Myfyt Qorduka: Ardhja e Spiro Kotes në Pashaliman me nëndetëse

336
Sigal

Filmi “Duel i heshtur” dhe shpëtimi heroik i anijes “Mujo Ulqinaku”

Si erdhi Spiro Kote nga Kaliningradi në vitin 1958 në bazën e Pashalimanit me nëndetëse

– Në gjyqin e Hagës, do hidhej ideja se me atë anije ishin vendosur minat që shkaktuan incidentin në kanalin e Korfuzit

 

Rasti e solli, apo ndoshta isha me fat që e nisa jetën në marinë, e punova bashkë me Heroin e Popullit Spiro Kote. Dikur ai bëri një odise të gjatë për ta kthyer motovedetën në atdhe, sepse nuk dimë asgjë nga të fshehtat e detarisë, kurse në vitet 1960-1970 kishte në dorë fatin e një anijeje nga më modernet e flotës, të pajisur me teknikë luftarake e mbi të gjitha përgatiste detarë të zotë, që e ndjenin veten të sigurtë nën komandën e tij. Zëri i tij buçiste nëpër megafonët e anijes, i plotë e i prerë nga ura e komandimit, nga ku ai drejtonte anijen dhe ekuipazhin i veshur me rroba lundrimi, me pamje të qetë e vështrim të menduar, fytyrëzeshkët e babaxhan, na kujtonte detarët e vërtetë për të cilët jeta nuk ka kuptim pa detin. Ai vinte me eksperiencën e Lamanshit, Gjirit të Biskajës në lundrim me nëndetëse që erdhën nga Kaliningradi në vitin 1958 në bazën e Pashalimanit ku Spiroja u caktua një ndër katër komandantët e parë të nëndetëses. Me ne në atë periudhë lundronte edhe shkrimtari e publicisti i njohur, Nasho Jorgaqi, që do të shkruante më vonë skenarin e filmit “Duel i heshtur”. Ky ishte një tjetër rast i mirë për mua të dëgjoja për heroizmin e Spiro Kotes, sepse në rastet e zakonshme ai u shmangej me shumë modesti kërkesave tona rreth aktit të tij heroik. Shokët tanë më të vjetër si Astriti, Bardhyli, Miltoja, Pulka, etj, që kishin vite me Spiron, i dinin përmendësh këngët që ishin ngritur për të dhe i këndonin ato duke patur në mes tyre edhe Spiron, ashtu siç ishte ai krenaria e flotës. “…E more anijen ……., Trim o Spiro Kote ushtar vërtetë”.

