Ilmi S.Qazimi: Sazanin, ose e bleu ai ose ia fale ti!

22
Sigal

Telegraf.al / Kemi disa vjet që krimi në Shqipërinë tonë ka marrë përmasa të frikshme. Madje edhe qeveritarët e media, kur flasin për arritje  përmendin numrin e të dënuarve, numrin e të vrarëve, sasinë e të plagosurve dhe të sëmurëve mendërisht. Ndërkohë që Këshilli i Ministrave vijon marrëveshjet e fshehta e të hapura në kuadrin e partneritetit, si puna e luanit me mushkonjën. Kryetarit të qeverisë sonë të tanishme i intereson më shumë mashtrimi me fjalitë euforike se ”partia socialiste është e pakonkurrueshme”, postimi nëpër rrjete sociale i planeve të dhëndrrit të Trampit në Sazan e në Zvërnec, resorte turistike dhe shifrat e turistëve-që kurrë nuk u thanë të sakta, e të tjera afera që i sjellin superfitime. Dhe ai guxon e thotë se ‘ne nuk e shesim Sazanin!’ Sido që të jetë e vërteta e kësaj afere disi euforike, ka prapaskenë të errët politike. Po pse kaq naivë apo budallenj i quan ky kryetari ynë i qeverisë shqiptarët që të mos e kuptojnë se Sazanin, o e bleu ai i përtej oqeanit  o ia fale ti që je në krye të këtij vendi!

Familja jonë po pëson dëmtime të rënda psikologjike, shoqërore dhe njerëzore. Uniteti i saj po shthuret; rëndësia dhe roli i saj po venitet. Funksionet e saj historikisht të njohura në Shqipëri ku babai e nëna kanë vendin e parë dhe fëmijët duhet të mësojnë prej tyre, etj etj, po tjetërsohen dhe po kthehen në të kundërtën e hidhur. Kur shohim se për një vit janë dhunuar qindra gra, janë vrarë 12 vetë si pasojë e krimit në familje, janë divorcuar 40% e mos më shumë, janë braktisur dhjetra fëmijë deri sa hidhet edhe fëmija i porsalindur në koshin e plehrave – mund të themi pa frikë se shoqëria shqiptare po degradon rëndshëm. Po vret djali dhe vajza babain, kur po varros motra vëllain, ku po shkojmë kështu?

Deri sa edhe kryetari i qeverisë deklaron me mburrje se “Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në botë; shkalla jonë e krimit është më e mirë se Britania e Madhe, Greqia apo Italia dhe sigurisht SHBA, me një nga normat më të ulëta të vrasjeve në Evropë.”!?- atëherë çfarë ka mbetur më? Si mund të krahasosh një shtet me 2,7 miloin banorë me një shtet 340 milion banorë? Këto janë absurditete! Kjo gjendje është pasojë e mungesës së edukimit sistematik të njerëzve gjatë gjithë periudhës së qeverisjeve postkomuniste e sidomos kësaj të Edi Ramës, ku theksi vihet vetëm tek fitimi, superfitimi në kohë sa më të shkurtër e aspak tek edukimi moral atdhetar dhe punëdashës.

