Prof. Artan Xh. Duka: Loja me opozitën është lojë me shpresën

24

Është paradoksale që sot po merremi kaq shumë me opozitën ndërkohë që është qeveria ajo që ka gjërat në dorë dhe gjërat po bëhet mullar. Sa për Bashën që bën si Beni ecën vetë, i rroftë vula edhe nëse ia japin. PD zyrtare do të vijojë të etiketohet si bukëshkalë prej tribalëve të Rithemelimit duke u tkurrur deri në shoqatë dhe e vetmja rrugë për mbijetesë të logos së PD.

Sigal

Bjeri t’i biem!

Telegraf.al / Është paradoksale që sot po merremi kaq shumë me opozitën ndërkohë që është qeveria ajo që ka gjërat në dorë dhe gjërat po bëhet mullar. I bie t’i biesh atij që ka rënë përtokë, por ja që kemi një qeveri që po merr kot, shpresa e besimi po humbasin shpejt, ndaj dhe opozitën e duam në këmbë e natyrshëm do merremi me të.

Pyetja është cilën opozitë? Kjo e sotmja, me apo pa vulë, është më e padëshiruar se vetë qeverisja! Pati kaq kohë të reflektonte, por shumica janë bërë gardh pas nongratës tek Rithemelimi e ca bëjnë sikur kanë lindur dje ndonëse bënin be për nongratën më parë. E sa kohë ky mall opozitar, sa kohë kjo qeverisje dhe sa kohë ky ligj zgjedhor që shkurajon praninë e partive të reja apo të pavarurve në Kuvënd, do të vijojë të rrënohet edhe besimi qytetar. Jo thjesht tek politika, por dhe vetë sistemi demokratik që partitë politike po e sabotojnë çdo ditë.

Sot vëmëndja kryesore mediatike e qytetare duhet të ishte tek kupa (apo super-kupa) që po mbushet nga qeverisja Rama, por, edhe nëse qeveria e bën baltë, shpresa qytetare nuk fashitet sa kohë ka opozitë që e ushqen atë. Kjo shpresë zhbëhet vetëm kur qeverisja e përfolur nuk ka zëvëndësues(!) e kur vetë vota nuk shpie kund me pasojë pastaj mefshtësinë, indiferentizmin, pelivanllëkun qytetar apo ikjen nga sytë këmbët jashtë.

Përballë kusureve prej qeverisjes Rama e humbjes së identiteteve në PS, sot ka rëndësi ngjizja e një opozite, që bart e nxit frymë shprese në vënd. Qoftë kjo një PD e pastruar nga llumi i së shkuarës apo një opozitë e re që mundësohet nga rishikimi në themel i ligjit zgjedhor.

Me apo pa vulë, PD aktuale me apo pa vulë që i ka ngecur ora tek e djeshmja nuk do të arrijë ndonjëherë të votohet nga shumica në vënd e Ramës do i “ngecë” pushteti në dorë jetë e mot. Hakçe-hakçe, historikisht PD nuk ka qënë kurrë shumicë që kur trumbetoi demokraci “bashkëfajtor e bashkëvuajtës”, por shpalosi flamurin e revanshizmit absurd duke anatemuar vlerat e LANÇ dhe shtetndërtimit më pas me të cilat identifikohet shumica e popullsisë dhe lejoi apo nxiti anarkinë që rrënoi pakthim ekonominë e kohezionin social në favor të gjeopolitikave antishqiptare në rajon.

E shumta që mund të arrijë PD e degraduar e sotme është të mbetet shumicë në opozitë! Edhe kjo me pikëpyetje tanimë që ka plasur “bomba” nongrata ndonëse ligji zgjedhor i 2008 sërisht e favorizon dhe për më tepër Rama e ka jetik Berishën për krahasim si me 38 dikur!

Vula nuk pi ujë!

Ndonëse vula akoma mbetet një çështje e hapur, qoftë Rithemelimi, qoftë PD e Bashës janë të pashpresa për të ardhur në pushtet, edhe sikur të bëhen bashkë. Protagonizmi i tyre fals që ushqen dhe ushqehet tek tribalizmi historik në PD dhe “besa” e mbështetësve që e lidhin nderin e dinjitetin personal me përkushtimin e besnikërinë deri në fund ndaj liderit(!), vetëm merr kohë e përpjekje të vyera në dëm të kauzës së opozitarizmit dinjitoz që qytetari e demokracia meriton.

