Nesip Kaçi: Heronjtë e Dunavatit i bën dritë Gjirokastrës dhe LANÇ

51
Sigal

Adeti –kjo bijë e Dunavatit, që i bën dritë Gjirokastrës

Ja si Adeti priste në shtëpinë e saj ilegalë dhe shumë përkrahës të luftës antifashiste. Më shpesh nga të tjerët vinte Nure Çiço, Bule Naipi, Shemsi Totozani, e më rallë Bedri Spahiu, Munir Karagjozi, Flamur e Tore Nishani, Violeta e Halil Alite etj.

 Nesip Kaçi

Publicist

Vrasja e burrit të saj, Asimit, ishte një goditje shumë e rëndë për Adetin dhe fëmijtë. Por Adeti ishte një natyrë e fortë. Ajo nuk u largua nga idealet e burrit të saj. Ajo ishte krenare për Asim Meron dhe për tre djemtë e saj partizanë, për Omerin, Astritin dhe Mërkurin. Historia e Adetit ishte një vazhdimësi lufte. Adeti, për mendimin tim, ishte një model i ri i rolit të gruas dhe i pozicionit të saj në Luftën NacionalçlirimtarE

Emri i saj i plotë ishte Sehadet, por të gjithë e thërrisnin për shkurt Adet. Me këtë emër e thërrisnin prindët, motra , vëllai, kushërinjtë, fëmijtë, shoqet dhe e gjithë lagjia Dunavat në Gjirokastër. Ajo ishte e bija e Sadik Kaçit, ushtarak i lartë, oficer madhor në Vlorë në perandorinë osmane. Në moshë të re Adetin e bukur e martuan në lagje me Asim Meron, i shkolluar në Zosimea në Janinë, aktivist i lëvizjes kombëtare dhe një nga përfaqësuesit e brezit të ri të intelektualëve gjirokastritë. Burri i saj, Asimi, nuk ishte vetëm njeri i aksionit, por edhe intelektual sypatrembur, i ushqyer e i formuar me idealet e Rilindjes, por edhe me idetë e mendimet e përfaqësuesve të lëvizjes kombëtare dhe demokratike kundër bejlerëve dhe regjimit të Zogut. Për këtë arsye, burri i saj u persekutua dhe u burgos  disa here nga rregjimi i kohës si element i rrezikshëm. Ai mori pjesë në çdo aksion dhe lëvizje kundër regjimit të Zogut dhe lakmive të fuqive shoviniste dhe imperialiste, duke filluar nga Lufta e Vlorës, deri tek kryengritja e Fierit. Burri i saj u rreshtua në Lëvizjën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në luftën pa kompromis kundër Ballit Kombëtar. Shtëpia e tij u bë një nga bazat ilegale të rëndësishme të luftëtarëve të lirisë. Adeti , priste në shtëpinë e saj ilegalë dhe shumë përkrahës të luftës antifashiste. Djali i saj Agim Mero, në kujtimet e veta shkruan : “ Në shtëpinë tonë filluan të hynin e dilnin vajza e djem të rinj nga familje të njohura gjirokastrite. Më shpesh nga të tjerët vinte Nure Çiço, Bule Naipi, Shemsi Totozani, e më rallë Bedri Spahiu, Munir Karagjozi, Flamur e Tore Nishani, Violeta e Halil Alite etj. Adeti, ne të vegjëlve, na jepte porosi  që të mos i thoshim njeriu se kush hyri e kush erdhi. Ajo, -shkruan Agim Mero, kishte merak e shqetësohej për ilegalët, që vinin në shtëpinë tonë, veçanërisht për vajzat dhe me to ishte më e dashur dhe më e dhimbshur. Adeti, deri sa vdiq , më 1982, i kujtonte me dashuri e kënaqësi të veçantë ato vajza ilegale e herë pas here na pyeste: “ E keni parë gjë Nuren, ç’bëhet ? Po Toren ? Po Violetën, që i feksnin sytë binadalës! Mbi të gjitha ajo nuk harronte Bule Naipin, të cilën, disa ditë para se ta arrestonin, e përcolli deri te porta me një copë bukë e djathë e, duke e përqafuar  i tha: “ Bule të keqen, ki mendje e ruaj kokën, se janë kohë të liga.”

