Kozma Gjini: Jani dhe Ptoleme Nushi, “robër” të folklorit

755
Sigal

Jani Nushi, “Mësues i Popullit” dhe  djali i tij, Ptoleme Nushi,  mësuesi i letërsisë,  at bir, si në një simbiozë vijimësie, në kapërcyell të shekujve, me hulumtimet e mbledhjet e tyre folklorike, mbeten dy nga përfaqësuesit unik tradicional të kulturës e zakoneve të trevës së Myzeqesë. Babai punoi me një zell të pashoq nga një shkollë në tjetën, nga një rreth në tjetrin dhe krahas detyrës shtetërore, i spikatur dhe nxitur prej autoriteteve të albanologjisë, iu kushtoi jetën misionit të papaguar për mbledhjen e këngëve, anekdotave, fjalëve të rralla, gojëdhënave, përrallave, fabulave, toponimisë së fshatrave, gjëegjëzave, fjalëve të urta etj…, duke u bërë kështu një figurë emblematike për specifikën dhe zellin në vjeljen e gojëtarisë popullore. Me një përkushtim dhe dashuri e cila u shndërrua në pasion, saqë “eklipsoi” edhe detyrën e mësuesisë. Aq e vërtetë është kjo, aq me shpirt iu fut kësaj pune  xha Jani, saqë u kishte nxjerrë ” telashe” autoriteteve të Institutit të Folklorit me kërkesat e tij këmbëngulëse, qoftë edhe një “Oliveti”, e cila i duhej për cilësinë e punimeve. Siç dokumentohet në arkivin dhe publikimin e veprave të Jani Nushit: “…materialet leksikore të qëmtuara prej tij si bashkëpunëtor i jashtëm më i vjetër e më aktiv i Sektorit të Leksikologjisë e Leksikografisë Shqiptare, janë theksuar me mbishkrimin “…këto fjalë nuk gjenden në fjalorët kryesorë të gjuhës shqipe dhe i jepen lexuesit për të parën herë”. Në kujtimet e tij, Jani Nushi ka shkruar: “…kam filluar të mbledh fjalën e rrallë të gjuhës shqipe që kur isha nxënës në Normalen e Elbasanit, në vitet 1920-1926, sipas porosive të prof. Aleksandër Xhuvanit…” Sa qe gjallë xha Jani, u botuan nga tërësia hulumtuese e tij:

1.Myzeqe e bukuro” 2.Folklor nga krahina e Myzeqesë”.
3.Fjalë popullore nga Myzeqeja”.

Por, do të ishte i biri, Ptolemeu, ai që do ta nxirrte në dritë punën titanike të qëmtuar të të atit. Ptolemeu, vazhduesi i përkorë i rrugës së babait, ishte krenaria dhe siguria e vazhdimit korrekt të punës së xha Janit. Punuan tërë jetën mbi libra së bashku me një synim të vetëm që t’i shërbenin zhvillimit të kulturës së trevës dhe jo vetëm. Për 40 vjet punë si mësues i letërsisë në shkolla të ndryshme të rrethit të Lushnjës, Ptolemeu ndoqi rrugën e babait dhe niste materiale leksikore në qendër, duke u bërë kështu një bashkëpunëtor i rregullt i Institutit të Gjuhësisë, Letërsisë dhe Kulturës Popullore. I vuri detyrë vetes që të publikonte të gjithë punën e pabotuar të babait, por dhe të botonte disa libra të vetat me karakter hulumtues folklorik e dokumentar. Puna e tij, në ruajtjen dhe publikimin e hulumtimeve disavjeçare tërhoqi vëmendjen e titullarëve të folkloristikës.Në vazhdën e vlerësimeve të punës së tij është edhe një korrespondencë e lënë nga prof. Androkli Kostallari, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë Shqipe, i cili i shkruante Jani Nushit: “Nga takimet me Ptolemeun, me kënaqësi kam vënë re, se edhe ai po ecën në gjurmët e tua dhe se po përparon mirë në punën me “Fjalorin e Myzeqesë”. Populli thotë, se ku ka rrjedhur, do të pikojë…Por, me sa po shoh unë, në familjen e gjurmuesit të nderuar të fjalës shqipe, Jani Nushit, “ka rrjedhur” më përpara dhe vazhdon të “rrjedhë” edhe tani”.

Puna e mësuesit Jani Nushi do të vlerësohej nga institucionet përkatëse me tituj, urdhëra e medalje të ndryshme, deri edhe titulli më i lartë “Mësues i Popullit”. Bashkëpunimet e tij me autoritetet e shkencës si: Aleksandër Xhuvani, K. Cipo, S. Shuteriqi, Z. Sako, S. Kolea, E. Çabej, A. Kostallari, J. Thomai, M. Domi etj, do të shërbenin si një gur prove me jetëgjatësi vlerash në shërbim të shkencës së gjuhësisë.