Të edukosh do të thotë të ndikosh me një punë të vetëdijshme sistematike, të pandërprerë, për formimin dhe zhvillimin e përgjithshëm e të veçantë të një njeriu apo grup njerëzish, për mënyrën e të menduarit e të jetesës, për ndjenjat, për sjelljen e tyre në familje, shoqëri. Ai që merret me edukimin mund të jetë person apo institucion shtetëror, apo privat, prind,  kujdestar apo organizatë a shoqatë, dhe është ai ( ajo, ata) që përcakton edhe mjetet e edukimit. Kësisoj njerëzit  marrin një lloj edukate të caktuar dhe brumosen me karakter, me një tërësi vetish, cilësish shpirtërore, mendore, fizike, kulturore, emocionale; pra formojnë tipare, shije, zakone në përputhje me kohën që jetojnë, pronësinë mbi mjetet e prodhimit e të shpërndarjes së të mirave materiale e shpirtërore, vendin që zenë dhe rolin që luajnë në rreshtimin shoqëror dhe në ndarjen shoqërore të punës. Kështu që edukimi ka karakter klasor, sepse tjetër edukatë, përthith, përfaqëson dhe shpërfaq i biri i një biznesmeni, ministri, deputeti, kryetari partie, që u bënë të tillë dhe vijojnë të pasurohen, me drogë e prostitucion, hajdutëri e mashtrime dhe tjetër edukatë ka vajza e djali i një fshatari që merret me blegtori apo bujqësi, e një mësuesi të zonave të thella, e një punëtori në kompani ndërtimi…

Për t’u futur në temë, që ta kuptojnë lexuesit e sotshëm, edukimin në rendin socialist, në të gjitha vendet e atij kampi aq të përparuar njerëzor edhe pse jetëshkurtër, mbasi e grreu tradhtia, e bënin në mënyrë të vijueshme dhe vetëm me plan, një gamë e gjerë institucionesh shtetërore dhe organizatash shoqërore, ku vendin e parë e kishte shkolla e të gjitha niveleve, nga çerdhja në Universitet e krahas saj familja. Atëkohë u arritën suksese të paimagjinueshme, në edukim e në prodhim, në ndërtim e në mbrojtje të  atdheut. Ato arritje e ato motive ishin (e tani janë vetëm nëpër libra me kujtime dhe ndonjë objekt ende të paprishur), të pakonceptueshme për njerëzit e sotshëm e të së ardhmes së afërt. Kishte lezet jeta në shtëpi, jetesa në punë e në shoqëri. Secili dinte vendin e rolin e vet dhe përpiqej të përfitonte nga më e mira që rekomandohej me anë të bindjes e për të pabindurit deri në detyrim. Ishte e garantuar puna, strehimi, siguria, kishe të drejta të mirëfillta dhe  detyra po aq të rëndësishme. Ngado të shkoje ishe nën  kudhrën e edukimit të përvijueshëm njerëzor, mbarëkombëtar të drejtuar nga një parti e nga shteti. E përsëris ishe nënë kudhrën edukuese në lagje, në ndërmarrje, në rrugë, në organizatën e pionierit, të rinisë, të bashkimeve profesionale, të partisë. Dhe u arritën rezultatet më kolosale në një shoqëri njerëzore si kjo e jona, shqiptare. U largua, mënjanua dhe u përbuz, gjakmarrja. U minimizuan imoralitetet, vjedhjet, abuzimet dhe ekstravagancat. U krijuan mendësi të mira për njeriun e në tërësi dhe njeriun e punës në veçanti. Mbrojtja e atdheut ishte detyrë mbi detyrat për gjithkënd. Mbrojtja dhe forcimi i familjes përbënte një front të madh pune edukative.

Kush e si po edukon sot?

Në vitin 1990 e në vijim në Shqipërinë tonë të brishtë, me një pasuri të pashtershme materiale, shpirtërore dhe kulturore të njerëzve, ky proces u godit me sopatë e pambuk dhe, siç thotë miku ynë Veledin Abazi, atë që la plumbi, e dogji zjarri. Shkatërrimi i pabesueshëm i tërë sistemit arsimor dhe kulturës, goditja e traditës, vetëdijës kombëtare, shpirtit rinor, virtyteve si ndjenja e sinqeritetit, ndershmërisë dhe besimit, dashurisë për familjen, shokun, shoqen, punën dhe atdheun, -janë dëmet më të rënda që pësoi shoqëria jonë.