 

 Adeti bën pjesë në radhët e luftëtarëve të atdheut jo me pushkë në dorë, por me mjete të tjera, që janë edhe më të fuqishme se pushka, që lënë gjurmë me mesazhe të fuqishme dhe vërtetojnë atë që shkruan Sami Frashëri , se gruaja është themeli i një kombi.

Dunavati i Adetit ishte një terren i përshtatshëm për luftën ilegale, dhe atë guerile, sepse ishte ngjitur me Malin e Gjerë dhe pjesa dërmuese e kësaj lagjeje ishin të lidhura ngushtë me Luftën Nacionalçlirimtare. Ndërkaq, djali i saj i parë Omer Mero ishte partizan në brigade e 8 Sulmuese me detyrën zëvendës-komisar batalioni, djali i dytë Astrit Mero ishte partizan në brigadën e 6 Sulmuese, ndërsa djali i tretë Mërkur Mero merrte pjesë në njësitet guerile të Gjirokastrës.

Nure Çiço, një grua energjike  dhe pjesëmarrëse aktive në lëvizjen nacionalçlirimtare, mes shumë emrave dhe 16 bazave ilegale në Gjirokastër, kujton dhe Adetin, që siç shkruan  ajo, disa herë më  ka  shpëtuar nga ndjekja e fashistëve e strehuar në shtëpinë e saj. “ Atje ndjehesha e sigurt dhe shpesh gdhiheshim sëbashku me Bulen.( është fjala për Bule Naipin). Në mëngjes dilnim vonë nga shtëpia veç e veç të shoqëruara nga Adeti, si për të bërë ndonjë psonjë dhe ashtu heshturazi shkonim në shtëpi. Një natë zhurmat në lagje nuk pushuan, Adeti ndjehej shumë e shqetësuar.” Në mëngjes, thotë Nuria, më veshi një fustan të vjetër mbi fustanin tim, më lidhi një shami të zezë në kokë, nga ato që lidhnin gratë e moshuara e plakat gjirokastrite dhe më përcolli tek shtëpia e një kushëriri, për të mos rënë në sy shtëpia ime. Piu një kafe dhe u largua sikur kish ardhur për gjitonllëk.”Shtëpia e Adetit, nënvizon Nure Çiço, ishte kthyer në një bazë të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke i bërë shërbime të çmuara kësaj lufte.

Burri i Adetit, Asimi, u zgjodh në dhjetor 1942  kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar i lagjes Dunavat i dytë. Kjo bëri që ai të nxirrte në çeta për lëvizjen nacionalçlirimtare djem jo vetëm nga Dunavati, por nga e tërë Gjirokastra. Ai ishte bërë intelektual i brumosur me ide antifashiste, që kryente detyra  të Frontit  Antifashist Nacionalçlirimtar. Këtë e dinin edhe spiunët e bashkëpunëtorët e fashizmit, dhe armiqtë nuk do t’ia falnin. Kështu që  Asimin, burrin e Adetit, e arrestuan bashkë me 41  intelektualë gjirokastritë në fillim  të vitit 1944. Pa kaluar shumë kohë  nga burgosja e burrit të Adetit, bashkëpunëtorët e fashizmi, ballistët, në muajin mars 1944 arrestuan dhe futën në burgun e Gjirokastrës djalin e tretë të Adetit, Mërkurin. Në 15 prill1944 në burgun e Kalasë, apo siç i thoshin, në Shtatë Penxheret,  ndodheshin 84 burra dhe gra nga qyteti i Gjirokastrës dhe nga këta dy veta ishin nga familja Mero, Asimi dhe Mërkuri, at dhe bir.