Loja e vulës është lojë me mbijetesën e PD si parti. Ndonëse simbol i lëvizjes së dhjetorit, ajo sot është kërrusur nga një trashëgimi tepër negative, që mund ta vërë përfund pakthim duke e shndërruar në relike historike. Shansi i vetëm për mbijetesë i PD në politikë është bashkimi mes Rithemelimit e PD zyrtare pas distancimit e denoncimit të trashëgimisë së dyshes Berisha-Basha e largimit të rrethit të tyre. Dhe më tej, që PD e bashkuar të shihet si opozitë e besueshme për pushtet duhet të jetë rikthimi në vlerat e dhjetorit 1990 si dhe ftesa historike për të bërë bashkë shqiptarët pavarësisht së shkuarës duke vlerësuar siç duhet edhe kontributin e vlerat e LANÇ e shtetndërtimit më pas. E vënë një kurorë më 28 apo 29 nëntor, këtë t’ua lënë historianëve, boll të njohin e vlerësojnë LANÇ e mundin e një populli për të bërë shtet më pas si vlera që na bëjnë të gjithëve bashkë.

Sa kohë Rithemelimi vazhdon me avazin Berisha, do të marrë peng vetveten duke u degraduar në opozitë rrugice se edhe qëndrestarët(!) e kanë një limit. Shansi i vetëm i Rithemelimit është t’i kundërvihet “babait”, pa pritur që SPAK e drejtësia t’u japë një dorë (ndryshe do duket sikur po e bëjnë nga halli), për të zgjuar interes e fituar besueshmëri tek qytetari më pas.

Sa për Bashën që bën si Beni ecën vetë, i rroftë vula edhe nëse ia japin. PD zyrtare do të vijojë të etiketohet si bukëshkalë prej tribalëve të Rithemelimit duke u tkurrur deri në shoqatë dhe e vetmja rrugë për mbijetesë të logos së PD do të jetë ose bashkimi me një Rithemelim të distancuar nga Berisha, ose një aleancë me Ramën(!) (sikurse LSI dikur) që do i garantonte pushtet dhe anëtarësi bazuar tek administrata e klientelizmi i pushtetit.

I ka dalë që i ka dalë nami si zari i Ramës, por të paktën nuk ka pse troket tek dera e tij se qeverisja e djathtë social-ishte e Ramës i ka dalë dhe e pret në gjysëm të rrugës! Do të ishte një pazar “historik” që do të bënte bashkë dy parti që ndonëse kundërshtare, u bënë bashkë për të degraduar pakthim sistemin e vlerave në vënd.

Vota, lodra apo gogoli që i kall datën politikës?

Në të gjitha rastet, ka vetëm një humbës të sigurtë e ky është qytetari shqiptar që do të mbetet gjatë në dorën e Ramës, sepse opozita e ka tradhëtuar misionin e saj. I vetmi shteg nga ky qorrsokak është një ligj i ri zgjedhor që u mat kokën me pe politikanëve në vënd.

Politika, vetë PS kanë kohë që luajnë me votën. Mungesë transparence, kulisa, bërje fakti, pështjellime (këtej ekspertët e PS dalin me propozime, këtej Rama sipas medias thotë se pa mirëkuptim e pa kartona do të vazhdohet me ligjin aktual) për një gjë që është pasuria e qytetarit dhe mjeti i vetëm i tij për të bërë zap politikën.

Ndaj reforma zgjedhore duhet të dalë nga kontrolli i politikës. Nevojitet një ligj radikal si psh. ai mazhoritar, që garanton përgjegjshmëri në Kuvënd, varësi reale të deputetit nga votuesi dhe i lëkund tokën nën këmbë politikës abuzive e arbitrare që na është imponuar prej vitit 2009. Vota nuk duhet të jetë lodra me të cilën luan e shkon kohën politika, por gogoli që i kall datën asaj!