Intervist me Artistin e Popullit Muntaz Dhrami/ Sot 85-vjetori ditëlindjes së Mjeshtrit

385
Sigal

Gjirokastra, vendlindja ime e shenjtë! Hyrja në Lice dhe diplomimi në I.L.Arteve. Kamë bërë me qindra punime por ‘Monumenti i Pavarsisë’ në Vlorë dhe “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, që i bëmë së bashku me Kristaq Ramën dhe Shaban Hadërin do të mbeten vepra të pavdekshme. Monumenti i Adem Jasharit, Ali Pash Tepelenës, i Luftës së Drashovicës janë tashmë pjesë e historisë kombëtare. Malli për pedagogët,shokët e klasës dhe punës

Flet Artisti i Popullit Muntaz Dhrami: Zihni Sako dhe Abdurrahim Buza luajtën rol në të ardhmen time

Me Kristaq Ramën, Shaban Hadërin dhe Hektor Dulem kemi bërë vepra të pavdekshme

  • – Në Lice kam qenë në një klasë me Zef Shoshin, Stefan Priftin, Dhimitraq Trebickën, Sotir Kostan
  • – Shaban Hadëri dhe Kristaq Rama kishin mbaruar shkëlqyeshëm në Leningrad
  • – Kristaq Rama ishte i talentuar por mbi të gjitha një intelektual i aftë dhe shok i mirë.
  • -Enverin e kam takuar dy herë dhe për të kam bërë dy monumente
  • -Në Drilon Enveri më tha më ke pikturuar bukur, por në letër të vogël si gjirokastrit që je
  • – Busti i Heroinës së Popullit , Liri Gero ndodhet pas Galerisë së Arteve tashmë me Leninin dhe Stalinin
  • -Njëkohësisht për luftën kam bërë bocet për dëshmorët e 4 Shkurtit. Një ngjarje e madhe historike kjo.

Gazeta Telegraf

Ka lindur në Gjirokastër në 10 nëntor 1936. Shkollën fillore dhe dy vjet të mesme i mbaroi në Gjirokastër.

Gjatë viteve 1953 – 1956 ndoqi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë ku dhe mbrojti diplomën.

Gjatë viteve 1956 – 1957 punoi si modelist në kooperativën e Porcelanit.

Gjatë viteve 1957 – 1961 vazhdoi studimet e larta për skulpturë në Akademinë e Artit në San-Peteburg (Rusi).

Në vitin 1961 mbrojti diplomën në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë me grupin monumental “Çerçiz Topulli” e “Mihal Grameno”.

Në periudhën e viteve 1961 – 1976 punoi si pedagog dhe si Dekan në Fakultetin e Arteve Figurative në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranê. Periodikisht shkëputet nga detyra si pedagog dhe punon si krijues i lirë në realizimin e disa monumentëve.

Sot mbushni 85-vjeç. Nëse do i hidhni një sy rrugëtimit tuaj si do ju duket kjo rrugë nga shkollimi në Gjirokastër deri më sot në Tiranë?

Kur kthej kokën pas them:- Zot  si ka ikur koha? Një jetë e mbushur me ngjarje, punë dhe histori. Kam jetuar në tre kohë gjatë luftës në monizëm, dhe tani në demokraci. Pra, një jetë që në çdo hap ka një ngjarje ka një histori, ka një moment të rëndësishëm jetësor.

Moment i veçantë ishte hyrja ime në Lice. Ka qenë ndërhyrja e të afërmit tim Zihni Sako, që më nxiste, pasi shihte vazhdimisht pikturat e mia. Një ditë ai m’i mori vizatimet dhe ia tregoi Abdurrahim Buzës, piktorit tonë të nderuar. Sa i pa vizatimet piktori i madh tha, që ky djalë të vijë në konkurs në Lice. Por unë nuk mund të shkoja pasi nuk më linte drejtori i gjimnazit (pra kisha filluar mësimet në gjimnaz). Por unë duke pikturuar në rrugët e Gjirokastrës më pa një ditë Bedri Spahiu (ish -ministër i Arsimit). Ai pasi më lavdëroi unë i qava hall duke i thënë se nuk më le drejtori i gjimnazit të futem në konkurrim në Liceun Artistik. Ishin ndërhyrjet e tyre që unë të shkoja dhe të konkurroja në Lice. Në Lice kam qenë në një klasë me Zef Shoshin, Stefan Priftin, Dhimitraq Trebickën, Sotir Kosta etj, ndërsa mësues kam pasur Abdulla Cangonjin dhe Kel Kodhelin. Ata kanë qenë mësuesit e mi në këtë periudhë, deri në mbrojtjen e diplomës.