Ptolemeu, realizoi një punë të shkëlqyer përzgjedhëse dhe bëri të shihnin dritën e botimit librat e babait. Ishte një punë e vështirë, pasi duheshin parë në “lupën” e autorëve që kishin kaluar nëpër duar tërë arsenalin folklorik të bashkëpunëtorëve në shkallë vendi. Ai nisi të studionte dhe të mblidhte materiale nga gurra popullore myzeqare. Me nxënës e kolegë në shkollat ku shërbeu, organizoi sesione shkencore dhe publikoi në shtypin e ditës e periodik tema të tilla si: “Vëzhgime për leksikun e botës bimore”, “Myzeqari dhe kënga e tij”, “Dita e Flamurit në këngët myzeqare”, “Gëzimet e festave në këngët e popullit”, “Shprehje e urtësisë popullore”, “Vëzhgime mbi gojëdhënat myzeqare”, “Vlerat artistike të gjëegjëzave”, etj.

Gojëdhënat i kemi tashmë në një libër. Botimi është interesant dhe i vlefshëm për përdorim në të gjitha kategoritë e shkollave. Gojëdhënat myzeqare janë kallëzime popullore për ngjarje e figura historike, mitologjike etj. Ato mund të kenë një bazë reale, por duke u përcjellë gojë më gojë, nga një brez në tjetrin, janë shtjelluar, latuar e  zbukuruar nga fantazia e njerëzve. Sipas gojëdhënave, “…nga Guri i Linjve (i Ilirëve), deri në Bishtçukëz, shkonte macja çati më çati pa shkelur në tokë”. Në Myzeqe gjenden edhe gojëdhëna për figura e ngjarje historike si psh: “I vari dajakun e Pirros!” , për luftën e shqiptarëve kundër turqve, për principatën e Karavastasë, për trimat myzeqarë që “Janë betuar si shqiptarët në Bashtovë.” Nga toponimitë e vendeve ku janë zhvilluar luftime në kohën e sundimit otoman, gjejmë emërtime si: “Kodra e Bajrakut (e flamurit), “Lëmi i madh”, “Lëmi i topit” etj.Një karakteristikë dalluese e të thënave gojore për qytetet, apo fshatrat, si burim kryesor kanë shërbyer emrat e mbiemrat e njerëzve të cilët kanë lënë gjurmë në ato vende. Në krijimin e fshatrave e lagjeve, vendeve, populli është mbështetur në mitologjitë e besimet e kohës si: lagjja “Teqe”, “Shën Barbulli” (Barbullinja),  “Divat” (për Divjakën), “Gjurma e kalit dhe pëllëmba e dorës”(për Baba Aliun), “Guri i xhamisë” etj. Ka edhe versione që emërtimet e disa fshatrave lidhen me marrëdhëniet e bëmat blegtorale si: Kryekuq, Salcë, Stani i Bobos, etj.

Mbledhësi i pasionuar i folkloristikës myzeqare do të bëhej kureshtar edhe për atë se çfarë fshihej në “barkun” e malit të Tomorrit apo të Shpiragut. Si ndërhyri Osumi për t’i pajtuar dy malet? Po burimet e Kërpicës e të Bogovës çfarë fshehin në rrjedhat e tyre? Po këneta e Tërbufit, e Thanës…çfarë etimologjie kanë? Po “Gjoli i Priftit”, “Burimi i Varishtit”, “Kroi i Plaçkës”, i Muratajt, i Beqirit, si i lexon imagjinata popullore? Burimet gojore i kanë “të gjalla” pozicionin gjeografik të gërshetuar me krijimtarinë popullore dhe elementë fantastikë të hiperbolizuar. Gjurmët që lanë punimet e at e bir, Jani e Ptoleme Nushit, bënë që titullarë të lartë të gjuhësisë t’i kushtojnë vëmendje prurjeve të tyre. Do të ishte kjo arsyeja që Sotir Kolea, në korrespondencën me xha Janin, e cilëson atë me fjalët lapidare: “…U ndodhe ti, një mësues i vogël, një copë mësuesi, për të bërë këtë punë kaq të madhe. Të lumtë! Mos harro, se janë mësuesit e vegjël ata që bëjnë kombet e mëdhenj. Në këtë rrugë nuk je vetëm, por je një ndër të parët…e pas shëmbëlltyrës sate, po dalin përditë të rinj me zell e zemër.” S. Kolea, 1931.