Durrës. Ditë e dielë, 1 qershor 1947. Spiroja kryente detyrën roje. Pas çlirimit të vendit, Spiro Kote u caktua në anijen luftarake “Mujo Ulqinaku” për të kryer shërbimin ushtarak. Ai ishte i sjellshëm, njihej nga të gjithë shokët si njeri i qetë e fjalëpak. Pra, atë të dielë ai po kryente shërbimin e rojes në anije, ndërsa efektivi kishte shkuar për të kryer një ndeshje miqësore futbolli me ekipin e këtij qyteti. Në këto momente vjen papritur në anije kapteri i marinës V.B me dy detarë të tjerë dhe njofton se duhet të niseshin, sepse komisari dhe efektivët e tjerë rrezikoheshin të mbyteshin në det të hapur! Në bazë të rregullores, që ishte në fuqi, kapteri me detyrën motorist, kishte të drejtë të nxirrte anijen në det, në rast të mungesës së komandantit të anijes, rast që u shfrytëzua me mjeshtëri nga terroristët. Pas kësaj Spiro Kote vihet në gatishmëri për një lundrim të pazakontë emergjence. Motovedeta doli nga porti i Durrësit në mbrëmje dhe u nis drejt perëndimit. Tashmë dihet nga të gjithë se në filmin “Duel i heshtur” , heroi kryesor është Spiro Kote, i luajtur shumë mirë nga Rikard Ljarja, dhe kapteri V.B i luajtur nga aktori i mirënjohur Ndrek Luca. Batutat se “çështja e komisarit ishte loja…”, nuk është thjesht një trillim artistik, por një e vërtetë, në qendër të së cilës ndodhet komisari Petro Bicolli, i cili më pas kreu detyra me rëndësi në ushtri dhe arriti deri në gradën kolonel, e tani nuk jeton më. Mbasi kishin përshkuar dhjetëra milje pa rimorkiator dhe komisari nuk po dukej, Spiroja pyet kapterin se në ç’drejtim ndodhej. Pak nga pak Spiros i lind dyshimi që sa vinte e shtohej më shumë. Në atë kohë, një nga marinarët që kapteri e kishte marrë “për ndihmë”, e sqaron se “Akoma nuk e ke kuptuar se ne po ikim në Itali dhe prej andej mund të vemi në Amerikë?” Spirua mbeti i habitur, gati u shokua nga përgjigjja që mori, po aty për aty nuk e dha veten, megjithatë diçka filloi të bluante në kokë. Sa për sy e faqe e pranoi vendimin e tyre, i vuri në gjumë terroristët që të fitonte kohë. Rrëmbyesit e anijes ndryshuan kursin dhe e drejtuan anijen për në Itali. Ata filluan të interesoheshin se ku do të zbarkonin. Studiuan hartën dhe kodin e bisedimit, njëkohësisht caktuan edhe detyrat që do të kryenin. Kapteri V.B qëndronte te motorat e anijes. Detari i parë qëndronte te timoneria. Gjykoi dhe konkludoi se i kishte të gjitha mundësitë për të mos lejuar rrëmbimin e anijes luftarake, qoftë edhe duke vënë jetën e tij në rrezik. Më vonë Spiroja kujtonte: “Vendosa të pranoj vdekjen, por kurrë një tradhëti të tillë, megjithëse isha një i vetëm përballë tyre. Mora automatikun e një shokut tonë që e ruante që nga koha e luftës, dhe duke shfrytëzuar befasinë, zhurmën e motorëve e dallgëve të detit, sulmova detarin që ishte në urën e komandimnit, që e konsideroja si më të rrezikshëm, e qëlloi dhe e vras”. Me shpejtësi ngjitet në kabinë për të detyruar timonierin të kthejë anijen në port. Timonieri e kuptoi dhe e qëllon Spiron me pistoletë, por ky shmanget dhe e neutralizon atë. Kapteri V.B, duke u ngjitur nga lokali i motorave qëlloi disa herë në drejtim të Spiros. Lufta ishte në distance të afërta . Spiroja u mundua ta sillte të gjallë, por në pamundësi e vret edhe atë. Kështu i vetëm kundër tre rrëmbyesve del fitimtar dhe e kthen anijen në drejtim të tokës mëmë, drejt Durrësit. Arriti ta fusë anijen në port. Fiku motorat, pasi lejoi inercinë e anijes hodhi dy spirancat afër molit dhe priti autoritetet e komandës për t’i informuar rreth ngjarjes. Rrëmbimi i anijes që nuk u realizua, synonte të tregonte para botës në gjyqin e Hagës, se gjoja me atë anije ishin vendosur minat që shkaktuan incidentin në kanalin e Korfuzit dhe Shqipëria të ngarkohej me faj, kur në atë periudhë ajo nuk dispononte as mina e as mjete për minim. Pas ngjarjes, më ka thënë Kadri Hazbiu që kish ardhur në bazën e Shëngjinit, kur ishte ministër i mbrojtjes: “Shkova në Durrës duke qenë shef i sigurimit të ushtrisë dhe takova Spiron, ishte i tronditur dhe nga ai moment krijova bindjen, e unë isha i pari që i propozova Enverit për ta shpallur hero të popullit, dekoratë të cilën ia dorëzoi në një ceremoni M.Shehu. Po ku është Spiro?-më pyeti ai. Mbas aktit heroik Spiroja u dërgua për studime në BS. Gjatë karrierës së tij kreu detyra deri zëvendëskomandant i BUD të Durrësit deri sa doli në pension. I thjeshtë, I dashur e i respektuar e shumë punëtor, një prind shembullor, kështu e kanë njohur shokët e tij. Tashmë ai nuk jeton më, por mbeti akti i tij heroik që frymëzon brezat.