Cila kaq qenë puna juaj e diplomës?
Puna ime e diplomës në 1956-ën, ka qenë një kompozim i një prindi me një fëmijë. Ka qenë paksa letrareske, ku një vajzë e vogël vjen nga shkolla me një libër në dorë dhe i tregon babait që ishte farkëtar se çfarë ka mësuar në shkollë. Ishte 1 metër e 20 cm, pra më pak se ajo natyrale. Ishte një kompozim i mirë. Nga viti 1956-‘57, punova në kooperativën e porcelanit, si modelist bashkë me Hektor Dulen, Skënder Pukën (një piktor i mirë, i talentuar) nxënës i Odise Paskalit.

Kur filloi krijimtaria juaj e vërtetë?
Viti 1957, ishte viti që filloi krijimtaria ime e mirëfilltë. “Vajza me shall” ishte vepra që unë u ekspozova në Ekspozitën Kombëtare. Ishte si punë konkurrsi. Ishte një ditë e veçantë për vetë faktin se po dilja në një përballje publike, kur dihej se aty kishte shumë piktorë dhe skulptorë të afirmuar. Pikërisht pas këtij ekspozimi apo konkursi më doli e drejta e studimit, në Leninigrad (San Petërbug). Vazhdova studimet nga viti 1957 deri në vitin 1961 kur u ndërprenë marrëdhëniet. Pas këtij momenti unë kthehem në atdhe. Jo vetëm unë, por të gjithë studentët shqiptarë që studionin në BS. Studimet e mëtejshme i vazhdova në Akademinë e Arteve në Tiranë, Institut, i cili në atë kohë ishte sistem 3- vjeçar.
Në atë kohë në Institut po realizonin diplomën Sali Shijaku, Agim Zajmi, Zef Shoshi etj…që kishin lënë studimet në BS. Në këtë kohë kishin mbrojtur diplomën Shaban Hadëri, Kristaq Rama, që kishin mbaruar shkëlqyeshëm në Leningrad dhe kishin lënë emër të mirë. Ne që ishim brezi i ri dhe brezi i fundit në BS u munduam ta ruanim reputacionin e tyre (ata kishin shkuar në moshë të madhe në shkollë).

  • Në monizëm ju keni realizuar shumë statuja, buste dhe relieve, si punonit në atë system?
  • -Ai sistem ka vlerat e veta. Nuk mund të errësohet çdo gjë. Mund të them se për artin është investuar. Sot mund të shohësh shumë skulptura heronjsh, apo monumete të mëdha në të katër anët e Shqipërisë që i përkasin asaj kohe. Monumente që kanë shkruar një pjesë të historisë shqiptare.
  • Cili është busti juaj i parë si skulptor profesionist?
  • Busti im i parë është i Jani Vretos i vendosur në Leskovik. Një bust që e punova me shumë dashsuri duke pasur parasysh jetën dhe veprën e tij shumë interesante?
  • Po monumenti juaj i parë?
  • Monumenti im i parë ka qenë bashkëpunim me Kristaq Ramën. Ky monument i kushtohet Kostandin Kristoforidhit. Është një punë e madhe me shumë përgjegjësi. Monumenti është vendosur në Elbasan ku ndodhet edhe sot. Pra, është monumenti im i parë dhe bashkëpunimi im i parë me Kristaq Ramën. Më pas me të do të kisha shumë bashkëpunime. Kristaq Rama ishte i talentuar, por mbi të gjitha një intelektual i aftë dhe shok i mirë.

-Cilat janë disa nga bashkëpunimet tuaja të mëvonshme me Kristaq Ramën?

Së pari monumneti Nëna Shqipëri që ndodhet në hyrje të kompleksit të “Varrezave të dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore” në Tiranë dhe është 12 metër i lartë. Statuja është në beton dhe është përuruar në varrezat “Dëshmorët e Kombit” në vitin 1971. Realizues Kristaq Rama, unë dhe Shaban Hadëri. Së dyti Monumenti i Pavarësisë i ndërtuar nga Kristaq Rama, unë dhe Sh.Hadëri në Vlorë në vitin 1972 dhe i mbuluar me bronz. Është i lartë 17 metra. Ky monument ngrihet në qendër të qytetit në Sheshin e Flamurit. Në qendër të grupit skulpturor është figura e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar. Relievi te Kryeministria (1974) së bashku me Kristaqin, Shabanin dhe Hektor Dulen. Memoriali i Qafës së Koçiut për luftën e vitit 1920. Pra janë disa memoriale në bashkëpunim  me disa nga skulptorët më të mirë shqiptarë. Të gjithë këta skulptorë kanë lënë gjurmët e tyre në vepra monumentale, që nuk do të vdesin kurrë. Tek puna e tyre shikohet një pjesë e mirë nga më të lavdishmet të historisë shqiptare.