Tashmë edukimin e njerëzve në Shqipëri e bën vjedhja, vrasja, vdekja. Edukon thika dhe plumbi e mbi të tëra këto, edukon celulari dhe ‘big bradhër’. Shkolla dhe mësuesit e sfilitur po mundohen që të bëjnë diçka dhe kanë ecuri aq sa nuk bën prokopi e të mbyt e keqja. Shkollave u mungon mbështetja ligjore, prindërore, shoqërore. Edukon më shumë gënjeshtra dhe mashtrimi, hipokrizia dhe turpi,-të tëra këto  në  mënyrë sporadike, por të përçdominutëshme. Bën një edukim praktik të njerëzve bluza dhe reklama ku shkruhen lloj-soj fjalësh e fjalish monstruoze; e bën muzika ku s’gjen dot melodi, por vetëm kofshë femrash e fytyra djemsh të deformuara; e bën ecja në trotuar ku nuk sheh dot një fustan të regullt; e bën parlamenti ku mungesa e edukatës arrin kulmin, madje deri sa iu vënë zjarrin karrigeve dhe mbushin sallën me tym helmues!? E bëjnë qeveritarët, nga kryetari i qeverisë,e deri te recepsionistja në hyrje të ndërtesës që jo vetëm “nuk e rruajnë fare”, si mjekrën e morrosur ashtu edhe sjelljen e tyre të marrosur, por e kanë shthurur trimërrë e karakterit dhe vetëdijës kombëtare, pikërisht atë cilësi bazë që duhet të ketë shtetari.

Si mund të themi se edukojnë fjalët e kryetarit të qeverisë kur ai deklaron: “Që ikin shqiptarët nga vendi, kjo nuk është punë e qeverisë. Duhet të mësohemi me largimin edhe me emigrimin e shqiptarëve!?” Kryetari ka të drejtë; ai atë që thotë e bën dhe atë që bën e thotë. Para ca kohësh krijoi një ministri për emigracionin dhe diasporën, por puna e saj  s’u duk kurrë. Akoma qeveria dhe prindërit e të emigruarve, nuk dinë se ku janë, sa janë, a janë dhe si janë shqiptarët ashtu siç interesohen tërë qeveritë e vendeve të botës për  shtetasit e tyre emigrantë. Kësisoj kryeministri ia ka varur fare punës qeverisëse për të mirën e shqiptarëve dhe shikon vetëm famën, fitimin, futjen në Europë, fjetjen mbi dafina! Edukimin tani e bën përbindëshi mediatik botëror, kryesisht ai amerikan dhe industria ultra e sofistikuar kinematografike. E bën celulari, tableti, kompjuteri. Fëmijët në masën mbi 90% kanë krijuar vartësi prej tij. Mjeranët njerëz, zgjedhin rrugën më të lehtë: ul kokën në ekran dhe harro jetën reale. Interneti jep informacion të pakufi, por kurrë nuk jep dije të sistemuara që të të shërbejnë për mirë si udhërrëfyes frutdhënës  në jetën tënde.

Së fundmi, dhe më e rënda, edukimin tashmë edhe në Shqipërinë tonë e bën paraja! Kush ka paranë bën hatanë. Drejtojnë institucione individë të dënuar e të anatemuar. Madje një njeri sa herë të jetë dënuar aq herë përbën vlerë të shtuar! Një majë e kësaj katrahure çoroditëse, asgjësuese për njeriun e vërtetë është edhe vetë ligji, i cili parashikon ulje dënimi apo dalje nga burgu po qe se paguan një sasi të madhe parash. Kështu që vetë ky sistem ekonomiko-shoqëror, nuk e ka jetën të gjatë, por ne shqiptarëve na ka dëmtuar së tepërmi, sepse jemi pak dhe po mpakemi dhe plakemi me shpejtësi të rrezikshme. Aktualisht mundësitë janë që kjo situatë të zbutet, por vetëm në qoftë se qeverisja do të synojë jetën reale të banorëve shqiptarë, punëtorëve dhe fshatarëve, qytetarëve që prodhojnë të mirat materiale e jo ata që mashtrojnë.