Vështirësitë kapërcehen me vullnet të fortë e djersë

Nata ka mbuluar brigjet dhe detin. Detarët vigjëlojnë dhe stërviten në çdo kohë si atë ditë që u shpëtua anija “Mujo Ulqinaku”: -Alarm luftarak! Një zile që zgjat disa sekonda dhe zëri i komandantit që e pason dëgjohen në megafona dhe përhapen me shpejtësi në të gjithë anijen. Detarët vrapojnë për në postet e luftimit dhe fillojnë t’i përgatisin për luftë e lundrim. Artilierët bëjnë gati shpejt e shpejt topat. Në efir fillojnë të “rendin” sinjalet e para. –Do të kemi det- më thotë një nga kuadrot dhe e tret vështrimin tutje nga bashi i anijes. Fillon kryerja e detyrave ushtarake. Shikoj detarët. Të gjithë janë përqëndruar në postet e tyre. –“Minë”, bordi i djathtë…distanca … – raporton me zë të lartë drejtuesi i bashit. Siç duket, “armiku” ka vendosur pengesa me mina, që të pengojë lundrimin e anijes dhe kryerjen e detyrës, po mundi dhe ta dëmtojë. Vigjilenca dhe gatishmëria e detarëve ia prish këtë plan. –Timoni majtas – dëgjohet zëri i komandantit dhe anija merr kursin e treguar. Po lundrimi në det ka të papriturat e veta. Timonieri Luan Asimi vëren që akrepi në treguesin e timonit nuk lëviz. Timoni kryesor është bllokuar. Ndërsa kalohet me shpejtësi në drejtimin e anijes me timonin e avarisë, vihet në gatishmëri timoni kryesor. Kjo nuk zgjatë më shumë se disa minuta. –Nëpër vende qëndroni, çminuesin detar vendos!-dëgjohet komanda. Bashkim gametash, kavosh, hedhje bovash dhe krijimi i atij rrjeti të madh me anën e të cilit kapen “armiqtë” e nënujshëm, minat, dhe nxirren në sipërfaqe. –Çminuesi u hodh!- raporton Qazim Cafi e Xhevahir Lybeshari. Në sytë e tyre shprehet gëzimi i fitores. U thye norma. Kjo nuk u arrit lehtë. Detar Lybeshari nuk e harron lundrimin e parë. Sapo mbaruan programin e përgatitjes bazë, dolën në det. Anija lëkundej si një djep. Deti sa i mirë, i butë është, aq i egër bëhet kur fillojnë e shkumëzojnë valët. Po kur mësohesh me të, të lidh një miqësi e fortë. Këto ndjenja provonte edhe Lybeshari tek bashkonte gametat me bovat, ndërsa dallgët përplaseshin me forcë mbas bordeve. Iu morën mendtë. Nuk qëndronte dot. Ndjeu dorën e shokut mbi sup, ishte Qazimi. –Shko shtrihu, i pat thënë ai, e bëjmë ne punën tënde. Ti do dalësh edhe herë të tjera dhe do mësohesh me detin. Lybeshari nuk u largua nga posti luftarak. Në çast solli ndër mend fjalët e prindërve kur e përcollën për të kryer ushtrinë: “Shko bir dhe na ndero. Mos u përul përballë vështirësive. Ato kapërcehen me vullnet të fortë e djersë. Shqiptari s’i ka kthyer kurrë shpinën armikut, por gjithmonë gjoksin, dhe ka fituar”. Lybeshari u gëzua shumë nga kujdesi i shokëve. Tani për të thonë fjalët më të mira. Ndërkaq, sinjalisti i anijes, Idriz Oshafi, kërkon të zbulojë objektivin. –istanca….pelengu….anija “armike”, – raporton Idrizi dhe transmeton të dhënat në vendkomandë.