Si erdhi bashkëpunimi në grup?

U bënë konkurse për “Monumentin e Pavarësisë”. U paraqitën shumë variante. Ne që ishim të një shkolle, Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe unë fituam konkursin, për të realizuar monumentin. U dhanë shumë ide dhe projekte, por Byroja Politike pranoi këtë tonën. Po kështu në monumentin “Nënë Shqipëri” kemi qenë një grup realizues. Ishte punë e madhe. Edhe kjo në grup, ku paralelisht, në vitin 1972, realizuam monumentin “Nënë Shqipëri”. Pra dy nga monumentet më të rëndësishme ne i realizuam në grup. Ne që bëmë “Monumentin e Pavarësisë”, bëmë dhe “Nënë Shqipëri”. Pastaj me skulptorin Hektor Dule, Kristaq Rama, Shaban Hadëri (dhe unë) kemi realizuar relievin që është vendosur në fasadën e Kryeministrisë. Relievi zgjati një vit e gjysmë punë dhe është punuar në beton ( shihet dhe sot) si dhe monumentin në Qafën e Koçiut (Vlorë) kushtuar luftës së vitit 1920.

Një punë e madhe është bërë edhe për “Obeliskun e arsimit”?

Sigurisht. Një vepër e madhe dhe me përgjegjësi. Këtë vepër e kam në bashkëpunim. Së bashku me Stefan Papamihalin dhe Ksenofon Kostaqin (dy skulptorë të talentuar) kemi realizuar “Obeliskun e arsimit” të Gjirokastrës mes shumë vështirësish. Obelisku është 7 metër i lartë i ndërtuar me gurë me 100 e ca blloqe guri që janë marrë në Progonat. Një gurë i rrallë. Në fillim e bëmë në allçi. Për obeliskun është punuar dy vjet dhe sot ai ruhet pasi nuk ka ngjyrime politike. Pasqyrë e arsimit shqiptar.

Por, po aty afër realizuat dhe Monumentin e Enver Hoxhës në Gjirokastër?
E vërtetë! Unë kam realizuar dy skulptura për Enverin. Kjo në Gjirokastër ishte një nga punimet më të vështira dhe më me përgjegjësi. Nuk mund të luhej me figurën e Enverit. Për të realizuar këtë monument u bë konkurs. Morën pjesë shumë skulptorë. Ndoshta imi pati më fat dhe u cilësua më i miri. Ai ishte një punim që më ka kushtuar kohë dhe punë dhe lodhje të madhe. Ishte një punë e stërmundimshme. Ky monument u realizua në mermer. Pastaj gjatë punës mora dhe ndihmës. Mermeri i monumentit ishte i veçantë, special. Atë e morëm nga Italia. Ishin 5 blloqe mermeri që në fillim peshonin 80 ton. Ndërsa gjatë punës, heqjet e tepërta, bënë që monumenti të peshonte 50 ton. Për sigurimin e monumentit u punua akoma më me më përgjegjësi. E lidhëm me shufra çeliku, që blloqet të rrinin si një trup. Pas rënies së sistemit komunist, monumentit ju thye hunda, veshët, pra nuk shihej më, thuajse u copëtua. Nuk dihet nëse ekziston pjesa tjetër. Vepra ngelet vepër. Ajo mund të hiqet, por jo të përçudnohet. Ajo është pjesë e historisë së një kombi.

Sa herë e ke takuar Enver Hoxhën?