Më 23 prill 1944 në burgun e Gjirokastrës ndodhi ngjarja e tmershme dhe tepër dëshpëruese: Komandanti i Ballit Kombëtar, Ajdin Mataj, vetë i shtatë, ku bënin pjesë edhe ballistët e tjerë si Ruhi Runa, Servet Beqo, Alem Roshi, Bahri Samunda etj., ekzekutuan me thika, që të mos dëgjoheshin krismat, katër burra të burgosur: Asim Mero, Reiz Selimi, Laze Selimi, dhe Reshat Sufati. Këtë masakër  barbare nazifashistët gjermanë dhe shërbëtorët e tyre ballistë e kryen për të detyruar popullin e Gjirokastrës të largohej nga përkrahja që i jepte Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe partizanëve.

Vrasja e burrit të saj, Asimit, ishte një goditje shumë e rëndë për Adetin dhe fëmijtë. Por Adeti ishte një natyrë e fortë. Ajo nuk u largua nga idealet e burrit të saj. Ajo ishte krenare për Asim Meron dhe për tre djemtë e saj partizanë, për Omerin, Astritin dhe Mërkurin. Historia e Adetit ishte një vazhdimësi lufte. Adeti, për mendimin tim, ishte një model i ri i rolit të gruas dhe i pozicionit të saj në Luftën Nacionalçlirimtare, e cila nuk mund të përparonte aq fuqishëm pa bazat e popullit të thjeshtë në prapavijë, në qytete dhe në fshatra. Një bazë e tillë ishte dhe shtëpia e Adetit. Ajo nuk ishte e vetme në aktivitetin e saj  në shërbim të luftës.

 Adeti lindi dhe edukoi me frymën e atdhetarisë gjashtë djem dhe një vajzë, tre nga djemtë e saj morën pjesë në njësitë partizane. Natyrisht ata ndoqën rrugën e babait të tyre  antifashistit Asim Mero, por është me vend  të theksojmë fort se Adeti ka vulën e saj të pamohueshme në edukimin atdhetar të djemve të saj, të cilët që në moshë të re morën pjesë në aradhat partizane.

Po të shohim  historinë e kësaj lufte në Gjirokastër, dy lagjet, Dunavati i Parë dhe Dunavati i Dytë, që ishin ngjitur me Malin e Gjerë, ishin kthyer në “ Stalingradi “ i Gjirokastrës, që i dhanë luftës 25 dëshmorë, të cilët janë : Bule Naipi – Heroinë e Popullit, Ago  Topulli, Asim Mero, Astrit Karagjozi, Astrit Zemani, Azem Shehu, Barjam Makriu, Inajet Dumi, Ibrahim Sako, Jaço Braja, Jupe Dumi, Hariz Çamani, Haxhi Gavani, Hysen Koçi, Laze Selimi, Muzafer Kotroçi, Mufit Hebi, Mufit Reso, Murat Muço, Niazi Karagjozi, Petrit Gega, Reiz Selimi, Sado Meleqi, Saliko Braja, Surja Sinani.

Jeta e Adetit u mbrujt e tillë në luftë dhe nëpërmjet luftës. Ishte koha që nazifashistët dhe ballistët tradhëtarë si Idriz Jazo, Rexhep Guga, Hajdin Mataj, Ruhi Runa, Alem Roshi, Tahir Kolgjini  e shumë të tjerë, i rinin Gjirokastrës  dhe veçanërisht  lagjeve Dunavat me “ Urë në dorë”,  për të djegur  shtëpitë e partizanëve që ishin në male. Kështu në lagjen Dunavat i dytë ata dogjën shtëpinë e Laze Kasit, që kishte vëllain e vogël, Fejzo Kasin partizan. Po kështu dogjën shtëpinë e Mail Lanit, që kishte vëllanë e vogël Ahmet Lani partizan. Në kohën që po i drejtoheshin të digjnin shtëpinë e Adetit, dhe të Murat Kaçit, që kishte partizanë dy djemtë e tij Enver Kaçi dhe Kasëm Kaçi, erdhi lajmi se Gjirokastrën e rrethoi Brigada e Tetë Sulmuese dhe  ballistët u larguan në panik nga qyteti, pa arritur të digjnin shtëpi të tjera, që i kishin vënë në listë.

