.

Sigurisht, më i preokupuari në këtë ditë, ishte gjeneral Dilaver Laçi si kryeorganizator, bashkë me gjeneral Gjergj Vladin dhe Avni Met’hasanin, që ishin përkujdesur deri në detaje për mbarëvajtjen e këtij takimi. Në këtë takim, u kujtuan dhe 6 ushtarakët “Dëshmorë të Atdheut” dhe kolegëve të ndarë natyrshëm nga jeta në këto dekada.

Ndërsa krejt i veçantë ishte dhe koncerti që kishte dhe përgatitur për këtë rast, Asambli i Dibrës, i Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli”.

Për nga mënyra e organizimit, pjesëmarrja dhe mesazhet, takimi i oficerëve dibranë, i pari i këtij lloji në vend,  pati vlera të veçanta, duke konfirmuar dhe një herë se “Ushtarakët kanë qenë kurdoherë shtresë vitale e shoqërisë shqiptare, të ndërgjegjshëm dhe besnikë të atdheut deri në sakrificën e fundit, dhënien e jetës!”

Përgatitja dhe aktiviteti

Mbrëmjen e dy ditëve para aktivitetit, teksa isha në punë në gazetë, bie zilja e telefonit. Ishte gjeneral Dilaver Laçi, me të cilin kisha disa kohë pa komunikuar.

-Dilaveri jam. Më 14 mars, do takohemi në Peshkopi, do mblidhemi oficerët dibran. Sigurisht që ju do vini. Takohemi atje- më tha.

-Po mirë mo, shyqyr që u bëtë të gjallë, po nuk gjetët një ditë tjetër, po Ditën e Verës”- iu përgjigja. Gjithsesi, mëngjesin e kësaj dite, udhëtuam së bashku drejt Peshkopisë.

Në çeljen e aktivitetit në Pallatin e Kulturës, fillimisht u shoqërua Himni Kombëtar. Në vijimësi, u kujtuan dhe u mbajt një minutë heshtje për oficerët dibranë, “Dëshmorë të Atdheut”, rënë në krye të detyrës, Përkatësisht: Sefedin Tomçini, pilot; Sabri Toçi, pilot; Florian Delija, pilot; Klodian Tanushi, oficer; Hajrulla Tollja, oficer; Mehmet Hysa, oficer. Njëkohësisht, po me një minutë heshtje, u kujtuan dhe 74 oficerët dibranë që kanë ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

Fjalën përshëndetëse, e mbajti, gjeneral Dilaver Laçi, i cili, ndër të tjera tha: “… Sot jemi kaq, është hera e parë që mblidhemi, e jam i sigurt se radhën tjetër do të jemi shumë, disa herë më shumë se kaq! Se na thërret vendlindja, tradita e mrekullueshme dibrane, historia e lavdishme e të parëve tanë, trashëguar ndër breza! Kemi pse mblidhemi, kemi çfarë të kujtojmë e çfarë të themi ne oficerët dibranë, se ndër vite e dekada, kemi qenë në ballë të punëve, fisnikë e të betuar për të dhënë jetën për kombin, për interesat mbarë shqiptare! Ikëm fëmijë që këtu, u burrëruam nëpër shkolla, e punuam me devocion këtu e në mbarë Shqipërinë, në frontin e luftës për lirinë e Kosovës, në frontet e luftës me aleatët në shumë pika nevralgjike ku rrezikohet demokracia e liria në botë.  Dhe gjithmonë, ishim e jemi në vijë të parë, brezat para nesh, ne, brezi i sotëm dhe brezat që do vijnë. Kemi mes nesh komandant Ismailin, gjeneralë dhe kolonelë dibranë, oficerë madhorë e oficerë të

funksioneve të ndryshme, që kanë lënë gjurmë në historinë e traditën dibrane, në strukturat e Forcave tona të Armatosura. Pra, kemi përse të krenohemi ne oficerët dibranë! Shpresoj e besoj që këto takime në vendlindje të kthehen në traditë…”.

