Hedh sytë përqark dhe shoh se si shemben rrugët pa u inauguruar mirë dhe çfarë (nuk) ndodh në lloj-lloj biznese të ngritura me lekë të pista. Dora e ashpër dhe partiake e qeverisë vazhdon të diktojë projektet, pistat e “zhvillimit”, marrëdhëniet me botën. Po bëhet një kohë që askush nuk e di, bie fjala, çfarë po ndodh me Portin e Durrësit dhe ku do të shkojë më tej panorama e kafshuar e vijës bregdetare nga veriu në Jug. Bëhet fjalë e bujë për investime që qytetarët as i dinë, as i kuptojnë, as i kanë miratuar; se nuk merr askush një mendje nga specialistë e teknikë, pa le që për të zhvilluar ndonjë referendum në vendimmarrjet e rëndësishme… harroje.
Duke pasur parasysh median ku shkruajmë dhe lexuesin e vëmendshëm që na ndjek, përpiqemi të jemi sa më korrektë në dhënien e informacionit dhe në reshtimin e fakteve; por kjo përbën në vetvete njëlloj kontradikte. Ndonjëherë, edhe pse shumë shifra sillen për mirë, tabloja mbetet gri. Nuk bëj pjesë ndër ata që gëzohen teksa zerojnë çdo gjë. Pra, le të themi se po qarkullojnë më shumë vlera monetare dhe ka rritje (numerike) të bizneseve. Por matja reale bëhet së pari me çfarë mund dhe duhej arritur ndërkaq; dhe së dyti, duke marrë në sy dukuritë që shoqërojnë zhvillimet ekonomike. E vlerësoj çdo qasje specialistësh të fushës, i ndjek ata sa mundem. Përtej kompetencave të tyre, mendoj dhe do të shprehem me sinqeritet: natyra e biznesit dhe e ekonomisë në Shqipëri, prej disa kohësh, ka ndryshuar. Me fjalë të tjera, është transformuar, sado që kjo mund të tingëllojë e çuditshme.
Kam pasur fatin të punoj pranë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë përmbi një dekadë, si zëdhënës dhe botues i buletinit të tyre AlbBiznes, që shpërndahej në institucione, ambasada dhe shumë pak në shitje të lirë. Janë kontribute dhe kujtime modeste. Ishte një kohë që ekonomia shqiptare dhe biznesi privat po përpiqeshin të ngriheshin në këmbë pas marramendjeve të viteve ‘90; ende s’pat filluar loja e madhe me tendera dhe korrupsion masiv. Ishte ndërtuar pak a shumë një raport i pranueshëm mes biznesit dhe qeverisë, bëhej njëlloj jete nga Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, flitej për biznesin, zhvilloheshin rregullisht takime me drejtues të Doganave dhe Tatimeve, por edhe me drejtues të Ministrisë së Ekonomisë, organizoheshin panaire në rrethe, zhvilloheshin disa programe me Dhoma e institucione të huaja, etj. Veçanërisht normale dukej pamja në kohën që Bashkimi i Dhomave drejtohej nga Anton Leka, njëherësh Kryetar i Dhomës së Shkodrës dhe Sekretar i Përgjithshëm ishte Agim Bufi, kurse Kryetari i Dhomës së Tiranës, Luan Jaupi, ndikonte shumë në mbarëvajtjen e gjithë situatës së biznesit. (“Suksesi gjithmonë lë gjurmë.” Buker T. Uashington)
Çfarë ndodhi më pas? Në dukje, vazhdon po ajo situatë, madje ngase koha bën të vetën, bizneset ecin më mirë, Dhomat (kryesore) punojnë, ka trajnime, formulim kërkesash, takime me dhoma e institucione të rajonit dhe më gjerë, etj. Por fjala ishte që biznesi dhe ekonomia, sidomos në dekadën e fundit, devijuan njëfarësoj. Kjo, për shkak se në to ndërhynë me dhunë dy duar të pista: E para ajo e Qeverisë. Kjo filloi të fuste hundët kudo, vend e pa vend, mori nën kontroll të gjitha institucionet, degët e tyre, programet, tenderat, vetë jetën dhe mbrothësinë e biznesit. Qeveria dhe administrata filluan të shpikin soj-soj institucione e projekte, vetëm e vetëm për të mbajtur për vete “pjesën e ariut”. Për dialog me biznesin as që bëhet më fjalë; ose ka qasje sipërfaqësore. (“Kush nuk di të qeverisë, është gjithmonë një uzurpues.” Karlo Bini)
Dora tjetër, edhe më e pistë, ishte ajo e banditëve. Në biznes, hynë lloj-lloj rrugaçësh, njerëz që vinin nga asgjëja, shpesh herë të lidhur me krimin, asish që kishin bërë ca lekë me mënyra të dyshimta dhe filluan të rrëmbenin ç’të mundnin, duke kompromentuar njerëz të administratës, gjer edhe drejtues të ministrive dhe më lart se aq. Kështu, dalëngadalë, jeta e biznesit doli nga shinat. Për aq kohë sa punova te Dhomat, ishte kënaqësi të prisje e të përcillje biznesmenët nga Tirana dhe nga rrethet, njerëz me dëshirë për punë, burra e gra me vizion, qytetarë të vetëdijshëm për rolin e tyre, zotërinj e zonja që i jepnin hir Dhomave dhe vetë biznesit.