Adeti bën pjesë në radhët e luftëtarëve të atdheut jo me pushkë në dorë, por me mjete të tjera, që janë edhe më të fuqishme se pushka, që lënë gjurmë me mesazhe të fuqishme dhe vërtetojnë atë që shkruan Sami Frashëri , se gruaja është themeli i një kombi. Për ta argumentuar këtë do të shtoja se Adeti lindi dhe edukoi me frymën e atdhetarisë gjashtë djem dhe një vajzë, tre nga djemtë e saj morën pjesë në njësitë partizane. Natyrisht ata ndoqën rrugën e babait të tyre  antifashistit Asim Mero, por është me vend  të theksojmë fort se Adeti ka vulën e saj të pamohueshme në edukimin atdhetar të djemve të saj, të cilët që në moshë të re morën pjesë në aradhat partizane.

Për të treguar karakterin, qëndrueshmërinë dhe personalitetin  e Adetit , më poshtë po jap një pasazh: Adetin e lajmëruan se djali i saj Omer Mero, partizan i brigadës së tetë sulmuese dhe zëvendës komisar batalioni, ishte plagosur dhe ndodhej në Suhë, e cila ndodhet diku mes Libohovës dhe Labovës së Kryqit. Në atë kohë burrin Adetit ia kishin vrarë dhe u nis vet me këmbë nga Gjirokastra për në Suhë për të parë djalin e plagosur, me vete mori dhe Agimin 10 vjeçar. Në kujtimet e tij Agimi shkruan:“Mbritëm në Suhë. Adeti kur e pa Omerin të fashuar u shkreh në lot, plumbi i kishte kaluar horizontal mbi sisën e majtë pa ia prekur zemrën, Adeti nuk e bëri veten, ajo falenderoi shokët e Brigadës që ia kishin shpëtuar djalin.  U kthyem në Gjirokastër të raskapitur, shkruan Agimi ”.

Tanimë Adeti kishte mbetur kryetare apo e para e familjes. Ajo ishte një grua e rallë në ato ditë të vështira, që shpalosi vlerat e kësaj lufte. Sa herë sjell ndërmend Adetin, më duket sikur mblidhen pranë saj hallë Ruzhdua, teto Qerua ( apo teto madhia), Hatua, Nadua, Atua, Vera, Shpresa, Landa e vogël, Manushaqja, Sevimi, Liljana, Anushia, Suzana, të cilat Adetin e kishin në shpirt, dhe sot, kur e kujtojnë, krenohen me të.

Pas çlirimit të Shqipërisë, kur tre djemtë e Adetit, Omeri, Astriti dhe Mërkuri  u caktuan me punë në detyra të rëndësishme në Tiranë, Adeti shkoi pas djemve në kryeqytet dhe banonin në pallatet e Shallvareve. Për Adetin dhe familjen e saj këto vite ishin vite të bukura, kur ajo martoi dhe rehatoi tre djemtë e parë, ndërsa fëmijtë e tjerë Agimi, Volteri, Pranvera dhe Neptoni vazhdonin shkollat e mesme dhe të larta. Adeti, ashtu si klloçka, që mbledh e fut nën krahë zogjtë e saj, ashtu edhe ajo mbante afër fëmijtë e saj, që e donin dhe e respektonin aq shumë. Ndërkohë, në mënyrë të qetë dhe të lumtur kaluan rreth 30 vjet të bukura për Adetin dhe familjen e saj në Tiranë. Kështu Agimi mbaroi universitetin, degën  inxhinieri ndërtimi në Tiranë, Volia (Volteri) mbaroi studimet e larta në Leningrad në degën e Anijeve Luftarake, Tonia ( Neptoni ) mbaroi universitetin në degën e Fizikës, Pranvera u martua, kështu që Adeti u qetësua edhe më mirë, me martesën e vajzës së vetme që kish, me martesën  e tre djemve të tjerë dhe me krijimin e familjeve të reja, u bë gjyshe e nderuar dhe e respektuar nga të gjithë. Ndërkohë Agimi u zgjodh anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Sekretar i Parë i Komitetit Qëndror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, detyrë që e mbajti për më shumë se 10 vjet. Pas kësaj Agimi u emërua Rektor i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Këto detyra të larta të Agim Meros e rritën shumë prestigjin, autoritetin dhe respektin e familjes së Adetit dhe në përgjithësi të familjes Mero me integritet atdhetar.