Kujtime Malli e Krenarie

Në podium, u ngritën e sollën kujtime, shumë ushtarakë të tjerë, që sollën kujtime, mallin për shokët e dikurshëm, krenarinë dhe gatishmërinë për të qenë kurdoherë të gatshëm nëse atdheu i kërkon…

Ismail Shulku (Kolonel):…Si ndër më të moshuarit në këtë takim, sot, ndjej emocion si asnjë herë në jetën time. Urime organizatorëve. Është takim i veçantë ky joni, që na sjell mall e krenari. Jo thjeshtë si takim, pasi ka dekada që disa takojnë njeri-tjetrin sot, por dhe për krenari të traditës vëllazërore dibrane. Oficerët dibranë, kanë qenë, janë e do të jenë kurdoherë në ballë të detyrave karshi atdheu. Nga gjiri jonë kanë dalë ministra, deputetë, gjeneralë, komandant të njësive operative, diplomatë e  ambasadorë. Gjeneralja e parë e Ushtrisë Shqiptare, Zëvendëse e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, në detyrë, është dibrane. Pra, kemi çfarë të themi … Mendoj të takohemi periodikisht, në data të caktuara, e kjo të mbetet traditë brezash…”.

Gjeneral Xhemal Gjunkshi (ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA): “…Jam i emocionuar nga ky takim, që është i veçantë në llojin e vet. Kemi punuar me përkushtim në dekada, kemi lënë gjurmë si dibranë, në përmbushjen e misionit të oficerit aktiv, bashkë me kolegë të trevave të tjera të ushtrisë. Ta kthejmë këtë në një traditë…”

Gjeneral Gjergj Vladi: “.. Të jemi krenarë për çfarë kemi dhënë ne dibranët, si ushtarakë aktivë, nga kapiteni i thjeshtë, deri tek gjeneralët e oficerët madhorë, duke filluar nga heronjtë e kombit e tribunët tanë popullor: Nga Skënderbeu që ka vendlindje Dibrën, Ilias Pashk Dibrën, Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; Nikoll Kaçorrin, Zënendëskryeministrin e Shtetit të Parë Shqiptar; Heroin Gjokë Doçi; Ibe Palikuqin, heroinë; Nazmi Rushitin, hero i luftës; Hajrulla Tollen e Mehmet Hysën, oficerë të rënë në krye të detyrës; Komandant Ismail Shulkun; Gjeneralët dibranë, Hysen Rrepa; Manushaqe Shehu; Xhemal Gjunkshi; Zyber Dushku; Dilaver Laçi; Bardhyl Hoxha; Ali Koçeku; kolonelë, mjekë të talentuar ushtarakë; pedagogë të shumtë të Akademisë Ushtarake etj….”.

Jahe Delia, (babai i pilotit ‘Dëshmor i Atdheut’, Florian Delia): “..Faleminderit për këtë organizim dhe ftesën që më bëtë. Djali im, Floriani, do të ishte sot këtu mes jush. Por ai u vra në krye të detyrës, e sot unë jam në vend të tij. Do të jem kurdoherë mes jush, unë dhe familja ime, në ditë të mira e ditë të liga. Kur ju shoh ju, më duket se kam dhe Florianin këtu, më duket se e kam të gjallë… Faleminderit!”.

Remzi Çakrri (Kreu i SHKSHURSH, Dibër): “… Me këtë aktivitet sot, ne oficerët dibranë, tregojmë se kemi qenë e do të jemi kurdoherë dinjitozë, kurdoherë të gatshëm për nevojat e atdheut. Pavarësisht moshës që kemi… Mirë u takofshim përsëri…”.

Prologu dhe mesazhet

Befasi që ishte mbajtur sekret, ishte fakti që në fund të ceremonisë zyrtare, Asambli i Pallatit të Kulturës, dhe një koncert të pasur me këngë dibrane të traditës, konceptuar e përgatitur, enkas për këtë rast. U duartrokitën interpretimet e këngëtarëve Agim Skara, Edmond Pernexha, Ylber Sopoti etj…

Të pranishmit, në fund konfirmuan grupin e organizatorëve dhe vendosën që një herë në vit, të mblidhen në Peshkopi oficerët me origjinë nga Dibra dhe grupimet, atje ku punojnë e jetojnë, në Tiranë, rrethe të tjera të Shqipërisë apo komunitete në Emigrim, të takohen më shpesh.

Në fund, të gjithë të pranishmit, drekuan së bashku në një nga lokalet e njohura të qytetit, në një atmosferë kujtimesh, dollish, këngë e valle të shumta, deri në orët e vona të mbrëmjes së ditës, duke u ndarë me premtimin: “Mirupafshim prap në vendlindje!”