Vetëm dy herë. Takimi i parë në vitin 1978 kur do hapej një ekspozitë aty ku sot është “Teatri Eksperimental Kujtim Spahivogli”. Në këtë ekspozitë ku isha dhe në juri kisha bërë  relievin “Lart Frymën Revolucionare”. Ishte një takim pa biseda dhe ndonjë gjë të veçantë. Nuk ka ndonjë mbresë që ia vlen për t’u përmendur. Takimi i dytë ishte në Drilon kur do punoja për monumentin e tij që do vendosej në hyrjen e “Muzeut Kombëtar”. Ishte vitit 1982. Shkuam bashkë me Vilson Kilicën. Na priti mirë me buzëqeshje. Unë fillova të bëja disa skica portretit të tij që do më duheshin për monumentin. Por nuk kisha letra mjaftueshëm për ta bërë. Kisha disa copëza letre. Fillova ta vizatoj pjesë pjesë në 3 copa. Në fund ai e pa dhe më përgëzoi. Bukur e ke bërë më tha, por je kursyer në letër sikur je nga Gjirokastra. Qeshëm të tre. Pastaj unë i thashë: “Shoku Enver populli më thotë që na e bëj komandantin të bukur. Pra të duan sa më të bukur si në moshë të re. Ai m’u përgjigj. Çdo moshë ka bukurinë e vet më tha. Di frëngjisht më tha. Di pak i thashë. Dhe më recitoi një poezi që kishte bërë një vajzë e re për Viktor Hygonë. Hygoi ishte i moshuar dhe ajo e kishte bërë të ri. Unë nuk dua të më bësh si Mao Ce Duni hiq një rrudhë andej – këndej. Do më bësh si tollumbace. Ti bëj realitetin. Çdo moshë ka bukurinë e vet. Ky ishte takimi im i dytë dhe i fundit me të. Skulptura për të cilën folëm u realizua 4 metër në bronz dhe u vendos brenda tek hyrja përballë flamurit kombëtar i gdhendur në beton. Por e thyen atë është koka vetëm në galeri. Pra s’ka mbetur asgjë nga trupi.

  • Cilat janë disa nga veprat tuaja në shërbim të historisë?

Janë shumë. Populli ynë ka histori të madhe. Ka histori të jashtëzakonshme. Një popull i vogël me kaq histori zor se ka tjetër në botë. Ndër to mund të përmend monumentin  e Ali Pashës në Tepelenë.  Monumenti madhështor është prej bronxi, me peshë 4 ton, i gjerë 3.1 metër, i lartë 2 metra. Ai është vendosur në qytetin e Tepelenës, në sheshin që gjendet në hyrje të saj, kur vjen nga Ura e Leklit dhe fshatit Luzat. Ceremonia e inaugurimit u zhvillua me veprimtaritë e shumta për dy ditë rresht, më 21 dhe 22 shtator të vitit 2002. Monumenti i Drashovicës  përjeton dy luftëra të zhvilluara në kohë të ndryshme të ndarë nga njëra-tjera në një distancë prej 23 vjetësh. Monumenti është ngritur në rrugën e lumit të Vlorës, pra në udhën automobilistike VlorëKurvelesh. Ai gjendet i pozicionuar rreth 30m nga ura e famshme e Drashovicës. Ura e Drashovicës përmendet në të dy luftërat që zhvilluan lebërit kundër pushtuesve në verën e vitit 1920 dhe në dimrin e vitit 1943. Kjo vepër monumentale u ndërtua e gjitha në bronx, ndërsa sheshi i saj dhe harku që lidh të dy faqet e historisë në një të vetme është ndërtuar me strukturë betoni. Ndërsa në të dy anët e kësaj strukture gjenden figura në basoreliev që tregojnë luftën për secilën kohë. Monumenti i Adem Jasharit në Tirane u vendos në të njëjtin vend ku ishte i vendosur vetëm një bust i tij në rrugën e “Durrësit”. Monumenti u vendos me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë. Busti i Ali Asllanit në Vajzë të Vlorës. Labëria ka nxjerrë burra të mendjes, penës dhe pushkës, shtetarë dhe administratorë, artistë e profesionistë, poetë dhe oratorë. Por rrallë ndodh që në një njeri të vetëm të gjenden bashkë të gjitha këto vlera e vyrtyte. Ali Asllani është njeri prej tyre. Por nga lufta do veçoj një figurë…

-Cilën figurë?

Kam bërë bustin e Heroinës së Popullit  Liri Gero. Liri Gero lindi në vitin 1926 në qytetin e Fierit. Ajo ishte partizane në brigadën XVII Sulmuese. Heroina e Popullit Liri Gero, ra Dëshmore në tetor të vitit 1944. Më pëlqeu shumë jeta dhe figura e saj. E bëra me shumë përkushtim. Për ironi të fatit sot busti i saj ndodhet mbrapa Galerisë së Arteve, bashkë me bustet e Leninit dhe Stalinit. Nuk ka përse. Ajo luftoi për atdheun: do gjendet një vend.. Njëkohësisht për luftën kam bërë bocet për dëshmorët e 4 Shkurtit. Një ngjarje e madhe historike kjo!

 Vijon në numrin e kaluar…