Nuk them se s’ka më të tillë. Ndjek me simpati disa biznesmenë, që kanë nderin të punojnë për vete dhe për qytetarët, që sponsorizojnë ekipe e sporte, gazeta dhe televizione serioze. Por janë pak; dhe janë nën presionin e administratës së korruptuar. Ashtu siç ndryshoi trendi i bërjes së biznesit, ashtu ndryshuan edhe njerëzit. Çapaçulë që askush s’e di nga erdhën, duke iu lëpirë qeveritarëve, duke ndarë fitimet me ta, morën në dorë frenat e shtetit, të biznesit e të vendit pse jo, çatisën në Parlament, në politikë, në tendera, në media, kudo.
Hedh sytë përqark dhe shoh se si shwmben rrugët pa u inauguruar mirë dhe çfarë (nuk) ndodh në lloj-lloj biznese të ngritura me lekë të pista. Dora e ashpër dhe partiake e qeverisë vazhdon të diktojë projektet, pistat e “zhvillimit”, marrëdhëniet me botën. Po bëhet një kohë që askush nuk e di, bie fjala, çfarë po ndodh me Portin e Durrësit dhe ku do të shkojë më tej panorama e kafshuar e vijës bregdetare nga veriu në Jug. Bëhet fjalë e bujë për investime që qytetarët as i dinë, as i kuptojnë, as i kanë miratuar; se nuk merr askush një mendje nga specialistë e teknikë, pa le që për të zhvilluar ndonjë referendum në vendimmarrjet e rëndësishme… harroje. (Ky vend i prapë!)
Jam habitur shumë teksa udhëtoja vjet nga Prenjasi drejt Pogradecit, nëpër një rrugë lufte, me aq shumë kthesa, në një terren ku s’kish as edhe zogj e që të zymtonte teksa kudo lije pas skarpate të pambaruara dhe pirgje me dhè; e makina sikur shkonte kuturu… Dhe të mendosh, pa le sa miliona janë derdhur, ndërkohë që (përveç sa thamë më lart) u pa edhe të shembej vende-vende. Kujt i duhej kjo? Ç’u bë me atë Diellën, se nuk kemi as kohë, as dëshirë për humor… Shikoni se si me atë që quhet AKSHI, qeveria ka krijuar një telash aq të madh, për veten, për vendin dhe për biznesin. (“Kësaj i thonë vidh njërin xhep të mbushësh tjetrin.” Xh. Xhojs)
S’mund të ketë të ardhme bindëse një vend ku nuk pyeten institucionet, teknikët, pse jo edhe qytetarët, por vendosin vetëm “njëshi” dhe “dyshat”; kurse frika se po humbasim pushtetin, dikton devijime të frikshme. Jemi pikërisht në këtë hall, mendoj, në këtë terr. Dhe personalisht, siç u përpoqa të shpjegohem më lart, edhe nëpër atë terr, ndër gjërat më problematike që shoh, është pikërisht shkalafitja e biznesit dhe e institucioneve të pavarura.
………………………………………………………………………
*Emrat e huaj janë shkruar sipas parimit të shqiptimit.




