Mirëpo në gushtin e vitit 1973 Agim Meron nga rektor universiteti e dërguan të punonte si inxhinier në ndërtimin e Uzinës  së Shkrirjes së Bakrit në Laç. Ndërsa Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën i përjashtuan nga KQ dhe nga partia, si element me pikpamje liberale, revizioniste e antiparti, si rufjanë politikë, armiq të partisë, për Agim Meron u fol  si një kuadër i ri që rrëshqiti në liberalizëm, prandaj e kthyen nga anëtar në kandidat të Komitetit Qëndror, që duhej të reflektonte dhe të korrigjohej. Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën gradualisht  e familjarisht i internuan dhe i futën në burg.

Në plenumin e katërt të Komitetit Qendror Enver Hoxha e kritikoi Agim Meron se kishte spekulluar me emrin e Enver Hoxhës për të shitur pikpamjet e tij për kuadrin, duke thënë se kuadrot e vjetra mbi 50 vjeç të largohen nga postet udhëheqëse. Enver Hoxha në atë kohë ishte 70 vjeç dhe tha se : Agim Mero ka pikëpamje të dënueshme dhe shumë liberale edhe për kuadrin. Në vitin 1976 Agimin e përjashtuan edhe nga partia, kur kishte tre vjet që punonte e jetonte në Laç me gruan dhe dy fëmijtë. Fundi nuk i dihej se ku do përfundonte Agim Mero, Laçi  ishte ndoshta prologu. Dihej që masat që merrte plenumi ishin gjithmonë prologu, epilogu, ka shkruar Agim Mero, askush s’e dinte dhe s’e parashikonte dot se kur mund ta arrestonin dhe ta vinin brenda hekurave. Menjëherë pas përjashtimit të Agimit nga partia dhe dënimit, si në gjysëm internim në Laç, filloi goditja ndaj familjes. Omeri dërgohet në fshat, Astriti u kthye urgjent nga ambasador e disa muaj lihet pa punë, Mërkuri nga zëvendësministër i bujqësisë internohet në Krumë, Volteri nga drejtues i nëndetses  e largojnë nga kjo punë dhe e pëson më keq nga të gjithë, Neptunin e internojnë në fshatin Miçan të Përmetit.

Tani do kthehemi përsëri te Adeti. Ajo pasi bisedoi me të gjashtë djemtë dhe kryesisht me Agimin, që jetonte e punonte në Laç, i dërgoi një letër Enver Hoxhës. As sot,- thotë Agim Mero, nuk e dimë se çfarë ka shkruar saktësisht në të Enver Hoxha, por përndjekja e mëtejshme ndaloi. Në një bisedë me  Agim Meron, ai më ka thënë se ka mundësi që Enver Hoxha të ketë shkruar: Lejeni me kaq.

Këtu mbyllet portreti i të madhes Sehadet Mero, që me të drejtë mund të themi, se gra të tilla, me shembullin dhe luftën  e tyre, i bëjnë dritë atdheut.

 

Nesip Kaçi

Publicist

 

 

 

 

diciture

 

Adeti dhe Asim Mero në vitet e para të martesës